PËRNDJEKJA DHE BURGOSJA E KRIJUESIT SI “ARMIK” I SHTETIT DHE SHOQËRISË

0
Flora Sela Kastrati

NGA FLORA SELA – KASTRATI

Krijuesi shqiptar, veçmas ai që jetoi në kthetrat e robërisë së Maqedonisë, u detyrua të jetë për gjithë jetën i përndjekur, madje edhe i burgosur. Prandaj, shkrimet për nga vëllimi, për një krijues të tillë rebel mbeten të papërfunduara, si për shembull Antonio Porchia, i cili për së gjalli bëri vetëm një vepër të vogël të titulluar “Voce”, e cila nuk i kaloi as 100 faqe, por për realitetin e kohës mbeti një vepër e plotë dhe me shumë domethënie. Edhe krijuesi shqiptar këtu, në këtë vend të robëruar, arriti me shumë vështirësi të dalë i plotë. Jo se ai ishte si Antonio, por se ndjenjën e tij u përpoqën ta vrasin që në lindje – përndjekjet dhe burgosjet serike.

Nuk është i vogël ai numër krijuesish që kaluan vite me radhë nëpër zandanët e krijuar të sistemit jugosllav. Po të hidhet një sy dhe të bëhet dritë mbi gjendjen e krijuar të këtyre viteve, do të dalë se sllavët me një barbari të paparë kanë ditur si të veprojnë kundër krijuesve shqiptar. Ata, duke angazhuar deri në ekstrem metodën e përndjekjes, arritën të përgatisin shumë skenarë për krijuesit. Dhe, qëllimi ishte si të arrinin të fusnin në rrathët e kurtheve të gjithë ata që do të guxonin të bënin një zë të artikuluar, i cili do të mbante jehonën e një kushtrimi për të ndërgjegjësuar masat popullore.

Kjo përndjekje e këtyre personaliteteve nuk kishte përzgjedhje, nuk kishte kufi. Aty hynin dhe përmbyteshin shumë shtresa shqiptarësh. Edhe ata të ndershmit që ishin barinj, bujq, shtëpiakë të devotshëm, që ishin kurbetçinj, zejtarë e tregtarë.

Përndiqeshin barinjtë, vetëm sepse me tufat e tyre kishin hyrë nëpër sinuret që i ruanin njerëz të armatosur maqedonas dhe se nga kurdisjet apo nga kërcënimet që do t’u bënin në mbrëmje sapo të binte errësira, ose do t’u zhduknin barin, që pastaj të niste përndjekja kush e vrau te vatha, ose do t’ua dërgonin policisë që t’i prangoste se ata kishin dëmtuar pronat e sinureve të fshatrave sllavë. E nga kjo realizoheshin dy qëllime: i pari që do të vepronte gjykata, duke marrë lloj-lloj vendimesh, ku bariu, edhe sikur të shiste dy tufa të tjera me dele, nuk do të arrinte t’i paguante dot tarifat e gjykatës; dhe i dyti, u ngrihej nami sovranëve që ishin të përkrahurit e komiteteve, se u shkonte fjala dhe kush cenonte sinurin e tyre, ashtu do ta pësonte nga “vëllezërit” e Njerkës…

RAPORTI I KRIJUESIT ME SHOQËRINË
       DHE POLITIKËN ASIMILUESE

Që nga fillimi, njerëzimi ka pasur nevojë për krijues. Dhe, ata nismën e tyre e kanë ofruar nëpër vite. Sado që veprat nuk ekzistojnë, krijimtaria e tyre rrëfehet edhe në librat e shenjta. Po ta marrim si shembull: njerëzimi, pas Adamit e Evës, dhe lindjes së fëmijëve të tyre, e ka nismën nga krimi. Kabili, njëri ndër vëllezërit që ngriti dorën dhe vrau Habilin, nuk ka të dhëna se si dhe çfarë bëri pastaj. Sigurisht, nisma e zgjerimit të njerëzimit nis nga ai. Edhe pse ka thënie se Kabili ka qenë i mallkuar, dhe tani, për bashkëshortë që nuk arrijnë të kenë riprodhim, thuhet se janë nga damari i tij trashëgues.

Këto perifrazime na japin mundësi të vijmë te konstatimi i raporteve të krijuesit me shoqërinë. Ai gjithmonë ka qenë i spikatur si person unik dhe ndaj tij, nëse nuk ka ngritur dorën e krimit shoqëria, ka ngritur politika. Ose, nëse ai i ka dalë në mbrojtje shoqërisë, ka ngritur ballafaqimet me sistemin që ka dominuar. Prandaj, këto raporte të ndërsjella kanë krijuar një lëndë të madhe të të dhënave, që po të fillojmë t’i shqyrtojmë, do të nxjerrim mijëra e mijëra fakte, ku dëshmohet se në variacionet e këtyre raporteve krijuesi gjithmonë ka qenë ura bartëse e një të vërtete të ndaluar me shekuj.

Dukja e krijuesit në këto rrethana ka ngritur shumë epërsi, por edhe pasoja. Për këto gjëra kaq të rëndësishme, qysh në shekullin IV para erës sonë, Greqia e atëhershme i dha një rëndësi të madhe krijuesit. Nëse edhe sot vërehen anashkalime të ndryshme të krijuesit nga shoqëria apo nga pushteti, në atë kohë pesha e tij ishte e një veçantie të rëndësishme. Mund të theksohen dy veprat e atëhershme të të madhit Homer, të cilat jo vetëm atëherë që u radhitën në piedestalin e kryeveprave, prej ku dilnin mësimet se si të bëhet zhvillimi, të mbrohet nderi, të mbahet mbijetesa dhe shumë gjëra të tjera, por nga ana tjetër të ngrihet deri në kulmin më të lartë aftësia e krijuesit, që do të nderohet përgjithmonë në historinë e letërsisë.

Ky realitet i mbrojtjes së krijuesit si qenie e veçantë nuk do të jetë i serialit të një vazhdimësie. Sepse, këtë vlerësim do të dalin ta ndërpresin shumë furtuna idesh të shoqërive apo të pushteteve që do të synojnë të fusin në velin e harresës krijuesit dhe bëmat e tyre artistike. Sado e tillë, krijuesi arrin të mbrojë autorësinë e tij krijuese. Ai futet në të gjitha përballjet që të ruajë pozitën e tij në shoqëri, edhe pse lufta e atij përballimi ishte një tendencë shumë delikate që i ka lënë pasoja. Sado me pasoja, krijuesi arriti të bëhet person elite, i cili, në lidhje strukturore me krijuesit, mori rolin e udhëheqjes shoqërore, në ballë të popullit. Këto raporte të krijuesit dhe shoqërisë, pastaj të krijuesit dhe politikës, arritën deri te ndërtimi i metodave dhe formave me të cilat ai do të udhëheqë një të nesërme.

Dalja në skenë e këtij lloj personazhi do të veçohet nëpër dialogët e Platonit, ku do të marrë rolin e një personi që ka aftësi t’i trajtojë fenomenet shoqërore me një ton kritik. Një përqëndrim i tillë për të krijuar pozitën e dominimit në shoqëri, qëndrueshmërinë dhe kriteret e veprimit, do të mundësojë krijimin e hallkave ku do të lidhen pastaj të gjitha mundësitë e strukturës krijuese, që të kenë ndikim më të madh në shoqëri. Gjendja e atëhershme është pothuajse e barabartë apo identike me synimet e sotme, ku tendencat e mediokërve, me një shpejtësi të madhe adaptuese, turren të zënë pozicionet e tyre që të kenë frerët e udhëheqjes në shoqëri.

Nëse në kuadrin e krijuar të manipulimit turret të hyjë shtresa e mediokërve, tanimë krijuesi, i vetëdijshëm për këtë, synon të krijojë kuadrin psikik dhe të ndërgjegjësimit të shoqërisë, se krijimi i çdo kuadri tjetër ka për qëllim përfitimet dhe me këtë synon ta nënshtrojë shoqërinë. Të këtij sensi, apo të kësaj natyre kaq identike, ishin gjithë veprat e krijuara të tragjedive dhe komedive, për të shpjeguar atë krijim të gjendjes shoqërore, ku pos traumave dhe rendimeve, pos pikëllimeve dhe plagëve, nuk kanë synime të tjera ata që i udhëheqin institucionet.

Krijuesi, i vetëdijshëm për këto rrënime shpirtërore të shoqërisë, ku krijohet arena rrëshqitëse e një arsyeje pa bazë, përpiqet të bëjë një zhvendosje të këtyre pozicioneve, që të rikthehet gjendja e një arsyeje me bazë. Ai krijon marrëdhënie në krijimet e tij për një arsye të qartë. Tipe të kësaj spikame më së miri i shpjegon mitologjia greke, e cila duke mitizuar shkrimtarin, pra krijuesin, arrin deri te shfaqja e tij si magjistar i fatit, që ka aftësi ta nxjerrë shoqërinë nga e keqja në lumturi.

Për këtë mund të binden të gjithë ata që e dinë mitin e Akoncios dhe Sidipes. Djaloshi i bukur dhe i pashëm, Akoncio, një pasanik nga Kiosi, shkon në Delos të bëjë blate për Artemidën. Takon atje Sidipen, e cila ia rrëmben edhe shpirtin, edhe zemrën. Ai e ndjek nga pas që t’i bjerë në sy. Megjithatë, nga ky rast ai zgjedh metodën se si t’i bjerë në sy, në kohën kur Sidipa e bukur shëtiste nëpër kopsht, për t’i shkruar mbi lëkurën e një molle: “Të betohem për Artemidën, o Akoncio, se s’do të jem e tjetërkujt, por vetëm e jotja”. Gjithçka pastaj bëhet e njohur, bëhet një pengesë e madhe, që sa herë Sidipa synonte të martohej, i shkonte mendja te betimi dhe ajo pavetëdijshëm synonte të mbante premtimin.

Ky rrëmbim i forcës me ethe dhe me zjarrmi që i shfaqej vashës Sidipa ndodhte sepse hyjnesha kërkonte të mbahej premtimi, njësoj siç kjo enigmë e krijuar e këtyre rrethanave e ka shpënë shoqërinë e asaj kohe t’u besojë mendjeve të ndritura krijuese, i ka mitizuar ato edhe në profetë. Dhe, sido që të ishte, të kërkonte kush ishte dora, apo çelësi magjik i kësaj zgjidhjeje, siç ishte rasti i zbërthimit të atij misteri që kishte aftësi ta bënte vetëm Akoncio, sa herë Sidipa ndihej ligsht nën hije të mollës.

Prej kësaj ndodhie lindin dilemat: Po sikur këto gjëra të bëheshin vërtet dhe vetë Sidipa ta pësonte? Sikur ato të ishin një kurth? Sikur të ishin magji? Të tilla brenga nisën të krijohen në raportet e shoqërisë me krijuesit. Mos vallë ata paralajmëronin kohë shtrëngatash? Kohë ku do të rrënohej gjithë ajo që ishte ndërtuar dhe nuk do të mbeste asgjë për nesër? Në këto raporte ndërhynte politika dhe këto veprime të krijuesve filloi t’i përndjekë hap pas hapi. Që atëherë e deri tani, sa e sa Xhordano Bruno ka pasur? Edhe te shqiptarët të tillë ka shumë, edhe në këtë kohë. Vlen të përmenden: Luigj Gurakuqi, Sadudin Gjura, Jusuf Gërvalla, Trifon Xhagjika, Rexhep Elmazi, Sefer Selimi, Fadil Bekteshi, Shaqir Sadiku etj.

RRUGA E KRIJUESIT PËR NË BABA TOMOR

Nëse faktet flasin se nga koha antike krijuesi është trajtuar si një mbinjeri, sot krijuesi është ai person që di të krijojë kuptime të sakta mbi zhvillimin shoqëror. Jo rrallë mund të biem në konstatime se njerëzit në përgjithësi kanë kuptime të qarta mbi jetën. Atyre u duhet pika e orientimit. Ndaj, për të krijuar njerëz që me kohën mund të ballafaqohen, shoqëria, por edhe pushtetet e tyre, gjithmonë kanë bërë përpjekje ta arsimojnë shoqërinë. Prej kësaj del se shoqëria ka interes të ketë krijues të mprehtë, parashikues të së nesërmes. Nuk është shumë e rëndësishme se cilën rrjedhë të jetës do të përfaqësojë, nuk është e rëndësishme se çfarë krijuesi do të krijojë situata. Por, e rëndësishme është se çfarë shkruan dhe përse atë që shkruan do që ta jetësojë në libra.

Në këto relacione mund të ketë krijues që kanë vepra të cilat i shfrytëzon njerëzimi. Por, ka krijues që mund të quhen edhe gjeni. Gjeni të tillë shumë rrallë mund të lindin në botë. Te shqiptarët nuk e di nëse dikush është cilësuar gjeni, sado që kanë krijues të cilët kanë arritur të bëjnë vepra me nivel botëror, bie fjala si gjenitë e artit, Melville, Whitman, Molieri, Niche, Sartri. Hajne, Hermann Hesse, Dino Bucati, apo Thoreao, të cilësuar si gjeni të lindur.

Ky përjashtim është bërë ndër shqiptarë, sado gjeni të ndryshëm me siguri ka pasur edhe ky popull. Por përse deri më sot në cilësimet e gjenive nuk është vënë ndonjë krijues shqiptar? Përse talenti i tyre është përjashtuar nga ajo kala e pranimit të vlerave artistike? Do të ndërtojnë në të ardhme sensing të tillë që t’i shpallin gjeni edhe shqiptarët? Kjo le të mbesë si një dilemë e madhe, që do të spikasë origjinën e kësaj vlere historike. Sepse shqiptarët nëpër luftëra kanë dhënë heronj që mund të cilësohen gjeni. Si bie fjala Skënderbeu, apo Adem Jashari. Shqiptarët kanë dhënë edhe femra me aftësi gjeniale. Theksojmë këtu aftësitë krijuese të Nënë Terezës, që po të ishte në truallin e shqipeve, kushedi nëse do arrinte të siguronte kafshatën e bukës, e jo më të mund t’i ndihmonte të varfrit. Flasim për kohën kur ajo jetoi dhe veproi si humaniste. Flasim për kohën e dominimit të atyre pushteteve, që të shpronësonin edhe materialisht e shpirtërisht, sepse dominonte ideologjia.

Përse atëherë mos të mundet njeriu të krijojë gjeni në këtë vend? Edhe nobelisti me prejardhje nga Gostivari, Ferid Murati, arriti të radhitej te gjenitë. Ose, At Gjergj Fishta, kandidat i çmimit Nobel. Por, nuk arriti nga ai vend Ismail Kadare, që të përsosë metodat krijuese. Atij, në kohën e demokratizimit të vendit, më e vështirë dhe më e pambrojtur iu krijua situata krijuese. Dhe, largimi i tij e pati po atë domethënie, se vendi i shqipeve nuk i krijon gjenitë, por i zhduk nëpër prita duke i vra pas shpine. Ai për të mbijetuar dhe për t’u rikthyer si një Krisht i ringjallur, u nis rrugës së arratisjes. Sepse Ballkani, në përgjithësi, kurrë nuk i ka dashur krijuesit. Këto raste ekzistojnë edhe te popujt e tjerë të Ballkanit. Një ndër shembujt është edhe Nikolla Teslla, i cili po të mos arrinte t’i promovonte vlerat shkencore dhe ato t’i pranoheshin në Amerikë, nuk do të njihej në vendlindje.

Në kohën tonë ka rastisur të dëgjohen edhe shkrimtarë të dënuar me vdekje nga vendlindja e tyre. Salman Ruzhdie, për “Vargjet Satanike” shpëtoi falë mendimit për krijuesin e botës perëndimore, apo falë botës angleze? Ose, Fishta që u dënua me heshtje nga regjimi i atëhershëm komunist në Shqipëri, pesëdhjetë vjet me radhë. Poashtu si Kadare, që u bë i njohur dhe i shpëtoi çdo ndalese nga censura, vetëm sepse kritika franceze e ngriti në piedestalin që meritonte. Por nuk mbeti pa reagime deri te vendi ku ndahet “Nobel” -i dhe diplomacia shqiptare nuk e përkrahu, madje e përqeshi.

Krijuesit shqiptarë nuk mund të krahasohen me Whitman dhe veprën e tij, “Fije bari”. Nuk mund të krahasohen as me Shakspeare. Por nuk duhet anashkaluar deri aty që të mos flitet se krijuesi gjeni ekzistoi në tokën arbërore. Ai mbeti i lavdishëm me krijimtarinë popullore. Edhe me krijimtarinë artistike, që nëpër krajatat e jetës, lirisht mund të thuhet se ishte sfida e shenjtë. Me plot gojën mund të themi se sot standardi i gjuhës shqipe është marrë edhe nga krijimtaria e Naim Frashërit, për të gjitha ato që krijoi falë nivelit të tij intelektual, por edhe nivelit të lartë artistik. Por më i madhërishëm ishte fakti që ky krijues arriti ta ngrinte lart gjuhën shqipe dhe ta bënte si gjuhë Perëndie. Po çfarë ishin atëherë njerëzit që e flisnin atë gjuhë? Mos ishin engjëj? Po, përse aq fushata të ashpra kundër tyre? Përse i shpallnin sikur ishin djaj?

Për këto tentime të mohimit shqiptar, për dhunën dhe terrorin që bënë pushtuesit mbi ta, krijuesi shqiptar arriti të bëjë vepra që kanë një nivel të duhur në krijimtarinë botërore. Por, nuk arriti për to të bëjë lëvdatat, t’i shpallë gjeni. Sepse, në mospasje të institucioneve të mirëfillta shtetërore që i deshi koha, në mospasje të mundësive për t’u përkushtuar për vlerat e krijuara, në mospasje të rehatisë dhe sigurisë së tokës që gjithmonë e mbanin si monedhë në agjendën e vendosjes Fuqitë e Mëdha, u bë e pamundur të krijohen rrethana që do ta ndriçonin edhe këtë anë e cila ndriçon si xhevahir.

Nëpër këto realitete të krijuara po me të njëjtin synim, po me të njëjtat metoda, duke arsimuar shoqërinë dhe duke liberalizuar e demokratizuar marrëdhëniet shoqërore, që të krijohet edhe klima e një humanizmi i cili do të vinte në funksion të gjitha mundësitë e të shprehurit, do të arrihet, madje shumë shpejt, që të dalë në spikamë ky vlerësim. Sepse, edhe kur është heshtur, edhe kur ka pasur tendenca për ta zhbërë si popullin, ashtu edhe krijuesin e vet, ai ka ditur të japë edhe heronj, edhe këngë, edhe poetë, edhe strategji të luftës dhe fitores. Poashtu ka ditur të japë edhe krijuesit disidentë që kanë qenë sfida të shenjta qiellore.

KRIJUESIT SHQIPTAR SI MARLOW

Nëse bota ka arritur të hapë horizonte të ndryshme për të arsimuar gjithë shoqërinë dhe të krijojë kushte shumë të lakmuara, kjo gjë nuk ndodh në hapësirën shqiptare. Hapa të këtillë civilizimi kanë edhe shumë vende në Afrikë dhe Azi, ka edhe në disa pjesë të Europës, edhe në Amerikë e Australi. Por, të flasësh për temperamentin e mbijetesës shqiptare, do të thotë të analizosh në hollësi gjithë rrjedhat historike. Edhe aty ku mendon se është keq, për hir të një tradicionalizmi që e ka bazën te një lashtësi shumë e pastër dhe heroike, të shpie të analizosh gjithë segmentet e asaj se si duhet kultivuar kultura letrare.

Nëse analizojmë elementët krijues të kësaj gjendjeje reale, shqiptarët nga relacione të ndryshme të përballjeve kanë ngecur në aspektin e krijimit të të mirave materiale. Edhe pse të vendosur në një sipërfaqe me shumë kilometra det, me male që kanë shumëçka për karakteristikë që të ndihmojnë zhvillimin, me fusha të cilat mund të japin bereqet me forcën e tyre frytdhënëse, me klimën që është shumë e përshtatshme, shqiptarët përjetuan shumë tendenca të rënieve – ngritjeve. Po, pas këtyre ata u ndërgjegjësuan të bëjnë ngritjen e lavdishme heroike. Aty lindnin krijuesit. Aty lindte heroizmi. Dhe, ai art i mbijetesës së tyre sot ka dhënë një spikamë origjinale që trondit mendimet botërore. Kështu, po mos të kishin ndodhur gjithë ato rrënoja luftërash, nuk do të arrinte të shkruheshte Historia e Skënderbeut e Marin Barletit, Baba Tomorri i Çajupit, Lahuta e Malcisë e Fishtës, Vdekja e Nositit e Lasgush Poradecit, romani Kështjella, me të cilin gjeniu i letrave shqipe, Kadare, ka bërë një suprizë. Po e njëjta gjë ndodh edhe me paraqitjen e romanit Gjenerali i ushtrisë së vdekur, Kronikë në gur. Dhe, Viti i mbrapsht, ndoshta edhe romani më i mirë  i këtij autori shqiptar.

Kjo nuk është e habitshme. Të tilla vepra spikasin elementë shumë origjinalë, të cilët mendja e njeriut në botë i përjeton në çaste të gëzimit, lumturisë apo për mbarështim. Athua, ka mundur të bëhet ndonjë dramë si Cuca e maleve? Po ndonjë libër drame, i cili për qëllimet që shpreh në përputhje të gjithë atyre karajatave që dominojnë dhe del si dëshirë për t’u ndryshuar, si dëshira e Dijes kur klith: Sikur të isha djalë? Apo, ndonjë satirë e fuqishme si Gomari i Babatasit të Fishtës. Këto spikama, këto klithma, këto fshikullime me penë, këto peripeci të jetës, kanë zënë vend në një shtresë të gjerë të popullit, ku errësira sa vjen dhe mbulon skajet e dritës.

Në këtë shtresim, këto flluska, apo këto rreze, dalin sikur bëjnë luftë të kotë, mirëpo ia arrijnë qëllimit, sado që të njëjtat kërkesa të shqiptarëve për një jetë, për një puls më të shëndetshëm, për prurje më me vlerë janë shprehur edhe më parë te De Rada, Samiu, Naimi, Veqilharxhi, Serembe, Asdreni, Çajupi, Filip Shiroka, Ndre Mjedja, Fan Noli dhe të tjerë. Janë shprehur te Vaso Pasha, i cili me një vetëmohim ka bërë që Bardha e Temalit të shndërrohet në një dëshmi vezulluese për mënyrën se si arrin ta mbrojë nderin dhe trimërinë që trashëgonte nga të parët. Edhe te vepra historike e Sami Frashërit: Shqipëria çka qenë, ç’është dhe ç’do të bëhet.

Gjithashtu, duhet të përmendim edhe Migjenin, një uragan lirik, i cili për kohën që jetoi mbeti pothuaj edhe në stil, edhe në jetë po aq i ri, aq energjik, aq aktual si poet i mjerimit. Përmendim, dëshirën e tij për të pasur një grusht që t’ia ngjeshte malit që nuk bëzante, duke shprehur në këtë mënyrë idenë për të ndryshuar gjendjen e katandisur të mirëqenies së gjithë popullit, mospranimin e lumturisë së një numri të vogël pushtetarësh, të cilët organizonin ahengje dhe krijonin struktura si e si t’i shtypnin përmasat e gjera të popullit. E ai, edhe pse i sëmurë në shtratin e vdekjes, të kënaqet duke qeshë… Ose, poetin e pushkatuar pa varr Trifon Xhagjika (1932 – 1963), që po të kishte mbetur gjallë me talentin që posedonte, ndoshta do ta kishte tejkaluar edhe Kadaren. Mjaftë nga poezitë e tij të pabotuara kanë humbur, ndërsa një pjesë e tyre janë botuar në dy vëllime: Atdheu është lakuriq dhe Poezi. Trifon Xhagjika u lind në një fshat të Zagorisë (Gjirokastër).

Krijuesi shqiptar është forca origjinale që ka interpretuar talentin e vet dhe guximin për të gjykuar paraqitjen e atyre fenomeneve shëmtake të cilat ia mbyllnin shoqërisë horizontin e zhvillimit për bashkim kombëtar. Në këtë kërkim, në këtë ndërtim të kësaj kalaje ndërtuese, akoma nuk ka arritur të spikatet gjeniu krijues shqiptar. Edhe kur kanë arritur të bëjnë një nderim të tillë, ai ka pasur një shtrirje provinciale. Ndryshe është nderuar krijuesi shqiptar në Shqipëri, ndryshe në Kosovë, ndryshe në Maqedoni, ndryshe në Mal të Zi, ndryshe në Diasporë.

Nëse në Shqipëri krijuesi duhej të përmbushte vlerat dhe të bëhej i pëlqyeshmi i byrosë politike, në Kosovë ishte po i njëjti problem, që përshtatshmëria krijuese shkonte në përputhje me Lidhjen Komuniste. I ngrituri në piedestal për vlerat e narracionit prozaik, Sinan Hasani (autori i librit konfuz pas vitit 1981):  Kosova të vërtetat dhe mashtrimet, të cilin e botoi Rilindja e Prishtinës, ishte fituesi i çmimeve letrare republikane dhe i përzgjedhuri i antologjive që krijoheshin në federalizmin titoist, për arsyen e thjeshtë se ishte anëtar i lartë i Lidhjes Komunsite. Të tillë si ai ishin edhe një varg krijuesish të Nënës Parti, që bënë përpjekje maksimale si të gjenin shprehjet, metaforat, simbolet që ia varnin si kurora xhaxhit Enver dhe shokut Tito, për t’u dukur si tribunë lirie, në kohën kur mbi shqiptarët zbatoheshin metodat e dhunës dhe terrorit të paparë komunist.

Por, nuk ishin të tillë të gjithë krijuesit. Bie fjala, krijuesit shqiptarë shfaqeshin në shumë horizonte. Ata i paraprinin gjithë idesë se si të arrihej deri te liria. Organizonin aksione të ndryshme patriotike. Një ndër ta vlen të përmendet Adem Demaçi, i cili, duke paraqitur romanin Gjarpërinjtë e gjakut (1958), mori hijen e një sfiduesi që gjithë rininë e kaloi burgjeve. UDB-ja jugosllave në atë kohë i kishte edhe shkrimtarët  e vet, që i përpunonte nëpër “universitetet” e burgjeve. Po, kishte edhe të atillë që UDB -a ia konfiskonte veprën letrare, si Mahmud Dumani (Tradhtia e madhe), dhe pasi e zhdukte autorin në rrethana misterioze, e botonte me titull të cunguar (Tradhtia), dhe me tjetër autor: Kapllan Resuli.

Në opinion kurdiste propagandë fantastike policore: shokut duke ia marrë gruan. Njërin e nxirrte nga burgu si patriot matanë kufirit për spiunim në Shqipëri dhe tjetrin e shpallte spiun me punë në redaksi. Përmëtepër, autorin e “persekutuar” e shpallte patriot dhe e “ndalonte” romanin e rrezikshëm për shoqërinë. Në anën tjetër, përmes korbave kuqeverdhë ua shpërndante studentëve në Prishtinë për ta lexuar si “vepër e ndaluar dhe të rrezikshme” për shtetin. Të nesërmen, i paraqiste në polici duke ua gjetur “veprën e ndaluar” në banesë dhe i rrasnin në burg me vite. Një Zot e di për këtë “vepër artistike” të ndaluar sa studentë kanë përfunduar nëpër burgjet jugosllave. Kishte edhe të tjerë si Adem Demaçi. Në Shqipëri Frederik Rreshpja, Pano Taçi, Zyhdi Morava, Visar Zhiti etj.

Që, më shumë se gjysmën e jetës e kaluan burgjeve komuniste se sa në liri. Por më tragjiku, që ra nga pritat dhe përgjimet policore, ishte Jusuf Gërvalla, bashkë me vëllain e tij, Bardhoshin, si dhe Kadri Zekën, të vrarë në UntergrupenBah të Gjermanisë. Ymer Shkreli, pasi e përjetoi jetën e burgut, mori botën në sy dhe kurrë më nuk u kthye në Kosovë. Qerim Arifi, që në atë kohë kur ishte në formë kënga popullore: Gjithë shqiptarët janë Mic Sokola, tha në prezencën e gazetarëve se: edhe kryredaktori im (Mustafa Rushiti) nëse është Mic Sokol, unë nuk jam shqiptar. E dini se si përfundoi si poet: vdiq i vetmuar në spital, në dializë.

Mirko Gashi, një poet tjetër bohem që e nxirrte atë shoqin në Mitingun e poezisë në Gjakovë pas autobusit, dhe e thirrte poetin serb që t’ia mbaj me dorë për pak kohë, vdiq i vetmuar rrugëve të Prishtinës edhe pa bukën e gojës. Ymer Elshanin me gjithë familje e grinë armiqtë shekullor si bishat në oborr, në vendlindje. Autorin e përmbledhjes antologjike Tufa, Latif Berishën e vranë para syve të familjes te pragu i shtëpisë. Fatin e njëjtë të krijuesit pati edhe njëri ndër prozatorët më të mirë modern shqiptar, Anton Pashku, që vdiq duke u endur rrugëve të Prishtinës pa vend pune dhe bukën e gojës. Ndërsa, dy krijues tjerë disidentë: Musa Ramadani dhe Gani Xhafolli edhe sot si dje do ta vazhdojnë luftën me penë me Shtetin fodull pa vende të merituara pune.

Nëse i analizojmë këta krijuesë rebelë, duke u bashkëngjitur edhe krijuesë të fushave të tjera si Bilbilin e Kosovës: Nexhmije Pagarushën, piktorin Adem Kastrati, këngëtarin kërçovar Rexhep Zajazin, që pas Luftës së Dytë Botërore në një pritë u kositë me automatik dhe mezi shpëtoi gjallë, e ndonjë tjetër, do të bindemi më në fund se, krijuesit shqiptarë janë edhe më shumë se Marlow…

KOHA E DALLDISJEVE SHQIPTARE

Edhe pse e domosdoshme, kjo natyrë e të përfillurit të krijuesit nga shoqëria dhe politika në përmasën shqiptare pothuajse ka munguar me vite, ka munguar për shumë aspekte, ka munguar për aq sa kanë qenë frerët e dirigjimit të politikës, por edhe frerët e devijimit të shoqërisë socialiste.

Në dekadat e fundit, kur filloi një ndryshim i shumanshëm i shoqërisë, kur befas filluan të marrin jehonë shumë dukuri, që ose shkonin në hap me modën, ose ishin devijimet gjigante të shoqërisë, u pa se krijuesi edhe njëherë do të merrte goditje pas shpine. Si dhe përse do të goditej, po e sqarojmë vetëm me ca shembuj që, me kohën e transformimeve shoqërore më shumë se ai që e ndjeu mbi kurriz, asnjë tjetër s’mundet as ta paramendojë. Sepse, duke mos qenë i lindur të luajë rolin e ndryshimit të gëzofit, ai gjithmonë me kriteret e tij nga një distancë e pa se shoqëria shumë më lehtë e ka të kënaqë ndjenjat aty për aty, sesa të krijojë sistemin afatgjatë të arritjeve dhe vlerave të qëndrueshme artistike.

Nga shtrëngesat që kishte bërë monizmi, nga njëmendësia ekstreme, gjithçka që ishte pak më liberale vinte e shfaqej si një mundësi që do të krijonte hapa të sigurt zhvillimi. Dalja në dritë e mjeteve informative, e gazetave të “pavarura apo private” (që kot e merrnin këtë emër, se vareshin nga gjithçka), nga radiot dhe televizionet që dolën si kërpudha në çdo qytet, dhe ajo që ishte më e madhja, nga përhapja e shtëpive botuese, që pa asnjë kriter botonin vepra letrare, vetëm nëse autori i paguante shpenzimet e botimit, nxori dhe mundësinë e një kriteri që mund të ruante dinjitetin e krijuesit.

Nuk ishte vetëm kjo goditja e krijuesit. Për të çdo ditë dilnin në skenë kurdisje të ambalazhuara dhe me shkëlqimin pompoz, që për nga përurimet e humbnin jetësisht të qenin e vërtetë të vlerës së krijuar dhe krijuesit që anashkalohej nga politika. Dukuria e përurimeve letrare për çdo vlerë të dyshimtë e anashkalonte vlerën e mirëfilltë letrare. Publikimi nëpër gazeta dhe marrja nëpër emisione nga radiotelevizionet shtetërore dhe private e goditi po aq realitetin, dhe aty u promovuan të gjithë ata që nuk e meritonin, mirëpo ja që u ndaheshin rubrika për të bërë analiza politike e vështrime letrare. Ky ishte diktati i politikës, sepse ata që e promovonin veten nëpër këto institucione, ose ishin të preferuarit e partive politike apo liderëve, ose udhëhiqnin në politikë.

Dhe, për të krijuar opinione sikur vetëm ata dinin të ishin kreatorët që masa t’ua besonte udhëheqjen, bënin lloj – lloj cirkusiadash si “analistë” politik. Ndonjëri që deri dje, jepte intervista duke u deklaruar si shkrimtar maqedon, sot me ndihmën e Doktorziut si “shkrimtar” i talentuar, ende pa e zotëruar mirë gjuhën shqipe do ta kalonte librin “ilegalisht” në kufi, matanë “Mëmëdheut” duke rrëmbyer edhe çmime letrare mbarëkombëtare “Kadare”. Krah për krahu do të përurojnë librat e tyre sakatë në Tiranë, si “vëllëzër të përndjekur e cenzuruar” nga sllavët në Shkup.

Por, ky veprim ishte në shoqëri. Ata nëpër vende publike, nëpër stadium ku e shalonin Kalin e bardhë me një këmbë të thyer, livadhe, restoranteve, organizonin tubime, dasma dhe elektorate të ndryshme me këngë patriotike. Vetëm sezonet e dasmave, dua të spikas sezonin e verës, por edhe të dimrit, kur shumë mërgimtarë vijnë të bëjnë pushimet në trojet e vendlindjes, organizohen dasma me një rrëmbim të paparë. Nëpër to marrin pjesë gjithfarë nivelesh. Në përgjithësi këngëtari përdor muzikë krejtësisht të vjedhur, dhe nuk korrespondon aspak me atë që ka tradita jonë shqiptare. Poashtu, edhe vallet që luhen pa u ndalur, e kanë ndryshuar pamjen madhështore.

Do të vërehet se në dasmat shqiptare mund të luhet e të stërluhet më shumë herë “Gajda”, një valle maqedonase, sesa “Shota”, një valle shqiptare. “Kalinka” një valle tjetër ruse, që shqiptarët posa t’i dëgjojnë tingujt e parë në sallë, do të hipin të përdridhen e tunden mbi tavolina. Por, ajo që të bie në sy është krejtësisht kopjimi i ca stileve të mbrapshta të Europës, që duke i parë atje, të punësuarit i bartin në vendlindje për t’i vënë në repertoarin e gëzimeve. Me këtë dua të them se, gjithmonë bëhet një largesë nga krijimtaria e vërtetë dhe nga vlerat e arrira të trashëgimisë shqiptare.

Natyrshëm lind pyetja: Si duhet të veprojmë në këtë kohë të dalldisjeve shqiptare?

Për këtë mund të ketë edhe përgjigje adekuate, por ja që për momentin, përderisa vargani i gjatë i këtyre “ritualeve” vazhdon me vite, është e pamundur të përgjigjemi, sepse për një këngë që e këndon një këngëtare e cila është vetëm 20 për qind e veshur, apo për një valltare që dredh belin mund të jepen mijëra euro; për një urim që bëhet për çiftin që martohet mund të jepen qindra euro; për një valle të nuses që është fejuar mund të derdhen dollarë dhe euro duke i hedhur në ajër e tokë.

Po, sa para derdhin këta njerëz që mbajnë apo nuk mbajnë mend nëse kanë blerë një libër për vitrinat që qëndrojnë bosh në shtëpi? Mund të jetë pak si tendencioze kjo përgjigje, por është shume reale. Mërgimtarët tanë, për të krijuar karakterin e njerëzve që kanë kapital nëpër ahengje (që mund të jenë të një niveli edhe ndryshe po të organizohen), nuk lënë fishekë pa shkrepur, vetëm që të dëgjohet në mesnatë rafali i shkrepjeve nga armët që i posedojnë me leje e pa leje, apo i marrin nga personat që punojnë në pushtet dhe disponojnë mundësitë e pajisjes me to nëpër dasma.

Si do të ndihet krijuesi kur shikon këtë realitet, ku në një dasmë, një i ashtuquajtur komandant lufte me pozicion në pushtet, për fejesën e të birit, bashkë me suitën e gjithë njerëzve me pozitë në polici, gjuan me kallash pa ndalur rafalët, vetëm për të shprehur gëzimin familjar; dhe nga ana tjetër për të vënë në dukje se ai posedon mekanizma të tillë të forcës dhe nëse nuk i bindesh, të ha errësira.

Këto çudi i ka zhvilluar dhe trashur shumica e njerëzve të cilët kanë biznese në Gjermani apo Zvicër, në Itali dhe Amerikë. Sepse ata, kur kthehen, kanë mundësi të organizojnë takime për elitën e pushtetarëve, duke i vënë në dijeni të pushtetshmit se do të vijnë në vendlindje për të manifestuar këto veprime që thamë më lartë. Fjala vjen, për nismën e një shtëpie, për themelin e saj, janë djegur në ajër shumë torba me fishekë në vend të kurbanit për themele, që po t’i krahasosh me luftën e 2001 -shit, pothuajse më shumë fishekë u hargjuan për një ditë, sesa për një vit lufte. Dhe, po të merret në mënyrë figurative, më shumë gjak u derdh për themelet e shtëpisë, sesa për themelet e sovranitetit të një shteti që duhej bërë nga lufta. E kjo mund të përshkruhet me therjen e 120 deshve që, duke u pjekur në hell, përfundojnë gjatë një dite bashkë me shumë “Amstel” -a, verë e litra raki rrushi.

Tjetër: filmat serik “artistik” turq që shfaqen nëpër televizionet e “pavarur kombëtar” plot kulturë të huaj, shund e dhunë. Vallë, nuk i shihni se që të nesërmen na lënë pasoja: brenda një nate me qindra shqiptarë asimilohen dhe e gëdhijnë mengjesin në turq?! Ose, nga këto “frymëzime patriotike” dëgjojmë në lejme: djali e ka vrarë babain, burri gruan, gruaja burrin…

         Po, përderisa ndodhin këto çudi, si nuk ndodhin mrekullitë që për një vepër të krijuesve të vërtetë të bëhen organizime, dasma të këtilla madhështore?

         Në cilin përurim letrar ka pasur mijëra njerëz? Sa është shitja e librave nëpër panairet që organizohen nga botuesit shqiptar?

         Sa kushton vlera materiale më e lartë e një vepre të krijuesit që shpërblehet nga qeveria?

Nëse krahasojmë një këngë që zgjatë 5 minuta dhe një roman që shkruhet me vite, vlera e pagesës për këngën në provincë ku këndon këngëtarja lakuriqe është tepër e lartë, ndërsa krijuesit nuk i jepet mundësia as të hajë darkë në atë dasmë shqiptare.

Për këto dukuri e titullova si dalldisje shqiptare, sepse shoqëria ka mundësi, ashtu siç ka edhe politika, që të sjellë ekuilibra shumë më racionalë dhe të mendojë se, pa i dhënë vendin e merituar krijimtarisë letrare (vlerave të arrira artistike), nuk do të arrijë të ketë shëndet të plotë të vlerës dhe mirëqenies së vet paqësore.

Nga libri: POLICIA LETRARE (Shkup, botimi parë 2015, dhe i dyti 2019).

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.