
Autore:
Elife LUZHA
Për t’u njohur më në hollësi me funksionimin e shoqërisë shqiptare në periudha të ndryshme historike, sidomos në kohën kur mungonte shteti modern, shpesh jam kthyer tek leximi i Kanunit të Lekë Dukagjinit dhe normave të së drejtës zakonore, të cilat kanë luajtur rol të rëndësishëm në organizimin e jetës shoqërore, dhe për shekuj me radhë kanë zëvendësuar institucionet që sot i quajmë shtet.
Njohja me rregullat apo ligjet kanunore shqiptare është e rëndësishme, pasi ato dëshmojnë për ekzistencën e kulturës tonë të hershme, dhe qëndresën shqiptare përmes një sistemi paralel kundër pushtuesve të huaj. Këto rregulla, fillimisht të pashkruara por të trashëguara gojarisht, në një farë mënyre kanë funksionuar si një lloj kushtetute që nga koha e ilirëve e deri në Luftën e Dytë Botërore, kur u mblodhën dhe u kodifikuan nga At Shtjefën Gjeçovi më 1933.
Fjala “kanun” rrjedh nga latinishtja “canon” dhe ka kuptimin e rregullit apo të ligjit. Shqiptarët kanë njohur disa kanune që funksionuan në treva dhe periudha të ndryshme, por Kanuni i Lekë Dukagjinit, Kanuni i Labërisë, Kanuni i Skënderbeut, një tjetër i Lumës dhe ai i Dibrës, janë pesë kanunet themelore të së drejtës zakonore shqiptare.
Të gjitha këto kanune, ngjajnë sidomos kur është fjala për kufizimin e të drejtave të grave, edhe pse, sipas Ismail Kadaresë, Kanuni “gruas shqiptare i ka dhënë mosvdekjen” (meqë sipas tij gruaja nuk përfshihet në hakmarrje), “për t’i kërkuar përjashtim nga gjithçka, por që në këtë rast është vështirë ta dallosh të humburin prej fitimtarit”.
Në realitetin bashkëkohor, këto rregulla arkaike janë të papërshtatshme për t’u zbatuar. Megjithatë, mendësia kanunore vazhdon të mbijetojë në një pjesë të shoqërisë shqiptare, madje edhe në radhët e klasës politike. Por, siç vëren Aleksandër Laurasi, “ mendësia kanunore e politikanëve shpërthen vetëm atëherë kur u dëmtohen interesat e tyre”, ose kur “priten në besë nga bashkëpunëtorët ”, dhe jo për çështjet për të cilat janë zgjedhur.
Rregullat kanunore funksionuan në një kontekst të ashpër historik, por sot, kur në disa aspekte duket sikur po përballemi me prapakthim, shtrohet pyetja;
A mund t’u kthehemi disa parimeve të asaj kohe që mund të kenë vlerë edhe sot, dhe cilat do ishin ato? Sepse, siç thuhet, suksesi nuk qëndron në zhdukjen e kulturës por në transformimin e saj.
Studiuesi dhe profesori japonez Kazuhiko Yamamoto, i cili ka kaluar dekada duke studiuar Kanunin e Lek Dukagjinit, thotë se çdo shoqëri ka pasur “kanunin e vet”, që synonte të siguronte stabilitet drejtësi dhe zhvillim. Në këtë kuptim, Kanuni i Lek Dukagjinit nuk është thjesht një zakon i rastësishëm, por një formë e zhvilluar vetëqeverisjeje, ku besa, nderi dhe rendi shoqëror janë shtyllat kryesore.
Është hedhur edhe ideja se shqiptarët, po të mos ishin ekspozuar ndaj pushtimeve të huaja dhe po të kishin pasur një zhvillim institucional të pandërprerë, sot, Kanuni i Lekë Dukagjinit mund të ishte konsideruar si një “Magna Carta” shqiptare, i krahasueshëm me Magna Carta angleze të vitit 1215, sepse të dyja vendosin rregulla për kufizimin e pushtetit dhe organizimin e jetës shoqërore.
Sigurisht, nuk bëhet fjalë për rikthim tek traditat e vjetra por përpjekje për identifikimin dhe përshtatjen e disa prej parimeve në funksion të forcimit të institucioneve moderne.
BESA – Ky proces mund të fillojë me respektimin e fjalës së dhënë (besa) që në ditët tona mund të përkthehet si respektim i angazhimeve dhe premtimeve publike, të cilat, nëse nuk përmbushen, duhet të shoqërohen me dorëheqje morale dhe politike. Nëse dikur rendi mbahej me fjalën e dhënë, sot duhet të mbahet nga ligji dhe përgjegjësia.
NDERI – Në traditën kanunore, humbja e nderit ishte ndër humbjet më të rënda. Prandaj, vendosja e standardeve etike për të gjithë, përfshirë zyrtarët publikë, është thelbësore, sepse një politikë pa integritet është e destinuar të dështojë.
UDHËHEQËSI – Rregullat kanunore tregojnë se udhëheqja e komunitetit është detyrë, jo privilegj. Kjo nënkupton se pushteti nuk duhet parë si mjet për përfitim personal, por si shërbim ndaj qytetarit. Në këtë kontekst, zgjidhja e krizave me kompromis nga ana e udhëheqësve është përgjegjësi, jo dobësi.
QYTETARI – Në Kanun, individi nuk ishte i shkëputur nga komuniteti. Në gjuhën e sotme, kjo nënkupton qytetari aktive dhe të angazhuar. Pjesëmarrja e qytetarëve në politikë duhet të jetë e vazhdueshme dhe reaguese ndaj padrejtësive, parregullsive dhe çdo forme të keqqeverisjes.
Këto janë vetëm disa nga rregullat apo parimet kanunore rreth të cilave vlen të diskutohet. Pra, nuk është Kanuni që duhet të rikthehet, por fryma e përgjegjësisë që ai dikur impononte individit dhe shoqërisë. Pa këtë përgjegjësi, çdo sistem, tradicional apo modern, mbetet i brishtë dhe i cenueshëm ndaj manipulimeve.
Ju falënderoj për vëmendjen!


