Rexhep Çullhaj
Pak… e nga pak – Z. Kryeministër Po shkruaj për ty, o Kryeministër, jo për ata që ke zgjedhur ministra. Po shkruaj për ju, zoti Edi Rama, se larg kaosit e plaçkitjes nuk ndërtohet e nesërmja. Jep dorëheqjen, se s’bëhet më kjo hata, nuk mbahet pushteti me fjalë e me përralla. Se kur s’e mban dot barrën që vetë ke marrë, më mirë të largohesh me dinjitet, se sa ta lësh vendin në plagë e në zjarr. Ju jeni problemi, jo studentët e të tjerë, mjaft me propagandë e me premtime në erë!
Mos ua hidhni fajin të tjerëve përherë, se populli e njeh të vërtetën më mirë se dje. Problemi jeni ju, zoti Edi Rama, nuk fshihet e vërteta pas fjalëve me ngjyra. Sot koha kërkon përgjegjësi, jo justifikime, dhe vendi meriton shpresë, jo zhgënjime. Vlerësoje, Kryeministër, kohën që po jeton, shikoje realitetin që populli përjeton. Se karrigia nuk është fron përjetësie, as pushteti s’është pronë e një njeriu. Shqipëria është më e madhe se çdo emër, më e shtrenjtë se pushteti, më e fortë se çdo zemërim. Kur s’mund t’i japësh vendit drejtimin që meriton, lëre rrugën të lirë për atë që shpresën ia rikthen.
Sa keq… Pse gjithë kjo djegie, gjithë ky zjarr, gjithë ky shkatërrim? A është kjo rruga që duhet të ndjekim për të kërkuar drejtësi dhe për të shprehur pakënaqësinë? Nuk më vjen mirë aspak kur shoh skena të tilla. Përkundrazi, më vjen keq dhe pyes veten: deri kur do të vazhdojmë kështu? Çfarë faji kanë pronat që u përkasin të gjithëve? Çfarë faji ka biznesi i dikujt, që mund të jetë ngritur me vite të tëra punë, sakrifica dhe mund? Sa e dhimbshme është të shohësh gjithçka të shkatërrohet brenda pak minutash, ndërkohë që pasojat do t’i vuajnë njerëz që ndoshta nuk kanë asnjë lidhje me arsyet e protestës. Dhe policët? Edhe ata janë njerëz, me familje, me halle dhe me nevojën për të siguruar jetesën. Kur sheh skena ku një polic merr një çokollatë të vogël, një Molto, lindin pyetje të tjera për kushtet në të cilat punojnë dhe për sigurinë e tyre. Sa e sigurt është të jesh në mes të një situate të tillë, ku zemërimi mund të kthehet në dhunë nga çasti në çast?
Mbrëmë u bezdisa aq shumë nga ato që po shihja, sa në një moment e fika televizorin. Nuk mund të vazhdoja të shihja zjarr, përplasje dhe shkatërrim sikur kjo të ishte diçka normale. Është e lodhshme të shohësh të njëjtat pamje, të njëjtin tension dhe të njëjtën mungesë zgjidhjeje, ndërsa vendi duket sikur po ecën në drejtimin e gabuar. Nga ana tjetër, dëgjojmë akuza se deputetë të opozitës japin udhëzime për djegien e MA-së, ndërsa lindin pyetje edhe për qëndrimin e përfaqësuesve të pozitës. Ku janë deputetët dhe ministrat? Pse nuk dalin të flasin, të japin shpjegime, të bëjnë thirrje për qetësi dhe të marrin përgjegjësitë që u takojnë? Njerëzit kanë nevojë për përgjigje, jo për heshtje. Kanë nevojë të shohin se dikush po dëgjon, po reagon dhe po kërkon një rrugëdalje. Sa keq që duket sikur asgjë nuk funksionon siç duhet! Sa keq që energjia e njerëzve, zemërimi dhe pakënaqësia përfundojnë në flakë, në rrugë të shkatërruara dhe në prona të dëmtuara.
Protesta është një e drejtë, revolta mund të jetë shprehje e një pakënaqësie të thellë, por shkatërrimi nuk duhet të bëhet qëllim në vetvete. Kur digjen pronat, kur rrezikohen njerëzit dhe kur dhuna zë vendin e fjalës, humbim të gjithë. Me këto përvëlime në mes të kryeqendrës, me këtë klimë tensioni dhe me këtë mungesë komunikimi, kam frikë se do të kthehemi shumë hapa prapa. Një vend nuk ndërtohet duke djegur atë që është ndërtuar me mund, as duke i vënë njerëzit kundër njëri-tjetrit. Ndërtohet me përgjegjësi, me dialog, me drejtësi dhe me institucione që funksionojnë. Nuk është e nevojshme të jemi dakord me njëri-tjetrin për të kuptuar se shkatërrimi nuk na çon përpara.
Është e mundur të protestosh, të kërkosh llogari dhe të ngresh zërin pa djegur, pa shkatërruar dhe pa rrezikuar jetën e askujt. Në fund të fundit, pyetja mbetet: çfarë do të fitojmë nga gjithë kjo, nëse nesër do të na duhet të numërojmë dëmet, të riparojmë atë që u shkatërrua dhe të përpiqemi të rindërtojmë besimin që po humbasim çdo ditë? Një vend ka nevojë për zgjidhje, jo për flakë. Për përgjegjësi, jo për heshtje. Për ndryshim të vërtetë, jo për shkatërrim që na kthen prapa.










