Destan Bajraktari, mësues i diplomuar në Therandë, pas përfshirjes së vajzave në klasët e larta, në tetvjeqare, kl. I – gjimnaz – Foto: 20 prill 1954
Naxhije Doçi – Prof. – Prishtinë
Një fjalë e urtë popullore thotë: Lum ai që ka kënd e kujton dhe që ka çka i kujton! Unë, autorja e këtij rrëfimi, vajza e Destan Bajraktarit, prof. Naxhije Doçi, do të përpiqem që ta bëj një retrospektivë nëpër vitet e jetës sime, për ta kujtuar babain tim ashtu siç ishte real, i dashur dhe sakrifikues për familjen e vet, për popullin e vet shqiptar dhe për krejt shqiptarinë. Babai im ishte me plotë vullnet për jetën dhe me energji positive të pamposhtura për të lënë gjurmë krenarie ndër brezat që do të vijnë. Emocionet përmalluese do t’i flak nga ndijshmëria ime shpirtërore, se dua që kujtimi për babain tim të jetë i denjë dhe meritor. Një vezullim i natyrshëm dua që të jetë kujtimi për babain tim të shtrenjtë, se as babai nuk do të dëshironte që ta kujtonim ndryshe. Ishte shumë i sinqertë në jetë Destan Bajraktari dhe e vlerësonte shumë edhe sinqeritetin e të tjerëve.
Destan Bajraktari është ndër intelektualët e parë të komunës së Therandës. Është mësuesi i parë me diplomë të Normales së Gjakovës së vitit 1949 në Therandë. Do të bëhet më vonë edhe folkloristi i parë i anës së Therandës dhe i pari në trevat shqiptare në mbledhje të fjalëve të urta dhe të thënieve popullore, të botuara në tri libra voluminoze me nga 800 faqe. Radhitet edhe ndër poetët e parë të Kosovës, që do të shkruajë volume të tëra librash me poezi, gjithësej 40 libra, prej të cilave 20 libra me poezi sonetike, që janë si krijimtari e rrallë dhe shumë e vështirë në letrat shqipe. Është edhe ndër të parët në Komunë të Suharekës me diplomë të Fakultetit të kryer (pas daljes nga burgu).
Destan Bajraktari është i lindur rrëzë Gardhinës së lashtë (Hisarit) të Suharekës (Therandës), që ia heq lodhjen e endjeve të kota, që e kthen kah gjurmët, nga bota dhe që edhe mendjen ia cyt te vetja-kah shpresa. Ai nuk do të pushojë kurrë së krenuarit për të kaluarën e bujshme të Hisarit (Gardhinës) që nga kohët shumë të hershme. Nuk do të pushojë së përsiaturi edhe për kohët e mëvonshme të katandisjes së Gardhinës, duke thënë: “Këtu më mbushen sytë lot, zemra m’rri n’vaj”.
Si fëmijë mbaj mend disa detaje, që i tregonte babai për ngjarjet dhe për krizat e bukës në vitet e pesëdhjeta të shekullit njëzet në Therandë. Ai u tregonte të tjerëve, jo ne fëmijëve, por unë i dëgjoja dhe i kuptoja se isha megjithatë një fëmijë pak si më i rritur. Babai im ishte mësuesi i parë i diplomuar në atë kohë në Suharekë dhe punonte pa kursim për të përfshirë sa më shumë nxënës shqiptarë në shkollë dhe për t’i mësuar sa më mirë ata. Punonte kurrë pa u ndalur dhe në këtë aspekt me sukses të madh ia kishte arritur qëllimit që t’i bindë bashkëvendasit e vet për përfshirjen edhe të vajzave shqiptare në shkollë, në tetëvjeçare.
Krahas veprimtarisë së përkushtuar për përfshirje në shkollë të fëmijëve shqiptarë (djem e vajza) të Suharekës me fshatra, Destan Bajraktari e kishte ndier si obligim edhe që t’i ndihmonte bashkëvendasit e vet edhe në aspektin humanitar. Vitet e 50-ta të shekullit njëzet ishin kohë krizash të rënda ekonomike në Suharekë (Therandë) dhe njerëzit nuk kishin pasur as çka të hanin. Familja e tij e kishte përkrahur me kënaqësinë më të madhe inisiativën solidare të Destan Bajraktarit, se edhe vetë si tërësi familjare, pos si atdhetarë të përkushtuar dhe luftëtarë prijetarë, kishin qenë përherë edhe solidarë dhe humanitarë nëpër mote. Ishte e përmendur gjithëherë sofra dhe buka e Familjes Bajraktari të Therandës për zemërgjerësinë dhe bujarinë e rrallë. Kurdo që t’ia ketë mësyrë mysafiri derën kësaj familjeje, i ftuar qoftë apo i paftuar, është nderuar dhe vlerësuar, si thuhet në Therandë, si një i pikur i perëndisë.
Familja Bajraktari e Therandës ishte e pasur nëpër kohë, por tërë pasuria e saj ishte shpenzuar për organizim të luftave vullnetare për çlirim kombëtar. Në fundvitet e dyzeta të shekullit njëzet pasuria e kësaj familje ishte reduktuar shumë, se i ashtuquajturi “Pushteti Popullor” serb, në Suharekë e kishte ndëshkuar veçmas atë, si familje aktive nacionaliste. Pos tagrave të rënda gjatë kohës së mbledhjes së tepricave, marrjes së pronave, në vitet e pesëdhjeta të shekullit XX, asaj i ishte ndaluar edhe puna në mulli, si e vetmja pasuri me vlera të veçanta, e ruajtur dhe e mbajtur në këtë familje të madhe që nga kohët e hershme. Megjithatë, përkundër varfërimit që ia kishte shkaktuar pushtuesi barbar serb, solidariteti në këtë familje nuk ishte ndalur asnjëherë. Inisiativa dhe organizimi për të ndihmuar të tjerët, gjithësesi këtë herë, ishte nismë e përkushtuar nga mësuesi i ri, Destan Bajraktari.
Babain tim, Destan Bajraktari më shumë e mbaj mend si fëmijë, se sa në moshën rinore, por kur mblidhen të dy moshat e ndieshme bashkë, kujtoj se kemi pasur nevojë për një prani më të madhe të tij në mesin tonë familjar. Jeta rinore e babait ishte më shumë larg familjes, duke u shkolluar në Prizren e në Gjakovë, e në vazhdim edhe duke studiuar herë në Uzhicë dhe herë në Beograd të Serbisë. Mungesa e tij në familje ishte ndij shumë, sidomos gjatë kryerjes së ushtrisë dhe kur e kishin marrë në burgjet tmerruese në Rahavec, në Prizren dhe nëpër Serbi.
Shumë kemi qajtur ne fëmijët e tij, herë në heshtje dhe herë edhe më zë, që nuk e kishim babain pranë, si fëmijët të tjerë. Jo pse nuk kishim përkujdesje dhe dashuri nga të tjerët anëtarë të familjes, që kujtoj se ishte një dashuri shumë e madhe dhe shumë privilegjuese ndaj nesh, por nga se nuk e kishim babain që t’i afroheshim lirshëm dhe pa u ndrojtur. Edhe nënën time, Bardhën, shumë herë e kam vërejtur duke qajtur tinëz prej ne fëmijëve dhe të gjyshës, se sigurisht nuk e kishte pasur të lehtë, ndër të tjera, edhe që të kujdesej për rritën dhe edukimin tonë si fëmijë! Gjyshja ime ishte grua shumë e qëndrueshme në dukje dhe nuk i pëlqenin asnjëherë dobësitë para ballafaqimeve me vështirësitë e jetës.
Ajo i tejkalonte travajet e shumta jetësore me krenarinë për trimërinë dhe atdhetarizmin e burrit dhe të djemëve. Për Destan Bajraktarin mburrej që atdhetarizmin e trashëguar e kurorëzonte edhe me dije të shkolluar. Përkundër kësaj, në natën e heshtur, kur binim në gjumë, Nënmadhja ime (Gjyshja) sikur dështonte nga stoicizmi dhe krenaria gjatë ditës para të tjerëve. Pasi unë fleja gjithëherë në një dhomë me të, se nën përkujdesjen e saj edhe isha rritur, ia dëgjoja ofshamën e thellë dhe lutjet e saja para Zotit të Madh, që t’i shpëtojnë djemtë nga të këqijat që nuk iu ndaleshin kurrë nga pushtuesi serb në Kosovë. Të nesërmen rëndimi i natës së pagjumë për hallet dhe për problemet që e mundonin, vërehej në fytyrën e saj të zbehur si limoni dhe në rrudhat në ballë, që mua më dukej se i shtoheshin shumë dhe shpejt.
Koha më e mirë e mbamendjes sime si fëmijë në kujtim të babait ishin sidomos vitet 1953-1959, kur ai punonte si mësues në Therandë. Gjatë kësaj kohe ne fëmijët e tij të paktën e shihnim kur vinte në mbrëmje, se ai ishte shumë i angazhuar në terren, për përfshirje të sa më shumë fëmijëve shqiptarë në shkollë. Kur kthehej nga terreni babai, mbaj mend, që dukej shumë i gëzuar për mirëkuptimin që e haste me bashkëvendasit e vet për dërgimin e fëmijëve të tyre, vajza e djem në shkollë. Dhe atëherë, duke më ulur pranë veti më pyeste edhe mua, se çfarë do të dëshiroja që të bëhesha unë kur të rritem. Nuk ka të përshkruar sa e gëzueshme isha në momente të tilla, sa mendoja që isha fëmija më i lumtur në botë. Momentet e tilla nuk përsëriteshin shpesh, prandaj edhe gëzimi im i përtejmasave mendoj se e kishte mbulesën e vet të arsyeshmërisë.
I THOJA BABAIT SE DO TË BËHEM MJEKE QË T’I SHËROJ NJERËZIT NGA TIFOJA
Gjithëherë i thoja babait, se do të bëhem mjeke, që t’i shëroj njerëzit kur të sëmurën nga tifoja. Këtë ia thoja, nga se më kishte mbetur ende i pashlyer kujtimi për përjetimet trishtuese, kur ne si familje e tërësishme Bajraktari e Suharekës qemë sëmurë nga tifoja e zorrëve, se në kopshtin tonë të madh ishte vendosur një kamp veror i ushtrisë jugosllave. Kishte me qindëra ushtarë, që veruan aso kohe në kopshtin tonë për një kohë të gjatë, diku ndoshta dy muaj dhe neve na infektuan pusin (bunarin), se ushtarët merrnin ujë në të. Kishte dy-tri gurra (kroje) me ujë të pijshëm përreth shtëpive tona, ku ata mund të merrnin ujë për të pirë, por kishin zgjedhur pikërisht pusin, ku merrnim ujë edhe ne familja.
Kur ushtarët vinin të merrnin ujë në pus, si edhe për t’u kontrolluar si të sëmurë në kampambulancën e tyre, që ishte shumë afër pusit, flisnin shpesh me ne fëmijët dhe me burrat. Ne nuk kishim si të iu largoheshim kontakteve të tyre, se ata ishin vendosur në kopshtin tonë, që ishte ngjitur me oborrin e shtëpive tona. Ne nuk e dinim edhe se në mesin e asaj morije ushtarësh kishte edhe të atillë, që ishin të sëmurë nga tifoja. Të tillët sigurisht që i largonin pa i diktuar ne familja në qendrat prej nga kishin ardhur, se kishte shpesh lëvizje të shkuarje-ardhjes së kamionëve të tyre.Thjeshtë ne si familje nuk kishim se kah të shkonim prej oborrit tonë dhe prej shtëpive tona, edhe pse ata, pra pushtuesi serb, pikërisht këtë dëshirë dhe këtë plan e kishte!
Krejt pak vetë të familjes sonë të ngushtë dhe të zgjeruar kishin shpëtuar pa u infektuar nga tifoja e zorrëve. Babai, Destan Bajraktari kishte shpëtuar pa u sëmurë dhe ky kishte qenë fati më i madh për ne. Organizimin urgjent për të na dërguar në spital në Prizren dhe informimin në shtyp e kishte bërë babai, se ndoshta as që do të kishte dëgjuar kush edhe po që se do të kishim vdekur të gjithë. Me ndikimin e babait, shtypi i atëhershëm sikur ishte detyruar, që të shkruante për këtë atak të pa presedan të ushtrisë jugosllave mbi ne si familje shqiptare. Megjithatë, shkrimi në Gazetën “Rilindja” kishte qenë një informim shumë i zbehtë për ngjarjen, që sikur ishte përgatitur që të shndërrohej në tragjedi.
Krejt si përciptazi ishte përmendur, se janë infektuar rastësisht një numër i madh i anëtarëve të familjes Bajraktari të Suharekës, të cilët janë dërguar për shërim në spitalin e Prizrenit! Në atë informatë më shumë ishte shkruar, kinse për afërsinë dhe për shoqërorizimin që kishin pasur ushtarët e ushtrisë jugosllave me banorët e kësaj lagjeje, se sa për infektimin që kishin pësuar ata prej ushtarëve të sëmurë. Dhe kjo ishte ironia më e paskrupulltë dhe më e pakrahasuar e llojit për të keq. Kjo ngjarje kishte ndodhur në vitin 1958, kur pushtuesi serb kishte bërë edhe një tentim përgatitje tjetër të tmerrshme për ta zhdukur familjen Bajraktari të Therandës.
Pas daljes nga spitali e të të sëmurëve nga tifoja e zorrëve, përkujdesja e Destan Bajraktari ishte fokusuar për mënyrën e të ushqyerit të tyre, për respektimin e terapisë që duheshin ta vazhdonin, si edhe për pushimin me orar që ishin të obligueshëm ta bënin. Thjeshtë në rrethanat e atëhershme të kohës Destan Bajraktari ishte dashur që ta luante rolin e mjekut, të psikologut, por edhe të kuzhinierit, se prej tij sikur ishte varur jeta e mbi dyzet të të sëmurëve nga sëmundja shfarosëse e tifos së zorrëve, nga infektimi i planifikuar i pushtuesit serb mbi ta.
Kur erdhi koha, që unë ta vazhdoja shkollimin tim të mesëm dhe që ta zgjedhi profesionin tim të dëshiruar, ashtu siç kisha deklaruar më herët, babai im gjendej në burg dhe unë në rrethana të tilla isha e rrezikuar edhe që të mos e vazhdoja fare shkollimin. Ishin shumë faktorë, që më pengonin të shkollohesha dhe secili ishte më i fuqishëm se tjetri në pengim. Faktori kryesor i pengimit tim për t’u shkolluar në shkollim të mesëm ishte pushtuesi serb në Kosovë. Sipas pushtuesit serb unë isha vajzë e familjes nacionaliste dhe reakcionare me shtatë të burgosur politikë, të dënuar edhe deri më 17 vjet burg, dhe për mua nuk mund të kishte burs për shkollim.
Edhe pse isha ndër femrat e para që i kisha hyrë rrugës së shkollimit të mesëm, me dëshirën e zjarrtë edhe për shkollimin e mëtutjeshëm vazhdues, kurrë nuk më është ndarë burs! Të gjitha pengesat për shkollimin tim të mesëm i theu zëri i fuqishëm i babait atje nga largësitë dhe nga thellësitë, ku mbahej i ngujuar në burgjet tmerruese serbosllave. Dhe kjo edhe ishte vetë madhështia e babait tim, Destan Bajraktari, për të triumfuar edhe këtë herë si gjithherë edhe mbi pamundësitë, që krijoheshin dhunshëm nga pushtuesi serb në Kosovë, mbi ne familjen atdhetare Bajraktari të Suharekës (Therandës)!
- Fragment nga libri “Destan Bajraktari folklorist Letrar dhe atdhetar” – Naxhije Doçi – Prishtinë – 2009.