KALLINJTË E ERËS
Lulja e Roganës të tëra gjuhët i flet
flet lashtësinë e saj kohën që s´tretë
nga Guri i parë dhe tej gurëve tjerë
nuk ka stuhi që dashurinë ia merr!
Roganë, toka është jotja e i yti qiell
ke zonjat Stinë dhe ke zotin Diell
Luftës Çlirimtare i dhe gjak e dorë,
nga gjiri yt u lindën tre dëshmorë!…
Të gjithë jemi lindur nga puthjet e
dashuria, nga hënë e natës e dielli,
nga kallinjtë e bukës dhe të luleve
nga shumësia e shirave dhe yjeve!
Ky himn i kushtohet Frymës së Re
u kushtohet juve që dini ta duani
atdheun tuaj, e Kosovën dardane,
ju që jeni pranvera në çdo shtëpi.
Lulëzo gjuhë e lashtë e Dardanisë
pasardhëse e stëgjyshërve pellazgë,
në Roganë, Kosova e ka një emër,
në Roganë, Kosova është Shqipëri.
Atdhe Geci – Roganë, 2023