Nuk ka vota pa përfshirjen e mërgatës në listat zgjedhore!

1
Ministrja e drejtësisë me mërgimtarët

Foto: Ministrja e Drejtësisë me mërgimtarët.

Shkruan: Florim Zeqa, 03.10.2024

Mërgimtarët që vrapojnë pas eskortave politike, pas liderëve shtetërorë dhe partiak, pas përfundimit të zgjedhjeve do të harrohen nga të njëjtit sikur të mos i kishin parë asnjëherë!

Këto parti politike dhe këta liderë që e harruan mërgatën pas çlirimit, do ta harrojnë edhe pas këtyre zgjedhjeve!

Lehtë harrohet buka e mërgimtarëve

Mërgimtarë të cilët më së shumti harxhojnë kohë e mund, shpenzojnë mjete financiare dhe sakrifikojnë më së shumti për t’i pritur dhe përcjellur në aeroporte politikanët e Kosovës, do të jenë të parët që do të harrohen nga ta!

Ikja e elektoratit të partive politike në shtetet evroperëndimore, ka bërë që të gjitha partitë politike pa dallim pushtet dhe opozitë, ja kanë mësyer mërgatës shqiptare të Kosovës me qëllim të grumbullimit të sa më shumë votave për forcimin e pozicioneve të tyre politike.

Liderët e partive politike, sikurse qytetarëve të Kosovës ashtu edhe mërgimtarëve gjatë fushatës zgjedhore ju premtojnë përmbushjen e të gjitha kërkesave dhe zgjidhjen e të gjitha problemeve!

Sikurse në të kaluarën, edhe tani partive politike nuk ju intereson kualiteti i pjesëmarrjes, por kuantiteti i pjesëmarrjes së mërgimtarëve nëpër tubimet e tyre, që i bie, qëllimshëm harrohen veprimtarët më të devotshëm të çështjes kombëtare, e në veçanti veprimtarët e viteve të ’90-ta, ata të cilët e kanë mbajtur gjallë jetën dhe shtetin paralel të Kosovës përgjatë viteve të okupimit klasik të Serbisë!

Pse nuk ftohen në tubimet e partive politike veprimtarët dhe intelektualët?!

Nuk ftohen për faktin se veprimtarët e viteve të ’90-ta dhe intelektualët e kalibrit nuk i thonë të zezës e bardhë dhe anasjelltas, por i thonë gjërat ashtu siq janë dhe i nxjerrin në sipërfaqe të gjitha problemet e mërgatës.

E pikërisht kjo, iu bëhet pengesë politikanëve dembela dhe karrierist, të cilët nuk duan të merren me mërgatën pas zgjedhjeve, por duan që atyre t’ua grabisin vetëm votën për t’i harruar menjëherë pas zgjedhjeve!

Sikur të ishte ndryshe, secili subjekt politik do të interesohej për përafrimin rreth vetes të vlerave të mërgatës sonë. Kjo nuk ndodhë për faktin se intelektualët mërgimtarë ngrisin çështje madhore, e dihet, që çështjet madhore kërkojnë mund e sakrifica për t’u zgjidhur!

Këtë që e themë dëshirojë ta ilustroj me një shëmbull personal. Nga viti 2011 e këndej, nuk ka qeveri dhe as ministër të diasporës që nuk Ju kam drejtuar me kërkesën për hapjen e Konsullatës së Republikës së Kosovës në pjesën veriore të Italisë, por asnjëri prej tyre nuk e ka marrë mundin të merret me këtë temë jetike për mërgimtarët!

Dhe, për ironi të faktit, asnjëri prej tyre as përgjigje nuk më ka kthyer, e lerë më të merret me çështjet e ngritura nga unë!

Partive politik nuk ju intereson mërgata, ju intereson vota e tyre

Për të kuptuar se vërtetë partive politike dhe politikanëve kosovarë në përgjithësi nuk ju intereson mërgata, mjafton t’i shikoni listat zgjedhore. Asnjëra nga partitë politike nuk e ka prioritet përfshirjen e intelektualëve nga mërgata në listat e tyre zgjedhore!

Meqenëse tani me ligjin e ri për zgjedhjet, çdo votues ka të drejtë t’i votoj 10 kandidat në listë, pse partitë politike kosovare nuk i vendosin në listat e tyre prej 110 kandidatëve së paku 10 kandidat nga diaspora, në mënyrë që mërgimtarët t’i votojnë kandidatët apo përfaqësuesit më besnik që i mbrojnë interesat e tyre në Parlamentin e Kosovës?!
Logjika e të menduarit pozitiv e thotë të vërtetën, që më mirë është për mërgimtarët t’i votojnë përfaqësuesit e tyre për Parlamentin e Kosovës sesa kandidatët e deritanishëm apo anonimët të skenës politike kosovare!

Unë e thashë 10 kandidat, por secilit subjekt politik do t’i bënte nder që në listat e tyre zgjedhore t’i kenë më shumë se aq, pse jo 20, 30 apo më shumë kandidat, për faktin se vetëm kështu do të shfrytëzohej truri kombëtar i Diasporës dhe do të freskohej Parlamenti i Kosovës.

Pjesëmarrja e mërgatës përveq në listat zgjedhore të partive politike duhet të jetë edhe në aspektin diplomatik, respektivisht të përfaqësimit të elitave intelektuale të mërgatës nëpër përfaqësitë diplomatike në shtetet evro-perëndimore, gjegjësisht në Ambasada dhe Konsullata të Republikës së Kosovës, ngase askush më mirë se vet mërgimtarët nuk i kupton problemet e bashkatdhetarëve në emigracion.

Vetëm në këtë mënyrë do të kthehej besimi i vërtetë i mërgatës dhe do të rriteshin investimet kapitale të bizneseve të shumta të mërgimtarëve në vendlindje. Nuk mjaftojnë spektaklet televizive me kinse pritjen e mërgatës në vendlindje. Mërgatës duhet dhënë më shumë mundësi dhe hapësirë veprimi për të mirën e shtetit.

Mërgata nuk është më si parë kur nuk kishim shtet në vitet e ’90-ta, tani gjërat kanë ndryshuar. Mërgata ka filluar të vetëdijësohet dhe të mendoj seriozisht për të ardhmen e saj në shtetin e Kosovës. Ndryshe, mërgata më nuk do të jepë për shtetin pa marrë diçka në këmbim nga shteti! Dhënja e mundësive të mërgatës në përfaqësim zgjedhor dhe diplomatik do ta shtonte dashurinë për shtetin dhe interesimin për kthim të mërgimtarëve në vendlindje.

1 KOMENT

  1. I nderuar Florim,

    Per lirine e Kosoves kane sakrifikue ata qe kane jetue ne Kosove….edhe askush tjeter. Edhe sot eshte njesoj per Kosove sakrifikojne ata qe jetojne ne Kosove edhe askush tjeter. Ju ne diaspore jeni turist ne Kosove sikurse te ghithe turistet tjere.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.