Shkruan: Baki Ymeri
Romani “Spirale muzgu” i Ibrahim Kadriut është një vepër atraktive për freskimin e shpirtit, një burim drite për të gjetur këngën e humbur, një krijim artistik i “ngarkuar” me një veprim kompleks që zhvillohet në disa plane narrative me karaktere të shumta, personaliteti i të cilëve është i individualizuar mirë dhe fati i të cilëve përcaktohet nga tiparet, nga mentaliteti dhe nga ngjarjet që e përbëjnë subjektin e veprës. Arti është prova më e fortë e qëndrueshmërisë në kohë, kurse romani është arti i momenteve të përjetshme. Proza e Ibrahim Kadriut arrin një pikë unike: bashkon të shkuarën me të ardhmen, ditën me natën, tokën me qiellin dhe shpirtin me trupin.
Zakonisht, romani mund të jetë historia e një aksidenti, e një incidenti, e një bote fiktive, e detajuar deri në burimin e fundit të mundshëm të shkrimtarit. Romani i Kadriut është i strukturuar në planet e veprimit dhe përfshin nivele paralele të domethënies; përbën një atmosferë të qartë që e dëbon lodhjen dhe frikën. Autori transmeton përmes emocioneve të vërteta që gjenden te njerëzit një gjuhë të butësisë së gërshetuar me mrekullitë e hijeshisë. Ai transmeton transparencat afektive të qenies që i mbanë në vete mesazhet e bukurisë dhe përsosmërisë. Frymëzimi dhe fjalët e autorit riprodhojnë një psikologji të veçantë, mbresëlënëse, të paprekur dhe të lavdishme.
Është thënë se një roman është një fikcion në prozë të madhe. Mund të jetë një roman veprimi ku dashuria mund të paraqesë vlerat psikologjike ose vetëm një studim social. Jo më kot, Raymond Quineau ka thënia: “Nuk ka rëndësi nëse dikush shikon një numër të pacaktuar të karaktereve në dukje të vërtetë në një hapësirë të zgjatur përgjatë një numri të pacaktuar të faqeve ose kapitujve.”
Në mbi 300 faqet e romanit “Spirale muzgu” defilon krahpërkrahu Kosova me Shqipërinë, me përshkrime, me kujtime, me gëzime dhe trishtime, me ngjarje dhe me personazhe. Një nga personazhet e këtij romani briliant është Flora Drishti, Dafina, Zonja Margaritë, Sofia, Gazetari, Reporteri, etj. Citohen vargje e mendime të shkrimtarëve të famshëm, si Reiner Maria Rilke, Pol Elyar, Viktor Eftimiu, Jorge Luis Borhes, Alen Boske, Ismail Kadare me sintagmën: “Jemi veshur me ngjarjet e botës/ Si me një këmishë të hekurt.”
Interesante janë fjalët e Nazmi Berishës: “Kujtimet janë robëreshat e mia”. Pasojnë emra tjerë të njohur e të panjohur, si Imri Vishi, Arian Plepolli, Gafur Selishta, Ibush Kllokoçi, Mehdi Shkupi (bandit ballkanik), Shefqet Kaçaniku, Kujtim Vranovci, Agim Selimi, komandanti legjendar Agim Ramadani. Tek-tuk përshkruhet femra si burim frymëzimi poetik dhe artistik. Burim i përshkruar në disa mënyra përgjatë kohës, në arte të ndryshme, gruaja ka mbetur një prezencë konstante, jo vetëm në këngë, poezi dhe romane, por edhe në pikturën shqiptare, duke reflektuar perceptimet e artistëve dhe të shoqërisë. Nga portrete familjesh e deri në aspekte nga jeta shtëpiake apo sociale, nga përfytyrime sublime të maternitetit, gjithmonë me femra misterioze apo fshatare të thjeshta, një suitë shëmbëlltyrash e siluetash reflektohen në tablo emblematike të disa nga artistët më të shquar shqiptarë, që nga Ibrahim Kodra e deri te Afrim Shatku, etj.
Femrat shqiptare kanë marrë pjesë edhe në evenimente të mëdha historike. Numri i tyre është i panumërt. Ata janë shquar përmes luftës së tyre, duke e qëndisur me shkronja të arta historinë e atdheut. Ja një fragment që meriton të mbahet mend: „Isha në mesin e dëshmitarëve kryesorë, bashkë me Dafinën, të bijën e fqinjit Sokrat Aratisit, i cili deshi ta mashtronte me pesëdhjetë dollarë për ta futur rrugëve të prostitucionit. Por kishte edhe shumë të tjerë në krahun e dëshmisë kundër tij, edhe shumë vajza të reja, gra, nëna… Të tilla që kishin përjetuar trishtime, çnderime dhe poshtërime në mënyrën më barbare në Itali, derisa janë marrë me zejen e prostitucionit, që kishte udhëhequr ai horr… Në gjyq u pa se pas tij ishte organizuar ndjekja ndërkombëtare. Ai horr kishte pasur disa pasaporta me emra të ndryshëm, prandaj kishte qenë vështirë t’i dihej adresa.”
Para nesh kemi një roman që ka një forcë të (m)brendshme, një fuqi psikologjike pozitive. Romani i Z. Kadriut është më kompleks sesa një histori ku respektohen përkufizimet e imponuara në teatër ose poezi. Termi “roman” përmendet për herë të parë në Francë, në shekullin dymbëdhjetë. Zhvillimi i prozës që nga shekulli i trembëdhjetë e bën termin të marrë ndjenjën më të ngushtë të punës narrative: një histori në të cilën një autor përshkruan peripecitë e një heroi, të një kalorësi, ose të një karakteri të shquar. Romani është një krijim në prozë të madhësive të mëdha me një veprim të komplikuar dhe në shkallë të gjerë, të strukturuar në disa plane për të cilat marrin pjesë shumë karaktere. Në faqet e veprës së Z. Kadriu kuptojmë se edhe intrigat janë të komplikuara. Në roman ka konflikte të forta: kryesore dhe të mesme, të jashtme dhe të brendshme, sociale dhe ekzistenciale, idilike, romantike dhe patriotike. Mehdi Shkupi “rrinte me të tillë që kishin emër, sepse ai kishte lekë, kurse ata tjerët kishin talent por nuk kishin lekë”.
Romani ka një strukturë të gjerë narrative. E paraqet subjektin në planet paralele. Kombinon bërthamën e dallueshme dhe përdor një numër të madh të karaktereve, të veçanta si pjesë në asamblenë e gjerë të botës shqiptare. Vepra respektive paraqet fatin e personaliteteve ose të grupeve të personalizuara të individëve. Autori ka informacion të bollshëm dhe e pasuron librin me një shumëllojshmëri të gjerë të formave dhe fjalëve. Fjalët janë shumë të ngjashme me qeniet. Ato janë qenie të gjalla. Ato duken si bimët. Fjalët kanë një mënyrë jetese të tyren, kur fluturojnë të lira në re, porsi zogjtë. Në librin e Z. Kadriu takojmë fuqinë e fjalës dhe filozofinë e jetës me rrugët fluturuese, me kujtesën dhe harresën, me pritshmëritë e papritura, me agoninë dhe pasigurinë, me jetën dhe vdekjen, me një valë të mahnitjes që ngjitet në ylberin e kozmogonisë.
Librat janë gjithmonë në krye të listës së ideve dhe të dhuratave, qofshin ato festërime, përvjetorë apo thjesht momente të veçanta që autori ndjen nevojën për t’i shënuar, duke u ofruar nga diçka lexuesve. Libri i Ibrahim Kadriut përmban tregime, motive dhe tema interesante dhe emocionuese. Nuk është as libri i parë dhe as i fundit i autorit që është një prozator i talentuar, që e njeh stilistikën letrare dhe mentalitetin e personazheve. Proza e tij është sa aktuale, po aq edhe interesante për t’u lexuar. E rëndësishme është fjala e duhur që propozon ky roman për artin e komunikimit dhe shpëtimin shpirtëror, duke e rivendosur fuqinë e fjalës të aftë të ndikojë në fatin tonë dhe të optimizojë ekzistencën tonë.
(Bukuresht, Pranverë 2022)
Dërgoi për publikim, Anton Nikë Berisha, poet e shkrimtar