Hajdin Morina
REKUIEM PËR ADEMIN
(poetit Adem Gashi)
Sot po ta them,
pa të njohur fare
të kam ndier të madh
Adem,
asnjë dimër i stinës
s’të bëri tjetër
asnjëherë,
Adem gjithherë.
Më ke mësuar
e më mëson
si ta gdhend
(aq vështirë e kaq rrallë)
deri në bukuri
vargun e shkronjën,
të kam mik, më the,
prandaj mos ta shoh
si shpesh ndër vargje Trojën.
(seç na ndeze një dritë
kur mbi shkretëtirë
villte terr
një hënë bejtesh,
e largët, e verdhë, e zbehtë,
ti fanar, ti zgalem, Adem)
Sot po ta them,
pa të njohur fare
ta kam ndier
në Olimp fjalën
dhe nuk bëhesh tjetër
asnjëherë,
në zanafillë
e në mijëra vjet
Adem.
Oqeanin e shpirtit tënd
shtatëdhjetë e shtatë dhimbje
e therin keq
e pushtimi i zi i letrës së bardhë
të gërryen edhe më thellë,
antologjirat e kalemxhinjve
me pirgje me rima
ku nuk çel në stinën e vet bima
e mallëngjimi njerëzor nuk nxjerr dot asnjë lot.
Ty
gëzimi ynë i rrallë
shpirtin ta mbush
me lumenj të gjatë
e dhimbja,
ah, dhimbja
e ditëve të gjata që u sëmurën keq,
ta zgjon në kraharor shtrëngatën,
ty Adem.
(janar 2024)
ANALIZA E DHIMBJES
(mikut tim poet Sejdi Berisha)
gati e preka
emrin tënd
në celularin tim
e gati të thirra
Sejdi Berisha
sepse kaq është dhimbja
e kambanë shekujsh
do të bëhet heshtja
për një bisedë peng
kaq miku im
e gjë tjetër nuk po them
për rrugën që s’e marrin vetë njerëzit
por i merr
TRANZITET E MIA NËPËR GALAKTIKA
Me Pegasin e ëndrrës
në secilën sekondë jam tranzit
në një galaktikë
se galaktika ka shumë
dhe pa numër yje
roja të devotshme të zjarrit
të zanafillës
Pa asnjë vizë me sigël njerëzish
shkoj shumë shpesh atje lart
me Pegas nëpër Parnas
Sepse me të vërtetë
trimëri është
ta lësh poshtë tokën tënde torzo
e zhurmën ballkanike
të industrisë së tualeteve.