Serbia po don me e kthye Luginën e Preshevës në një “Sanxhak të Dytë”

0
Shaip Kamberi - Luginë

Nga Ramiz LUSHAJ

  • Përballja e pestë elektorale, e sotme, e 30 qershorit, në Tërnoc të Madh, në mes shqiptarit të shquar, Shaip Kamberit e antishqiptarit të përbetuar, Ivica Daçiç, nuk është vetëm përballje elektorale për një ulëse (vend) në Kuvendin Popullor të Serbisë, por gjithçka ma shumë e ma tepër: është një përballje titanike e shqiptarëve me Doktrinat e Shenjta Serbe; për me e sigurue përfaqësimin e shqiptarëve në Kuvendin e Serbisë përballë demokracisë së deformuar keqas në Serbi; për me e mbrojt Luginën e Preshevës mos me u kthye në një “Sanxhak të Dytë” nën Serbi -.

 

1.

Serbia, edhe kësaj here, me 30 qershor 2022, e ka shënue një rekord tjetër të zi në serialin e të zezave të saj ndaj shqiptarëve, një rekord të papamë në historinë politike të saj, të Ballkanit, të Europës e të botës: votohet për herë të pestë për deputet në Tërnocin shqiptar, në lokalitetin ma të madh të komunës shqiptare të Bujanocit.

Përballë njani-tjetrit janë shqiptari i madh, Shaip Kamberi, deputeti popullor i legjislaturës së fundit në Kuvendin e Serbisë, kryetar i Partisë shqiptare për Veprim Demokratik (PVD) dhe Ivica Daçiç, kryetar i Partisë Socialiste të Serbisë (SPS), aktualisht dhe Kryetar i Kuvendit Popullor të Serbisë, që e ka aty kandidatin e vet elektoral, të cilin me forcën e të gjitha pushteteve të tij e të Serbisë shtet, me të gjitha mënyrat e mjetet ma antidemokratike të Serbisë së Pashiqëve e Millosheviçëve po don me e ba gjithsesi e gjithqysh deputet të tij fitues, andaj në diten e sotme, këtë të enjte, prej nga Elektoriada e 3 prillit 2022, në ma pak se dy muaj, do të votohet për herë të pestë në Tërnocin e Madh.

Përballë njani-tjetrit janë 58 vjeçari shqiptar Shaip Kamberi që ka 58 shekuj trojenik shqiptar, djalë e burrështetas i Tërnocit të Madh dhe i Luginës trekomunëshe të Preshevës dhe antishqiptari i përbetuar Daçiç me partinë e tij 30-vjeçare që ka tre shekuj kalendarik si mishërues e zbatues i “Doktrinave të Shenjta Serbe” kundër shqiptarëve (me copëtime territoriale të Shqipërisë, me gjenocid, asimilim e spastrim etnik, me përçarje fetare) prej nga princi serb i pushkës, i penës, i pushtetit, Millosh Obranoviq; nga Ilija Grashanini i “Naçetanjës” mbi zhdukjen e shqiptarëve; nga akademiku, politikani e historiani Vaso Çubrolloviq (që vdiq sokohe kur lindi partia e Daçiçit), nga diplomati e shkrimtari Ivo Androviq, nobelist në letërsi (libra të të cilit Daçiçi i mbante nën jastekun e gjumit), deri tek Millosheviçi (ndaj të cilit Daçiçi ishte shërbestar karierist e servil i tij, në gjithçka e në të gjitha detyrat, derisa e quajten edhe “Slloboja i vogël”).

“Doktrina e Shenjtë Serbe” e tre shekujve të fundit, nga princi serb Obrenoviq e deri tek kryeparlamentari Daçiç me të Tijët, vazhdimin në Luginën e Preshevës: me pasivizimin e adresave në trekomunat shqiptare; me futje të ndasive e përçarjeve politike partiake si në 3 prillin 2022 për në Kuvendin e Serbisë; me shkarkimin e uzurpimin e kryesimit të komunës së Preshevës; me mospunësimet e shqiptarëve sipas ligjeve në fuqi duke pasë diskriminim politik e racial përballë serbëve të ardhur e rezidentë në trekomunishin etnikisht shqiptar, etj.

Kësaj here, në Ternocin e Madh kemi të bëjmë me një çështje tejet të madhe: fitorja e Shaip Kamberit për deputet është një tjetër fitore e shqiptarëve kundër “Doktrinave të Shenjta Serbe”, që përfaqësohen gjithanshmërisht e pandashmërisht prej/tek kryesocialisti e kryeparlamentari serb, Ivica Daçiç, i cili në çdo detyrë të tij të lartë shtetërore, si Ministër i Informacionit, dy herë Ministër i Jashtëm, Zv/Kryeministër e Kryeministër apo, tashti, Kryetar i Kuvendit të Serbisë, deklarohet e veprimtaron kundër Kosovës, kundër Shqiptarëve nën Serbi, kundër Shqiptarëve atdhetarë në Europë e Amerikë.

Nëse ndodh humbja e Shqiptarëve në Tërnoc të Madh, nëse nuk sigurohen mbi 610 vota për deputet për shqiptarin atdhetar e elitar Shaip Kamberi, atëhere do të kemi fitoren e “Doktrinave të Shenjta Serbe”, të cilat Daçiçi i Beogradit, së bashku me “Dy Aleksandar e rinj të Serbisë”, me Vuçiçin e ish-Ministrin e Mbrojtjes e tashti Ministër i Brendshëm, Vulinin, përbajnë “banden politike treshe” kundër shqiptarëve etnikë edhe në trekomunshin e Luginës, edhe në Kosovë, Sanxhak etj.

Mirëpo, Tërnoci i Madh është i Madh sepse në 30 qershorin e sotëm (2022) ka me fitue kundër Doktrinave të Shenjta Serbe, kundër këtyre doktrinave antishqiptare, ka me votue për birin e vet për deputet në Kuvendin e Serbisë.

 

2.

Njeriu i të gjitha pushteteve e i gjithë atyneve pushtlleqeve në Serbi e në politika të saj sllave e ndërkombëtare, Ivica Daçiç, ky skuth politik e diplomatik i Serbisë, ky “buçko” në adoloshencën e tij, i thirrun “Slloboja i vogël” qyshce në rininë e tij politike, kërkon me çdo kusht e mjet ta shtrijnë pushtetin e tij politik, partiak, administrative në të gjithë Serbinë Jugore, në të gjithë kufinin me Kosovën dardane.

Kjo duket ashiqare në marrjen e kryesimit të komunave në distrikte/qarqe në Serbinë Jugore, ku përfshihet edhe Lugina e Preshevës me tri komunat e saj, nga të cilat në komunën e Medvegjës (564 km2)  kryetari i saj është nga Partia Socialiste Serbe e Daçiçit, ku edhe shqiptarët i kanë problematikat ma të mëdha, i kanë çpopullimet më të mëdha, etj. etj.

Pra, historikisht e aktualisht, Daçiçi është fitues 2 me 1 ndaj Shqiptarëve në Luginën e Preshevës, sepse e ka “të veten” Medvegjën në Qarkun e Jabllanicës, por në ardhmëri synimon ti marrin edhe dy komunat e tjera shqiptare në Qarkun e Pçinjës, komunat e Preshevës e të Bujanocit. Daçiçët, me 2 prill 2022 ia morën Luginës tre deputetët shqiptarë e, tashti, në raund të pestë elektoral, nuk po duan me e lejimue daljen deputet të të vetmit shqiptar në Kuvendin Popullor të Serbisë.

Daçiç është i rrezikshëm në pushtet e për çdo pushtet, është i rrezikshëm për çdo shqiptar, edhe kur shqiptarët përballen me Gjuhën Shqipe e Flamurin Kombëtar Shqiptar deri në Kuvendin e Serbisë si politikani kombëtar Shaip Kamberi, edhe për ata politikanë minorance në Luginë, të disa partive të vogla shqiptare, që i banë një dam të madh Shqiptarisë me mos-bashkim në një koalicion të vetëm zgjedhor dhe votuan keqas për Vuçiçin President të Serbisë, etj.,; është i rrezikshëm edhe për një fëmijë të porsa lindun në Prizren; edhe për çdo luftëtar e invalid shqiptarë të Qarkut të Kukësit, pjesmarrës në Luftën e fundit në Kosovë.

Daçiçi don të jetë “buçko” e të bëhet “Sllobo” edhe në pushtetin lokal në Serbinë Jugore. Në Qarkun e Pçinjës, ku përfshihen administravisht edhe Preshevë e Bujanoc, i ka marrë dy komuna nga 6 gjithsejt, si atë të Surdulicës e të Vranjës, dy ma të mëdhatë e ma kryesoret. Në Qarkun e Jabllanicës, nga 6 komuna i ka marrë 3 prej tyre: Medvegjë, Leskovac e Lebona. Në Qarkun e Nisavës, nga 6 komuna i ka marrë 5 prej tyre. Në Qarkun Pirot, nga 3 komuna i ka marrë 2 prej tyre. Në Qarkun e Borit, nga 3 komuna e ka marrë 1 prej tyre. Në Qarkun e Toplicës i ka marrë të gjitha, të tri komunat. Edhe në Qarkun e Zajeçarit i ka marrë të gjitha, të katër komunat.

Pra, Ivica Daçiç, kryesocialist e kryeparlamentar i Serbisë së sotme, është mbisundues në pushtetin lokal pothuaj në të gjithë Serbinë Jugore, në shumicën e komunave, në të gjitha trevat etnike shqiptare iliro-dardane-arbnore të Sanxhakut të Nishit, edhe në disa komuna në kufi me Kosovën dardane.

I ceka gjitha këto numeracione komunare elektorale në Serbinë Jugore për të dëshmuar para shqiptarëve të Tërnocit të Madh e para gjithë shqiptarëve të botës se sa i rrezikshëm është për shqiptarët një antishqiptar i përbetuar e i dëshmuar, si Ivica Daçiç, që “kurvëron” politikisht ku ti jepet rasti për karieren e tij, për pushtetet e tij, për të sulmuar e shovinizimue shqiptarët nën Serbi e Kosovën dardane.

Pikërisht, për servilizmat e tij jargavane, për skuthlleqet politike, për dredhinat nga floku i kokës mbi vesh e deri tek gishti i vogël i kambës së majtë të tij, për karrierizmin e tij pa okë e cak politik, për të gjitha këto, gruaja e Sllobodan Millosheviqit e kishte inat deri në kulm “Sllobon e vogël” se mos ia zinte vendin “Sllobos së Madh”, ndaj me të vetët e pushtetshëm në shtetin serb e çonte në detyra periferike politike, larg tapetave të kuq të politikës së madhe.

Me 30 qershorin e sivjetmë, të sotëm, ka ardhë koha fatmirë e fatlume, që për herë të pestë të gjithë shqiptarët e Tërnocit të Madh, si në vendlindje, në Kosovë e kudo tjetër në botë, të bashkimohen tek kutitë e votimit duke i dhanë një “fshesë politike” edhe ma të randë e ma të ashpër se vet gruaja e Millosheviçit, këtij “Sllobo të Vogël” të Beogradit, pjesë e “Bandës Politike” antishqiptare së bashku me “Dy Aleksandrat” e Serbisë: Vuçiç e Vulin.

Në 30 qershorin e sotëm ka ardhë dita dhe ka mbrri koha, o sot o kurrë, me dorë të Zotit e të Shqiptarëve atdhedashës, për me e fut në “rreth të kuq” Daçiçin antishqiptar të Beogradit, siç ia pati ba dikur Bashkimi Europian (BE) që e shpalli “Non Grata” duke mos e lejimue me hy përkohor në bashkësinë e shteteve e kancelaritë e larta të Bashkimit Europian.

 

3.

Kryesocialisti Daçiç në Zgjedhjet e 3 prillit 2022, doli në vend të tretë me koalicionin e trepartiak, duke marrë vetëm 32 deputetë si koalicion dhe vetëm 23 deputetë si Parti Socialiste e Serbisë.

Në rast se Daçiçi do të ketë një deputet ma pak si parti apo koalicion, pas humbjes së pritshme në Tërnoc të Madh, ai/ky nuk fiton dhe as nuk humbet asgja në tabelen elektorale paszgjedhore të Kuvendit të Serbisë, sepse as nuk bie në vendin e katërt, sepse i duhet të ketë 17 deputetë ma pak, po as nuk mund të ngjitet në vend të dytë, siç ishte para 3 prillit 2022, sepse i duhen edhe 6 deputetë ma shumë.

Atëhere, çka don Daçiçi i faqes së zezë, që don me ua nxi jetën shqiptarëve të Luginës së Preshevës e Sanxhakut e kudo tjetër, që po e kërkon kaq ashpërsisht e padenjësisht këtë duel politik e elektoral me shqiptarin e shquar Shaip Kamberi i Tërnocit të Madh, i Bujanocit shqiptar, i Luginës së Preshevës etnike shqiptare e Kombit Shqiptar?!

Ky Daçiçi antishqiptar i sojit Pashiq, Millosheviç e Vuçiç, nuk don as ma pak e as ma shumë nga Tërnoci i Madh veçse “kokën politike” të djalit të Tërnocit të Madh.

Ne, Shqiptarët etnikë, kena ba mjaft beteja luftarake të përgjakshme në historinë tonë shumëshekullore “duke dhanë koka në tepsi” për Beograd, Stamboll, Çetinë, ndaj nuk është koha dhe as vendi, nuk është mënyra e mundshme, kurrsesi nuk e lejon Tërnoci i Madh me ia dhanë “kokën” e Shaip Kamberit një antishqiptari të përjetshëm si Ivica Daçiçit.

Mjaft na e morën tradhtisht, na e vranë pabesisht njëzet vjetë ma parë, në Tërnoc të Madh (24 maj 2001) snajperistat serbo-sllavë të kohës së Millosheviçit e Daçiçit, liderin ushtarak, Ridvan Qazimi “Komandant Lleshi”, ndaj nuk kemi “koka” as “për të prerë” për Daçiçat e Daçicet dhe as për të falur për Aleksandrat e vjetër e të rinj të Serbisë, as për Aleksandrinat (kryeministren) e sotme të Serbisë, edhe në këso kohë paqeje të rrejshme, edhe nëpër elektoriada të tilla me theks e veprimtarim antishqiptar, sepse Luginës së Preshevës e Shqiptarisë iu kanë deshtë nja tre dekada me e rritë e me ngritë një figurë politike të tillë lartnore  shqiptare e për shqiptarët, politikanin e përmasave kombëtare shqiptare, Shaip Kamberin.

 

4.

Ajo çka don Daçiçi i Beogradit në të pestën elektoriadë të sotme në Tërnoc të Madh të Bujanocit ka të bëjnë me një fakt të ditun, të dhimshëm, të papranueshëm:

Nuk e duan Zërin Shqiptar në Kuvendin Popullor të Serbisë.

Nuk duan Daçiçët e Aleksandart e Serbisë asnjë deputet shqiptar në Kuvendin e Serbisë, e aq ma tepër një deputet shqiptar, politikan atdhetar, si Shaip Kamberi ynë.

Mos prania e shqiptarit Shaip Kamberi, i të vetmit shqiptar në Kuvendin e Serbisë, dëshmon se Kuvendi i sotëm i Serbisë nuk asht popullor, siç titullimohet e keqbesohet si “Kuvendi Popullor i Serbisë”(!), sepse prej 3 prillit 2022 aty nuk përfaqësohen me deputetët e tyre të gjithë popujt në Republikën e Serbisë, nuk përfaqësohen shqiptarët etnikë.

Aty përfaqësohen Hungarezët e Vojvodinës. Aty përfaqësohen Kroatët e Vojvodinës. Aty përfaqësohen Boshnjakët e Sanxhakut.

Pra, aty, në Kuvendin e Serbisë, deri më tash, me 30 të qershorit 2022, nuk përfaqësohen Shqiptarët e Luginës së Preshevës (Bujanoc, Preshevë e Medvegjë) dhe në Sanxhak, Beograd, Vojvodinë e kudo tjetër në Republikën e Serbisë.

Kjo duhet të jetë alarmante për Bashkimin Europian, për OSCE me ODHIR, për Këshillin e Europës, për SHBA, sepse Serbia, “Dashnorja e përhershme e Perëndimit”, nuk duhet të lejohet të japin leksione demokracie, sikurse veproi lideri i saj, Vuçiç, në foltoret e larta të Bashkimit Europian edhe në qershorin e sivjetëm në Bruksel dhe asnjëherë tjetër, e askund tjetër, përderisa Serbia putiniste e antishqipatre ka një Parlament që nuk përfaqësohet prej të gjithë popujve të shtetit të vet, prej Shqiptarëve etnikë, tashma pakicë nën Serbi, sepse nuk dashkan Daçiçët e Daçicat e Beogradit, sepse kështu duan Dy Aleksandrat e Aleksandrinat e Serbisë!

Kjo gjendje, kjo situatë, duhet të marrin fund, duhet ti jepet përgjigje trimërie e demokracie nga vet Tërnoci i Madh, pikërisht në 30 qershorin e sotëm 2022, duke marrë pjesë pasivisht në votime dhe duke e zgjedhë birin e tyre të nderuar, Shaip Kamberin – deputet në Kuvendin e Serbisë.

 

5.

Perëndimi ka përgjegjësina të larta e të mëdha për gjendjen e sotme të Luginës së Preshevës (në të tre komunat e saj) si dhe për Sanxhakun (me gjashtë komunat e saj: Novi-Pazar, Tutin, Sjenicë, Prijepolje, Nova Varosh, Priboj), ku në legjislaturën e kaluar (21 korrik 2020-3 prill 2022) i lejojë Serbisë një demokraci të deformuar, tejet të deformuar, një autokraci të tepërt, të tepruar, i përkdheli padenjësisht Daçiçin e Beogradit e Dy Aleksandrat e Serbisë: Vuçiçin e Vulinin, edhe kur këta iu vërsulen me gjithëfarë sulmesh Luginës së Preshevës e Sanxhakut nën Serbi dhe shtetit të ri të Kosovës sovrane etj. derisa edhe median tonë panshqiptare e ndërballkanike, “Gazeta e Alpeve”, teksa shkonte tranzit e paketuar për në Gjermani, me 24 tetor 2021, e hodhën nga autobusi i linjës interurbane përtokë dhe u versulen me thika e shqelma gazetave në PKK në Hogoshtit mes Serbisë e Hungarisë apo drejtorin e “Gazeta e Alpeve” për Sanxhak e kryetar i Shoqatës “Kosova për Sanxhakun”, studiuesin e gazetarin e njohur Ismet Azizi, e ndaluan me 27 qershor 2022 nga policia kufitare serbe në Bërnjak dhe u mor në pyetje nga njësiti për terrorizëm i stacionit policor të Novi Pazarit!

Perëndimi ka përgjegjësi të pafalshme, pasi për dy vite i lejoi Serbisë që të jepte leksione demokracie në Europë e Amerikë dhe gjithandej nëpër botë, ndërkohë që Kuvendi i Serbisë me 250 vende (ulëse) kishte një opozitë parlamentare vetëm me 6 deputetë shqiptarë të Luginës së Preshevës e boshnjakë të Sanxhakut (përndryshe: edhe shqiptarë të boshnjakëzuar), të cilët për fat të mirë e kishin njohur të gjashtët edhe Pavarësinë e Kosovës.

Një rast i tillë politik parlamentar ku Parlamenti me 250 deputetë të ketë një opozitë të vetme parlamentare me 6 deputetë të dy etnive, popuj në pakicë popullsie, ndoshta nuk ka ndodhë në të gjithë historinë e Europës plakë apo të re, të Europës së Versajës apo Brukselit etj.!

Po, kjo opozitë e vetme, duke qënë e tillë, kishte hapësirat e saj foltore më të mëdha në Kuvendin Popullor të Serbisë, çka iu jepte mundësira për të ngritë problematikat e veta të Luginës së Preshevës e të Sanxhakut, sikurse edhe i gjithë Kuvendi i Serbisë, me Daçiçët e Aleksandrat e Serbisë, iu kundërvunë për t’i shkatërruar si Grup Parlamentar, që të mos jenë Opozitë e Daçiçit e Vuçiçit, që të mos kemi rizgjim, integrime e zhvillime ekonomiko-sociale të Luginës e Preshevës e Sanxhakut, që janë dy nga zonat ma të varfëra në krejt globin e sotëm tokësor.

Ia arritën, po,po, ia arritën, Daçiçët e Beogradit e Aleksandrat e Serbisë: që nga 3 deputetë e legjislaturës së kaluar (2020-’22) në Luginën e Preshevës nga Partia e Shaip Kamberit në koalicion partiak shqiptar tashti do të ketë vetëm një deputet shqiptar nga zgjedhjet e sotme në Tërnocin e Madh, do të ketë Shaip Kamberin; ndërsa nga 3 deputetë të Partisë SDA të Sanxhakut e Ugljaninit fituan me 3 prill 2022 vetëm 2 prej tyre: një në Novi Pazar e tjetri në Tutin.

Pra, sivjet, deri në këtë 30 qershor 2022 kemi vetëm dy deputetë nga ky Grup i Opozitës së kaluar Lugina e Bashkuar-SDA Sanxhak, e, pas ditës së sotme, do të jenë 3 deputetë, do iu shtohet edhe Shaip Kamberi i Tërnocit të Madh, i Bujanocit shqiptar, i Luginës së Preshevës me tre komunat, ndaj sot, zgjedhja e tij është një shërbim i shquar kombëtar shqiptar.

Po çështja është ndryshe: Serbia e Vuçiçit, e Daçiçit, e Vulinit, po don me e kthye Luginën e Preshevës me të tri komunat e saj në një “Sanxhak të Dytë”, në një “Sanxhak të ri”, ku shqiptarët etnik të mos mbetën shqiptarë genetik, por të sanxhakizohen prej Beogradit shovinist. Gjithçka ka minuse nga përvoja e keqe shovene e Sanxhakut me Serbinë po duan me i përcjellë në Luginën e Preshevës, politikanët serbë të tipit të Daçiçit, si asimilimi i shqiptarëve, shpërngulja e shqiptarëve, ndarja e shqiptarëve në dy koalicione elektorale (siç ngjau në Zgjedhjet Parlamentare të 3 prillit 2022), në konceptimin e komunës së Preshevës si të ishte “kështjellë mesjetare” për pushtime politike partiake, etj.

E, për të mos e harrue, e – për ta theksue fort e ma fort, iu bajmë me dije faktin e njohur se shef i Grupit Parlamentar Lugina e Bashkuar dhe SDA Sanxhak në Kuvendin Popullor të Serbisë (2020-’22) ishte politikani i mirënjohur Shaip Kamberi i Tërnocit të Madh, i Bujanocit, i Luginës së Preshevës e Sanxhakut, i Kombit Shqiptar. Daçiçët e Vuçiçët, së bashku me Vulinët e Ministrisë së Brendshme, ban çka s’ban, si askush në botë, si asnjë tjetër mbi tokë, duke luftimue me çka munden, kur mundem e ku munden, për mos me dalë deputet Shaip Kamberi, ndaj u banë pesë votime të tilla elektorale, tuj e rendime edhe këtë të 30 qershorit të sotëm.

Shaip Kamberi e ka nderue Tërnocin e Madh e krejt Luginën e Preshevës me Sanxhak, me Kosovë e Shqipëri, me krejt Shqiptari, duke mbajtë qëndrime që dënojnë krimet e Luftës genocidiale të Serbisë, mohimin e të drejtave të shqiptarëve aktualisht nën Serbi dhe ka folun shqip në Kuvend kur i denoncoi këto qëndrime të institucioneve të Serbisë.

Tani, sot, pikërisht sot, është koha fatlume e dita ma finale që Tërnoci i Madh të ritregohet përseri i Madh në këtë Betejë të Madhe, duke votuar masivisht e tanësisht për deputet djalin e vet trojenik, Shaip Kamberin, duke nderuar edhe Vetveten dhe krejt Shqiptarinë prej nga Australia e deri në Amerikë.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.