NËNA TEREZE: “NUK JEMI INFERMIERE, NUK JEMI ASISTENTE SOCIALE…”

0
Anton Nikë Berisha - Letra të Nënë Terezës - 2022

Anton Nikë Berisha

(Ose: Pse ne shqiptarët në qenësi e njohim ende pak veprën dhe flijimin e Nënës Tereze për të varfrit e më të varfërve, për më të mjerët dhe për të gërbulurit?)

“Varej (Nëna Tereze) krejtësisht nga provania hyjnore për të gjitha nevojat tona e për ato të të varfërve […]  Më kujtohet se sytë e Nënës Tereze shikonin përtej kësaj bote. Nëna Tereze i qe dorëzuar në mënyrë të thellë, absolute, vullnesës së Zotit e, Zoti, e përdori si vegël për dashurinë e tij […] Zemra e Nënës digjej nga dashuria për Krishtin – Eukaristinë (në kungim), të cilit ajo ia kushtoi krejtësisht dhe paanësisht jetën e saj, me një besim të përzemërt në Të, e Ai e shndërroi (Nënën Te-reze – v. ime) në Veten e vet. Kështu, kur njerëzit e shihnin atë, në realitet e shihnin vetëm Krishtin[1]”.

Motra Nìrmala

Nisur nga librat që i kam lexuar nga autorët tanë për Gonxhe e Bojaxhiun – Nënën Tereze, tashmë e shpallur e shenjtë edhe nga Vatikani (atë qysh në jetë e kanë quajtur shenjtëresha e gjallë), nga shkrimet e ndryshme në gazeta e revista, nga ajo që thuhet në fjalime e predikime, nga bisedat me miq e me të njohur, po dhe me ata që i takoj për herën e parë, kam vërejtur, mund të them pa u mëdyshur, se ne ende nuk e njohim në qenësi punën dhe flijimin e saj për më të varfrit e të varfërve, për më të mjerët dhe të gërbulurit, për ata që shoqëria kishte hequr dorë si diçka e pavlerë dhe e panevojshme! Ajo që është edhe më e keqe bëjmë pak që ta njohim mirëfilli; na mjafton të bëjmë ndonjë takim dhe të themi se ka qenë shqiptare, se qenë bamirëse dhe se u ka ndihmuar të varfërve!

Ku janë shkaqet që njerëzit tanë ende nuk e njohin mirëfilli punën dhe flijimin e jetës së Nënës Tereze për tjetrin, pa dallim feje, ngjyre, treve e përkatësie etnike, është çështje e ndërliqshme dhe këtu nuk e ka vendin të shtrohet.

Në këtë kumtesë të shkurtër[2], po sjell vetëm disa nga faktet që heqin peshë për njohjen e punës dhe të flijimit të saj. Më gjerësisht kam bërë fjalë në disa libra dhe punime të botuara[3].

Duke i lexuar një varg librash e monografish të autorëve të ndryshme kushtuar punës dhe flijimit të Nënës Tereze, sidomos tekstet e fjalimeve të saj, tekstet e uratave dhe një varg letrash, edhe ato që u quajtën “më intime”, të publikuara pas lumturimit të saj më 19 tetor 2003 nga papa Gjon Palli II, puna dhe flijimi i saj më dolën shumëfish më të rëndësishme e më komplekse në krahasim me atë që dija për të.

Nuk ishte vetëm fakti që e njihja pak, më mirë të them, nuk e njihja veprën e Nënës Tereze në dritën e vërtetë, po ishin dhe shumë njerëz të tjerë të botës sonë që mendonin se kryesorja e punës së saj ka qenë se u ndihmonte të varfërve dhe të braktisurve! Me fjalë të tjera, ajo qe një lloj punëtore sociale që është kujdesur për ta! Për këtë më kanë bindur shumë individë me të cilët kam kuvenduar për Nënën dhe punën e saj, mjerisht edhe priftërinj. Një pjesë e mirë e njerëzve tanë edhe sot mendojnë të njëjtën gjë: Nëna Tereze u bë e njohur për arsye se u ndihmonte njerëzve, duke ua zgjidhur problemet sociale!

Nëna ka thënë vetë se kjo nuk ishte puna e saj, se ajo nuk kërkonte, as nuk u jepte të tjerëve lëmoshë, as ndihmë sociale:

“Unë nuk kërkoj lëmoshë, nuk e kam kërkuar kurrë, as në fillim. Shkoj tek personat, s’ka rëndësi çfarë janë indu, myslimanë, budistë, të krishterë, e u them: ju jap mundësinë të bëni diçka të bukur për Zotin[4].

Me një fjalë, puna e saj dhe e motrave të saj, misionareve të Dashurisë, ishte përligjje e dashurisë së Hyjit dhe e flijimit të tyre për të bartur atë dashuri tek njerëzit e varfër dhe të mjerë dhe për t’i bartur ata tek dashuria e Tij:

“Nuk jemi infermiere, nuk jemi asistente sociale, jemi motra. Qendrat tona nuk janë spitale në të cilat njerëzit shërohen, janë shtëpi ku provohet dashuria për njerëzit që nuk i do askush[5] dhe “Ne, para së gjithash, jemi religjioze. Jo asistente sociale, mësuese, infermiere ose mjeke. Jemi religjioze. I shërbejmë Krishtit në të varfër. E vizitojmë, kujdesemi për të, e veshim në të varfër, në të braktisur, në të sëmurë, në jetimë, në ata që vdesin buzë rrugës[6]”.

Kështu, kur dikush, në gazeta ose në ndonjë rast, e quante Nënën Tereze (dhe motrat e saj) veprimtare – asistente sociale ose infermiere, kjo e shqetësonte përtej mase dhe ndjente dhembje të pa përshkruar:

“Për mua është një dhembje e padurueshme kur më thërrasin ‘veprimtare sociale’. Sikur të isha përpjekur për punë sociale, do ta kisha lëshuar (punën si misionare e Dashurisë – v. ime) shumë kohë më parë[7]”.

Pra, në qenësinë e veprimit të Nënës Tereze përligjej dashuria e paskaj për Hyjin dhe dashuria e paskaj për njeriun, flijimi për më të varfrit e të varfërve dhe e më të mjerëve në çdo kënd të botës, pa dallim feje e përkatësie etnike. Për punën dhe flijimin e Nënës Tereze papa Gjon Pali II, pati skruar:

Çfarë vepre të mrekullueshme ka ditur ta përmbushë deri në fund kjo grua me shtat të vogël, lindur në një familje të përvuajtur, me forcën e besimit në Zotin e të dashurisë për të afërmin! Nëna Tereze ka qenë një dhuratë e Zotit për të varfrit nga më të varfrit e në të njëjtën kohë, (dhuratë) për dashurinë e saj të jashtëzakonshme për më të mjerët […] Përkushtimi i saj i tërësishëm Zotit, përligjur prej dite në ditë në lutje, u shndërrua në një përkushtim të plotë për të afërmin. Në buzëqeshjen, në gjestet e në fjalët e Nënës Tereze, Jezusi ka ecur nëpër rrugët e botës si Samaritan i mirë, e vazhdon të bëjë në Misionaret e Dashurisë e në Vëllezërit misionarë të Dashurisë, që përbëjnë një familje të madhe të themeluar nga ajo. U shprehim falënderimin bijave dhe bijve të Nënës Tereze për përcaktimin e tyre radikal ungjillor dhe lutemi për të gjithë këta që të mos ndërpresin t’i rrinë besnikë hirit që Shpirti i Shenjtë pati ngjallur në Themeluesen e tyre[8]”.

Gazetarja e shquar italiane, Franka Xambonini (Franca Zambonini) e ka ndriçuar në mënyrë të rrallë atë që e cilësonte Nënën Tereze dhe punën që bënte:

“Ne parapëlqejmë të ndjekim rrjedhën, ajo (Nëna Tereze – v. ime) ka shkuar kundër rrjedhës. Ne kërkojmë të jetojmë mirë, e mbushim shtëpinë me objekte të panevojshme, nuk heqim dorë nga asnjë komoditet e kënaqësi, ushqime të mira dhe rroba të bukura, pushimet dhe fundjavat, nxehtësia gjatë dimrit, freskia gjatë verës. Ajo ka jetuar pa asnjërën prej këtyre, e brengosur nga prania e të varfërve në botë. Ne shmangim të flasim për vdekje, për sëmundjet e për fatkeqësitë, mashtrim i vetvetes se duke i mohuar bëhen të paqena. Ajo ka bashkëjetuar me vdekjen, me sëmundjet, me fatkeqësitë e përditshme. Ne kërkojmë sigurinë, stabilitetin, mbrojtjen. Ajo është ballafaquar me çdo rrezik. Ne e përbuzim jetën që nuk është e plotë, në pikën e rinisë, të forcës e të shëndetit të mirëfilltë. Ajo na ka mësuar se çdo jetë (njeriu) është e shenjtë, sidomos e atyre që ende s’kanë lindur, e të pambrojturve, e pleqve të braktisur, e të vetmuarve[9]”.

Puna dhe flijimi i Misionareve të Dashurisë, siç thashë, ishte përligjje e dashurisë së Hyjit dhe e flijimit të tyre për të dëshmuar atë dashuri tek njerëzit e varfër dhe të mjerë që mbërrihej përmes besimit e lutjes dhe shndërrohet në veprim[10], që ishte qëllimi kryesor:

“Gjithë ajo që bëjmë, lutja, puna, vuajtja, janë për Krishtin. Ne bëjmë diçka të bukur për Krishtin. Jeta jonë s’ka as arsye, as motivim, as kuptim jashtë Tij. Kjo është një çështje që shumë nuk e kuptojnë[11] […] Përherë ekziston rreziku që puna jonë të bëhet qëllim i vetvetes. Ka rrezik që të harrohet për kë e bëjmë atë: këtu hyjnë nderimi, dashuria dhe devotshmëria, për arsye se ne e dhurojmë dhe e bëjmë (punën) për Zotin, për Krishtin; këtu qëndron arsyeja që përpiqemi ta bëjmë në mënyrën më të mirë të mundshme.

Duhet t’u mbartim këtë përvojë të mrekullueshme të shërbimit njerëzve që vetë nuk ia kanë dalë.

Është njëri ndër shpërblimet më të mëdha për punën tonë[12]”.

Nëna, as nuk kërkonte, as nuk u jepte të tjerëve lëmoshë, as ndihmë sociale, nuk bënte asnjë punë që nuk ishte dëshmi e flijimit dhe e dashurisë së Hyjit. Këtë përcaktim e përforcojnë edhe këto fjalë të saj:

“Ne nuk pranojmë asnjë fitim për punën që bëjmë, nuk e kemi themeluar organizatën për të mbledhur fonde […] Gjithkund them se nuk kërkoj të holla, nuk dua asgjë që vjen nga tepria: kërkoj që të jepet mbi bazën e flijimit[13]”.

Qenësia e veprimit të Nënës është, siç thekson F. Zambonini, është sa e thjeshtë aq dhe e thellë:

“Filozofia e Nënës Tereze është e thjeshtë dhe e thellë: dhurata duhet të jetë më e vlefshme për dhuruesin sesa për atë që e pranon[14]”.

Po sjell edhe mendimin e motrës Chiara Lubich, ku dëshmohet se Nëna Tereze në veprimet e veta kurrë nuk pyeste kënd se cilit besim i takonin dhe nga vinte. Për të ishte e qenësishme se ata janë krijesa të Hyjit, prandaj ishin njëjtë të rëndësishëm për të (e për motrat e saj) dhe pikërisht duke u nisur nga ky parim, kujdesej dhe flijohej pa u kursyer për secilin prej tyre.

“Për ne ishte një model. Në të vërtetë, është një mjeshtër e shkëlqyer e artit të dashurisë. Njëmend, i donte të gjithë. Nuk pyete se ishte katolik ose induist ose mysliman. Asaj i mjaftonte që të ishte burrë ose grua, në të cilin zbulonte gjithë dinjitetin e tij. Nëna Tereze donte e para: ishte ajo që shkonte e kërkonte më të varfrit për të cilët qe grishur nga Zoti. Shihte, thuajse s’kishte një tjetër, Jezusin në secilin: ‘E ke bërë për mua’, që ishte motoja e saj. Nëna Tereze ‘ishte një’ me të gjithë. Qe bërë e varfër me të varfrit, sidomos ‘si’ të varfrit. Këtu qëndron ndryshimi nga asistentja sociale e thjeshtë ose nga ai që i është kushtuar (punës) vullnetare”[15].

Këto cilësi të Nënës Tereze i vërejtën dhe i përjetuan para së gjithash bashkëpunëtoret dhe bashkëpunëtorët e saj, po dhe njerëzit e zakonshëm që e takuan, qoftë dhe një herë të vetme.

Shkrimtari dhe gazetari i shquar anglez, Malcolm Muggeridge, rreth kësaj veçon:

“Kurrë nuk e kam takuar një person që më ka bërë aq përshtypje sa ajo. Ka mjaftuar të kuvendosh me të shpejt dhe për pak çaste, për të pasur një kujtim të pashlyeshëm. Kam njohur persona që s’kanë mundur t’i mbajnë lotët kur kanë vërejtur se është nisur (larguar), edhe pse takimi mund të ketë zgjatur vetëm sa për të pranuar një buzëqeshje të saj, duke e pirë një gotë me çaj[16]”.

Duke i pasur parasysh qoftë edhe këto pak fakte e të dhëna, mund të them se neve shqiptarëve na duhet edhe shumë punë që ta njohim mirëfilli veprën dhe flijimin e pakursyer të Nënës sonë Tereze për më të varfrit dhe më të mjerët dhe dashurinë e pakufi që ajo kishte për Hyjin dhe për ta.

Prishtinë, fillim shtatori 2023


[1] Giampaolo Mattei, Io, Nìrmala. La storia dell’”erede” di Madre Teresa di Calcutta, 37 Collana Campioni. Ellenici, Leumann (Torino), 1999, f. 21 dhe f. 27.

[2] Kumtesë e mbajtur në Takimin letrar në Letnicë të organizuar nga Instituti i trashëgimisë shpirtërore dhe kulturore i shqiptarëve në Shkup për nder të Nënës Tereze më 3 shator 2023.

[3] Shih kompletin tim Nëna Tereze në shtatë shpalime 1- 7. Faik Konica, Kuvendi Françeskan i Gjakovës, Prishtinë 2019.

[4] Franca Zambonini, Teresa di Calcutta. La matita di Dio. Paoline 8° Edizione, Milano 2007, f. 101 – 102.

[5] Teresio Bosco, I pensieri più belli di Madre Teresa. Editrice Elle di Ci, Leumann (Torino) 1999, f. 66.

[6] Franca Zambonini,. Teresa di Calcutta. La matita di Dio, vep. e përm., f. 157.

[7] Teresio Bosco, I pensieri più belli di Madre Teresa, vep. e përm., f. 59.

[8] José-Luis González-Balado, Madre Teresa, il sorriso degli ultimi. Città Nuova Editrice, Roma 2005, f. 190.

[9] Franca Zambonini, Teresa di Calcutta. La matita di Dio, vep. e përm., f. 189 – 190.

[10] Franca Zambonini,. po aty, f. 167.

[11] Franca Zambonini, po aty, f. 157.

[12] Madre Teresa. La gioia di amare. 365 meditazione quotidiane. Oscar Mondadori, ottobre 2009, 4 aprile.

[13] Shih dhe Nëna Tereze: Jeta është vetë jeta e Zotit në ne. Studim & Tekste & Testamenti shpirtëror dhe letra të Nënës Tereze. “Sanctae Crucis”, Prishtinë 2007, f. 138.

[14] Franca Zambonini, Teresa di Calcutta. La matita di Dio, vep. e përm., f. 101.

[15] Shih librin tim Doracak për Nënën Tereze. Argeta LMG & Fjala Hyjnore. Tiranë, Prishtinë, Shkodër 2014,f. 315.

[16] Malcolm Muggeridge, Qualcosa di bello per Dio. 3. ed. Ottobre, Edizione Pauline, 1974, f. 11.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.