Nexhat Halimi
(Ferid Murad, është mjek, farmacist me famë botërore,
i cili fitoi çmimin Nobel për fiziologji dhe mjekësi në vitin 1998)
Silueta e paqartë ndiqte kolonën e përgjakur,
të thyer nën retë e Likovicës së Gostivarit,
Vagëllimë e ujit gjarpëronte shkrepje mijëvjeçare.
Ngelnin lart veç shkrepat e vjetër të Sharrit.
Nata e vrarë, sytë e hutinit e shenjat e varrit.
Me dhembjen e pashuar të etjes shqiptare
Ecje udhën në Idiana në Amerikë, me sy në dritare
Ja tashmë Ferid Muradi me shpërblimin Nobel
Për fiziologji dhe mjekësi më 1998 fitoi përjetësi
Me pak atdhe në dorë, ikje udhët në largësi
Ikë dhe mbushesh frymë, e prapë ikë dhe ikë
Arrin mëhallës te shtëpia e vogël afër Tetovës
T’i tregosh botës vijën tepër të gjatë dhe të hollë
Deri te vetëtimat me ëndrra të pavdekësisë.
Ja ti je i njëjti fëmijë, je e njëjta etje shqiptare.
Ecë sheshet e Amerikës me filozofi ritmike,
T’i hedhësh dritë diturisë së vjetër mijëvjeçare.
(Poezia është botuar në librin “Pikturimi i vetmisë”
botuar me 2022 nga shtëpia botuese “Fad” Prishtinë.)