VRASJET POLITIKE CILËSORE VAZHDONIN, RUGOVA NË RADHË! (Pjesa V)

1
Rugova mes njerëzve

– “Gani Mehmetaj: “Rugovën, si e kam njohur – pasqyrë e një epoke të trazuar” –

IDRIZ ZEQIRAJ

Vrasjet politike cilësore vazdonin: Profesor Fehmi Agani, nënkryetar i LDK-së, Latif Berisha, shkrimtar dhe kryetar i LDK-së në Mitrovicë, Bajram Kelmendi, avokat i njohur, i cili hartoi dhe dorëzoi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë dosjen e krimeve të Millosheviçit, me djemtë Kastriotin dhe Kushtrimin, Agim Hajrizin, sindikalist.

Autori i librit, Gani Mehmetaj, “Rugovën, si e kam njohur”, e vlerëson si një atdhetar dhe personalitet shumëdimensial. Duke qenë në cilësinë e Presidentit, Ibrahim Rugova mendoi për simbolet kombëtare, Hymnin Kombëtar “Kur ka ra kushtrimi n`Kosovë”, Rugova e krahasonte me Simfoninë e Nëntë të Bethovenit, por që kishte edhe ngjashmërinë e këngës hymn-kushtrimi “Bini toskë e bini gegë”; “Flamurin e Dardanisë”, Emblema Presedenciale dhe të tjera simbole të Dardanisë Antike.

Dizanjin e Flamurit Dardan e ka bërë Mendim Rugova, sipas mendimit të dhënë nga babai i tij, Rugovë. Ndërkohë që flamujt e Dardanisë zbukuronin kryeqytetin e Kosovës, një grup të vetëquajtur “veteranë të UÇK-së”, në mënyrë kriminale e rrugaçërore, i hoqën, i mblodhën dhe i dogjën, njësoj si “turrat e librave kur i digjnin nazistët në Gjermani!” Dhe, e gjithë kjo maskaradë kriminale bëhej në prezencë të Policisë të Qeverisë të Përkohshme të Kosovës dhe të UNMIK-ut.

Ngjarjet e viteve 1999-2000 dëshmonin se terrori i komandantëve pushtetarë, ishte një – e fshehtë publike-! Edhe ata që kishin sfiduar, guximshëm, pushtetin e Millosheviçit, u dorëzuan në përballje me komandantët mujsharë, ngaqë ishin më të vrazhdët në krime. Në provë u vu edhe Kryesia e LDK-së, që dikur e rrethonin Rugovën. Ata u larguan në heshtje, pa rezistencë, madje pa e konsultuar shefin e tyre, me të cilin kishin punuar për një dekadë radhazi! Megjithatë, emblema e Rugovës e ruajti partinë e tij nga shkërmoqja. Ndërkombëtarët, bota demokratike, tashmë, njohu nulitetin, xerrësinë e “komandantëve” dhe të “gjeneralëve” të vetëshpallur. Dhe, iu kthyen serishmi Rugovës.

Vrasjet e ushtarakëve të FARK-ut të Ibrahim Rugovës dhe kuadrove veprimtarë të LDK-së, ishin bërë normale. “Komandantët” vrastarë, me dosjet faktike të krimeve, me eliminimin fizik, realizonin dy qëllimet e tyre: 1) Varrosjen e dëshmitarëve, së bashku me dëshmitë e tyre faktike; dhe 2) Përvetësimin e luftës, e cila është bërë, kryesisht, nga ushtarakët e FARK-ut. Është pranuar bindshëm, se Beteja e Loxhës dhe lufta e Kosharës, legjitimuan Ushtrinë Çlirimtare.

Themeluesi i Degës të LDK-së në Rugovës; Komandant i luftës për trevën e Rugovës; deputet i Kosovës – Smajt Hajdaraj, Hero i Kosovës, gjatë luftës u ndalua dhe u kërcënua nga eksponentë të Qeverisë të Përkohshme, ndërsa pas luftës u ekzkutua në errësirën e natës, në hyrjen e banesës së tij, në Lagjën “Fidanishte” në Pejë. Vajza e tij, me qiri në dorë, meqë banda vrastare kishte ndërprerë, qëllimshëm, rrymën elektrike, kur sheh babain e shtrirë dhe të përgjakur, lëshon një britmë të pakontrolluar. Polici që u ndodhë “rastësisht” aty, në fakt, monitoronte vrasjen, qorton vajzën: “Pse po bërtet, nuk është ba nami, pse është vra baba!”

Seria e përgjakjes të Kosovës vazhdoi me ekzekutimet e listuara, deri në shifrën emërore të 2000 kundërshtarëve politikë, në mes tyre edhe: ish-oficerët e luftës të Kosharës, pas luftës hetues në Prokurorinë Speciale në Pejë, Isuf Haklaj e Sabahate Tolaj, ish-komandanti në zonën e Pashtrikut, Ekrem Rexha – Drini; Ismet Rraci, Ukë Bytyqi, Shaban Manaj, Idriz Rrecaj – Haki Imeri, kuadro të LDK-së dhe drejtues komunal. Truproja i Presidentit Rugova, Besim Dajaku, plagosja e vëllezrve Geci; Gania, Shania, akademik Sabri Hamitit, Agim Veliut, Visokës dhe të tjerë.

Kulmore ishte vrasja e trefishtë e Kolonel Tahir Zemaj, Hero i Kosovës, me djalin student – Enisin dhe kusheririn Hasanin, kryetar i rinisë të LDK-së për komunën e Deçanit. Kolonel Zemaj, ushtarak profesionist, fitues i betejës së parë ballore të Loxhës, Prapaçanit dhe të tjera.

Intervistat e gazetarit Gani Mehmetaj, me Presidentin Rugova, janë vlerë e shtuar e librit “Rugovën, si e kam njohur”. Përmes bisedës të ngeshme, të gjatë, me Rugovën, shpaloset angazhimi i Rugovës për pavarësinë, ndërtimin e shtetit, praninë dhe misionin e ndërkombëtarëve: KFOR-it, UNMIK-ut, OSBE-së. Vazhdimi i bashkëpunimit me Qendrat e Vendosjes, para dhe pas luftës, për pavarësi e mbrojtje nga armiqtë lakmitarë të tokave tona. Për politikën e jashtme Presidenti Rugova kujdesej për harmonizimin e qendrimeve me faktoret relevantë evropianë, parësi e kishte statusin e Kosovës. Rizgjedhja për të tretën herë President i Republikës të Kosovës, flet për personalitetin dhe integritetin e plotë të Rugovës.

Për “komandantët” kriminelë të Kosovës, Presidenti historik, Ibrahim Rugova, ishte pengesë e pakapërcyeshme, për të ardhur në pushtet. Prandaj, pasi ia ekzekutuan bashkëpunëtorët më të devotshëm dhe me besnikë, vëmendja e LPK-së së djeshme, përkatësisht, PAN-it të sotëm, u përqendrua tek eliminimi fizik i Rugovës. Disa herë projektuan atentate me karambolimin, ndeshjen e kontrolluar me makina të rënda; gjuajtjen e shtëpisë së tij me granatë, lëndë shpërthyese të dirigjuar. Prova u bë më 15 mars 2005, në rrugëtimin për takimin me Përfaqësuesin për politikën e jashtme të Bashkimit Evropian, Havier Solana.

Xhipi i blinduar, në rrugëtim, u përplas me shpërthimin të derigjuar të një granate. Në shenjestër ishte Presidenti Rugova. Organizimi i atentatit u bë nga një agjent i trefishtë, një “gjeneral” dhe dy argatë të tyre. Të katërt ishin të PAN-it, pas ndarjes, dy të PDK-së dhe dy të AAK. Por, skuadrat vrastare i kanë të përbashkëta. Njëri nga argatët ka rrëfyer: “Paraprakisht, kishim informacion të saktë për itenerarin që do ta përshkojë makina presidenciale. Në një shtëpi buzë rrugës, kishim zënë pusi tre veta. Në momentin e duhur, aktivizuam shpërthimin. Po të mos ishte makina e blinduar rëndë, do të fluturonte në ajër bashkë me Rugovën!” Krenar pse isha pjesë e organizimit të blejes të xhipit të blinduar, me kërkesën fisnike të Smajl Hajdaraj, Hero i Kosovës, përmes vëllait të tij, në Gjermani, Fazli Hajdaraj.

Megjithatë, as sot, pas 20 vitesh, askush nuk u dënua për krimin e madh, atentatin e projektuar nga “SHTAB-i i UÇK-së”, Rugova i pari në listën për ekzekutim!? Cinikisht e turpërisht, ulurimat kriminale e rrugaçërore, në mbrojtje të krimit dhe të kriminelëve, nga PAN-istët dhe jo vetëm nga ata, janë shtuar dhe shumëzuar gjeometrikisht!? Legalizimi i marrëzisë, është degradimi, deri në degjenerim i shoqërisë kosovare. Një padrejtësi e bërë ndaj një personi në lagje, fshat apo qytet, duhet të përjetohet si padrejtësi e krim, karshi të gjithëve.

Mbrojtja e krimit dhe e kriminelëve, është rivrasje e viktimave dhe provokim i rëndë i familjeve të tyre, i farefisnisë, miqasish dhe të shqiptarisë mbarë.

Autori Mehmetaj shkruan: “Rugova kësaj radhe shpërtheu, duke mallkuar serish grupin që po vriste njerëz e po kurdiste atentate. Mllefi i tij qe i ngjashëm me fjalët nervoze gjatë varrimit të Xhemail Mustafës, kur i mallkoi vrasësit. “Kjo që ndodhi sot, për fat të keq, dhe falë Zotit shpëtova edhe njëherë, e dini kam pasur mjaft këso, tash një vit në Shtëpinë time, ky nuk është rast i vetëm”,- tha Rugova.

Presidenti Rugova kishte një miqësi unike me Papa Gjon Pali II. Vatikani, si qendra botërore e katolicizmit, ndikoi shumë për ndërkombëtarizimin e çështjes shqiptare në Dardani. Nënë Tereza ishte një arsye shtesë, në miqësinë e Rugovës me Papen. Papa Vojtila polak, Vaclav Havel çek dhe Rugova shqiptar, vinin nga shtete të pushtuara, dy të parët nga Rusia dhe Rugova nga Serbia. Andaj përbënin trinomin me etje për lirinë. Papa mençurisht kishte kontribuar për pavarësimin e Polonisë së tij dhe të Çekosllovakisë të Havelit. Tani radha ishte ta ndihmojë lirinë e Kosovës të Rugovës.

Si bashkë shkollarë të mesëm, me Rugovën, mendoj se e njoh mirë atë, na lidhte përballja familjare me pushtuesin e vjetër dhe të ri jugosllav. Ai njihte historikun e rrënjëve tona. Dhe, për ndryshim nga të tjerët, shquhej si “për shpirt kristian,- siç shprehet populli. Një saudit, pas luftës, takoj Rugovën dhe kërkoj lejen e ndërtimit, hiç më pak se 3.000 xhami. Rugova e falenderoj për dhuratën e majmë dhe, mirësjellshëm, iu gjegj se “vendi im, i dalë nga lufta i shkatërruar, ka nevoja të tjera të ngutshme”. Dhe, e përcolli bosh.

BIK-u i Kosovës, në koordinim me disa qendra politike islamiste, “kishte gisht” në këtë joshje të sauditit dhe e bëri namin pse Rugova e refuzoi ofërtën e tij. Mallkimi kundër të “krishterit Rugovë”, ishte e vrazhdët dhe korale nga BIK-u me pak fanatikë të tij. Realisht, Rugova shpërfilli BIK-un, sepse u implikua me organizata terroriste islamike, duke mashtruar dhe dërguar djemtë e Kosovës, “mish për top” në luftërat fetare arabe, duke e implikuar edhe Kosovën, në sytë e ndërkombëtarëve.

Kur vuri gurin themeltar për Katedralen Kalotike “Nënë Tereza”, në Prishtinë, BIK-u u mundua të zgjojë ndjenja përçarëse ndërfetare. Ky institucion i indoktrinuar me islamizmin fanatik, të huazuar nga rryma islamiste arabe e turke, nuk lejoi të vihej një pllakë e vogël përkujtese, në murin e xhamisë, e cila ishte ndërtuar mbi themelet e Katedralës Katolike të rrënuar! Fatmirësisht, shqiptarët e besimit islam i dinë rrënjët e para të besimit fetar të tyre dhe e mirëpritën ndërtimin e Katedralës Katolike të Kosovës. Kryepeshkopët e Kosovës Imzot Nik Prela, Imzot Mark Sopi dhe, tani, Imzot Dodë Gjergji, me priftërinjtë tjerë, ndër ta i mirënjohuri, Dom Lush Gjergji, kontribuan shumë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, përmes Kishës Katolike të Kosovës, tek Selia e Shenjtë në Vatikan.

Autori i librit “Rugovën, si e kam njohur”, Gani Mehmetaj, e përmbyllë studimin e tij të kompletuar me “Vdekja e Ibrahim Rugovës, fundi i një epoke”, njeriu “me një biografi të pasur politike, letrare e intelektuale, një personalitet karizmatik që rrezatonte besim e entuziazëm ndër shqiptarët.” Ceremonia mortore e Presidentit Rugova ishte unike, në dhimbjen dhe pjesëmarrjen masive, gjithë popullore, edhe pse ishte ditë dimri me acar të skajshëm. Por, armiqësia, urrejtja e “komandantëve” kriminelë e hajna zyrtarë, disa syresh edhe agjentë të shumëfishtë të Shërbimeve Informative armike të Kosovës, ndaj Rugovës, ishte e vrazhdët dhe tërësisht rrugaçërore. Komandanti, horr e provincial fodull, i Gardës shtetërore, i dirigjuar nga shefat e tij zuzarë, kriminelë e rrugaçë, refuzoi nderimin mortor të Presidentit historik të Kosovës.

Mbetet pengu i madh i shqiptarëve botërorë, pse Rugova nuk e mbijetoi shpalljen zyrtare të Pavarësisë së Kosovës, për të cilën Ai përgaditi të gjithë infrastrukturën e kësaj Pavarësie. Akti solemn të kësaj ngjarje të shënuar, u perdhos kur, cinikisht e turpërisht, përdhunshëm e pameritueshëm, Deklaratën e Shpalljes të Pavarësisë e lexoi kryeministri, edhe pse në sallën e Kuvendit ndodheshin Presidenti dhe kryetari i Parlamentit.

Autori i librit “Rugovën, si e kam njohur”, Gani Mehmetaj, ka realizuar, mrekullisht mirë, pasqyrimin e jetës dhe të veprës epokale të Presidentit historik, Dr. Ibrahim Rugovës. Përcjellja në vite e dekada të veprimtarisë të bujshme të Heroit të tij dhe tonit – Rugovë, ka mundësuar të shpalosë, në sintezë, thellësinë e shpirtit të tij fisnik dhe të mendjes së ndritur, gjithnjë në shërbim të Atdheut-Kosovë, me shpresë të bërjes të serishme të Dardanisë sonë hyjnore.

Pengu personal i krijuesit letrar dhe artistik, Gani Mehmetaj, është pse nuk arriti ta realizojë projektin e tij të kahmotshëm, në gjallje të Rugovës: “Fimin Dokumentar – Ibrahim Rugova – Rilindasi i Fundit -! Megjithatë, nisma e tij fisnike është vënë në duar të sigurta. Shoqata “Sali Çekaj” në Gjermani, me kryetar Argent Ferizin dhe Kryetar Nderi Osman Ferizi, shok i armëve të heroit Sali Çekaj, me disa Shoqata simotra dhe shokë e dashamirë, Rugovë-dashës, me mendje dhe zemër, do ta realizojë, gjithësesi, këtë vepër artistike, kushtuar jetës dhe veprës madhore të Presidentit Rugova.

Krejt në fund, autori Mehmetaj, sjell vlerësimet në superlativë për Presidentin Rugova, të personaliteteve vendore dhe botërore. Pothuaj se, janë të një mendjeje se pa urtësinë, këmbënguljen dhe vendosmërinë e Ibrahim Rugovës, nuk do të kishte as pavarësi dhe as shtet të Kosovës. (F U N D)

1 KOMENT

  1. I respektuari z. Idriz Zeqiraj!

    1. Në këtë portal, të cilin e moderon i nderuari Arben Çokaj, lexova me kujdes shkrimin e juaj me titull: “VRASJET POLITIKE CILËSORE VAZHDONIN, RUGOVA NË RADHË! (Pjesa V)”, i cili mban datën 02 maj 2025;

    2. Në portalin ZSH, të cilin portal e moderon i nderuari Gëzim Marku, lexova me kujdes shkrimin e Juaj me titull: “Maskarada Kuvendore turpëron opozitën destruktive”, i cili mban (poashtu) datën 02 maj 2025;
    Nga të dyja shkrimet mësova shumëçka, që nuk e kam lexuar në shkrimet e “dikujt tjetër”.
    Ju lumt për të dyja shkrimet!
    *
    Komentin po e përfundoj me këtë urti latine: “Dah mihi facktum, dabo tibi ius” që në shqip e kuptojmë: M’i jep faktet, ta ndaj drejtësinë!”
    *

    Respekt,
    IMH

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.