OBORRI I FËMIJËRISË SIME

1
Ndue Ukaj

Ndue UKAJ është poet, prozator, kritik letrar dhe publicist. Është autor i librave: “Diskursi biblik në letërsinë shqipe”, studim, AIKD, 2004, “Ujëvarat e metaforave”, poezi, M&B, 2008, “Godo nuk vjen” poezi, Lulu Press, 2010, “Arka e shpëtimit” poezi, Drita, 2012, “Gjithmonë diçka mungon”, poezi, OM, 2017, “Krijimi i dashurisë”, përmbledhje e përzgjedhur poetike, botuar nga Festivali Ndërkombëtar i Poezisë “Ditët e Naimit, 2017, “Ismail Kadare: Kryqëzime letrare dhe kulturore”, ese, Onufri, 2019, “Mbretëria e ëndrrave”, tregime, Onufri, 2021.

Libri me poezi “Godo nuk vjen” u laureua me Çmimin Kombëtar ”Azem Shkreli” për librin më të mirë me poezi të botuar në vitin 2010, kurse në Festivalin Ndërkombëtar të Poezisë “Ditët e Naimit”, u laureua me çmimin për poezinë më të mirë. Ka fituar edhe çmime e vlerësime të tjera letrare. Poezitë dhe tregimet e tij janë përkthyer në anglisht, spanjisht, italisht, rumanisht, finlandisht, kinezisht, suedisht, turqisht dhe janë botuar në libra, revista dhe antologji të poezisë.

Ukaj është anëtar i PEN-it në Suedi.


Oborri i fëmijërisë sime është çati kujtimesh, me pemë të shumta dhe një horizont pafund.
Rreth e përqark i ka malet, stoli që vallëzojnë me retë e lumturisë;
dëshmitare të rrëfimeve të lashta.
Poshtë shtrihen fushat e anamoravës.
Lumi gjarpëron dhe e shpie mallin në oqeanin e kujtimeve.
Lumi në dimër bëhet i furishëm ose akullnajë dhe kujtimet i çon në pafundësi.
Përreth shtegtojnë turmat e kohës që përditë bëjnë
rrëfime për lartësi.
Oborri i fëmijërisë sime ka të njëjtën simetri – ka ndryshuar semantika e ngjyrave.
E bardha s’është krejt e bardhë.
Aty pushon ëndrra ime, por ngritjet dhe rëniet s’janë të njëjta.
Aty s’janë më blini, arra e as rrushi që bënte hijeshi. S’janë gropat ku hidhesha dhe luaja kukafshehtas;
As unë s’i kam më hapat si vetëtima që përshkonin ajrin si stuhi.
Shtëpitë s’janë të vjetra, dritaret janë të bukura, por çdo gjë rend pas ikjes.
Tani kam hyrë në të katërdhjetat dhe s’më ka hije të dalldisem,
Por oborri i fëmijërisë sime më bën të bëhem fëmijë.
Fshihem nga gruaja, fëmijët dhe fotografoj kodra përpjetë.
Në dimër bëj topa bore dhe i gjuaj retë.
Aty s’janë më gjyshërit që piqnin raki e gështenja. As mishi i thatë i rreshkur në zjarr.
As shtëpia e vjetër si çati e ëndrrave të reja.
Dardha është e njëjta, por trupin e ka më të vjetër dhe më të shtrembër.
Unë s’vërtitem me top si dikur i llastuar
Por shikoj majën e Lubotenit përpara dhe mbaj një mal shënimesh
Që i nxjerr me kujdes si postieri letrat e rekomanduara.
Pastaj kthej kokën prapa dhe atje është kodra e madhe me një kryq të lartë.
Kalvari që ka vizatuar fytyrën e dhimbjes dhe bërtet: “populli im, pse më ke braktisë’?”
Dikur atje ngjitesha me dy hapa dhe haja qershi
Por tani kalvari është rritë dhe unë kam më pak fuqi.
Oborri i fëmijërisë sime tani s’ka çati si dikur pemët që bënin hijeshi,
Por ka një dhimbje që i fle në gji.
Në stinën e pranverës s’ka më gudulisje me re. Në dimër rrugëve të thepisura askush s’rrëshqet,
por kujtimet zbresin si fletët e një vjeshte të zymtë dhe treten detit të largësive.

Marrë nga Nacional

1 KOMENT

  1. Më të lumtë *DRITA e DRITAVE TRINITRINË* dhe për mua *86 vejçarin që i nis DITËT… tej oqanit …detyruar Koha që përjeton atdheu ynë… (FATKEQËSI-DJAJTË-sjellë). Falminderit për TRINITRINAT* që na dërgon i nderuar i RRALLË! *admin* – Arben Cokaj. Falminderit më bëre të jetoj mes *DANGËLLISË NAIMJANE* …Ditët NJËMIJË…!

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.