33.1 C
Tirana
E shtunë, 1 Gusht 2026
[ Arkivi ] përmban shkrime nga vitet [ 2009-2015 ] dhe [ 2016-2021 ], ndërsa [ 2003 – 2009 ] (në html)
Kreu Artikuj ROLI I MËRGATËS SHQIPTARE NË KUJTESËN HISTORIKE TË KOSOVËS (67)

ROLI I MËRGATËS SHQIPTARE NË KUJTESËN HISTORIKE TË KOSOVËS (67)

0

Sabile Keçmezi-Basha Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha

“DO TË KTHEHEM NË PRISHTINË”(1993) – NJË HIMN I MËRGATËS SHQIPTARE

Duke ecur hap pas hapi nëpër shkallët e historisë shqiptare dhe duke ndjekur rrjedhën e pandërprerë të mërgimit ndër shekuj, më erdhi ndër mend edhe një këngë tjetër, e lindur në një periudhë krejt tjetër historike, por që mbante në vete të njëjtën dhimbje të largimit nga atdheu. Nëse baladat e muhaxhirëve të Sanxhakut të Nishit dhe Toplicës rrëfenin tragjedinë e dëbimeve të dhunshme të fundit të shekullit XIX, kjo këngë i përket një epoke më të afërt, asaj të sistemit komunist jugosllav dhe të sundimit serb mbi Kosovën, kur mërgimi mori forma të reja, por nuk e humbi kurrë karakterin e tij të dhimbshëm.

Me kalimin e viteve, plagët e largimit jo vetëm që nuk u shëruan, por në shumë raste u thelluan edhe më tej. Nën regjimin jugosllav, shqiptarët e Kosovës u përballën me diskriminim politik, ekonomik, kulturor dhe kombëtar. Mungesa e lirisë, pabarazia në punësim, represioni shtetëror, ndjekjet politike, burgosjet dhe kufizimi i të drejtave elementare krijuan një realitet që i shtyu mijëra shqiptarë të merrnin rrugën e mërgimit. Shumë prej tyre u larguan në kërkim të një jete më të sigurt, ndërsa të tjerë u detyruan të braktisnin vendlindjen për t’i shpëtuar përndjekjes politike dhe presionit të vazhdueshëm të aparatit shtetëror jugosllav.

Kështu, mërgata shqiptare vazhdoi të zgjerohej. Ajo nuk ishte më vetëm pasojë e dëbimeve të shekullit XIX, por edhe rezultat i politikave të vazhdueshme shtypëse që ushtronte regjimi komunist jugosllav ndaj shqiptarëve. Çdo dekadë sillte valë të reja emigrimi, ndërsa çdo familje shqiptare njihte dikë që kishte marrë rrugën e botës, duke lënë pas prindërit, fëmijët, shtëpinë dhe vendlindjen.

Ashtu si në periudhat e mëhershme historike, edhe kjo plagë gjeti pasqyrim në krijimtarinë artistike e popullore. Kënga u bë përsëri zëri i atyre që largoheshin dhe i atyre që mbeteshin duke pritur. Ajo shprehu mallin për Kosovën, dhimbjen e ndarjes, por edhe besimin se lidhja me atdheun nuk mund të këputej, pavarësisht largësisë. Nëpërmjet vargjeve të saj, historia e mërgimit vazhdoi të jetonte në kujtesën kolektive të shqiptarëve, duke dëshmuar se largimi nuk ishte vetëm një fenomen demografik apo ekonomik, por një plagë e thellë kombëtare që vazhdoi të rëndonte mbi fatin e shqiptarëve gjatë gjithë periudhës së sundimit jugosllav dhe okupimit serb.

Një ndër shkaqet më të rëndësishme që ndikoi në shtimin e valëve të emigrimit të shqiptarëve nga Kosova gjatë dekadave të fundit të shekullit XX ishte represioni i vazhdueshëm që ushtronte pushteti jugosllav, e më pas ai serb, ndaj popullsisë shqiptare. Dhuna institucionale, terrori policor, ndjekjet politike, arrestimet arbitrare dhe dënimet e rënda me burg u shndërruan në instrumente të përhershme të politikës shtetërore, me anë të të cilave synohej të frikësohej dhe të nënshtrohej popullsia shqiptare.

Veçanërisht pas demonstratave të vitit 1981, aparati i sigurisë intensifikoi goditjet ndaj çdo forme të organizimit politik, kulturor dhe kombëtar të shqiptarëve. Qindra veprimtarë, studentë, profesorë, intelektualë dhe qytetarë të zakonshëm u arrestuan, u morën në pyetje, u keqtrajtuan fizikisht e psikologjikisht dhe u dënuan me procese gjyqësore që shpesh nuk i përmbushnin standardet themelore të drejtësisë. Dënimet me shumë vite burg, të shqiptuara për veprimtari politike, për shprehje të identitetit kombëtar apo për kërkesa për të drejta kushtetuese, krijuan një atmosferë të vazhdueshme frike dhe pasigurie në shoqërinë shqiptare.

Represioni nuk kufizohej vetëm te personat e dënuar. Pasojat e tij rëndonin mbi tërë familjen. Bashkëshortët, prindërit dhe fëmijët e të burgosurve jetonin nën mbikëqyrje të vazhdueshme, përballeshin me diskriminim në punësim, arsim dhe jetën shoqërore, ndërsa shpesh stigmatizoheshin vetëm për shkak të lidhjeve familjare me një të burgosur politik. Në këtë mënyrë, terrori shtetëror nuk synonte vetëm individin, por krijonte një klimë kolektive pasigurie, e cila prekte mijëra familje shqiptare.

Përballë kësaj gjendjeje, shumë shqiptarë e panë largimin nga vendlindja si të vetmen mundësi për të mbrojtur jetën, lirinë dhe të ardhmen e familjeve të tyre. Mërgimi nuk ishte gjithmonë një zgjedhje e lirë apo një kërkim i një standardi më të mirë jetese; në shumë raste ai ishte një akt mbijetese. Shumë veprimtarë politikë u detyruan të largoheshin për t’i shpëtuar arrestimit, ndërsa të tjerë, pasi kishin vuajtur dënime të gjata me burg, zgjodhën emigrimin për t’u shkëputur nga një realitet ku mbeteshin vazhdimisht nën mbikëqyrjen dhe presionin e organeve shtetërore.

Në këtë kuptim, emigrimi i shqiptarëve gjatë kësaj periudhe nuk mund të shpjegohet vetëm me faktorë ekonomikë. Në themel të tij qëndronte një realitet politik i karakterizuar nga mohimi i lirive themelore, nga dhuna institucionale dhe nga një sistem represiv që kufizonte të drejtat individuale dhe kolektive të shqiptarëve. Për këtë arsye, një pjesë e konsiderueshme e mërgatës shqiptare të krijuar gjatë viteve tetëdhjetë dhe nëntëdhjetë ishte, në thelb, një mërgatë politike, e lindur si pasojë e përndjekjes, e terrorit shtetëror dhe e mungesës së lirisë në vendlindje.

Një tjetër faktor që ndikoi ndjeshëm në shtimin e emigrimit të shqiptarëve nga Kosova gjatë dekadës së fundit të shekullit XX ishte edhe detyrimi për kryerjen e shërbimit ushtarak në Ushtrinë Popullore Jugosllave (JNA). Për një numër të madh familjesh shqiptare, dërgimi i djemve të tyre në kazermat ushtarake nuk përjetohej si një detyrim i zakonshëm qytetar, por si një burim i vazhdueshëm ankthi, pasigurie dhe frike. Me kalimin e viteve, sidomos në klimën e tensionuar politike të fundviteve tetëdhjetë dhe fillimit të viteve nëntëdhjetë, besimi i shqiptarëve ndaj institucioneve shtetërore ishte zbehur pothuajse tërësisht, ndërsa shërbimi ushtarak shihej gjithnjë e më shumë si një rrezik serioz për jetën e të rinjve.

Kjo ndjenjë pasigurie nuk ishte e pabazë. Në opinionin publik shqiptar u përhapën dhe u dokumentuan raste të shumta të ushtarëve shqiptarë që humbnin jetën gjatë shërbimit ushtarak në rrethana të paqarta ose të dyshimta. Shpesh familjeve u ktheheshin arkivolet e bijve të tyre, të shoqëruara me shpjegime zyrtare që ngjallnin mosbesim dhe nuk bindnin as familjarët, as opinionin publik. Këto ngjarje krijuan një traumë kolektive dhe shtuan ndjenjën e pasigurisë, duke bërë që shumë familje të kërkonin çdo mënyrë të mundshme për t’i larguar djemtë e tyre nga vendi përpara se të mobilizoheshin.

Njëkohësisht, klima politike në Kosovë po bëhej gjithnjë e më e rëndë. Pas shfuqizimit të autonomisë së Kosovës në vitin 1989, represioni shtetëror u intensifikua në të gjitha fushat e jetës. Arrestimet, bastisjet, marrjet në pyetje, survejimi i vazhdueshëm dhe presioni ndaj veprimtarëve politikë krijuan një atmosferë të përgjithshme frike. Shqiptarët ndiheshin gjithnjë e më të përjashtuar nga institucionet publike dhe të privuar nga të drejtat themelore politike, kombëtare dhe qytetare.

Në këtë realitet të rënduar filluan të shfaqeshin edhe organizimet e para ilegale që synonin organizimin e rezistencës së armatosur kundër regjimit serb. Edhe pse në fazat e para ato vepronin në mënyrë të fshehtë dhe me struktura të kufizuara, vetë ekzistenca e tyre dëshmonte se gjendja politike në Kosovë po hynte në një etapë të re. Përplasja ndërmjet aparatit represiv serb dhe përpjekjeve të shqiptarëve për organizim kombëtar po bëhej gjithnjë e më e dukshme, ndërsa tensionet politike po rriteshin dita-ditës.

Për shumë të rinj shqiptarë, kjo situatë krijonte një dilemë të rëndë. Nga njëra anë, ata rrezikonin të mobilizoheshin në një ushtri ndaj së cilës nuk kishin besim dhe ku ndiheshin të diskriminuar; nga ana tjetër, përfshirja ose dyshimi për lidhje me veprimtarinë politike shqiptare mund t’i ekspozonte ndaj ndjekjes penale, burgosjes ose përndjekjes së vazhdueshme. Në këto rrethana, emigrimi u shndërrua për shumë familje në një formë mbrojtjeje dhe mbijetese. Largimi nga vendlindja nuk ishte vetëm një përpjekje për të siguruar një jetë më të mirë ekonomikisht, por edhe një mënyrë për t’u shpëtuar rreziqeve që sillte një realitet politik gjithnjë e më represiv dhe një konflikt që po afrohej me shpejtësi.

Represioni që ushtrohej ndaj shqiptarëve gjatë kësaj periudhe nuk ishte një dukuri e kufizuar vetëm në Kosovë. Përkundrazi, ai shtrihej në të gjitha trevat shqiptare që ndodheshin brenda kufijve të ish-Jugosllavisë, duke marrë forma të ndryshme, por me të njëjtin qëllim: dobësimin e pozitës politike, shoqërore dhe kombëtare të shqiptarëve. Kështu, krahas Kosovës, edhe shqiptarët në Maqedoni, në Mal të Zi, si dhe në Luginën e Preshevës – Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc – u përballën me politika diskriminuese, presion institucional dhe kufizim të të drejtave të tyre kombëtare.

Ndonëse intensiteti dhe format e represionit ndryshonin nga njëra trevë në tjetrën, përvoja e shqiptarëve kishte një emërues të përbashkët: ndjenjën e pasigurisë dhe të margjinalizimit. Në shumë raste, shqiptarët përballeshin me diskriminim në punësim, në administratë, në arsim, në përdorimin e gjuhës amtare dhe në ushtrimin e lirë të identitetit të tyre kombëtar. Aktivistët politikë, intelektualët dhe të rinjtë që shfaqnin angazhim kombëtar ishin shpesh objekt i mbikëqyrjes së vazhdueshme, marrjeve në pyetje, proceseve gjyqësore dhe formave të tjera të presionit politik.

Veçanërisht në Kosovë, pas shfuqizimit të autonomisë në vitin 1989, represioni mori përmasa shumë më të ashpra, por jehona e kësaj politike ndihej edhe në trevat e tjera shqiptare. Shqiptarët në Maqedoni përballeshin me kufizime në përfaqësimin institucional dhe në realizimin e të drejtave të tyre kolektive, ndërsa në Mal të Zi dhe në Luginën e Preshevës vazhdonin të jetonin nën politika që shpesh nuk u garantonin barazi të plotë me popullsinë shumicë. Këto zhvillime krijuan një ndjenjë të përbashkët pasigurie në mbarë hapësirën shqiptare të ish-Jugosllavisë.

Si pasojë e këtij realiteti politik dhe shoqëror, emigrimi nuk mbeti vetëm një fenomen kosovar. Ai u shndërrua në një dukuri që përfshiu pothuajse të gjitha trevat shqiptare nën administrimin jugosllav. Mijëra shqiptarë nga Tetova, Gostivari, Kërçova, Struga, Ulqini, Tuzi, Presheva, Bujanoci, Medvegja dhe shumë vendbanime të tjera morën rrugën e mërgimit drejt vendeve të Evropës Perëndimore dhe më gjerë. Shkaqet mund të ndryshonin në nuanca nga një rajon në tjetrin, por në thelb ato lidhnin të njëjtin realitet: mungesën e lirisë së plotë, pasigurinë politike, diskriminimin institucional dhe kërkimin e një jete me më shumë dinjitet dhe perspektivë.

Kjo është edhe arsyeja pse mërgata shqiptare e krijuar gjatë kësaj periudhe nuk mund të shihet si produkt i zhvillimeve të një territori të vetëm. Ajo ishte rezultat i një procesi më të gjerë historik që preku shqiptarët në të gjitha trevat e ish-Jugosllavisë. Për këtë arsye, mërgata e fund shekullit XX përfaqëson një fenomen mbarëkombëtar, i lindur nga një realitet i përbashkët politik dhe historik, ku largimi nga vendlindja u bë, për mijëra familje shqiptare, një zgjedhje e imponuar nga rrethanat dhe jo një dëshirë e lirë.

Pikërisht për këtë arsye, gjatë kësaj periudhe u krijuan një mori poezish dhe këngësh kushtuar mërgimit dhe mërgatës shqiptare, të cilat pasqyronin dhimbjen e largimit, mallin për vendlindjen dhe shpresën e pashuar për rikthim. Në këtë kontekst historik lindi fillimisht edhe poezia “Ku shkojnë kosovarët?”, e cila nuk e kufizon frymëzimin e saj vetëm te Kosova dhe as nuk e paraqet mërgimin si një dramë që i përket vetëm një pjese të kombit shqiptar. Përkundrazi, autori e zgjeron horizontin poetik duke përfshirë edhe treva të tjera shqiptare, si Tetovën, Ulqinin, Preshevën dhe, në fund, Prishtinën, duke i shndërruar ato në simbole të një dhimbjeje dhe fati të përbashkët kombëtar. Në këtë mënyrë, poezia tejkalon kufijtë krahinorë dhe shndërrohet në zërin e mbarë shqiptarëve, duke dëshmuar se mërgimi i asaj kohe ishte një plagë që preku pothuajse çdo trevë shqiptare.

Sipas të dhënave që kam arritur të siguroj gjatë këtij hulumtimi, teksti i kësaj kënge është shkruar nga Izet Rraci në vitin 1993, në një nga periudhat më të rënda të historisë bashkëkohore të Kosovës. Ishte koha kur represioni i regjimit serb ndaj shqiptarëve kishte arritur kulmin, pas shfuqizimit të autonomisë së Kosovës dhe vendosjes së një administrimi të drejtpërdrejtë nga Beogradi. Shqiptarët ishin përjashtuar nga institucionet shtetërore, mijëra punëtorë ishin larguar nga vendet e tyre të punës, sistemi arsimor dhe ai shëndetësor funksiononin në rrethana të jashtëzakonshme, ndërsa arrestimet, bastisjet, burgosjet dhe presioni policor ishin bërë pjesë e përditshmërisë. Në këtë atmosferë pasigurie, dëshpërimi dhe mungese perspektive, mijëra të rinj shqiptarë morën rrugën e mërgimit, duke kërkuar strehë dhe një të ardhme më të sigurt në vendet e Evropës Perëndimore.

Pikërisht në këtë realitet historik lindi poezia e Izet Rracit, e cila në versionin e saj të parë mbante titullin “Do të kthehem në Prishtinë”. Ky titull nuk ishte thjesht një shprehje poetike e mallit për vendlindjen, por një premtim shpirtëror i mërgimtarit shqiptar, i cili, pavarësisht largësisë dhe rrethanave të vështira, nuk e humbte kurrë shpresën për rikthim. Poezia përmblidhte ndjenjat e një brezi të tërë që po largohej jo nga dëshira, por i detyruar nga kushtet politike, ekonomike dhe shoqërore të kohës.

Më vonë, kjo poezi mori jetë të re artistike kur u kompozua nga Naim Gjoshi dhe u interpretua mjeshtërisht nga Ilir Shaqiri, duke u shndërruar në një nga këngët më të njohura dhe më të dashura të repertorit patriotik shqiptar. Përmes melodisë dhe interpretimit të ndjerë, krijimi kapërceu kufijtë e një poezie të botuar dhe u bë zë i mërgatës shqiptare të viteve nëntëdhjetë. Kënga u përqafua shpejt nga shqiptarët brenda dhe jashtë atdheut, sepse secili gjeti në vargjet e saj një pjesë të historisë dhe të përjetimeve të veta.

Në këtë kuptim, “Do të kthehem në Prishtinë”, e njohur gjerësisht edhe përmes refrenit “Ku shkojnë kosovarët?”, nuk është vetëm një krijim artistik, por edhe një dokument i rëndësishëm i kujtesës historike. Ajo pasqyron atmosferën e viteve 1989–1999, kur mërgimi shqiptar mori përmasa të papara dhe u shndërrua në një nga fenomenet më karakteristike të asaj periudhe. Përmes një gjuhe të thjeshtë, por thellësisht emocionale, poezia dhe më pas kënga arritën të shprehin ankthin, mallin, pasigurinë dhe shpresën e mijëra shqiptarëve që u detyruan të linin vendlindjen, por që nuk e humbën kurrë besimin se një ditë do të riktheheshin në atdheun e tyre të lirë.

Pikërisht për këtë arsye, kjo këngë zë një vend të veçantë në historinë e krijimtarisë shqiptare kushtuar mërgimit. Ajo nuk është vetëm një dëshmi e një kohe të caktuar historike, por edhe një simbol i lidhjes së pashkëputshme të mërgimtarit shqiptar me vendlindjen, duke e shndërruar mallin për atdheun në motivin qendror të identitetit të tij shpirtëror.

Ky zgjerim gjeografik nuk është një zgjedhje e rastësishme artistike. Ai pasqyron një realitet historik të fund shekullit XX, kur emigrimi nuk prekte vetëm shqiptarët e Kosovës, por pothuajse të gjitha hapësirat shqiptare që ndodheshin brenda kufijve të ish-Jugosllavisë. Përmes përmendjes së këtyre qyteteve, poeti ndërton një hartë shpirtërore të mërgimit shqiptar, ku secili vend përfaqëson mijëra familje të ndara, shtëpi të mbetura bosh dhe ëndrra të detyruara të kërkonin strehë larg atdheut.

Në vargjet e tij, Tetova nuk përfaqëson vetëm një qytet të shqiptarëve në Maqedoninë e atëhershme, por simbolizon vuajtjet dhe emigrimin e shqiptarëve të asaj treve. Ulqini bëhet zëri i shqiptarëve të Malit të Zi, të cilët gjithashtu përjetuan vështirësi ekonomike, politike dhe shoqërore që i shtynë drejt mërgimit. Presheva, së bashku me Luginën e saj, përfaqëson shqiptarët që jetonin nën administrimin serb dhe që u përballën me pasiguri, diskriminim dhe mungesë perspektive. Ndërsa Prishtina, si kryeqendra e Kosovës, mishëron zemrën politike, kulturore dhe shpirtërore të shqiptarëve të Kosovës, vendin drejt të cilit kthehen vazhdimisht mendimet, kujtimet dhe shpresat e mërgimtarit.

Në këtë mënyrë, kënga kapërcen kufijtë e një krijimi lokal dhe shndërrohet në një himn të mbarë mërgatës shqiptare. Ajo nuk pyet vetëm “ku shkojnë kosovarët”, por në thelb pyet se pse shqiptarët, kudo që jetojnë në trojet e tyre etnike, detyrohen të largohen nga vendlindja. Kjo pyetje retorike nuk kërkon një përgjigje të drejtpërdrejtë; ajo është një formë proteste artistike ndaj rrethanave historike dhe politike që prodhuan valë të njëpasnjëshme emigrimi.

Prandaj, kjo poezi-këngë duhet parë si një dëshmi e rëndësishme e kujtesës kolektive të shqiptarëve në fund të shekullit XX. Ajo i jep zë një përvoje të përbashkët historike, duke dëshmuar se mërgimi nuk njohu kufij krahinorë, por preku pothuajse çdo trevë shqiptare në ish-Jugosllavi. Përmes gjuhës poetike, autori arrin të bashkojë në një të vetme dhimbjen e Kosovës, të Tetovës, të Ulqinit, të Preshevës dhe të të gjitha viseve shqiptare, duke e shndërruar këngën në një simbol të unitetit shpirtëror të kombit dhe të mallit të përhershëm për atdheun.

Ndryshe nga baladat historike të muhaxhirëve të Nishit dhe Toplicës, të cilat lindën si pasojë e dëbimit me dhunë dhe spastrimit etnik, kjo këngë i përket një periudhe tjetër historike. Megjithatë, ajo dëshmon se plagët e largimit vazhdojnë të jenë pjesë e ndërgjegjes kombëtare shqiptare.

Që në vargjet e para, autori ndërton një dialog poetik me natyrën. Zogjtë e malit, valët e detit dhe vetë peizazhi shqiptar bëhen dëshmitarë të zbrazjes së trojeve shqiptare. Ata shtrojnë një pyetje që në pamje të parë duket e thjeshtë, por që mbart një ngarkesë të madhe emocionale dhe shoqërore:

“Ku shkojnë kosovarët,
pse n’Kosovë nuk rrinë?”

Kjo pyetje nuk kërkon një përgjigje të drejtpërdrejtë. Ajo është një pyetje retorike, një thirrje që shpreh habinë dhe dhimbjen për largimin e vazhdueshëm të shqiptarëve nga vendlindja e tyre. Nëpërmjet saj, autori e shndërron emigrimin në një shqetësim kombëtar dhe e fton dëgjuesin të reflektojë mbi shkaqet që i detyrojnë njerëzit të braktisin vendin e tyre.

Veçoria më e rëndësishme e kësaj kënge qëndron në faktin se ajo nuk kufizohet vetëm te Kosova. Përmendja e Ulqinit, Tetovës dhe Preshevës e zgjeron mesazhin e saj në të gjitha hapësirat shqiptare të Ballkanit. Kështu, mërgimi nuk paraqitet si një fenomen lokal, por si një plagë e përbashkët e kombit shqiptar. Përmes këtij zgjerimi gjeografik, kënga krijon një hartë emocionale të trojeve shqiptare, ku secili qytet bëhet simbol i zbrazjes demografike dhe i dhimbjes së largimit.

Pas përshkrimit të dramës së largimit dhe shtrirjes së saj në të gjitha trevat shqiptare, autori e thellon edhe më tej dimensionin emocional të poezisë duke përdorur një figurë artistike sa të thjeshtë, aq edhe domethënëse. Ai i drejtohet natyrës dhe, përmes zogjve të malit, ndërton një dialog simbolik që shpalos peshën e mërgimit në ndërgjegjen e njeriut. Në vargjet:

Ngado që të shkoj
eci ditë e natë
m’pyesin zogjtë e malit
nuk më lënë rehat.

m’pyesin ata, m’pyesin
sikur nuk e dinë,

Zogjtë nuk paraqiten thjesht si pjesë e peizazhit natyror, por si dëshmitarë të heshtur të fatit të mërgimtarit. Në traditën e letërsisë dhe folklorit shqiptar, natyra shpesh është personifikuar dhe është bërë bashkëbiseduese e njeriut në çastet e tij më të vështira. Edhe këtu, zogjtë marrin rolin e ndërgjegjes që e ndjek mërgimtarin kudo që ai shkon, duke i rikthyer vazhdimisht të njëjtën pyetje që rëndon mbi shpirtin e tij.

Megjithatë, pyetja e zogjve nuk duhet kuptuar vetëm në kuptimin e saj të drejtpërdrejtë. Ajo mbart një domethënie më të thellë simbolike. Autori e di se arsyeja e largimit të shqiptarëve është e njohur për të gjithë. E dinë familjet që përcollën bijtë e tyre drejt mërgimit, e dinë ata që mbetën në vendlindje, e dinë vetë mërgimtarët, e dinë bota për këtë tragjedi, e dinë edhe okupuesi dhe, në mënyrë metaforike, e di edhe natyra. Prandaj shprehja “sikur nuk e dinë” është një ironi e hollë poetike. Ajo nënkupton se e vërteta është aq e dukshme, saqë çdo pyetje duket e panevojshme. Të gjithë e dinë pse shqiptarët po largohen: pas tyre qëndron një realitet i mbushur me shtypje politike, pasiguri, dhunë, mungesë lirie dhe një e ardhme e errët në vendlindje.

Në planin historik, këto vargje pasqyrojnë atmosferën e viteve nëntëdhjetë, kur rrugët e Kosovës dhe të viseve të tjera shqiptare mbusheshin çdo ditë me njerëz që niseshin drejt një bote të panjohur. Emigrimi ishte bërë një fenomen aq i përhapur, saqë nuk përbënte më një ngjarje të veçantë, por një realitet të përditshëm. Çdo familje kishte dikë në mërgim, çdo lagje përcillte të rinj që largoheshin dhe pothuajse çdo shtëpi jetonte me mallin e ndarjes. Pikërisht për këtë arsye, autori shpreh habinë e tij poetike: si është e mundur të shtrohet ende pyetja “ku po shkojnë” ose “pse po largohen”, kur përgjigjja është e shkruar në vetë realitetin e kohës?

Në këtë mënyrë, metafora e zogjve të malit tejkalon funksionin estetik dhe shndërrohet në një kritikë të heshtur ndaj indiferencës dhe shtirjes. Ajo na kujton se ka momente në histori kur e vërteta është aq e dukshme, saqë vetëm ai që zgjedh të mos shohë mund të sillet “sikur nuk e di”. Përmes kësaj figure poetike, autori arrin të bashkojë bukurinë e vargut me peshën e historisë, duke e bërë poezinë jo vetëm një rrëfim të mallit të mërgimtarit, por edhe një dëshmi artistike të një prej periudhave më të dhimbshme të historisë së shqiptarëve.

Një tjetër element me rëndësi është fundi optimist i këngës. Pas gjithë rrugëtimit të mërgimtarit, pas pyetjeve, mallit dhe endjes së pafund, autori e mbyll këngën me një premtim që përbën boshtin emocional të gjithë krijimit:

“Zemra ime më thotë,
do të kthehem n ‘Prishtinë.”

Këto vargje shprehin një të vërtetë që ka shoqëruar mërgatën shqiptare ndër shekuj: largimi nuk ka nënkuptuar kurrë shkëputje shpirtërore nga atdheu. Edhe kur mërgimtari ndërton jetën larg vendlindjes, në zemrën e tij vazhdon të jetojë dëshira për t’u kthyer. Pikërisht kjo shpresë për rikthim e dallon këtë këngë nga shumë krijime të tjera kushtuar emigrimit dhe e bën atë një himn të lidhjes së pashkëputshme të shqiptarit me vendin e vet.

Në këtë kuptim, “Ku shkojnë kosovarët?” nuk është vetëm një këngë për emigrimin, por një reflektim mbi identitetin, përkatësinë dhe mallin për atdheun. Ajo dëshmon se, pavarësisht kohës dhe rrethanave historike, atdheu mbetet pika e referimit shpirtëror e çdo mërgimtari shqiptar dhe se ëndrra e kthimit vazhdon të jetojë në ndërgjegjen e tij.

Teksti i poezisë:

Ku Shkojnë Kosovarët

Ngado qe te shkoj
eci ditë e natë
m’pyesin zogjet e malit
nuk me lën rehat

m’pyesin ata m’pyesin
sikur nuk e din
ku shkojn Kosovaret
pse n’Kosove nuk rrinë

m’pyesin ata m’pyesin
sikur nuk e din
ku shkojn Kosovaret
pse n’Kosove nuk rrinë

Detit po te shkoj
dita mbehet natë
m’pyesin valët e detit
nuk me lën rehat

m’pyesin ato m’pyesin
sikur nuk e din
ku shkojn Ulqinaket
pse n’Ulqin nuk rrinë

Sharrit do te ngjitem
eci ditë e natë
m’pyesin zogjet e malit
nuk me lën rehat

m’pyesin ata m’pyesin
sikur nuk e din
ku shkojn Tetovaret
pse n’Tetovë nuk rrinë

m’pyesin ata m’pysin
sikur nuk e din
ku shkojn Preshevaret
pse n’Preshevë nuk rrinë

Ngado qe te shkoj
njeri i pa fat
enderrat per at’dhe
nuk me lën rehat

m’zgjojn ato m’zgjojn
e sikur e din
zemra ime me thotë
dot’ kthehem n ‘Prishtinë
dot’ kthehem n ‘Prishtinë
dot’ kthehem n ‘Prishtinë

Sqarim terminologjik: Mërgimi, gurbeti dhe diaspora

Në studimet që trajtojnë lëvizjet migratore të shqiptarëve, termat mërgim, gurbet dhe diasporë përdoren shpesh si sinonime. Megjithatë, ndonëse lidhen ngushtë me njëri-tjetrin, ata nuk kanë të njëjtin kuptim dhe as të njëjtën përmbajtje historike, shoqërore e kulturore. Për këtë arsye, në këtë punim është bërë një dallim i qartë ndërmjet këtyre nocioneve, duke i përdorur ato sipas kuptimit që mbart secili në kontekstin përkatës.

Me termin mërgim nënkuptohet procesi i largimit të individëve ose grupeve nga vendlindja dhe atdheu, qoftë për shkaqe politike, ekonomike, ushtarake, shoqërore apo si pasojë e luftërave dhe përndjekjeve. Në historinë shqiptare, mërgimi përfshin valët e ndryshme të largimeve që nga eksodi i arbërve pas vdekjes së Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, dëbimet e dhunshme të shqiptarëve nga trojet e tyre etnike, emigrimin ekonomik të shekullit XX, e deri te largimet masive të viteve 1989–1999 dhe periudhës së pasluftës. Në këtë kuptim, mërgimi përfaqëson vetë procesin historik të shpërnguljes dhe të jetës larg atdheut.

Ndërkaq, kurbeti është një nocion që në traditën shqiptare ka marrë një përmbajtje më shumë emocionale, shpirtërore dhe folklorike. Ai lidhet kryesisht me largimin për të siguruar jetesën dhe me përvojën e dhimbshme të ndarjes nga familja dhe vendlindja. Në këngët popullore, në poezi dhe në letërsinë shqiptare, kurbeti nuk paraqitet vetëm si një udhëtim fizik, por si një gjendje e vazhdueshme malli, vetmie, sakrifice dhe shprese për rikthim. Prandaj, në këtë studim, termi gërbet përdoret kryesisht gjatë analizës së krijimtarisë popullore dhe letrare, ku theksi vihet mbi përjetimin njerëzor dhe emocional të largimit.

Ndryshe nga këto dy nocione, diaspora nuk nënkupton aktin e largimit, por bashkësinë e njerëzve që jetojnë jashtë atdheut, duke ruajtur identitetin e tyre kombëtar, kulturor dhe gjuhësor, si edhe lidhjet me vendin e origjinës. Diaspora shqiptare, veçanërisht gjatë shekujve XIX, XX dhe në ditët tona, ka luajtur një rol të jashtëzakonshëm në ruajtjen e identitetit kombëtar, në zhvillimin ekonomik, në mbështetjen e arsimit e kulturës, në sensibilizimin e opinionit ndërkombëtar dhe në mbështetjen politike e financiare të proceseve historike që lidhen me çështjen shqiptare.

Prandaj, në këtë monografi, termat mërgim, kurbet dhe diasporë nuk përdoren si sinonime, por sipas kuptimit të tyre të veçantë. Mërgimi shënon procesin historik të largimit nga atdheu, kurbeti shpreh përjetimin emocional dhe shpirtëror të kësaj largësie, ndërsa diaspora përfaqëson komunitetin shqiptar të krijuar jashtë trojeve etnike dhe kontributin e tij në ruajtjen e identitetit kombëtar dhe në zhvillimet historike të kombit shqiptar.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.