
(përgatiti: Adi Haliti ˗ Zvicër)
Libri «Kur Heshtja Flet» e autorit Nikolin Sh. Lëmezhi (foto) është një udhëtim me një emocion filozofik, ku poezia, si një formë e fuqishme shprehëse, shqyrton thelbin e jetës dhe të natyrës njerëzore. Me një stil të pasur dhe të thjeshtë, ku vihet në pah mundësia e eksplorimit që të kuptojmë më shumë për veten dhe botën përmes asaj që kurrë nuk thuhet – heshtjes.
Në këtë vëllim poetik, titulli «Kur Heshtja Flet» nuk është vetëm një pasqyrë e një poezie të vetme, por është një manifest që thërret për një meditimin e thellë mbi rolin që ka heshtja në jetën e çdo njeriu. Poezia është një reflektim mbi mundësinë që ndodhim të kuptojmë atë që shpesh mbetet e papërshkruar me fjalë, duke kërkuar që të shohim përtej asaj që shfaqet dhe të ndiejmë përmes gjithçkaje që mbetet e pashprehur.
Poezia «Kur Heshtja Flet» shërben si një pikënisje për të gjithë vëllimin. Ajo zë vend në faqen107-të autorit, ku bën thirrje për të dëgjuar atë që shpesh na shpëton, për të kuptuar se thellësia dhe bukuria e jetës shpesh qëndrojnë në ato momente kur fjalët heshtin dhe shpirtit i jepet mundësia të flasë përmes ndjenjave të pastra dhe mendimeve të thella, siç thuhet në këtë varg:
«Kur njerzit heshtin e heshtja flet, aty ka jetë».
Ky vëllim poetik është një thirrje për të mos e humbur shpresën, për të kërkuar dritën edhe në momentet e errëta dhe për të besuar në fuqinë e brendshme që e udhëheq njeriun drejt kuptimit më të lartë të vetvetes dhe të botës. Autori ka krijuar një poezi që është jo vetëm një formë artistike, por një mjet reflektimi për gjithsecilin që dëshiron të shqyrtojë më thellë shpirtin e tij dhe botën përreth. Poezia e vëlla Nikolin SH. Lëmezhit është një frymëzim që mbështetet në thelbin e jetës dhe asaj që është shpesh e padukshme, e cila mbetet një pasuri e vërtetë letrare dhe shpirtërore për çdo lexues.
Duke dashur që zëri i ëmbël i heshtjes dhe gjuha e saj të jehojë gjithnjë e më shumë për mbarë njerëzimin, autori ka arritur ta publikojë vëllimin me poezi “Kur Heshtja flet” edhe në versionin gegnisht në Tetor 2023 (përshtatur nga Ndrekë Zalli), në anglisht në Dhjetor 2023 (përkthyer nga Laura Hamitaj) dhe në gjermanisht në Maj të vitit 2024 (me përkthimin e Klodjana Mark Murri).
Me shumë etje dhe dashuri lexova edhe versionin e këtij vëllimi i shkruar në gegnisht dhe që më tërhoqi shumë.
Duke lexuar poezitë e vëlla Nikolinit, njeriu dashurohet me bukurinë e Heshtjes dhe bëhet më i aftë të hyjë brenda vetes, e të gjejë kështu rrugën e bukur të dashurisë e të paqes së vërtetë. Më në fund, njeriu mëson të mos ketë frikë nga Heshtja, por ta dojë atë, ta kërkojë, sepse duke gjetur Heshtjen ai gjen vetveten. Duke gjetur vetveten, përmbush më në fund aspiratat e tij më të thella për të qenë realisht i lumtur.











