UDHËTIMI PËR JANINË DHE GJIMNAZI I FAMSHËM “ZOSIMEA” (1828)

0
Gjimnazi Zosimea, Janine
Sabile Basha
Sabile Basha

Prof. dr. Sabile Keçmezi-Basha 

Qysh si nxënëse e shkollës fillore, mësonim për shkrimtarët e Rilindjes Kombëtare Shqiptare si për: Naim Frashërin, Sami Frashërin, Abdyl Frashërin, pastaj shumë më vonë pata mësua se edhe Ismail Qemali i madh e kishte mbarua shkollën “Zosimea” në Janinë. Por gjatë viteve në vijim kisha mësua se edhe shumë të tjerë kishin vijua dhe përfundua në atë kohë po këtë shkollë.  Mësuesit e gjuhës shqipe na flisnin me shumë entuziazëm për gjimnazin dhe personalitetet që kishin mbarua këtë shkollë. Duhet përmendur edhe këtë fakt se, në ato vite, vet emri i gjimnazit mu dukte provokues dhe pak enigmatik, por për çudi askush nuk dinte dhe nuk kishte ndonjë njohuri shtesë se nga ky emër për këtë gjimnaz famëmadh.

“Zosimea”, si shkollë dhe shkollimi i shkrimtarëve tanë të njohur, mu dukte e pakapshme dhe e pa kuptueshme për kohën. Vitet kalonin, e mësimi që bënim për rilindësit e famshëm në literaturën e pastajme, zunë vendin shkrimtarët botëror si : Balzaku, Viktor Hygo, Tolstoi, Jesenini, Stendali, Bodleri, Zhan Zhak Ruso e shumë të tjerë. Ndërsa shumë… shumë më vonë në bibliotekat tona u radhitën edhe librat e poetëve tanë të rinj me biografit e tyre. Megjithatë, në memorien time herë pas here edhe më vonë mu kthente e mu rikthente emri i gjimnazit Zosimea, dhe, edhe më tepër mu shtonte kërshëria për ta parë dhe për ta vizituar.

Koha ecte, dhe kujtimi për këtë shkollë gati asnjëherë nuk u zbehë dhe thellë në ndër dijë shpresoja se një ditë do ta vizitoja, gjithsesi do ta vizitoja, i thosha vetes, dhe do ta shihja këtë ëndërr të fëmijërisë që assesi të më bëhej realitet.

Më 21 qershor 2024, ne u ndodhëm në Janinë. Që nga Prishtina e kishim bë plan që ta kërkonim dhe ta vizitonim gjimnazin. Isha tepër e lumtur kur gjatë rrugës lexoja kilometrat si iknin dhe vëreja se Janina na u afronte… e na u ofronte. Navigatori na tregonte çdo kilometër të kaluar dhe në fund u ngrit flamuri, shenjë se mbërritëm në destinacion. Në Janinë, në një mënyrë e kishim bë itinerarin se çfarë duhet të vizitonim. E në mesin e vendeve më me prioritet për ti vizituar ishte edhe gjimnazi “Zosimea”, për të cilën gjatë kisha ëndërruar, e tani ajo ëndërr ishte aq afër sa mund ta prekja me dorë. Dhe, kush thotë se nuk realizohen ëndrrat.

Shëtisnim bulevardit të Janinës e me ne ishte edhe Greta, që e takuam rastësisht, dhe ajo vendosi të na shoqëroi. Ajo, ishte një shqiptare që jetonte e punonte në këtë qytet. Në bisedë e sipër e pyeta për gjimnazin Zosimea se ku ndodhej që ta vizitonim. Për fatin tonë të keq, atë ditë, ishte mbrëmje dhe ishte stina e verës, kur të gjitha shkollat kishin mbyllur dyert dhe kishin shkua në pushime. Po, na tha Greta, këtu afër jemi. Kaluam nga rruga kryesore pastaj një rrugicë, dhe u ndodhëm para një godine të bukur apo mua kështu më ngjau. Objekti i gjimnazit ndodhej në rrugën “Zosimadon” të Janinës dhe gati ndodhej mu në qendër të qytetit. Shkolla qëndronte krenare dhe thuajse me gjelozi ruante kujtimet e veta të shumë e shumë dekadave të mëhershme.

E shikoja dhe mendoja me vete, po sikur të flisnin këto mure, athua vallë çfarë do na tregonin. Dhe pa dashur u ndodha para një dileme: historia do ishte nënë e kujdesshme apo njerkë e keqe për të gjithë ne. Megjithatë, shpejt dola nga këto mendime surrealiste dhe me kënaqësinë më të madhe e shijoja çdo cep dhe çdo gur në objektin dhe oborrin e saj. Nuk prishi punë që dyert e saja ishin të mbyllura, unë u kënaqja  vetëm që e shihja dhe e shijoja me gëzimin fëmijëror. Ngela e mahnitur dhe sa ora u ktheva shkallëve të historisë dhe më dolën para rilindësit tanë duke mësuar në këtë qerthe diturie. Dhe në moment mu duk se isha njeriu më i privilegjuar që isha para gjimnazit “Zosimea”.

Një historik i shkurtër i gjimnazit “Zosimea” në Janinë

Gjimnazi “Zosimea” në Janinë, fillimet e veta të para i kishte që nga viti i largët 1828, kur vëllezërit Zosimea e marrin përsipër që të ndërtonin një gjimnaz i cili do i shërbente popullatës vendore e për rreth që të shkollohen dhe të nxënë dituri fëmijët e tyre. Si datë zyrtare e themelimit të Shkollës “Zosimea“ në Janinë, merret viti 1828 dhe emrin Zosimea e merr në bazë të themeluesve të saj, vëllezërve Zosimea. Mirëpo, gjatë hulumtimeve kam hasur edhe në një të dhënë se Gjimnazi Zosimea daton që nga viti 1769[1], megjithatë, dokumentet e kohës e dëshmojnë bindshëm se shkolla ka fillua me punën e mësimdhënies në vitin 1828.

Në kohën kur u themelua dhe në vitet në vazhdim thuhej se ajo kishte një bibliotekë shumë të pasur me libra për kohën si dhe kishte një laborator të pasur të fizikës, të pajisur me instrumente bashkëkohore të blera në Parisë e Vjenë. Sipas pasqyrës së fondacionit të dhënë nga historiani i Janinës Aravantini, Kolegji “Zosimea” zotëronte një kapital prej 1.107.610 rubla në Bankën e Moskës, 143 800 monedha ari në atë të Vjenës, dhe 515.000 dhrahmi në Bankën e Athinës[2].

Vëllezërit Zosimea ishin gjashtë vëllezër nga Epiri[3], të cilët që të gjithë kishin emigruar nëpër vende të ndryshme të Evropës. Ata, me një përkushtim dhe dashuri të madhe ndaj vendit e vendlindjes morën këtë hap të madh, veç pasurisë që kishin krijua në mërgim ata nga vendet ku jetonin kishin marr edhe kulturën perëndimore. Malli i madh për atdheun dhe dashuria e pashuar për të, i kishte shtyrë ata që të ndërmerrnin hapa për ndërtimin e një shkolle që i ngjante shkollave që ata shihnin për ditë në qytetet ku jetonin në perëndim. Veç kësaj, duke par shkollimin dhe edukimin e perëndimorëve vendosën që të bënin diçka të mirë për vendin e tyre duke ndërtuar një gjimnaz, i cili për kohën ishte më i njohuri gjatë Rilindje Kombëtare Shqiptare. Gjimnazi u ndërtua në stilin e gjimnazeve që vepronin në perëndim. Ndërsa në një referencë që e hasa në kujtimet e Ismail Qemalit ku flitej për gjimnazin Zosimea”, thuhej edhe kjo se “Kjo shkollë e famshme, ishte një fondacion i katër vëllezërve Zosimea, të cilët pasi kishin patur fat në Rusi, vendosën të mos martoheshin dhe të përdornin pasurinë e tyre të përbashkët për institucionimin e shkollës që ishte një nga qendrat më të shkëlqyera të edukimit në rajon[4].

Duhet thënë edhe këtë se, hapja e gjimnazit “Zosimea“ në Janinë është Zοsimea në Janinë në kohën e Perandorisë Osmane

meritë e padiskutueshme edhe e Pashait të Janinës- Ali Pashë Tepelenës dhe kohës dhe e qëndrimeve të tij. Ngase Përkundër mentalitetit oriental, “shqiptari i tmerrshëm”, siç quhej shpeshherë në kronikat e kohës, si pasojë e kontakteve intensive me fuqitë Evropiane, Ali Pashë Tepelena kishte filluar t’i kushtojë rëndësi edhe arsimit, nën mbrojtjen e të cilit në Janinë u hapën dy shkolla moderne greke: ajo nën drejtimin e Psalidhës dhe gjimnazi i famshëm “Zosimea”, i drejtuar prej Valanos. Në oborrin e Pashait të Janinës jetonin edhe intelektualë të nivelit evropian, si: Jorgo Sakelarios, ndryshe student i diplomuar në Vjenë, pastaj Metaksas i Qefalonisë, student i Parisit, Gjon Vajas, mjek dhe poet, Llukas Via, mjeku personal i Ali Pashë Janinës[5] etj

Në radhë të parë kjo vërehej edhe nga klima dhe liria që e kishte  krijuar në vilajetin e tij, të shkëputur nga perandoria osmane. Ky pasha, me personalitet të fortë dhe dorë të hekurt, ia kishte dalë të fitonte një autonomi të madhe prej Portës së Lartë dhe Pashallëkun e vet, sidomos kryeqytetin e tij, ta kthente në një ambient urban paqësor, kusht i nevojshëm për të mbjellë fara dijesh si shkolla në fjalë[6].

Kam shfletua shumë literaturë dhe kam hulumtua në internet, por është për tu habitur, se askund më pare nuk është përmendur kjo vepër unikale e Pashait të Janinës, e cila pati kontribute të veçanta për arsimimin dhe kulturën e banorëve të këtyre viseve, vend në të cilin u rritën dhe u arsimuan me dhjetëra veprimtarë të dalluar të Rilindjes dhe Pavarësisë Shqiptare, por edhe të asaj greke. Kujtojmë Ismail Qemalin, vëllezërit Frashëri,  Jani Vreton, etj. të cilët dolën nga dyert e kësaj shkolle. Që në fillim të veprimtarisë së saj, institucioni edukativo – arsimor “Zosimea”, ishte një shkollë jashtë arealit të Perandorisë Osmane. Programi i saj nuk i përgjigjej programit të ndonjë shkolle shabllon të zonës, apo të vetë perandorisë.

Lëndët e mësimdhënies nuk u përgjigjeshin atyre që do duhej të përthithte një nxënës i asaj kohe për tu vënë më pas në shërbim të perandorisë. E para gjë, dhe më e rëndësishmja për rolin e vet iluminues, ka qenë diversioni prej gjithçkaje tjetër në atë kohë[7]. E rëndësishme gjithashtu, ishte koha kur u ndërtua dhe u vu në funksionim, që përkon direkt me atë pas Revolucionit Francez. Edhe profili që zgjodhi shkolla të kishte, ishte ai i përcjelljes së këtyre ideve. Pra siç shihet, ” Zosimea ” ishte një shkollë e përparuar e nivelit evropian. Këtë e vërteton edhe më mirë përjashtimi i mësuesit Thanas Psalidha nga mësimdhënia vetëm e vetëm se kishte ide përparimtare për kohën duke ikur nga Janina për tu vendosur në Korfuz.

Gjimnazi Zosimea në fillim njihej dhe ishte shkollë tipike klasike, në të cilën rëndësi e veçantë i kushtohej letërsisë së vjetër greke, romake dhe si më e nevojshme paraqitej mësimi i retorikës. Ajo ishte shkollë e pavarur dhe nuk hynte në plan-programet e Perandorisë Osmane dhe nuk i përgjigjej programeve të asaj kohe. Ajo ishte shkollë e veçantë në Perandorin Osmane e cila nuk përgaditëte nxënës që në të ardhmen të ishin në shërbim të vet perandorisë.

Qamil Bala nga Gjilani, mësues në gjimnazin Zosimea të Janinës

Sipas rregullores së vitit 1878, në kohën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, ky institucion edukativo – arsimor i përgatiste të rinjtë për studime universitare, për mësuesi si dhe për tregti. Kuadrot që dilnin nga drejtimi i shkollës Zosimea emëroheshin mësues të shkollave të ndryshme nëpër Gadishullin Ballkanik. Duke u nisur nga përgatitja e shkëlqyer e nxënësve të gjimnazit, nga viti 1860, Universiteti i Athinës u krijoi mundësi studentëve të Zosimeas që ti vazhdonin studimet universitare pa iu nënshtruar fare provimeve pranuese. Kjo ndodhi për shkak të suksesit të studentëve të Gjimnazit gjatë provimeve përfundimtare si dhe prestigjit të lartë që kishte arritur Shkolla e Mesme Gjimnaz Zosimea. Edhe personeli mësimor e stafi pedagogjik ishte mjaft i zgjedhur pasi Zosimea kishte profesorë të ngritur dhe të aftë, madje aty kishte edhe profesorë prej France, Italie, Gjermanie e Austro – Hungarie.

Disa nga drejtuesit dhe profesorët e Zosimeas nëpër periudha të ndryshme kohore ishin: Anastas Sakellariou, Mannar Spyridon, Miltiadi Pantazis, George Soteriade, Dimitrio Constans, Antoni Traflantonis, Alexio Th. Zamarias, Panaiotis Aravantini, Angjelo Çaço, etj. Por gjithsesi duhet përmendur edhe  Mësuesin e Popullit, profesorin e shquar, poliglotin shqiptar nga Kosova, respektivisht nga Gjilani, Qamil Bala, i cili si mësimdhënës i Gjimnazit Zosimea në Janinë nga viti 1904, kishte qenë edhe pedagog i njohur.

Edhe pse në këtë detyrë kishte qëndruar shkurt, Qamil Bala ishte shquar me aftësitë intelektuale e profesionale dhe zellin për punë. Me paraqitjen e tij autoritare dhe të ngrohtë, i rreptë dhe i dashur, i drejtë dhe dashamirës, kërkues në disiplinë dhe tërheqës në mësim, ai do t’ia rriste së tepërmi emrin vetes ndërmjet nxënësve dhe profesorëve si një autoritet intelektual e atdhetar.

Qamil Bala, kishte lindur në Gjilan më 1878 ndërsa vdiq në Tiranë më 1933 duke lënë pas gruan një vajzë e një djalë.  Pasi kishte përfunduar gjimnazin në Manastir, kishte vazhdua me shkollën Pedagogjike në Stamboll dhe pas përfundimit të saj, ai ishte kthyer në vendlindje- Gjilan dhe kishte vazhdua me mësimdhënie në gjimnazin turk të Gjilanit. Më vonë atë e angazhojnë si mësues në gjimnazin “Zosimea” në Qamil Bala Janinë. Veç  kësaj, ai kishte punua edhe si mësues në Selanik, Manastir dhe ishte drejtor i gjimnazit në Jerusalem, drejtor arsimi në Damask e Elbasan. Në të gjitha këto vende që punonte  veç mësimit me nxënësit që jepte, ai zhvillonte edhe veprimtari patriotike me nxënësit shqiptar.

Më 1918 qe anëtar i Komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës” organizuar në Shkodër nga Hoxhë Kadri Prishtina. Punoi si mësues e inspektor i arsimit në rrethin e Elbasanit (1920-1922) dhe mori pjesë në Kongresin Arsimor të Tiranës (1922). Ishte deputet   i ish-prefekturës së Kosovës (Kukës, Has, Tropojë) në Këshillin Kombëtar të Shqipërisë (1921-1923). Kishte marr pjesë në Revolucionin Demokratik të Qershorit (1924 dhe pas rënies së qeverisë demokratike të Fan Nolit, emigroi në Austri, Zvicër e Gjermani. Më vonë, më 1930 u kthye në Shqipëri, dhe përsëri vazhdoi të merret me organizimin e arsimit në Shqipëri e sidomos u angazhua që sa më shumë femra të shkonin në shkollë. Ishte drejtor i Normales femërore “Naim Frashri” në Tiranë[8]. Duke vlerësuar me notat më të çmuara ndihmesën e atëhershme të Qamil Balës, shumë vjet më vonë, gazeta “Besa” që dilte në Tiranë, do të shkruante: “Ç’ka qenë Bajo Topulli për Shqipërinë e asaj kohe në Selanik, ka qenë edhe Qamil Bala në Janinë dhe gjetkë”[9]. Më 2 mars 1987, Kuvendi Popullor i Shqipërisë, Qamil Balës, (pas vdekje) i dha titullin “Mësuesi i Popullit”[10].

Falë përgatitjes dhe sakrificës së këtij kuadri arsimor, u ruajtën, u kultivuan, u mbajtën gjallë dhe u lartësuan ndjenjat kombëtare në shpirtin e njomë të studentëve shqiptarë. Sidomos gjatë kësaj periudhe, “Zosimea” në Janinë, ishte qendra ku në format më të ndryshme, ushqehej ndjenja dhe dashuria ndaj çdo gjëje shqiptare, nga punëtorët e luftëtarët e shquar të shqiptarizmit, e ku bënte pjesë pa dyshim edhe profesori Qamil Bala. Në këtë mënyrë “Zosimea” dhe Janina u bënë vatër e diturisë dhe u kthyen “në shtëpi kombëtare për djemtë e Shqipërisë”[11].

Fillimisht gjimnazi funksionoi si Shkollë e Përgjithshme, kurse gjimnaz i plotë bëhet aty nga viti 1833. Vetëm pak vite pas themelimit, ajo filloi të konsiderohet si Shkollë e Madhe e Kombit. Në vitet 1833-1862 drejtor i shkollës ishte Anastas Saqellari nga fshati Zagori, përndryshe ish-student i Athanas Psalidhës. Nën drejtimin e tij shkolla arriti suksese të mëdha. Lëndët themelore mësimore fillimisht ishin: gjuha dhe letërsia greke, latine, frënge si dhe ajo italiane dhe me kalimin e kohës plani dhe program i saj mësimor u zgjerua dhe u pasurua edhe më lëndë të tjera, madje deri në atë masë sa që aty mësoheshin gjerësisht lëndët klasike dhe shkencat natyrore, siç ishin: filozofia, teologjia, fizika, kimia, biologjia, kozmografia (astronomia), gjeografia, historia, matematika. Kohëzgjatja e mësimeve – studimeve në këtë institucion fillimisht ishte trevjeçare pastaj katërvjeçare ndërsa që nga viti 1840 u shtuan edhe tri vite të tjera kështu që ajo u bë një shkollë shtatëvjeçare. Si shkollë me kohëzgjatje shtatëvjeçare mbeti deri në vitin 1852. Po në këtë vit sipas dëshirës së Nikola Zosimeas, shkolla profilizohet në tri drejtime. Edhe numri i studentëve nga 215 në vitin 1852 u ngrit në 400 kah fundi i mandatit të Sakelariosit[12].

Në gjimnaz dominonte orientimi i filozofisë franceze, por edhe mësuesit që punonin në të kishin orientime përparimtare dhe revolucionare. Zosimea gjatë shekullit 19, dhe në fillim të shekullit 20, ishte qendra kryesore ku në forma e mënyra të ndryshme bëhej ndikimi për dashurin ndaj çdo gjëje që ishte shqiptare. Mësuesit që punonin në shkollë ishin figura të ndritura të popullit. Drejtorët e parë të saj ishin: Anastasios Sakellarios (Saqellari) dhe Athanasios Psallidas. Drejtori Saqellari sipas disa të dhënave ishte drejtori me jetëgjatësinë më të madhe që qëndroi në këtë pozitë. Ai e ka drejtuar këtë institucion për një periudhë gati 30 vjeçare (1833-1862)[13].

Në këtë periudhë Zosimea rriti nivelin e saj arsimor dhe u shndërrua në një nga shkollat më të mira të kohës. Saqellari ishte nga Hoshteva e Zagorisë (Zagoria është zonë gjeografike dhe etnografike shqiptare në rrethin e Gjirokastrës dhe ka këto fshatra: Sheper, Nivan, Konckë, Nderan, Topove, Hoshteve, Lliar, Zhej, Doshnice, Vithuq)[14]. Dhe se, kjo krahinë ka pasur më shumë nxënës në Gjimnazin “Zosimea”, ndoshta  nga që ishte një zonë e banuar kryesisht me krishterë dhe afër Janinës dhe arsyeja tjetër mund të ketë qenë se, për një kohë relativisht të gjatë, drejtori i gjimnazit ka qenë zagoriti Anastas Saqellari. Drejtori tjetër, Athanasios Psallidas ishte grek. Më parë kish qenë këshilltar në oborrin e Ali Pashë Tepelenës.

Më 1862, gjimnazi Zosimea kishte arritur nivelet më të larta të kohës, por mu në këtë kohë drejtorit Saqellari nuk iu vazhdua mandati, disa thonë se shkak ishte mosha e madhe, por disa supozojnë se Saqellari në kohën e regjistrimeve të nxënësve, kishte regjistrua jashtë rregullave Ismail Qemalin. Sipas të dhënave Ismail Qemali ishte myslimani i parë që ishte bërë nxënës i kësaj shkolle.

Deri te këto përfundime mund të vihet edhe për shkak të kujtimeve që i ka lënë Ismail Qemali në librin “Kujtime”  (1920)  ku në mes tjerash thoshte: “Duke qenë i pari mysliman në atë kohë, u bëra objekt i një vëmendjeje të veçantë, jo vetëm për shokët e mi të shkollës por edhe nga profesorët. Ruaj kujtimin më të mire për këta mësues, dhe ndaj një mirënjohje të thellë për kujtimin e Omer Efendiut dhe të profesorit Çime që çdo ditë vinin për të më dhënë mësime private, njëri për arabishten e tjetri për frëngjishten. Një gjë më argëtonte, ishte këmbëngulja e priftit grek, që vinte sipas zakonit çdo fillim muaji të bekonte shkollën, duke e spërkatur me ujë të bekuar. Ai vazhdonte të më tregonte kryqin, megjithëse e dinte mirë që unë gjithnjë i shmangesha…[15]

Më vonë në kujtimet e veta vazhdon Ismail Qemali duke shtuar se “  Drejtori i shkollës dhe profesorët e tjerë, me shumë mirësjellje, më lejuan të bëj provimet para kohës e më dhanë diplomë të rregullt si dhe një certifikatë mirësjellje. Kështu lashë gjimnazin pasi kisha përfunduar studimet e mia humanitare (greqishten e vjetër dhe latinishten), pasi kisha marrë njohuri të mira në shkencat fizike dhe matematikë. Në të vërtetë kisha aftësi të veçanta për matematikë. Kisha bërë ushtrime e që ishin çmuar shumë nga profesori im. Kur kujtoj vitet e rinisë sime e studimet e mia, bindem se ekziston njëfarë varësie ndërmjet mjediseve fillestare dhe fatit që ndjek secilin nga ne, megjithëqë se do të ishte e vështirë për të përcaktuar ligjin që sundon këtë lidhje. Kush mund të thotë nëse është mjedisi ai që formon fatin tonë, apo nëse mjedisi është krijuar si kusht për fatin tonë të ardhshëm[16]. Për të vazhduar se, që nga mosha më e njomë, mendja ime është ushqyer me analizën e kujtimeve për madhështinë e Francës.

Llamba që ndriste djepin tim ishte mbajtur nga një statujë e Napoleonit të Madh, lodrat e mia ishin vizatime që paraqisnin veprat e mëdha të Napoleonit dhe besoj se pyetja ime e parë fëmijërore drejtuar babait tim ishte për të njohur domethënien e globit që Perandori i Madh mbante mbi kokë … Një fakt tjetër që ka lënë mbresë në mendjen time, sepse më preku në atë kohë, qe zbulimi gjate studimeve të zakonshme të mitologjisë antike, se përrallat e dados sime plakë, një myslimane, afroheshin pikë për pikë me mitet helene si skena ndërmjet Odises e Akilit në oborrin e mbretit Shiro, gjykimi i Paridit etj. Unë kisha qenë me shumë fat pasi kisha pas mësues letërsie e historie të Greqisë së vjetër, burra nga më të shkëlqyerit e kohës, që nuk interesoheshin vetëm të më mësonin në formë leksioni autorët klasik, por më bënin të jetoja në atë atmosferë lirie të botës së vjetër helene”[17] thoshte Ismail Qemali.

Gjithashtu, gjatë shekullit XVIII dhe XIX, qendrat kulturore në Voskopojë dhe Zosimea në Janinë, ishin në zonat jugore të vendbanimeve shqiptare, çka u mundësonte atyre (banorëve të këtyre zonave që kryesisht ishin shqiptarë) një arsimim cilësor dhe njohjen me të arriturat më të reja shkencore, kulturore e ideologjike të qytetërimit perëndimor. Për këtë arsye, ata që i ndoqën mësimet në ato shkolla, u bënë edhe nismëtarët e Rilindjes Kombëtare Shqiptare, si p.sh.: Konstandin Kristoforidhi, Jani Vreto, Naim, Sami e Abdyl Frashëri, Ismail Qemajli dhe shumë e shumë të tjerë, të gjithë të shkolluar nëpër këto qendra edukative të krishtera[18]

Falë gjimnazit të famshëm “Zosimea”, i cili dallohej për cilësinë sipas standardeve moderne evropiane, Janina, si kryeqendër e Vilajetit me të njëjtin emër, nuk mbeti vetëm qendër e një zone administrative por u bë edhe një qendër e rëndësishme arsimore e njohur në gjithë Perandorinë Osmane. Gjatë vizitës që i bëri Aleksander Thomsoni, gjimnazit “Zosimea” të Janinës, ai u njoftua edhe me plan programet moderne shkollore gjë të cilën nuk e kishte gjetur as në shkollën hebreje, e cila kishte ngecur prapa në krahasim me shkollat në gjuhën greke[19].

Më vonë në shekullin e 20-të “Zosimea” vazhdon veprimtarinë dhe aktivitetin e saj duke ndikua dukshëm në drejtim të edukimit, arsimimit dhe përgatitjes së brezit të ri, por jo me atë famë e shkëlqim që pati në fillim. Në vitin 1918 për shkak të numrit të madh të nxënësve, në Janinë, krahas Gjimnazit “Zosimea”, themelohet edhe një shkollë tjetër e lartë ndërsa nga viti 1927 “Zosimea” fillon të quhet Shkollë e Lartë për Djem. Nga viti 1932, “Zosimea” u kthye në Shkollë të Lartë për Djem. Dhe në vitin 1937 nga organet përkatëse shtetërore i ri konfirmohet edhe një herë epiteti i shkollës model dhe me tradita historike, por gjithmonë me tjetër drejtim si shkollë e Lartë Model.

“Zosimea” si një gjimnaz i lidhur me historinë e Shqipërisë, është shkolla ku mësuan shumë nga personalitetet e shquara shqiptare. Asokohe ajo konsiderohej si njëra ndër shkollat më të mira për formimin e nxënësve me virtyte të larta atdhetare, dije dhe kulturë.

Edhe në shekullin e XX “Zosimea” vazhdon veprimtarinë dhe aktivitetin e saj të ngjeshur në drejtim të edukimit, arsimimit dhe përgatitjes së brezit të ri. Interesimi i të rinjve për t’i vijuar mësimet në këtë shkollë vazhdoi të rritet vazhdimisht.

Pas Luftës së Dytë Botërore, Shkolla e Lartë “Zosimea” vazhdon funksionin dhe misionin e saj. Në vitin 1952 ajo zgjerohet si ndërtim me anekse të tjerë dhe më 1955 përurohet ndërtesa e re e Shkollës së Lartë, Akademia “Zosimea” e Janinës. Sot “Zosimea” është një shkollë që ndërtesën e vjetër historike e ka në mes të Janinës[20].

Veçantia e fundit e kësaj shkolle ishte se ajo ishte me nxënës të shumë kombeve, me përbërje fetare të ndryshme, me prejardhje klasore të ndryshme. Që të gjithëve iu mësua të ishin individë të lirë dhe të barabartë në të ardhmen. Shumë e shfrytëzuan lirinë e tyre, për t’u ofruar liri të tjerëve, siç është rasti i shqiptarëve që studiuan në këtë shkollë.

Personalitete shqiptare që mbaruan gjimnazin “Zosimea”

  1. Abaz Sinani,
  2. Abedin Dino (1843–1906) – Patriot, politikan, ideolog dhe diplomat.
  3. Abdullah bej Dume-Frashri njohur thjesht si Abdyl Frashri ( 1839-1892) ka qenë deputet shqiptar në Mexhlisin Osman, një nga udhëheqësit kryesorë të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.
  4. Aleko Kondili,
  5. Aleks Shabani, të dy më mbrapa janë pajisur me mësime fetare (kanë shërbyer respektivisht në Zhej dhe Lliare).
  6. Aleksandër Xhuvani, 1880– 1961) ka qenë arsimtar, tekstolog, gjuhëtar shqiptar, nëpunës dhe ministër i shtetit shqiptar. Për punën e tij në lëmin e arsimit është nderuar me titullin Mësues i Popullit.
  7. Ali Asllani (1884–1966) – Poet, politikan dhe aktivist i Rilindjes Kombëtare.
  8. Ali Beqaj,
  9. Ali Spahiu, Ali Spahiu (Skrapari)“Kryekatundar” ose Kryetar i Bashkisë së Vlorës nga 1903-1908. Kishte kryer shkollën e lartë në Stamboll, anëtar i klubit “Bashkimi” Stamboll.
  10. Anastas Byku (?-1878) – Botues dhe gazetar.
  11. Andon Bitën,
  12. Apostol Meksi (1825 – 1879) ka qenë mjek dhe folklorist shqiptar, materiali i të cilit u botua në vëllimin Albanische Studien të konsullit austro-hungarez në Janinën osmane, Johann Georg von Hahn.
  13. Aristidh Ruci , (1875- 1950),ishte një nga nënshkruesit e Deklaratës së Pavarësisë së Shqipërisë në 1912. Ai bëri fushatë për përhapjen e arsimit në Shqipërinë e Jugut dhe ishte themelues i Klubit nacionalist Labëria. Aristidh Ruci vdiq në vitin 1950 në Vlorë në një burg komunist.
  14. Avni Rustemi (1895-1924) – Publicist, politikan, mësues, themelues dhe drejtues i shoqërisë “Bashkimi”.
  15. Balil Mete Pelari, ( 1893-1923), Pas luftës se Vlorës, disa kohe punoi për organizimin e administratës se prefekturës dhe gjatë tërë jetës punoi si mësues.
  16. Dhimitër Tutulani (1875–1937) – Jurist dhe politikan, firmëtar i Deklaratës së Pavarësisë.
  17. Dhimitër Zarkali,
  18. Elmaz Boçe (1852–1925) – Mësues, nënshkrues i Deklaratës së Pavarësisë.
  19. Eqrem Libohova (1882-1948) – Diplomat dhe kryeministër i Shtetit Shqiptar.
  20. Fehim Mezhgorani Tepelena,  ( 1874 – 1920) ka qenë kryetar i klubit “Bashkimi” të Janinës. Me shpalljen e Pavarësisë dhe krijimin e Qeverisë së Ismail Qemalit, caktohet si ndihmës i Ministrit të Drejtësisë z. Petro Poga. Pastaj kryeministri, Ismail Qemali në maj të vitit 1913 e cakton Drejtor të Policisë së shtetit.
  21. Filip Aleks Joani,
  22. Fiqret Shehu Fterra, (1916 – 1997) : Krijues, regjisor, gazetar e përkthyes.
  23. Gori Ziu,
  24. Gjergj Çako, (1848 – 1934) ka qenë avokat në periudhën e Perandorisë Osmane, pas pavarësisë qe figurë politike dhe ministër i shtetit shqiptar.
  25. Gjergj Suli,(1893–1947), i njohur edhe si At Gjergj Suli,ishte një shqiptar i besimit ortodoks, klerik dhe martir
  26. Hamit Xheka,
  27. Hamza Isaraj,
  28. Hasan Dosti (1895–1991) – Jurist dhe politikan.
  29. Hasan Tahsin Pasha(1845–1918) ishte një oficer ushtarak osman, i cili shërbeu në Luftën Greko-Turke dhe në Luftën e parë Ballkanike.,
  30. Hodo Sokoli (1836–1883) – Veprimtar i shquar, patriot, kolonel ushtarak, një ndër liderët e Lidhjes së Prizrenit.
  31. Hysen Çela,
  32. Ibrahim Gramshi,
  33. Ilia Dilo Sheperi (1872-1945) – Nga Sheperi i Zagorisë. Shkrimtar, themelues i shkollës së parë shqipe në Sheper (1917).
  34. Isa Çipaj(1885-1910)
  35. Ismail Qemali (1844–1919) – Themelues i Shtetit Shqiptar, anëtar i Lëvizjes Kombëtare, firmëtari i parë i Deklaratës së Pavarësisë.
  36. Jani Vreto (1822-1900) – Atdhetar dhe mendimtar i shquar i Rilindjes Kombëtare.
  37. Jorgo Shabani, me origjinë nga Lliara.
  38. Kico Kalaja,
  39. Kiço Konomi,
  40. Kolo Ndreu,
  41. Kostandin Kola,
  42. Kostandin Kristoforidhi (1826–1895) – Filolog, përkthyes i Biblës, studiues i gjuhës shqipe dhe veprimtar i Rilindjes Kombëtare.
  43. Krist Meksi,
  44. Leonida Bezhani,
  45. Llambi Goxhomani, (1848- 1924), mësues dhe politikan shqiptar nga Berati. Mbaroi studimet në gjimnazin “Zosimea” të Janinës. Zotëronte disa gjuhë të huaja. Shoqëroi delegatët e Beratit në Kuvendin e Vlorës në 1912.
  46. Manol Konomi(1910 – 2002) ishte politikan shqiptar i pas Luftës Dytë Botërore.
  47. Mehmet Esat Pasha (Mehmet Esat Bülkat ), (1862–1952) ushtarak shqiptar i Perandorisë Osmane, komandant i rrethimit të Janinës dhe pjesëmarrës aktiv gjatë Luftës së Parë Botërore dhe më pas në ushtrinë turke bashkë me të vëllain Vehib Pashën.
  48. Mehmt Frashëri,
  49. Mihal Garo.
  50. Mitro Stefani
  51. Mustafa Kruja, ( 1887 –  1958) ka qenë mësues, firmëtar i Deklaratës së Pavarësisë së Shqipërisë, nëpunës, politikan dhe kryeministër, senator i legjislaturës së XXX të Mbretërisë Italiane, anëtar i komisionit të punëve të jashtme, tregtisë dhe legjislacionit doganor gjatë mandatit të tij si kryeministër. Studiues i shqipes, historian e publicist njihet dhe me emrin e pendës Shpend Bardhi.
  52. Mustafa Muço,
  53. Myfit Libohova (1876-1927) – Diplomat, politikan, ministër, kryeministër, firmëtar i Deklaratës së Pavarësisë, Themelues i Bankës së Shqipërisë.
  54. Naim Frashëri (1846–1900) – Poet, shkrimtar dhe një ndër patriotët më të mëdhenj të Lëvizjes Shqiptare për Pavarësi
  55. Namik Delvina,
  56. Ndini Ziu,
  57. Ndreko Mici ose Ndreko Dhaskali.
  58. Ndreko Sotiri.
  59. Pavllo Konomi,
  60. Perikli Ikonomi, (- 1977), mësues i shkollës së djemve në Berat, drejtues i shkollës qytetëse në Berat, Në vitin 1934, në Fier drejtues i shkollës femërore të qytetit. Kjo shkollë femërore do të hapej me kërkesën e tij, sepse për të ishte e padrejtë që femrat të mos kishin edhe ato një mundësi ku të arsimoheshin.
  61. Petro Poga (1890-1944) – Një ndër figurat e apostujtve të shqiptarizmës në brezin e Rilindjes Kombëtare Shqiptare.
  62. Petro Tyto ( Mësues letërsie i ka dhënë Çajupit në shkollën e Manastirit të Nivanit.
  63. Qazim Koculi, (1887–1943) – Politikan dhe komandant ushtarak gjatë Luftës së Vlorës më 1920.
  64. Qazim Kokoshi, ( 1882 – 1946) nënshkrues i Deklaratës së Pavarësisë së Shqipërisë. Në prill 1946, komunistët arrestuan Qazim Kokoshin, i cili ishte kthyer në Shqipëri nga internimi nazist, në vitin 1945. I izoluar në hetuesinë e Vlorës, vdiq nga torturat.
  65. Qazim Mulleti, (1893–1956)- nëpunës i shtetit shqiptar, shërbeu si kryebashkiak dhe prefekt i Tiranës përgjatë Luftës së Dytë Botërore.
  66. Qirjako Saqellari.
  67. Qiro Prifti,
  68. Sali Asllami,
  69. Sali Nivica (1890–1920) – Publicist, patriot, politikan dhe shkrimtar.
  70. Sami Frashëri (1850–1904) – Shkrimtar, dijetar, publicist dhe ideologu kryesor i Lëvizjes Kombëtare.
  71. Sinan Kërpi,
  72. Sofokli Capi i parë,
  73. Sotir Biti,
  74. Sotir Konomi
  75. Spiro Prifti
  76. Sulejman Aliko Alikaj,
  77. Sulejman Delvina (1871-1933) – Veprimtar i çështjes kombëtare shqiptare, kryeministër dhe ministër i shtetit shqiptar.
  78. Shemo Ceka,
  79. Turhan Përmeti (1846-1927) – Diplomat, tri herë kryeministër i Shqipërisë
  80. Thanas Sina, (1859 – 1934) , ishte mësues, shkrimtar dhe pjesëtar i Rilindjes Kombëtare nga Postenani, në Leskovik. Gjithashtu Sina ishte dhe anëtar i klubit Bashkimi, që krijoi alfabetin modern të gjuhës shqipe. Më 1887 u emërua drejtor i Mësonjëtores së Korçës.
  81. Theodos Llukani,
  82. Thoma Filipeu (1900 – 1963) ka qenë inxhinier i shquar hidroteknik e bashkëpunëtor i vjetër shkencor (1962).
  83. Thoma Papapano (1884- 1970) mësues, deputet në Kuvendin Popullor. Hapi shkollën e parë legale shqipe me emrin “Liria” në Gjirokastër më 30 Mars 1908. Ku ishte mësues dhe drejtor i parë i saj. I është dhënë titulli “Mësues i Popullit”, një shkollë e qytetit të Gjirokastrës mban emrin e tij.
  84. Vangjel Kaso,
  85. Vangjel Koça (1900-1943) – Gazetar, përkthyes dhe publicist.
  86. Vangjel Mëhilli,
  87. Vangjel Zhapa (1800-1865) – Mjek, tregtar i njohur nga Labova e Zhapës.
  88. Vehip Hoxha,
  89. Xhafer Shehu Fterra,
  90. Xhevat Kallajxhi(1904 – 1989) ka qenë botues dhe gazetar shqiptaro-amerikan
  91. Xhevat Korça, ( 1893 –  1959) ka qenë mësues, historian dhe ministër Arsimi i qeverisë Kruja.
  92. Zenel Hito Gjoleka (1806 – 1852) ka qenë ushtarak i Perandorisë Osmane, udhëheqës i kryengritjes së 1847 kundër Tanzimatit.
  93. Zihni Sako (1912-1981) – Folklorist, shkrimtar dhe profesor i shkencave.

Vlerësime të ish nxënësve

Ndërsa nxënësi tjetër Sami Frashëri në enciklopedinë e tij me titull “Kamus al – alam” të botuar në Stamboll, këtë institucion edukativo – arsimor na e paraqet si “shkollë idadije e përsosur, speciale për grekët, e cila quhet Zosimea,”[21].

Një emër tjetër i shquar i plejadës së “Zosimesë” është Hasan Tahsin Mesaréja, komandanti shqiptar i trupave osmane të Selanikut, i cili, me zërin e arsyes e të humanizmit, preferoi të “damkoste” famën dhe karrierën e vet prej ushtaraku e ta dorëzonte qytetin pa luftë, duke shmangur kështu përgjakjen e pakuptimtë të popullsisë civile. Gjykata ushtarake e dënoi me vdekje në mungesë, kurse “gjykata” e Historisë e ka çmuar lart aktin e tij, i cili s’mund të shihet i veçuar nga fakti se qe rritur në Mesarenë, pranë kufirit të sotëm të Greqisë me Shqipërinë, ku kish marrë edukatën e bashkëjetesës harmonike me fqinjët. Kur një gazetar i shprehu admirimin për greqishten që fliste, ai iu përgjigj me krenari se pat qenë “Zosimás”…[22]

Kurse ish nxënësi tjetër i kësaj shkolle, Jani Vreto lidhur me këtë Gjimnaz thotë: “Vetëm kur shkova në Gjimnazin “Zosimea” u njoha me historinë e Kastriotëve dhe të parëve tanë”. Pikërisht në bankat e kësaj shkollë Vreto e shkroi poemën “Istori e Skenderbeut”. (Ka të dhëna të cilat flasin se si tekst mësimor në Gjimnazin “Zosimea” përdorej edhe “Historia e Gjergj Kastriotit – Skenderbeut“ botuar në Moskë më 1812.)[23] Nxënës tjetër i kësaj shkolle ishte edhe poeti Ali Asllani. Ai lidhur me shkollën në fjalë mes tjerash shkruan: “Të ndihmuar edhe nga mësimet ne na u ngjall një dëshirë aguridhe për një farë lirie patriotike sipas kohës[24].

Ballina e librit në gjuhën greke “Përmbledhje e historisë së Gjergj Kastriotit të quajtur Skënderbe Mbret i Shqipërisë” (Epitomi tis istorias Georgiou tou Kastriotou, eponomasthentos Skentermpeu, Vasileos tis Albanias) , e botuar në Moskë më 1812 nga tipografia N. S. Vsevolozsky. Ky libër përdorej si tekst mësimor në Gjimnazin “Zosimea” në Janinë.


Literatura:

  1. Abdullah Vokrri: “Mësues në Kosovë e në Shqipëri – personalitete të shquara të arsimit tonë kombëtar”, Libri shkollor, Prishtinë, 2008;
  2. Fjalor Enciklopedik Shqiptar. ASHSH. Tiranë. 2009, f. 3011, ISBN;978-99956-10-32-6;
  3. Grup autorësh: “100 personalitete shqiptare të kulturës islame”, botimi i tretë, Tiranë, 2015;
  4. Hajrullah Koliqi, Historia e arsimit dhe e mendimit pedagogjik shqiptar, Universiteti i Prishtinës & Libri shkollor, Prishtinë, 2002;
  5. https://arkiva.gazetadita.al/gjimnazi-zosimea-i-janines-shqiptare-te-shquar-ne-nje-shkolle-te-shquar/
  6. https://foldrejt.com/emin-uka-nje-shpjegim-sociologjik-mbi-pikepamjen-e-sami-frasherit-per-fene/
  7. https://fteriotet.tripod.com/id32.html
  8. https://gazetashqiptare.al/2020/06/15/udhes-kur-te-dalesh-per-janine-ndalu-pak-te-zosimea/
  9. https://m.facebook.com/nt/screen/?params=%7B%22note_id%22%3A2696924927185715%7D&path=%2Fnotes%2Fnote%2F&refsrc=deprecated&_rdr
  10. https://merbraha.com/qamil-bala-intelektual-e-patriot-shumedimensional/
  11. https://sq.wikipedia.org/wiki/Janina
  12. https://sq.wikipedia.org/wiki/Zosimea
  13. https://www.facebook.com/libohovapost/posts/shkolla-zosimea-n%C3%AB-janin%C3%AB-gjimnazi-ku-u-shkolluan-shum%C3%AB-patriot%C3%AB-dhe-rilindas-li/813271042203264/
  14. https://www.radiandradi.com/gjimnazi-zosimea-ne-janine-dhe-shqiptaret-nga-gezim-bullaku/
  15. https://www.shqiperia.com/blog/zagoritet-dhe-gjimnazi-zosimea-i-janines/
  16. Ismail Qemal Vlora, Kujtime, Toena, Tiranë 1997;
  17. Memli Krasniqi: Shoqëria Biblike Britanike për të huajt dhe Bektashizmi, Instituti Albanologjik i Prishtinës, Prishtinë, 2013;

[1] Katherine E. Fleming, “Bonaparti mysliman: Diplomacia dhe orientalizmi në Greqinë e Ali Pashës”, ajo i referohet punimit “Sistemi i miletit dhe kontributi i tij në zbehjen e identitetit kombëtar ortodoks në Shqipëri” të Stavro Skendit, publikuar në kuadër të monografisë “Christians and Jews in the Ottoman Empire”, në vitin 1982, në New York, nga “Holmes & Meier Publishers”, nën redaktimin e Benjamin Braude dhe Bernard Lewis, “Gjimnazi është themeluar nga vëllezërit Zosimea në vitin 1769.” Shkolla u quajt Zosimea për nder të vëllezërve Zosimea me shpenzimet financiare të  cilëve edhe u themelua dhe funksionoi për një periudhë të gjatë kohore.

[2] https://sq.wikipedia.org/wiki/Zosimea

[3] https://www.drini.us/zosimea-shkolle-me-nam-nxenes-e-personalitete-te-njohura/, 3 gusht, 2024

[4] Ismail Qemal Vlora, Kujtime, Toena, Tiranë, 1997, f. 31

[5] Memli ASh. Krasniqi, Shoqëria Biblike Britanike për të huajt dhe bektashizmi (1814‐1897), Prishtinë, 2013,  f.123-124

[6] Ali Pasha i njohur edhe si Ali pashë Janina ose Ali pashë Tepelenjoti (1741 ose 1743 – 24 janar 1822) ishte një sundimtar i fuqishëm fisnik shqiptar i Perandorisë Osmane me tendenca autonomiste që shndërroi Vilajetin e Janinës në pashallëk. Pinjoll i derë së fisme të Hysove, qe gjyshi i tij Myftar beu që fitoi pozitën më të lartë duke u caktuar dizdar (kështjellar) i Tepelenës; dhe më pas ra rob dhe u var në litar gjatë rrethimit të dytë të Korfuzit. Një nga tre djemtë e Myftar beut, Veli beu mori për grua Esmiha hanëmin nga dera e bejlerëve të Konicës që më pas do të njiheshin si Zenelbejllinjtë, çifti pati një djalë dhe një vajzë, Aliun dhe Shahnisanë

[7] https://sq.wikipedia.org/wiki/Ali_Pash%C3%AB_Tepelena

[8] Fjalor Enciklopedik Shqiptar, Tiranë 2008, (Hajrullah Koliqi, Bala Qamil (1878-1933), 159-160

[9]Adil Fetahu, Qamil Bala, intelektual e patriot shumëdimensional, https://merbraha.com/qamil-bala-intelektual-e-patriot-shumedimensional/, 5 gusht, 2024

[10] Mësues i Popullit ishte një dekoratë e dhënë gjatë periudhës komuniste deri në vitin 1992. Jepej për të nxitur përmirësim në punë ndaj mësuesve e pedagogëve, gjithashtu ajo është dhëne dhe pas vdekjes për kontributin e shumë publicistëve, shkrimtarëve e mësueseve që gjatë kohës së pushtimit Osman e italo-gjerman sakrifikuan edhe jetën e tyre për përhapjen e gjuhës shqipe dhe për pavarësinë e Shqipërisë. Dekorata jepej me vendim të Presidiumit të Kuvendit Popullor.

[11]https://m.facebook.com/nt/screen/?params=%7B%22note_id%22%3A2696924927185715%7D&path=%2Fnotes%2Fnote%2F&refsrc=deprecated&_rdrttps://m.facebook.com/nt/screen/?params=%7B%22note_id%22%3A2696924927185715%7D&path=%2Fnotes%2Fnote%2F&refsrc=deprecated&_rdr

[12] Po aty

[13]https://www.shqiperia.com/blog/zagoritet-dhe-gjimnazi-zosimea-i-janines/

[14]https://sq.wikipedia.org/wiki/Zagoria

[15] Ismail Qemal Vlora, Kujtime, Toena, Tiranë 1997, f. 31

[16] Po aty, f. 31

[17] Po aty,f. 32

[18] Memli Sh. Krasniqi, Shoqëria Biblike Britanike   për të huajt dhe Bektashizmi (1814‐1897), Prishtinë, 2013, f.111

[19]https://m.facebook.com/nt/screen/?params=%7B%22note_id%22%3A2696924927185715%7D&path=%2Fnotes%2Fnote%2F&refsrc=deprecated&_rdrttps://m.facebook.com/nt/screen/?params=%7B%22note_id%22%3A2696924927185715%7D&path=%2Fnotes%2Fnote%2F&refsrc=deprecated&_rdr

[20] https://www.radiandradi.com/gjimnazi-zosimea-ne-janine-dhe-shqiptaret-nga-gezim-bullaku/

[21] https://sq.wikipedia.org/wiki/Zosimea

[22] Po aty, https://sq.wikipedia.org/wiki/Zosimea

[23] Po aty, https://sq.wikipedia.org/wiki/Zosimea

[24]Po aty,  https://sq.wikipedia.org/wiki/Zosimea

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.