BREDHJE NË KUJTIMET E UDHËTIMEVE: KU, KUR, KAH…
Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha & Prof. Dr. Tefik Basha
Pasi kisha shkelur për herë të parë në tokën e Amerikës, në vitin 2002, mbeti në zemrën time një peng i pashlyer – dëshira për ta parë atë botë të re sërish, por këtë herë dorë për dore me Tefikun. Udhëtimet e mia me delegacione, ndonëse të rëndësishme e formale, më dukeshin gjithnjë të ftohta dhe të paplota, si një udhëtim pa shpirtin që më kishte mësuar ta ndaja çdo përvojë.
Me Tefikun kisha ndërtuar një ritëm të veçantë bashkëjetese në udhëtime, ku çdo peizazh i ri, çdo godinë apo rrugë e panjohur bëhej një hapësirë për biseda të zjarrta. Çdo gjë që shihnim e ndienim, e kthenim në fjalë – fillimisht në komente të lehta, pastaj në debate të thella që shpesh përfundonin me mosmarrëveshje, madje edhe me pak mllef. Por, ky mllef nuk ishte gjë tjetër veçse një nxitje për të gërmuar më thellë në mendimet tona, për të shtjelluar argumentet dhe për të ndërtuar ura drejt të kuptuarit të ndërsjellë.
Herë mendimet tona përplaseshin si valët në një ditë me stuhi, e herë bashkoheshin qetësisht, si lumenjtë që gjejnë rrugën drejt një deti të përbashkët. Ky proces – ky art i të biseduarit, i të pajtuarit dhe i të sfiduarit të njëri-tjetrit – ishte për mua më shumë se thjesht biseda. Ishte simbolika e një jete të përbashkët, ku edhe dallimet tona ishin një burim pasurie, një thesar i fshehur brenda përvojave tona.
Vizitat pa të më dukeshin të shkreta, si një rrugë e gjatë pa dritë në fund, sepse nuk kishte më atë rezonancën e zërit të tij, atë shtytjen për të parë më tej pamjen e parë. Në mungesë të Tefikut, më mungonte jo vetëm shoku i udhëtimit, por edhe ajo ndjenjë që çdo përvojë merr kuptim të plotë vetëm kur ndahet me dikë që të njeh deri në thellësitë e shpirtit. Dhe kështu, mbeti në zemrën time një boshllëk, një etje për bisedat tona të pafundme, që gjithmonë përfundonin në gjuhën e përbashkët të dashurisë dhe mirëkuptimit.
Sabile Keçmezi-Basha & Arta Basha- Jakupi, në qendër të Bostonit, 2018
I pata thënë Tefikut, me një zë të mbushur ëndrrash dhe shpresash, se një ditë do të bëjmë çmos, do të kapërcejmë çdo pengesë, për të shkelur në mënyrë fizike Tokën e Premtuar, për të ndier me këmbët tona atë tokë që shpesh na shfaqej në ëndrra si një horizont i largët. Ishte një premtim i dhënë ndër biseda të thjeshta, por të ngarkuara me dëshira të mëdha.
Dhe ja, mrekullia ndodhi. Jo në mënyrën që kishim menduar, por në një formë që ishte edhe më e bukur, më madhështore. Vajza jonë, Arta, si fryt i punës së saj të palodhshme dhe dhuratë e fatit të mirë, fitoi një udhëtim studimor në një prej tempujve më të famshëm të dijes – Universitetin e Teknologjisë, MIT, një emër që mban peshën e madhështisë dhe përparimit njerëzor. Gjashtë muaj ishin të saj për të eksploruar këtë botë të re, për të ecur në rrugët ku shkelin mendjet më të ndritura të kohës.
Në këtë sukses të saj, ndjeva që ëndrra jonë kishte marrë një jetë të re. Të shkelja Tokën e Premtuar nuk ishte më vetëm dëshirë, por një ftesë nga vetë jeta, përmes duarve të vajzës sonë, që na tregonte se kufijtë shuhen kur përkushtimi dhe dashuria udhëheqin. Dhe kështu, ajo ëndërr e kahershme u bë jo vetëm një realitet, por një moment krenarie e bekimi, që e ndanim me gjithë zemrën tonë.
Pas pesë muajve të kaluar në Boston, Arta na dërgoi ftesën për të shkuar edhe ne tek ajo. Një muaj qëndrimi në SHBA, ishte e pabesueshme dhe kishim kohë e mundësi për të vizituar e tërë Amerika, që nga veriu deri në jug. Vizat shpejt i morëm dhe me shpejtësi bëmë valixhet gati dhe morëm aeroplanin e parë që na ishte për Boston. Takimi me Artën e dy fëmijët e saj ishte një festë për ne që na kënaqi zemrën e na shkriu shpirtin. Dhe për çudi, brenda atyre pesë muajve që nuk i kishim parë fëmijët, na befasuan me rritjen e mençurin e tyre.
Pritja ishte mallëngjyese se asnjëherë që nga lindja e Artës, nuk kishte ndodhur të qëndrojmë aq gjatë larg njëri tjetrit pa u parë. Me miliona herë e shikoja Artën dhe doja të zhbiroja çdo ndryshim në fytyrën e saj. Ajo ishte pjekur e kishte marr një nur të veçantë të bukurisë. Ishte pjekur dhe me çdo lëvizje na bindte se për ata pesë muaj shumë çka kishte lënë gjurmë në tiparet e saja. Jetën tani e kuptonte më ndryshe dhe se jeta larg njerëzve që i donë i kishte shtua tiparet e një gruaje që largësia e durimi e bëjnë më të madhërishme dhe më hyjnore. Kishte marr tipare të grave nga baladat shqiptare, që durimi sfidon edhe gurin e lëre ma gruan shqiptare që është e mësuar nëpër mote të presë familjaret e saj.
Sabile Keçmezi-Basha, Tefiku, Arta, Agoni dhe dy nipërit tanë, Boston 2018
Qyteti i Bostonit na befasoi. Dhe, mund të thuhet se nëse ka një qytet që ka një atmosferë dhe arkitekturë evropiane, pa dyshim ai ishte Bostoni. Kryeqyteti dhe qyteti më i madh i shtetit amerikan të Massachusetts që ka rreth 600,000 banorë dhe është 340 kilometra larg Nju Jorkut. Megjithatë, mbi 4.5 milionë banorë jetojnë në zonën metropolitane të qytetit, “Bostoni i Madh” siç quhet gjerësisht zona periferike e qytetit.
Bostoni nuk është vetëm një nga qytetet më të vjetra në SHBA, por edhe një qytet ku ka ndodhur historia e rëndësishme e vendit. Aty ndodhën ngjarje të rëndësishme si Festa e Çajit të Bostonit dhe Masakra e Bostonit, të cilat çuan në Revolucionin Amerikan, prandaj shumë amerikanë e quajnë Bostonin “Djepi i Amerikës”.
Sot, Bostoni qëndron si një nga qendrat më të shquara të arsimit dhe kërkimit, një vend ku shkenca ndriçon çdo qoshe dhe ambicia ndërton horizonte të reja. Standardi i lartë i jetesës reflekton madhështinë e tij, por edhe barrën e çmimit që mbart jeta në këtë qytet, duke e bërë atë një nga më të shtrenjtët në Amerikë.
Teksa shëtisnim nëpër rrugët e tij, shpesh pyesja veten: çfarë ishte ajo që e bënte Bostonin të veçantë? Ishte atmosfera e tij, një ndjesi unike që të përshkonte çdo pore të shpirtit. Apo ishin lagjet e tij të mbushura me frymën e historisë koloniale, një ftesë për të udhëtuar pas në kohë, sikur hapat të të çonin drejt një epoke tjetër.
Në disa çaste, më dukej sikur ndodhesha në rrugët e vjetra të Anglisë, ku gurët e shtruar rrëfenin histori shekujsh. Në të tjera, ishte një prekje e butë e Irlandës, me ngrohtësinë dhe melankolinë që ajo bart. Bostoni, me të gjitha kontrastet e tij, ishte një portë drejt së shkuarës, një vend ku historia dhe moderniteti qëndronin krah për krah, duke ndërtuar një simfoni kohësh që të mbetet gjatë në kujtesë.
Pas disa ditëve të qeta pushimi, ku ritmi i jetës mori një frymëmarrje të lehtë, Arta, me përkujdesjen dhe dashurinë e saj të zakonshme, na kishte përgatitur befasi të cilat na lanë pa fjalë. Me kujdesin e një udhërrëfyeseje të përkryer, ajo kishte rezervuar biletat për disa nga vendet më të rëndësishme dhe më magjepsëse turistike.
Tefiku, Arta, Agoni, Sabilja dhe nipërit, ura mbi lumin Charles, Boston, 2018
Oraret ishin planifikuar me mjeshtëri, duke e ndarë kohën në mënyrë që këto vizita të bëheshin gjatë fundjavave, kur ajo dhe fëmijët ishin të lirë për t’u bashkuar me ne. Ditë pas dite, ajo krijoi për ne një kalendar plot gjallëri dhe përvoja të paharrueshme.
Ditëve të tjera, pa kufizimet e një orari të caktuar, patëm mundësinë të endeshim nëpër pjesët më të bukura të qytetit. Çdo rrugë që shkelëm dhe çdo kënd që zbuluam dukej si një kapitull i ri, plot gjurmë historie dhe gjallëri bashkëkohore, që na mbeti në kujtesë si një udhëtim i veçantë shpirtëror dhe emocional.
Pa u ndjerë fare, vikendi na trokiti në derë, si një mik i dashur që sjell gëzim dhe çlirim. Ishte koha e vetme kur të gjithë, pa dallim, mund të ishim së bashku, një familje e bashkuar në ritmin e së shtunës.
Pas një mëngjesi të përgatitur me ngut, por me dashuri në çdo kafshatë, çantat tona u mbushën me gjithçka që mund të na duhej: ushqime të thjeshta, pije freskuese dhe vogëlsira që shoqëronin një udhëtim të tillë. Me zemrat plot entuziazëm dhe buzëqeshje të përzier me padurim, u nisëm drejt muzeut të fëmijëve të Bostonit.
Ishte Gerti dhe Darsi, me shkëlqimin e pafajësisë në sytë e tyre, ata që kishin këmbëngulur për këtë vizitë. “Duhet ta shihni!” na thoshin, duke folur për mrekullinë që kishin zbuluar në ditët e fundit. Dhe ne, të prekur nga entuziazmi i tyre, e pranuam ftesën, të gatshëm të përjetonim atë që për ta ishte një thesar i vogël, por i madh në imagjinatën e tyre.
Muzeu i fëmijëve ishte një udhëtim magjik, një kthim i ëmbël në ditët e largëta të fëmijërisë sonë, kur bota ishte e pafundme dhe çdo cep i saj një aventurë. Themeluar që në vitin 1913, ai mbante mbi supe peshën e një shekulli histori, duke qenë jo vetëm një qendër edukative dhe argëtuese, por edhe një portë e hapur për imagjinatën e të vegjëlve. Ishte krenaria e Bostonit dhe muzeu i dytë më i vjetër i fëmijëve në botë.
Hyrja për më të vegjëlit ishte falas, një ftesë që botët e reja të krijoheshin pa kufij, ndërsa të rriturit, duke paguar 18 euro për një biletë, blinin jo vetëm një vizitë, por edhe një kujtim nga e shkuara. Për ne, kjo ishte një përvojë unike, një çast ku nostalgjia na përqafoi me forcën e saj më të ëmbël.
Gerti dhe Darsi, me entuziazmin e tyre të pakufi, ndanë këtë botë të tyre të dashur me ne. Çdo gjë që për ta kishte qenë një mrekulli, na e treguan me një përkushtim të veçantë. Çdo hap i tyre, çdo gisht i drejtuar, ishte një kujtesë e pastërtisë dhe gëzimit të fëmijërisë.
E vërteta është se edhe ne u kënaqëm pa masë. Në një vend ku çdo cep ishte një thesar për të zbuluar, ndjemë një mungesë të thellë për gjëra të tilla në vendin tonë. Në Kosovë, ndoshta muze të tillë ende na mungojnë, por ajo që përjetuam atë ditë mbetet një dritare e hapur drejt asaj që mund të ndërtohet – një vend ku fëmijëria dhe kujtimet kthehen në art.
Pasi kënaqëm kureshtjen e nipave tanë, që shpeshherë ndalonin për të ndarë me zë të lartë çdo gjë që shihnin, buzëqeshjet e tyre të sinqerta na mbushën zemrat me lumturi. Lumturia e tyre ishte dritë në udhëtimin tonë, një frymëzim që na shtyu të vazhdonim përtej këtij muzeu, drejt një tjetër surprize të këndshme.
U drejtuam te Muzeu i Anijeve të Kushtetutës USS, një tjetër thesar i ruajtur me kujdes, që na la pa fjalë. Brenda tij ndodheshin rreth 2,000 artefakte, si dhe mbi 10,000 regjistrime arkivore, që ruanin kujtesën e një historie të lavdishme. Koleksionet e tij ishin si një testament i kohëve të kaluara, që rrëfenin historinë e anijes së parë të Amerikës dhe shërbimin e saj në shërbim të kombit të sapolindur.
Dhe për çudi, muzeu qëndronte përballë vetë ikonës së tij – anijes së famshme të Kushtetutës, ndërtuar në vitin 1794, një nga luftanijet e para të një kombi të ri, ende në fillimet e tij. Pamja e saj, madhështore dhe e ruajtur me kujdes, dukej si një thesar i gjallë që lidhte të shkuarën me të tashmen, duke na bërë të ndiejmë madhështinë dhe krenarinë e një historie që na preku thellë.
Gjatë jetës së saj të gjatë dhe të lavdishme, anija Kushtetuta ka qenë dëshmitare e stuhive të historisë. E përfshirë në beteja kundër francezëve, piratëve dhe britanikëve, ajo nuk ishte thjesht një anije, por një simbol qëndrese dhe fuqie. Pseudonimi i saj, Old Ironsides, ishte një homazh ndaj lëvores së saj të fortë prej lisi, e cila qëndroi e paprekur përballë breshërisë së topave armiqësorë.
Pas më shumë se dy shekujsh, kjo anije qëndron ende krenare, duke mbetur një nga anijet më të vjetra dhe më të respektuara në Marinën e SHBA. Është një testament i historisë dhe mjeshtërisë së ndërtuesve të saj, një kujtesë e lavdisë së kaluar që vazhdon të frymëzojë brezat.
Vizita në muzeun që ruan historinë e saj ishte një kënaqësi më vete. Biletat kushtonin 10 dollarë për të rritur dhe 5 dollarë për fëmijë, një çmim i arsyeshëm për një përvojë të tillë historike. Por Arta, me anëtarësinë e saj në IMT, shijonte një privilegj të veçantë, duke paguar gjysmën e çmimit për çdo biletë. Ky lehtësim ishte një favor i mirëpritur, që e bëri këtë udhëtim edhe më të këndshëm për ne.
Nën hijen e anijes, ne ndjemë peshën e historisë dhe forcën e së shkuarës, një përvojë që do të mbetet e gdhendur në kujtimet tona për një kohë të gjatë.
Shetitja në muze ishte një përjetim më vete, një kënaqësi e veçantë që na mbushi me frymëzim. Por Arta, me shpirtin e saj kurioz dhe dashurinë për të zbuluar më shumë, na tregoi për një plan tjetër: një udhëtim drejt Shtegut të Lirisë. Fillimisht, fjala tingëlloi e largët dhe enigmatike. Çfarë mund të ishte ky shteg?
Me këmbënguljen e saj, u nisëm në kërkim të kësaj rruge të veçantë. Çdo hap ishte një pyetje, çdo kthesë një mister. Dhe pastaj, papritur, e gjetëm. Shtegu i Lirisë shpalosi para nesh historinë e tij, një labirint ku kohërat e shkuara dhe ndjenjat e thella të lirisë ndërthureshin.
Befasia ishte e madhe, një ndjesi që përshkoi gjithë qenien tonë. Nuk ishte thjesht një shteg fizik, por një udhëtim shpirtëror, një thirrje për të kuptuar thellësinë e sakrificës dhe vlerën e lirisë. Shtegu nuk ishte vetëm një destinacion, por një mësim, një kujtesë e fuqishme që liria është gjithmonë një rrugë për t’u zbuluar.
Bostoni, qyteti ku historia amerikane gjen strehën e saj më të thellë, qëndron si një libër i hapur për ata që kërkojnë të kuptojnë fillimet e këtij vendi. Edhe nëse nuk i dini të gjitha detajet e themelimit të tij, një udhëtim në Shtegun e Lirisë është i domosdoshëm. Ky itinerar i paharrueshëm, që nis në Boston Common dhe përfundon në Monumentin Bunker Hill të Charlestown, është një shteg prej 2.5 miljesh që lidh 16 vende të rëndësishme historike, secili një gur i çmuar në mozaikun e historisë.
Teksa e përshkonim këtë rrugë, një kureshtje e veçantë na mbërtheu. Përballë nesh shfaqeshin kisha të lashta, varreza të heshtura, muze të pasur me kujtime, parqe që frymonin historinë dhe më shumë. Çdo ndalesë ishte një portë drejt të shkuarës, një ftesë për të dëgjuar rrëfimet e kohëve të kaluara.
Tefik Basha & Sabile Keçmezi-Basha dhe djali Agon Basha,
në Parkun Publik të Bostonit, 2018
Ndër ndërtesat dhe atraksionet që na lanë pa fjalë ishin Shtëpia e Paul Revere, ku çdo cep mbante hijen e një historie revolucionare, dhe Shtëpia e Vjetër e Shtetit, një dëshmi madhështore e kohëve koloniale. Po aq mbresëlënëse ishin Shtëpia e Takimeve të Vjetëra Jugore, ku zërat e ndryshimeve të mëdha ende dukej se jehonin, dhe Salla Faneuil, një simbol i tregtisë dhe revoltës.
Kishën e Vjetër të Veriut dhe Kushtetutën e USS i pamë me sy të hapur dhe zemra të mbushura, duke ndier frymën e betejave dhe triumfeve që formuan kombin. Shtegu i Lirisë nuk ishte thjesht një udhëtim fizik, por një udhëtim në shpirtin e një kombi që kërkoi lirinë me çdo frymëmarrje dhe çdo hap.
Duke u kthyer për banesë, udhëtimi ynë në metro ishte si një shkulm kohe që na përqafonte; i shpejt, i qetë, dhe gjithmonë i gatshëm të na lidhte me zemrën e qytetit. Por atë ditë, para se të përfundonim ditën, ndaluam në një vend që dukej se frymonte përtej kohës, në parkun e përjetshëm dhe të gjelbër të Bostonit, Boston Common. Një hapësirë që nuk ishte thjesht një park, por një dëshmi e gjallë e më shumë se tre shekujve e gjysmë historie, ku gjelbërimi dhe mendimi i lirë kanë gjetur gjithmonë strehën e tyre.
E krijuar në vitin e largët 1634, kjo oazë quhet jo pa të drejtë parku më i vjetër amerikan, një tokë e mbjellë me kujtime dhe momente që kanë lënë gjurmë në ndërgjegjen kolektive. Këtu, në këtë shesh ku dikur barinjtë kullotnin bagëtitë, u shndërruan ëndrrat në zëra. Martin Luther King Jr., me fjalët e tij që përçonin shpresë, mbajti një tubim për të drejtat civile, duke e kthyer këtë hapësirë të gjelbër në një simbol të drejtësisë dhe barazisë. Po këtu, nën qiellin e hapur, Papa Gjon Pali II u lut për paqe dhe shpirtin njerëzor, duke mbajtur një meshë madhështore në vitin 1979.
Ndërsa shëtisnim, secili i përhumbur në mendimet e veta, ndjenim si Boston Common-i fliste me zë të ulët, një melodi historish të mbledhura nga shekujt. Vështrimet tona ranë mbi kënde lojërash të mbushura me zërat e fëmijëve, mbi fusha tenisi ku lëvizjet e lojtarëve shkruanin vallëzime të heshtura. Një garazh parkimi nën tokë ishte dëshmi e kohës moderne, ndërsa pellgjet ku bretkosat këndonin na kujtonin thjeshtësinë e natyrës që mbetet gjithmonë e freskët.
Sabile Keçmezi-Basha & Tefik Basha, lumi Charles, Boston 2018
Në kohën kur ishim ne, kjo hapësirë ofronte kurse joga falas, një përqafim i qetë për trupin dhe mendjen, ndërsa dimri e kthente Pellgun e Frog-ut në një arenë akulli ku patinatorët shkruanin ëndrrat e tyre mbi sipërfaqen e ngrirë. Ishte e qartë se Boston Common nuk ishte thjesht një vend për t’u vizituar, por një hapësirë për të përjetuar, për të medituar dhe për të reflektuar mbi të shkuarën dhe të ardhmen.
Falë hapjes së tij të lirë për të gjithë, ky park ishte një ftesë pa kufij, një thirrje për të ndalur pak dhe për të ndier lidhjen me historinë e një qyteti që nuk ndalet së treguari rrëfimet e veta. Dhe ashtu, ndërsa largoheshim, ndienim se kishim marrë me vete një pjesë të shpirtit të këtij vendi, një kujtim që do të mbetej gjithmonë gjallë në mendjen dhe zemrën tonë.
Ndërsa agimi përhapej mbi qytet, një ditë e re na ftoi në një tjetër oazë hijeshie – Kopshtin Publik të Bostonit. I dytë në moshë pas Boston Common, por i pari në finesë dhe elegancë botanike, ky park u krijua si një simfoni e gjelbër, një përqafim i artit dhe natyrës në një botë urbane që ndryshonte me shpejtësi. Me rrënjë të mbjella 200 vjet pas pararendësit të tij, ky kopsht i famshëm ngjalli frymëzim dhe u bë krenari kombëtare, i njohur si i pari kopsht botanik publik në Shtetet e Bashkuara.
I konceptuar si një pasqyrim i elegancës së Parkut Qendror të Nju Jorkut, por me një identitet krejtësisht të veçantë, ky kopsht mbulonte 24 hektarë madhështie të menduar me kujdes. George Mitcham, arkitekti i këtij xhevahiri, thuri ëndrrën e tij me kangjella viktoriane prej gize, shtigje të lakuara që ftonin shëtitësit në meditime të qeta, shatërvane që këndonin nën dritën e diellit, dhe rrugë lulesh që përhapnin aromë dhe ngjyra të pafundme. Por krenaria e tij qëndronte në pellgun e famshëm prej 6 hektarësh, një pasqyrë ujore që mbante mbi sipërfaqen e saj anijet mjellma, duke u bërë zemra dhe simboli i parkut.
Gjyshi Tefik Basha me nipërit, Boston, 2018
Këto varka prej druri, me pronat e tyre unike në formë mjellme, ishin më shumë sesa mjete udhëtimi – ato ishin një thirrje për një ëndërr të përbashkët. Prej pranverës deri në verë, këto anije të hijshme ftonin vizitorët në një udhëtim magjik mbi ujë. Flota e tyre, me pontonë 13 metra të gjatë, mbante deri në 25 pasagjerë në një përjetim që zgjaste vetëm 12 deri në 15 minuta, por që ngjante me një përjetësi, duke lënë një ndjesi të pashlyeshme në zemër.
Në vitin 2011, Swan Boat – kjo figurë delikate që lundronte mes historisë dhe artit – u shpall simbol i Bostonit, një vlerësim i merituar për një traditë që kishte lidhur qytetin me natyrën dhe elegancën për më shumë se një shekull. Në çdo kthesë të parkut dhe në çdo lëvizje të mjellmave mbi ujë, ndjenim frymën e një qyteti që i falte botës jo vetëm madhështinë e tij urbane, por edhe poezinë e tij të heshtur, të thurur mes luleve, ujit dhe shpirtit njerëzor.
Në Boston, thoshin: “Nëse nuk ke parë Fundin e Veriut, nuk ke parë Bostonin.” Ishte
një fjalë që mbante tërë peshën e një historie të gjatë dhe të një jete që gjallonte në këtë pjesë të qytetit. Fundi i Veriut, kjo copëz e vogël që quhej Italia e Vogël, mbante në damarët e saj ritmin e një trashëgimie shekullore. Themeluar në vitin e largët 1646, ajo ishte zemra e vjetër e Bostonit, një skenë ku valët e emigrantëve italianë hodhën rrënjë në fund të viteve 1800 dhe fillim të viteve 1900.
Lumi Charles e përqafonte nga verilindja, ndërsa Rruga 93 ruante anën jugore, duke mbyllur brenda saj një oazë me rrugë të ngushta dhe kalldrëm që shfaqnin butësinë e një kohe të kaluar. Dyqanet e vogla dhe furrat e bukës ishin të strukura në këtë hapësirë ovale, ku aroma e brumit të pjekur shtriheshin në ajrin e freskët, duke na tërhequr si një melodi që nuk mund t’i rezistoje.
Kur arritëm në Fundin e Veriut, magjia e këtij vendi na pushtoi. U ndalëm te njëra nga furrat e shumta që mbushnin rrugicat e kësaj lagjeje – Bova Bakery në Salem Street, Parziale në Prince Street, dhe Bricco Panetteria në Board Alley. Çdo ndalesë ishte një dritare drejt shijeve që dukeshin sikur bartnin brenda tyre kujtimet e një shekulli. Porosia jonë e parë? Një kanoli i butë dhe i ëmbël nga Mike’s Bakery në Hanover Street, një përqafim i pastër sheqeri dhe kremi, që na kujtonte historinë italiane të këtij vendi.
Ndërsa provonim tiramisunë delikate dhe byrekun me djathë ricotta, duke lëpirë gishtat nga ëmbëlsia që dukej si e krijuar nga duart e engjëjve, mendonim për duart e emigrantëve që kishin ndërtuar këtë vend. Fundi i Veriut nuk ishte vetëm një lagje – ishte një zemër që rrihte me ritmin e kujtimeve, një tregim i shtrirë në rrugët e ngushta dhe aromën e pandryshueshme të historisë dhe shijes. Këtu, Bostonin nuk e shikoje vetëm me sy, por e ndjeje me zemër dhe shije.
Sabile Keçmezi-Basha, shtëpia e filmit “Paramount”, Boston, 2018
Pas të gjitha këtyre shtegtimeve, rruga na thirri drejt Newbury-t, si një përrallë e pazbuluar që priste të shpalosej nën hapat tanë. Pavarësisht lodhjes, ndjenja e kuriozitetit dhe dëshira për të parë më shumë na përshkuan, sidomos mua dhe Artën, të cilat mezi prisnim të shijonim çdo detaj të këtij bulevardi të famshëm. Newbury, me gjatësinë e saj prej një kilometri, fillonte në kryqëzimin e rrugëve Arlington dhe Newbury dhe përfundonte në Charlesgate East, si një rrjedhë që na drejtonte drejt një universi luksi dhe elegance.
Rrugët ishin një ekspozitë e hapur e pasurisë dhe stilit – butikë që shkëlqenin me vitrina të hijshme, dyqane që ofronin produkte të përzgjedhura, sallone dhe spa që premtuan çlodhje, galeri arti që fshihnin në brendësi thesarë të bukurisë, e restorante që premtonin shije të rafinuara. Çdo hap na joshte, çdo kthesë zbulonte një surprizë të re, dhe për një moment u ndjemë si shëtitëse në një ëndërr që lulëzonte mes modernes dhe të përjetshmes.
Megjithatë, luksi nuk ishte gjithçka. Ne, të dyja të buzëqeshura dhe plot entuziazëm, vendosëm ta ndienim gëzimin në dyqane të tjera, më të përballueshme për ne. Primark ishte një ndalesë e domosdoshme, me ngjyrat dhe mundësitë e pafundme që na ftuan të eksploronim. Dyqanet më të lira, me atmosferën e tyre më të ngrohtë dhe më pak pretencioze, na dhanë një kënaqësi të thjeshtë, një gëzim që nuk mund të krahasohej.
Ishte më shumë sesa shopping – ishte një përvojë, një udhëtim përmes së bukurës dhe praktikës, përmes asaj që është e arritshme dhe asaj që mbetet ëndërr. Newbury na përqafoi si një mik i vjetër, duke na dhënë kujtime që do të qëndrojnë të gdhendura në mendjen tonë si një stoli e çmuar.
Tafik Basha & Sabile Keçmezi-Basha, statuja e Con Harvardit,
Universiteti i Harvardit, Boston, 2018
Të shkelësh në qytetin e Bostonit dhe të mos vizitosh Universitetin e Harvardit, do të ishte si të kapërceje një faqe të artë në librin e jetës. Ishte një mëkat që s’mund ta pranonim. Një mëngjes pune, Arta, e buzëqeshur dhe plot gjallëri, na tha se kishte marrë pushim për të na çuar në këtë vend legjendar. “Sot do të shkojmë te Harvard,” tha ajo, dhe brenda nesh ndjemë një eksitim të heshtur. Nga vendbanimi ynë, ky tempull i dijes ishte aq afër, saqë për vetëm dhjetë minuta mbërritëm atje, përballë portave që mbanin vulën e një madhështie shekullore.
Sapo kaluam pragun e kampusit, ajri ndryshoi. Ishte i mbushur me një ndjesi graviteti intelektual dhe historie. Ecëm mes rrugëve të gurtë, ku çdo hap tingëllonte si një përshëndetje ndaj atyre që kishin kaluar para nesh – mendimtarë, vizionarë, dhe krijues të epokave. Grumbuj turistësh na rrethuan, udhëhequr nga guida që flisnin me pasion për çdo detaj, për çdo gur dhe mur të këtij institucioni të famshëm. Ishte e pamundur të mos ndiheshim pjesë e kësaj historie.
Arta Basha & Tefik Basha & Sabile Keçmezi-Basha, Universiteti i Harvardit, Boston 2018
Çfarë të bënte përshtypje fillimisht? Muret e Harvardit, të ngritura dhe të ruajtura për shekuj me radhë, na ngjanin si dëshmitarë të heshtur të një epoke tjetër. Ishin si libra të pashkruar, mbajtur gjallë nga kujtimet e mijëra studentëve që kishin kaluar aty, duke i dhënë jetë këtij vendi. Por sytë tanë nuk ndaleshin vetëm tek historia – gjelbërimi, i ruajtur me një përkushtim të rrallë, dukej si një tapet i gjallë që mbronte këtë oaz diturie.
Punëtorët e kampusit, sikur të ishin artistë të një peizazhi të gjallë, kujdeseshin për çdo gjethe dhe çdo shkurre me një dashuri që fliste më shumë se fjalët.
Ishte një përzierje madhështie dhe qetësie, një botë ku koha dukej se ndalej, duke i lënë vend përhershmërisë së dijes dhe kujtimeve. Në kampusin e Harvardit, çdo hap na përkujtonte se aty ishim thjesht kalimtarë, ndërsa ai mbetej i përjetshëm, një vatër që do të ndriçonte mendjet edhe për shekuj të tjerë.
Agon Basha & Tefik Basha, kampusi i IMT, Boston 2018
Hymë brenda dhe u përhumbëm në botën e heshtur dhe madhështore të Harvardit, ku çdo hap dukej si një përshëndetje për shekujt e mendimit dhe dijes. Sallat e ligjëratave, të cilat mbusheshin me zërat e studentëve dhe jehonën e profesorëve, na lanë pa frymë. Në ato mure ku mësimi kishte marrë formë për breza të tërë, ndjenim fuqinë e ideve që kishin ndryshuar botën.
Pastaj, si udhëtarë në një kështjellë dijesh, u ndalëm në bibliotekën e tij – një thesar që sfidonte imagjinatën. Raftet e larta, të mbushura deri në kupë, ishin si një orkestrim i përkryer i mendjeve më të mëdha. Botime unikale, të rralla, dhe më të rejat, shfaqeshin para syve tanë si gurë të çmuar në një kurorë dijesh. Ishte një vend ku fjalët nuk ishin vetëm fjalë, por dritare drejt universit të pafund të diturisë.
Nga aty, u drejtuam në librarinë e universitetit, një parajsë tjetër për dashamirësit e librave. Vështirë të depërtonim mes turmave dhe rafteve që dukeshin si male të mbushura me botime të reja. Çdo libër dukej si një botë më vete, duke na thirrur me titujt dhe përmbajtjen që ofronin. Ishte një festë për shpirtin tonë kërkues.
Tefik Basha & Sabile Keçmezi-Basha, Bibloteka e Harvardit, Boston, 2018
Për kujtim, zgjodhëm disa libra – dhurata për ata që donim më shumë: Artën, Agonin, Arianitin dhe Albinën. Me një lloj kënaqësie të heshtur, kuptuam se ia kishim qëlluar shijeve të tyre, sikur ato libra të kishin pritur vetëm për ta. Ishte një akt i thjeshtë dashurie dhe përkujdesjeje, një mënyrë për të ndarë me të dashurit tanë atë që kishte magjepsur zemrat tona. Librat që morëm, më shumë se një dhuratë, ishin një lidhje e heshtur mes botës së dijes dhe shpirtit të tyre.
Më vonë, si të thirrur nga historia dhe madhështia, u drejtuam drejt degës kryesore të Bibliotekës Publike të Bostonit, një monument që bartte mbi supe një trashëgimi të pashoqe. E hapur më 1852, kjo bibliotekë ishte pioniere – biblioteka e parë komunale pa pagesë në Amerikë, një dhuratë për shpirtin e qytetit dhe të gjithë ata që kërkonin dituri. Me krenari qëndronte në Regjistrin Kombëtar të Vendeve Historike, si një dëshmitare e kohërave që s’harrohen.
Strehonte mbi 20 milionë artikuj – një oqean i pafund dijesh që na sfidonte mendjen dhe imagjinatën. Hyrja, një bekim pa pagesë, na ftoi të shëtisnim brenda saj si fëmijë të hutuar në një përrallë të gjallë. Rrugëtuam mes sallave madhështore, ku muret flisnin me gjuhën e artit dhe arkitekturës, një simfoni e tre shekujve që na mbështillte me hijeshi të paimagjinueshme. Çdo dhomë ishte si një tempull më vete, duke na mahnitur me rafte të pafund librash dhe vepra të çmuara që dukeshin sikur ruanin frymën e gjeneratave.
Tefik Basha, Universiteti i Bostonit, 2018
Por, si çdo udhëtim magjepsës, dhe ky kishte çmimin e tij – një lodhje e papritur na pushtoi, sikur koha të kishte ngrirë gjatë orëve të gjata që kaluam duke soditur këtë botë të mrekullueshme. Duke ndjerë peshën e këmbëve, vendosëm të bëjmë një pushim në një nga sallonet e bibliotekës. Aty, të ulur mes një atmosfere paqësore dhe ndriçimit të butë, rrufitëm nga një filxhan çaj që dukej se përmbante shijen e qetësisë dhe kënaqësisë.
Ishte një moment reflektimi, një përzierje mes lodhjes fizike dhe mbushjes shpirtërore. Biblioteka Publike e Bostonit nuk ishte thjesht një vend – ishte një përvojë, një udhëtim përmes shekujve, një kujtim që do të mbetet i skalitur në zemrën tonë si një thesar që nuk venitet.
Për fund, dhe vetëm për fund, Arta na drejtoi me hapa të sigurt drejt universitetit ku ajo ishte pjesë e tij, një ëndërr e realizuar dhe një krenari që na mbushte zemrën. Para nesh qëndronte MIT-i, madhështor dhe krenar, një simbol i arritjeve më të larta të mendjes njerëzore. Pamja impozante e ndërtesës na la pa fjalë – sikur toka dhe qielli kishin rënë dakord ta ngrinin këtë vend si një altar të dijes.
Agon Basha & Arta Basha, në një laborator të IMT, Boston 2018
Ne, si pelegrinë të përulur, e ndiqnim Artën, bijën tonë, që me siguri dhe modesti na udhëhiqte në këtë vend të shenjtë të shkencës dhe teknologjisë. Zemra na rrihte fort, jo vetëm nga pamja që na rrethonte, por edhe nga ndjenja e thellë e krenarisë që mbushte çdo qelizë të qenies sonë. Çdo hap i saj dukej si një hap drejt një të ardhmeje të ndritur, dhe ne, pas saj, me zemrat që falënderonin pa pushim, pëshpëritnim në heshtje lutjen më të thellë: “O Zot, ruaji fëmijët e mi dhe të gjithë njerëzimit, se nuk ka gjë më të çmuar në këtë botë se fëmijët tanë.”
Ndërsa ndiqnim hapat e saj me një përzierje të përulësisë dhe krenarisë, vështrimet tona ndaleshin mbi sallat e panumërta që shpalosnin me hijeshi të qetë fjalën e fundit të teknologjisë. Çdo hap na fuste më thellë në një botë ku mendja njerëzore kishte gdhendur kufijtë e së mundshmes, dhe çdo hapësirë dukej sikur mbante brenda saj shpirtin e përpjekjeve të palodhura të brezave. Ishte si të shëtisnim në një univers paralel, ku ëndrrat jo vetëm që kishin formë, por ndriçonin si yje të një galaktike të re.
Ndërtesat gjigante që ngriheshin rreth nesh flisnin me një gjuhë të heshtur të madhështisë, një simfoni gurësh dhe qelqi që mbështillte brenda saj dritën e mendjes njerëzore nga e gjithë bota. Kjo nuk ishte vetëm një strukturë – ishte një tempull i dijes, një vend ku çdo gur mbante peshën e ëndrrave, përpjekjeve, dhe arritjeve të jashtëzakonshme. Ishte një fushëbetejë për mendjen, ku çdo sfidë shndërrohej në një mundësi, dhe çdo ide merrte krahët për të fluturuar drejt së ardhmes.
Agon Basha me motrën Arta Basha, para universitetit IMT, Boston 2018
Çdo detaj i këtij universiteti dukej si një art më vete, një harmoni e përkryer mes krijimtarisë dhe disiplinës, mes imagjinatës dhe logjikës. Arti dhe shkenca këtu kishin gjetur një gjuhë të përbashkët, një balancë që ishte si një poezi e gjallë. Nuk ishin vetëm sallat apo pajisjet që na mahnitnin; ishte ndjesia se po qëndronim në zemrën e një bote ku ëndrrat nuk mbeteshin vetëm ëndrra, por merrnin jetë dhe ndriçonin për gjithë njerëzimin.
Bota kishte kthyer sytë drejt këtij vendi, jo thjesht për madhështinë e tij fizike, por për frymën që ai përfaqësonte – një frymë që frymëzonte mendje të reja të sfidonin të pamundurën dhe të ndryshonin të ardhmen. Dhe ne, duke ecur mes kësaj mrekullie, ndiheshim jo vetëm të përulur përballë madhështisë së tij, por edhe falënderues që mund të shihnim nga afër vendin ku kufijtë e së mundshmes zgjeroheshin çdo ditë.
E ndërsa ndiqnim hapat e Artës, bijës sonë, zemrat na mbusheshin me një ndjenjë të dyfishtë krenarie dhe përulësie. Çdo hap i saj dukej si një reflektim i gjithë përkushtimit dhe dashurisë që kishim derdhur ndër vite. Në atë rrugëtim, ku imazhet e së shkuarës dhe ëndrrat për të ardhmen bashkoheshin në një harmoni të heshtur, kuptuam se asgjë tjetër nuk kishte rëndësi. Gjithçka që ne ishim dhe që synonim të ishim, mishërohej në të dhe në arritjet e saja.
Në atë moment, çdo mendim i përditshmërisë u tret si mjegulla përpara diellit të ndritshëm të kuptimit. Fëmijët tanë, ata që mbajmë në zemër si drita më e çmuar, janë pasuria jonë më e madhe, më shumë se çdo thesar që bota mund të ofrojë. Secili hap i tyre drejt së ardhmes është një testament i dashurisë, një përpjekje për të ndërtuar një botë më të mirë, jo vetëm për veten, por për të gjithë njerëzimin.
Në atë çast, ndjenja universale e prindit na pushtoi – ajo që lidhet jo vetëm me dëshirën për suksesin e fëmijëve tanë, por me një lutje të thellë që ata të jenë të sigurt, të lumtur dhe të realizuar. Çdo hap i Artës, çdo sfidë që ajo përballonte dhe çdo arritje që ajo fitonte, ishte një fije e re në pëlhurën e trashëgimisë sonë më të çmuar. Në fund të fundit, ajo që mbetet pas nuk janë thjesht arritjet materiale, por dashuria dhe besimi që kemi mbjellë te brezat që do të vijnë.
MIT, ky tempull i dijes dhe përparimit, qëndronte si një monument i së ardhmes në zemër të Kem brixhit, Massachusetts, SHBA. Universiteti i parë gjithëpërfshirës i inxhinierisë, një simbol i vizionit dhe përkushtimit, ishte vendosur në një hapësirë që lidhte historinë dhe të ardhmen, matanë lumit Charles, që shndriste çdo gjë që prekte. Në fillim kishte zënë vend në Boston, por si çdo ide madhështore, edhe ky institucion kërkoi hapësirë për t’u rritur. Në vitin 1916, lumi Charles, si një partner i heshtur, u rimor për të krijuar këtë kampus të ri, një akt që ngjante me transformimet e tjera madhore si rikuperimi i lumit Songpa në Korenë e Jugut.
Ky rrugëtim i MIT-it ishte një histori që lidhej me mendje dhe zemra të mëdha. Një donacion anonim, që më vonë u zbulua si vepra e George Eastman, themeluesit të Kodak-ut, bëri të mundur që kjo ëndërr të merrte formë. Dhe forma e tij, e shtrirë horizontalisht përgjatë lumit, ngjante si një urë mes dijes dhe natyrës, mes së shkuarës dhe së ardhmes. Pamja nga qendra e Bostonit drejt këtij kampusi ishte si një thirrje për ata që kërkonin përparim – një hapësirë ku mendja sfidonte kufijtë dhe lumi Charles dukej sikur reflektonte shkëlqimin e këtij vendi.
Me një sipërfaqe prej 168 hektarësh, kampusi i MIT ishte një qytet brenda qytetit, një hapësirë që thithte mendje të ndritura nga e gjithë bota. Si një pasqyrë e madhështisë, ishte i krahasueshëm me kampusin e Universitetit të Koresë në Seul, por me një atmosferë të veçantë që vetëm New England mund ta ofronte. Ishte një përzierje harmonike e inxhinierisë dhe estetikës, një dëshmi e përkushtimit njerëzor për të krijuar vende ku idetë shndërrohen në realitet dhe ëndrrat marrin formë.
MIT, me rrënjët e tij në historinë e Bostonit dhe degët e shtrira drejt së ardhmes, ishte më shumë se një universitet – ishte një testament i asaj që njeriu mund të arrijë kur përkushtimi dhe imagjinata bashkohen në harmoni. Në hijen e këtij kampusi, lumi Charles vazhdonte të rridhte, si një dëshmitar i heshtur i madhështisë që lulëzonte në brigjet e tij.
Arta Basha-Jakupi me vëllain Agon Basha, para banesës ku banonim, Boston, 2018
Ishte një natë e vonë, ku biseda me Artën rridhte qetësisht, si një lumë fjalësh që mbante me vete ngrohtësinë e familjes. Ajo, me një zë të butë dhe një ndriçim në sy, na tregoi për një ofertë që i kishte ardhur nga universiteti. Profesorët e saj, të mahnitur nga përkushtimi dhe talenti i saj, i kishin ofruar një mundësi të artë: të qëndronte aty, të ligjëronte, të hulumtonte, dhe të zgjaste rrugën e saj në shkencë dhe teknologji, në një botë që i kishte hapur dyert e suksesit.
Ne mbetëm të shtangur, si të ngrirë nga një peshë që nuk e kishim pritur. Në heshtjen e shpirtit tonë, një ndjenjë frike nisi të lëshonte rrënjë – vallë, a mos kishte vendosur të qëndronte larg prej nesh, larg Kosovës sonë? Tefiku, pa pritur të mbaronte tregimin, ndërhyri me një pyetje që ia nxori zemra: “E ti, çfarë iu the?”
Arta, me atë buzëqeshjen e saj të ëmbël, që vetëm ajo din ta falë, na pa me qetësi dhe tha: “Jo, babi, mos u shqetëso. E refuzova propozimin.” Dhe pastaj, si një fanar që ndriçon në errësirë, shtoi: “Iu thashë, unë jam Made in Kosova. Aty është zemra ime, dhe aty dua të jap kontributin tim.”
Në ato fjalë, ndjemë një lehtësim që nuk mund të përshkruhet, si një frymë që mbush shpirtin pas një stuhie të gjatë. E përqafuam fort, duke e lavdëruar jo vetëm për zgjedhjen, por për forcën dhe dashurinë që kishte për vendin e saj. Ishte një çast që na kujtoi se, pavarësisht tundimeve të botës, zemrat e vërteta kthehen gjithmonë atje ku ndihen të tëra – në tokën e tyre, në rrënjët që u dhanë jetë.
Arta Basha-Jakupi, Sabile Keçmezi-Basha & Tefik Basha, Varri i Fan Nolit, Boston 2018
Pas një përqafimi që shëroi largësinë dhe një çmalljeje që i dha zemrës qetësi, Arta u kthye në ritmin e saj të përditshëm, ndërsa ne, të mbushur me dashurinë e nipërve tanë, sodisnim lëvizjet e tyre që shkonin e ktheheshin nga shkolla. Ditët e javës rridhnin qetë, por vikendet ishin një tjetër histori – të mbushura me emocion, me itinerarin që Arta e kishte përgatitur me kujdes, një udhërrëfyes që na çonte në zemrën dhe shpirtin e qytetit të Bostonit.
Nuk lamë asnjë cep të pashkelur, asnjë monument pa vizituar. Çdo hap ishte një udhëtim në histori, një përulje ndaj atyre që kishin lënë pas gjurmë të pashlyeshme. Në mesin e gjithë kësaj madhështie, ndaluam edhe në varrezat e Bostonit, në një vend që mbante brenda tij dy figura të pavdekshme të kombit tonë – Fan Nolin e madh dhe Faik Konicën, këta pishtarë të kulturës dhe mendimit shqiptar.
Të qëndroje përpara varrit të tyre ishte si të prekje një copë qielli, një ndjesi që të mbushte me krenari dhe një mall që nuk kishte nevojë për fjalë. Noli, me zërin e tij të fuqishëm që përshkroi epokat, dhe Konica, me penën e tij të mprehtë që e ngriti shqipen në lartësi të reja, ishin aty, si monumente të heshtura të shpirtit shqiptar. Të dy bashkë, në tokën e largët të Bostonit, por gjithnjë të pranishëm në zemrat tona.
Sabile Keçmezi-Basha & Tefik Basha, shtëpia ku jetuam një muaj,
lagja Kembrixh, Boston, 2018
Vendi i tyre pushimi ishte më shumë se një varr – ishte një altar ku historia dhe krenaria kombëtare merrnin frymë. Çdo gur, çdo hije, dukej sikur pëshpëriste për përkushtimin e tyre ndaj kombit, për betejat e tyre të mëdha dhe për ëndrrat që ndoshta ende jetojnë mes nesh. Aty, në atë qetësi të përjetshme, kuptuam edhe një herë se kombet mbijetojnë jo vetëm me tokën e tyre, por me shpirtin e atyre që e ngritin atë mbi shpatullat e mendjes dhe sakrificës.
Në kthim, me mendjet dhe zemrat ende të mbushura nga ai çast, ndjemë një lidhje më të fortë me rrënjët tona, një ndjesi që na ndihmonte të kuptonim sa e madhe është trashëgimia jonë dhe sa shumë kemi për t’u përulur para madhështisë së atyre që jetuan dhe punuan për të na dhënë një komb krenar.
Pasi kishim shkelur në gjurmët e historisë dhe madhështisë së Bostonit, Arta, e etur për të parë dhe për të na treguar më shumë, na sfidoi të zgjerojmë horizontet tona. Një vikend tjetër, me shpirt aventurieri dhe valixhe shpresash, morëm autobusin dhe u nisëm drejt një metropoli që vetë emri i tij ishte një premtim – Nju Jorku, qyteti që nuk fle kurrë.