VETMIA SI TEMATIKË PARËSORE

0
224
Anton Nikë Berisha - Hire të vetmisë

Nga: Isak A H M E T I

I. PURGATOR I SHPIRTIT

Hire të vetmisë, përsiatje poetike, poemë, e shkruar me shumë elegancë dhe përkushtim nga Anton Nikë Berisha, botuar nga Argeta LMG, Tiranë, 2022, fq. 64.

Këtë libër, të cilin autori ma ka dhuruar me dedikim, për çka e falënderoj nga zemra, e kam lexuar ngadalë dhe me shumë përkushtim edhe për faktin se kjo vepër, e hartuar me elegancë poetike në 35 tingëllima, shquhet jo vetëm me vetminë si tematikë parësore por edhe me dendësinë e imazheve, dhe si e tillë, të mbush plot frymë, plot hire, plot persiatje, plot mendime për vetminë, që për poetin është, siç e ka theksuar edhe Albana Alia, emër i njohur në ketrat shqipe, një lloj purgatori i shpirtit, periudhë pastrimi mëkatësh, shfajësimi dhe nisje drejt përvujtërisë.

II. VETMIA SI VIRTYT I NJERIUT

Jo rastësisht autori, Anton Nikë Berisha, librin e tij e ka pagëzuar: HIRE TË VETMISË, persiatje poetike, që n’esencë ka një kuptim shumë domëthënës dhe një simbolikë të veçantë.Gjatë leximit të këtij vëllimi që kërkon vemendje “vetmie” në leximin e vargjeve, m’u kujtua një ese me titull: VETMIA DHE KOMUNIKIMI, botuar te Rilindja në vitet e 70-ta.

Dhe thashë: Vetëm në vetmi krijuesi i mirë arrin të krijojë vepra të mirëfillta letrare-artistike, siç ka ndodhur edhe me poetin Anton Nikë Berisha, vepra e të cilit ka temë parësore vetminë, me plot persiatje, që shprehen me një larmi burimore gjuhësore, që të falin një shije të harruar të gjuhës së pasur poetike të kultivuar që nga Ndre Mjeda e deri tek autori për të cilin po flasim.

Në këtë vepër poetike që është e veçantë dhe me shumë vlera, poeti ka derdhur gjithë aftësinë e tij krijuese poetike-filozofike, por edhe dijen dhe pasionin (Beatriçe Balliçi), për vetminë që nuk është vetëm vuajtje por edhe virtyt i njeriut dhe botës njerëzore. Këtu autori, me një kujdes dhe finesë të veçantë, në 35 tingëllima, ia ka adresuar poetikisht dhe filozofikisht, ndjenjës (hireve, shtjellave) të “vetmisë”. Dhe kjo e bën veprën polivalent edhe për faktin se vetmia, siç dihet, mund të jetë një dënim i tmerrshëm por edhe një shpëtim i mrekullueshëm (Timo Merkuri).

Ky vëllim poetik, siç ka vlerësuar me të drejtë Timo Merturi, kërkon vemendje vetmie në leximin e vargjeve, kërkon meditim mbi vargjet për të kuptuar strukturën e mendimit të formatuar në strofa katër dhe tre vargje dhe mbi të gjitha kërkon një kulturë leximi dhe një nivel të lartë kulturor të lexuesit. Vetëm kështu mund ta ndjesh finesën artistike, aromën dehëse poetike dhe elegancën e ecjes së mendimit nëpër vargje. Te ky libër, shprehja “poezia është për elitën” shndërrohet në formulimin “sonetet janë për supër elitën” (Timo Merkuri).

III. MAGJIA E FJALËS E VESHUR ME ART

Në këtë vepër poetike kemi magji fjalësh. Dhe kjo magji fjalësh eshtë veshur me art. Prandaj nuk është e tepërt të ritheksohet se vepra është e mbrujtur jo vetëm me dendësinë e imazheve por edhe me shprehimësimë në përgjithësi.

Vargjet e këtij libri, në shumicën e rasteve, dhurojnë ekstazën e imazheve sublime në drejtimin vertikal ku levizja kozmike projekton ndjenjën më të lartë të lumturisë në brendësinë dhe shpirtin e poetit:

Vrundullimë e ankthshmeqë synon
bredhjen nëpërv zgafelle e humbëtira
e tevona lartësohesh deri përmbi re
që ta pushtosh dritësimin e pakapshëm
“.

Falë vetmisë dhe dhimbes, poeti Anton Nikë Berisha, ka arritur të takohet me vetvetën për ta shmangur pikëllimin dhe kështu i është kthyer jetës së murëfilltë:

Bekim i heshtur i ringjalljes, i përtëritjes
frymëmarrje e paqësuar në shtresa thellësore
për t’i shmangur vrundujt e pikëllimit
“.

Vetmia në vargjet e këtij libri të Anton Nikë Berishës jo rrallë ka përfituar kuptime të shmëfishta përmes figurave të shumta e të skalitura me shumë mjeshtri siç janë: metafora, personifikimi, epietet, metonimia etj.

Poeti ka ditur këtu të krijojë vargje-strofë emblemë-lapidar poetik siç është p.sh.:

Linde me pafundësinë e kohëve
e Hyji të veshi me fshehtësi të pafund
siç veproi me dashurinë, vdekjen…
“.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.