Zymer Mehani
Prishtinë – Autores Zejnie Bytyçi-Gashi i kanë dalë nga shtypi dy libra të rinj që synojnë të frymëzojnë lexuesit për të zhvilluar vetëbesim, paqe të brendshme dhe energji pozitive. Librat titullohen:
• “MANIFESTO SHËNDET, DASHURI DHE PARA”
• “AFIRMIME QË DO TË NDRYSHOJNË JETËN TUAJ (Për vetëbesim, paqe, dashuri, para dhe fuqi)”
Në librin e parë, “MANIFESTO SHËNDET, DASHURI DHE PARA”, Zejnie Bytyçi-Gashi prezanton Metodën e manifestimit 7×77. Ky udhëzues praktik tregon se si çdo afirmim, i shkruar me dashuri, përqendrim dhe besim, mund të transformojë energjinë e individit dhe të sjellë shëndet, dashuri dhe bollëk në jetën e përditshme. Metoda 7×77 është një ritual i përditshëm që përfshin shkrimin, vizualizimin dhe mirënjohjen, ku çdo fjali shkruhet 77 herë për 7 ditë, duke krijuar një urë mes mendjes, zemrës dhe universit.

Libri i dytë, “AFIRMIME QË DO TË NDRYSHOJNË JETËN TUAJ”, i përqendruar në fuqinë e fjalës dhe mendimit pozitiv, ofron 50 afirmime të përzgjedhura me kujdes dhe një metodë të thjeshtë dhe efektive: “shkruaj, beso dhe falëndero”. Përmes këtij rituali të përditshëm, lexuesi mëson të balancojë emocionet, të rigjenerojë mendjen dhe të harmonizojë energjinë e trupit me dëshirat shpirtërore.
Zejnie Bytyçi-Gashi, mësuese dhe studiuese e zhvillimit personal, ka përfunduar studimet bachelor në Arsim Fillor dhe Fizikë-Kimi, si dhe Masterin në Mësimdhënie Lëndore me specializim në Kimi në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”. Librat e saj reflektojnë udhëtimin personal drejt vetëbesimit, zhvillimit shpirtëror dhe forcës së brendshme, duke ofruar udhëzime të qarta, hapësirë për reflektim dhe frymëzim për lexuesit e të gjitha moshave.
Këta dy libra janë një ftesë për çdo lexues që dëshiron të besojë në fuqinë e vet, të përmirësojë jetën dhe të manifestojë ëndrrat e tij me dashuri dhe besim.











