Nga Mero Baze, TemA
Lulzim Basha ndoshta nuk e ka menduar aq gjatë, por ka bërë një gjetje të rrallë, për të destabilizuar Berishën para “ultimatumit” të datës 5 Janar.
Ka lyer godinën e selisë duke i dhënë një pamje tërësisht të re, sikur ka dashur ta dezinfektojë nga e shkuara e Sali Berishës aty. Kaq ka mjaftuar që kampi tjetër të marrë flakë. Ka 24 orë që ngjyrat e reja të selisë kanë tërbuar të gjithë kampin e Sali Berishës.
Nga pikëpamja psiqike duhet bërë një studim se si një grup njerëzish mund të tërbohen nga estetika e një godine, sikur ata demat e garave nga bezja e kuqe. Vetëm një instikt i fortë shkatërrues mund të të çojë në këtë tërbim për shkak të shijeve të imponuara nga kryetari i fisit.
Por nga pikëpamja politike, tërbimi ka zbuluar padashur hallin real të Sali Berishës.
Dhe halli i tij real nuk është as Vuçiç, as Edi Rama, as Sorosi, as demokracia në PD, por selia e PD, bunkeri ku ai do të mbrojë veten dhe familjen e tij të kriminalizuar nga standardi i ndëshkimit, që SHBA i ka imponuar Shqipërisë për atë familje.
Dhe ky standard do të vij një ditë që do të zbatohet për ta. Sali Berisha e di këtë dhe kërkon që ajo ditë ta gjejë në bunker me shpresë që të mbrohet sadopak.
Njeriu që bëri sikur shkarkoi Lulzim Bashën, që bëri sikur mbajti Kuvend, që bëri sikur i hapi rrugë vetes për të qenë në krye të PD, që bëri sikur do bënte protestë kundër Viçiçit, që bëri sikur do bënte protestë kundër inceneratorëve, në në fund e lëshuan nervat dhe tha me zë të lartë hallin e tij.
Halli i tij është të sulmoj selinë e PD-së dhe të marrë godinën pasi nuk ja del dot të marrë PD-në dhe të ketë legjitimitetin e përfaqësimit të saj.
Ai do që ta kthejë PD-në në një varr të hapur që të mos e gëzojë askush dhe ta marrë me vete kur të bjerë vetë brenda.
Kaq i thjeshtë është halli i tij.
Shikoni se si ka vendosur në rresht gjithë garniturën e besnikëve të tij për ta konsideruar lyerjen e godinës një atentat të madh ndaj tij dhe të kërcënojë se do ta pushtojë atë pasi ka shpikur që Basha ka vendosur brava, dyer të blinduara dhe xhama anti-plumb.
Është duke krijuar fabulën e triumfit që të mos thonë e mori pa mundim godinën, por të shënohet që thyen dyer të blinduara dhe xhama anti-plumb.
Është tipike psikoza e një të çmenduri që mendon se nëse e bën publike përfytyrimin e tij për betejën ndaj armikut, armiku do të trembet pa betejë.
Në fakt Lulzim Basha po na çudit të gjithëve me qetësinë me të cilën po e destabilizon Sali Berishën.
Po qe se e ka menduar edhe këtë të lyerjes së godinës, duhet të ketë një talent të fshehur në këtë pikë që nuk ja kemi njohur.
Gjithësesi, gjëja më argëtuese është fakti që po e detyron Sali Berishën të sillet si ata lacat e lagjeve që bërtasin “mbamëni se do ta vras!”.
Në këtë rast, as ka kush që ta mbajë dhe as ka se kë të vrasë. Nuk të mban njeri Sali! Aty e ke godinën, aty e ke Lulzim Bashën, aty i ke edhe zyrat apo dyert. Shko thyeji, përmbysi, vendosi zjarrë, zhgarravit muret e lyer që të vrasin sytë, sillu si taleban dhe mbuloje godinën me ferexhe, por asgjë nuk do të fitosh. Partinë Demokratike nuk do ta marrësh kurrë, në pushtet nuk do të vish më kurrë në këtë vend, se je i dënuar përjetësisht, ti, fëmijët e tu, nipat dhe mbesat e tua, ose siç thotë populli ynë, “je shuar me fis dhe farë”.
Çdo gjë që kërcënon se do të bësh është kundër teje, jo kundër armiqve të tu. Ata po argëtohen me çmendurinë tënde. Ndoshta e ke ngaqë të ka zënë prapë Covid-i, ndoshta e ke ngaqë kortizonikët nuk të bëjnë derman, por gjëja më e keqe që mund të të ndodh ty është kjo që po reciton me zë të lartë si “kërcënim”.
Kriminelët që ke rrotull, ata që vijnë me syze në oborrin e PD-së dhe të tjerë rrotull teje, janë të gjithë të skeduar nga agjencitë ndërkombëtare të krimit dhe shumë shpejt do ta gjejnë vendin ku u takon.
Do të të lënë shumë shpejt kur tu sekuestrojnë vilat dhe pasuritë që kanë bërë me lekët e krimit nën garancitë e pushtetit tënd.
Do të të lënë shpejt dhe ata që bëjnë si “fanatikë” të PD-së dhe e shikojnë ringjalljen tek ty.
Ndëshkimi yt i rëndë nuk është as burgu që të pret ty dhe djalin tënd, dhe as vdekja nga Covid-i që i trembesh kot.
Ndëshkimi yt I madh është se do mbetesh gjallë e do të shikosh me sytë e ty se si Partia Demokratike do të bëhet më e madhe pa ty dhe si ti do dalësh jo vetëm nga historia e Shqipërisë, por edhe nga historia e PD-së, ashtu siç je, një përdhunues që meriton të trajtohet si gjithë ata që vuajnë nga instiktet shtazore të incestit.