SHOQATA “LABËRIA”, I KËRKON UNESCO-s, PËR TË FSHIRË PREZANTIMIN SIKUR “ISO-POLIFONIA” SHQIPTARE VJEN NGA MITOLOGJIA E SIRENAVE GREKE

1
Polifonia labe

Ndarja, në faqen zyrtare të UNESCO-s, e iso-s nga polifonia dhe interpretimi sikur gjoja iso-polifonia vjen nga mitologjia e sirenave greke, është antishqiptare

– “Ndarja, në faqen zyrtare të UNESCO-s, e iso-s nga polifonia dhe interpretimi sikur gjoja iso-polifonia vjen nga mitologjia e sirenave greke dhe tezat e shkruara po në atë faqe se “Iso-Polifonia shqiptare buron nga muzika kishtare bizantine” dhe se ajo shoqëron, midis të tjerash edhe funeralet e kremtimet fetare; etj., janë vetëm disa nga këto goditje në identitetin kombëtar shqiptar”.

– Shoqata Kulturore Atdhetare “Labëria”, i kërkon Ministrisë të Kulturës, të ushtrojë përgjegjësitë e saj kombëtare e shtetërore, për të ndërhyrë zyrtarisht pranë UNESCO-s, për të fshirë prezantimin aktual të ashtuquajturës “Iso-Polifoni” në të gjitha anekset përkatëse të faqes zyrtare të kësaj Agjensie të OKB-së, për Polifoninë Shqiptare dhe për ta zëvendësuar atë me prezantim shkencërisht dhe historikisht të mbështetur, si dhe të nënshkruar nga institucionet përkatëse, jo nga individë, kushdoqofshin ata. Ajo kërkon gjithashtu, që, në faqet zyrtare të Ministrisë së Kulturës, si dhe në botimet zyrtare, të mos lejohen shtrembërime të tilla me karakter antikombëtar, antihistorik e antishkencor.

Drejtuar: znj. Elva Margariti, Ministre e Kulturës

Për dijeni:
Presidentit të Republikës, shkëlqesisë së Tij, z. Bajram Begaj
Kryeministrit z. Edi Rama
Kryetares së Kuvendit znj. Lindita Nikolla
Kryetarit të Akademisë të Shkencave prof. Skënder Gjinushi
Ministres për Europën dhe Punët e Jashtme, znj. Olta Xhaçka

R E Z O L U T Ë

Shoqata Atdhetare Kulturore “Labëria”, “Nderi i Kombit”,zhvilloi, në Sallën “UNESCO”, të Muzeut Historik Kombëtar, më datën 25 mars 2023, Simpoziumin “Polifonia Popullore
Shqiptare”, ku morën pjesë etnomuzikologë të njohur të vendit tonë, profesorë, kompozitorë, studiues, artistë, përfaqësues të grupeve polifonike, etj., nga i gjithë vendi.

Në Simpozium u evidentuan, shkencërisht, vlerat atdhetare, historike dhe kulturore të Polifonisë Shqiptare dhe, në këtë kuadër, të Polifonisë Labe, të cilat, si pjesë e tërë trashëgimisë shpirtërore të popullit shqiptar, kanë ruajtur origjinën e tyre unike.

U evidentua fakti se për vlerat e rralla etnokulturore të Polifonisë Shqiptare, Fondacioni “Toelfer”, në Gjermani i dha çmimin “Europa për Folklorin “1987, e po kështu Instituti i Kulturës Popullore në Akademinë e Shkencave në Tiranë në Tetorin e vitit 1989, organizoi dhe simpoziumin: “Vendi që zë Polifonia Shqiptare në Ballkan”, duke përcaktuar qartë këtë kulturë muzikore Mesdhetare të shqiptarëve nëpër shekuj.

Duke vlerësuar regjistrimin në Listën Përfaqësuese të Trashëgimisë Kulturore jo lëndore të Njerëzimit, në UNESCO, të gjithë folësit, shprehën kundërshtim me prezantimin e kësaj polifonie në faqen zyrtare elektronike (në faqet e shkruara, në videot dhe në ilustrimin e fotografi ve), pasi bie ndesh me të vërtetat shkencore dhe ato historike, duke goditur kështu identitetin kombëtar shqiptar. Këto trillime me synime djallëzore për tjetërsimin e identitetit tonë kombëtar, të thesarit të çmuar të folkut tonë, duhet korrigjuar institucionalisht, pasi bien ndesh me misionin e Ministrisë së Kulturës dhe Akademisë së Shkencave.

Ndarja, në faqen zyrtare të UNESCO-s, e iso-s nga polifonia dhe interpretimi sikur gjoja iso-polifonia vjen nga mitologjia e sirenave greke dhe tezat e shkruara po në atë faqe se “Iso-Polifonia shqiptare buron nga muzika kishtare bizantine” dhe se ajo shoqëron, midis të tjerash edhe funeralet e kremtimet fetare; etj., janë vetëm disa nga këto goditje në identitetin kombëtar shqiptar. Gjeniu i letrave shqipe Ismail Kadare ka shkruar:
“Populli shqipttar nuk ka indetitet gjysmak, të shtirë apo të fshehur pas lajlelulesh mashtruese. Indetiteti i tij është gjithashtu i qartë, pavarësisht se dikush nuk dëshiron ta shohë, e dikujt nuk i intereson ta shohë. Shqiptarët janë ndër popujt më të vjetër të kontinentit Europian, popull themeltar në rrafshin e tij…” (Marrë nga libri “Indetiteti Europian i shqiptarëve”).

Ndërsa korifenjtë e letrave shqipe si F. S. Noli shkruante se: “Kur lëngon Shqipëria zgjohet Labëria dhe kur të vdes të më përcillni me këngë labe”. Akademiku Rexhep Qosja, Kryetar Nderi i Shoqatës “Labëria”, gjatë një vizite në trevën e Labërisë shkruan: “Në të vërtetë Labëria, ashtu siç e përjetova unë, është Shqipëria. Labëria shpirtërore është Shqipëria natyrore e kjo do me thënë Shqipëria etnike.

Me këngën labe të djeshme e të sotme, jetojnë shqiptarët e të gjitha trojeve shqiptare. Kënga e labërishtes është shembulli më i ndritshëm i vetëdijes së pandarë, i vetëdijes kombëtare shqiptare. Dhe kjo është e kuptueshme. Ajo është kënga e fuqisë morale, shpirtërore të Labërisë, e cila tash 100 vjet është faktor kryesor kombëtar që e lëviz historinë shqiptare të Labërisë, që është bërë thelbi shqiptar”.

Në këtë Simpozium, kumtuesit përforcuan me argumente të reja profesionale dhe historike, përcaktimet e bëra nga studiues të shquar shqiptarë si: Ramadan Sokoli, Beniamin Kruta, Shpëtim Kushta, Spiro Shituni, Piro Miso etj, si dhe përcaktimet e bëra nga etnomuzikologë të shquar të huaj të kalibrit botëror, lidhur me termin dhe origjinën e Polifonisë Shqiptare.

Duke vlerësuar sa më sipër, Shoqata Kulturore Atdhetare “Labëria”, i kërkon Ministrisë të Kulturës, të ushtrojë përgjegjësitë e saj kombëtare e shtetërore, për të ndërhyrë zyrtarisht pranë UNESCO-s, për të fshirë prezantimin aktual të ashtuquajturës “Iso-Polifoni” në të gjitha anekset përkatëse të faqes zyrtare të kësaj Agjensie të OKB-së, për Polifoninë Shqiptare dhe për ta zëvendësuar atë me prezantim shkencërisht dhe historikisht të mbështetur, si dhe të nënshkruar nga institucionet përkatëse, jo nga individë,  ushdoqofshin ata. Ajo kërkon gjithashtu, që, në aqet zyrtare të Ministrisë së Kulturës, si dhe në botimet zyrtare, të mos lejohen shtrembërime të tilla me karakter antikombëtar,
antihistorik e antishkencor.

Ndërkohë, Shoqata Kulturore Atdhetare “Labëria”, bazuar në misionin e saj të miratuar sipas ligjit, nuk do të pranojë zhvillimin e asnjë aktiviteti nën termin “Iso-Polifoni”, por vetëm nën termin “Polifonia Shqiptare”. Miratuesit e Rezolutës që shprehen kundër termit “Iso-polifoni” janë akademik, profesor, deputet, muzikantë, artist, historian dhe përfaqësues të institucioneve shtetërore, si dhe personalitete të Labërisë, mbartës të këngës labe, që janë të shqetësuar për këtë tjetërsim. PS. Këtë Rezolutë e kanë miratuar të gjithë personat e poshtë shënuar duke komunikuar nominalisht me Kryetarin e Shoqatës “Labëria” profesor Ago Nezha.

KËSHILLI KOMBËTAR I SHOQATËS
ATDHETARE KULTURORE LABËRIA
“NDERI I KOMBIT”

Marrë nga Nacional

1 KOMENT

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.