(Satirë groteske në katër pjesë)
NGA KALOSH ҪELIKU
Koha e ngjarjes
Vitet e krizës ekonomike e politike, kur burokratët gjysëmanalfabetë, si morrat, e kishin vërshuar shoqërinë dhe as me të mirat, as me të këqijat nuk i lëshonin kolltukët;
Vendi i ngjarjes
Qyteti vjetër historik, rretherrotull Kalasë Dardane. Lumi Vardar e ndan në dy pjesë, anët e të cilit i lidh vetëm një Urë guri dhe pesë të tjera nga betoni me hyrje – dalje me luanët roje. Mbi çati aty ‑ këtu lëshojnë shtat minaret e xhamive… Këmbanat e kishave… E në përiferi tymtarët e lartë të fabrikave komuniste. Shekuj me radhë është robëruar nga të huajtë, dhe është çliruar nga shqiptarët (1843 – 1844) me Kryengritjen e Dervish Carës. Herën e fundit, me Hasan Prishtinën, Bajram Currin dhe Isa Boletinin…
Burimet e autorit
Zyrat e një redaksie… Kafenet e Qytetit… Takimet letrare… Bufeja e teatrit… Kabineti i fakultetit… “Pazari i Grave”… Rrapi…
Vetat: RRUMADUCI, EPËRDREDHURA, AUTORI I DISA LIBRAVE, GAZETARI I TREDHUR, DUMDUMI, INTELEKTUALI I RREJSHËM, IPADËSHIRUARI, GAZETARI ME GËRSHËRË, SHKRIMTARI, LUMJA E ETSHME, NANAÇI, KOMUNISTI I ARRATISUR, GAZETARJA E HIJSHME dhe GAFURRI.
PJESA E PARË
Vjersha me simbole
Zyrë redaksie, e shtruar me qilima të vendit. Vetëm se, nuk ka gjithaq dritë, se dritaret ia zë një ndërtesë tjetër me mure të betonit. Kurrë, deri më tash nuk iu përvodhën nëpër dritare rrezet e diellit: as dimrit, as verës… Mëkot e hapje derën, dritaren, ajo, si duket, ishte mësuar me këtë gjysëmerrësirë, ku lirisht mund të thuash mezi i mbanin këmbët tri tryeza dhe dy telefona, sipërfaqet e të cilave janë të rënduara me libra dhe dorëshkrime.
Në njërën shihet edhe një makinë shkrimi, e nën tryezë edhe një shportë me letra. Mu në mes të dhomës është e vendosur një tryezë e vogël me dy ‑ tri karrige. Në mur shihet fotografia e shokut Tito, ndërsa në anën e kundërt, një raft me libra. Në një kënd afër dritares një lule. Dera hapet dhe hyn Rrumaduci.
RRUMADUCI: (E var setrën dhe cilindrin në varëse dhe ulet me përtesë në kolltuk.) Dreqi i marrtë të gjitha! Lëmsh më janë bërë në kokë. Ja, mu këtu! (I bie ballit me dorë.) Kush do të rrijë gjithë kohën lidhur si qen për këtë kolltuk. I mbyllur mbrenda këtyre katër mureve. I gozhduar për tryezë si Krishti. (Nga sirtari nxjerr një shishe me raki rrushi.)
DUMDUMI: (Hyn edhe ai, duke u përkundur e duke e fishkëllyer një melodi.) Mirëmëngjes, zotëri redaktor! Mirëmëngjes! (Bën me duar në shenjë nderimi, duke u përkulur gati deri në tokë.) Sot, si duket, shumë herët të paska përzënë gruaja nga shtëpia. Me siguri nuk e ke mbushur normën, që kërkon shpëtim nga gota…
RRUMADUCI: Jo, zotëri! Jo. Nuk është aty puna. Këtë herë nuk i ke rënë pikës. Në do të dish, jo vetëm që e kam mbushur normën, po edhe e kam tejkaluar njëzet për qind. E, sa për gotën e rakisë, mos u habit! Me këtë i them barkut mirëmëngjes…
DUMDUMI: Atëherë, qitma edhe mua një kafshore!
RRUMADUCI: Ja, por vetëm një sa për ilaç. (Ia mbush gotën.) Mos më kërko më, se nuk të jap, pa sikur ta bësh edhe namin, të m’i hedhësh të gjitha dorëshkrimet me gjithë makinë nëpër dritare. Është shishja e fundit që ma solli dje një kalemxhi për t’ia botuar një tregim…
GAZETARI ME GËRSHËRË: (Hyn mbrenda.) Zoti redaktor…
RRUMADUCI: Jashtë, he tokamak vathi! (Bërtet i nervozuar, duke e gjuajtur me një libër.)
GAZETARI ME GËRSHËRË: Kuku nënë, qenka çmendur! (Kthehet prapë, duke e mbyllur derën, del në korridor.)
DUMDUMI: Mirë ia bëre bibanit, ngase gjithë ditën e lume shkon nga zyra në zyrë. Nuk të lë rehat ta pish edhe një kafe. Po, mos ia vë shumë veshin. Ke diçka për meze? Pak djathë? Ose ndonjë spec që djeg? Bën edhe suxhuk!…
RRUMADUCI: Jo, nuk kam as për farë…
DUMDUMI: Po, ndonjë triskë, mos e ke harruar nëpër xhepa?
RRUMADUCI: Jo, të gjitha i lashë dje në vetëshërbim.
GAZETARI ME GËRSHËRË: (E hap përsëri derën, e fut më parë kokën dhe hyn me disa fletë në duar.) Zoti redaktor, prapë erdha lidhur me atë intervistën, për të cilën më angazhoi redaksia ta bëj me Koordinatorin ‑ Liberator para Kongresit të Partisë…
RRUMADUCI: (Nervozohet dhe çohet më këmbë.) Ore i mjerë, ti vërtet nuk merr erë nga gazetaria. Nuk di fare si bëhet intervista me Koordinatorin – Liberator të Nënës parti, që i ka hipur në shpinë Rosinantit, dhe e shalon me të ktra. Qysh ta merrë ty mendja, atij ne do t’i bëjmë censurë?! Jo, ore. Jo. Po, ty. Atij shkrimtarit rebel që e ka marrë nëpër shkrime në gazetë dhe në librin e tij të famshëm “Trumbetat e Tellallit“…
GAZETARI ME GËRSHËRË: Zoti redaktor, unë në intervistë e kam heshtur rolin e dyfishtë të Koordinatorit ‑ Liberator… Njëherësh, e kam zbuluar i pari fraksionin në radhët e Partisë…
RRUMADUCI: Budallai. Për Koordinatorin ‑ Liberator nuk duhet të shfrytëzohen vetëm çajtoret, por duhet të mbështetesh në burime të sigurta…
GAZETARI ME GËRSHËRË: Ama, unë, zoti…
RRUMADUCI: (E ndërpret.) S’ka “aman”. Ik më shpejt, shko mprehe mirë lapsin! Intervistat duhet të gatuhen mirë në demokraci… E di ti se çfarë politike redaktuese kemi, pa censurë…
GAZETARI ME GËRSHËRË: E di, pa censurë… (Del.)
DUMDUMI: Hë, ku e lamë, zoti redaktor? Eh, te gota e rakisë. Rrumaduc, mbushma edhe një gotë! E nëse të kërkoj tjetër, mos më jep më hiç, pa edhe nëse shtrihem në mes të dhomës…
RRUMADUCI: Ore, ti, më duket, ke shkalluar herët këtë mëngjes. Mos ke rënë në gjumë, krah të majtë? Ose nuk e ke kaluar siç duhet pragun e shtëpisë? A të thashë një herë që më nuk ta jap as një pikë…
DUMDUMI: Vetëm edhe një gotë të thashë, nuk ta lypa shpirtin…
RRUMADUCI: Të thashë një herë hiç, hiç asnjë pikë!
DUMDUMI: E atë Poeteshën e urtë si pulë, nuk do ta kesh në gazetë?
RRUMADUCI: Eh, dreqi që je ti, tash më zure ngushtë. Ma lidhe gjuhën, këmbët, mendimet… Po ta jap për të jo një gotë, po krejt shishen.
DUMDUMI: Atëherë, çka pret, mbushma edhe një me grykë! Vjershat e saj vlejnë më tepër, po unë nuk dua të shtyhem me ty në tregti “artistike”…
RRUMADUCI: Jo, së pari tregomë kur do të m’i sjellësh vjershat?!
DUMDUMI: Eh, ç’budallai që je! Vërtet, kund nuk e paske shokun. Po, a do, ore, sonte?… Mbushma këtu gotën me raki!
RRUMADUCI: Jo. Jo, sonte nuk dua, kam frikë, se natën del Intelektuali i Rrejshëm… Nesër, le t’i sjellë në redaksi vetë poetja! (Ia mbush gotën.)
DUMDUMI: He, ore qyqar, që të dhimbset edhe një gotë raki! Po, ti s’e di vjershat që i ka ajo, plot metafora, simbole artistike…
RRUMADUCI: Ore, ti ma zbute zemrën! Ja, tani e fitove edhe një gotë. Vërtet, këtë nuk mund ta fsheh dot, e dua artin!… (Ia qet edhe një gotë.) Ti e di se unë për simbole në vjersha e lë kokën…
DUMDUMI: E di. E di, po gota e tretë do edhe pak meze…
RRUMADUCI: Meze? Edhe këtu ia ke qëlluar, s’e luan as topi. (E rrok telefonin dhe formon numrin.) Alo, Gafurri?… Këtu Rrumaduci… Gjysmë kilo djathë sille në zyrën time!
DUMDUMI: Ja dorën, tash ia bëre si burrat. Vjershat që do t’i kesh nesër në zyrë nuk kremtohen vetëm me një gotë raki rrushi…
RRUMADUCI: Malli i mirë, dihet… Vlen edhe më shumë… Po, unë sot kaq e kam kaçikun… Nesër, do të armatosem edhe më mirë, deri në dhëmbë me fishekë…
DUMDUMI: Se çfarë malli është, do ta shohësh edhe vetë, njëzet e katër karatë… Vetëm, ti mos harro ta mbushësh pushkën për luaneshë, e ajo le të dalë lepuroshe…
RRUMADUCI: Hesht! Epërdredhura?! (Korridorit dëgjohen hapat e këpucëve me taka.)
DUMDUMI: (Ngrihet dhe duke u sulur e hap derën.) Mirëmëngjes!
IPADËSHIRUARI: (Duke ardhur korridorit me këpucët me take.) Mirëmëngjes! Hë, zotëri, mua më pritni në derë?!…
DUMDUMI: (E mbyll derën.) Pthu, IPadëshiruari… Rrumaduc, do të na çmendë me ato këpucë me taka përditë korridorit…
GAFURRI: (Pasi troket në derë, hyn me një enë plotë me djathë në dorë.) Urdhëroni, zoti redaktor, djathin e Sharrit Plak!
RRUMADUCI: Ashtu, pra, o i uruar! Ja, merri paratë!
GAFURRI: Po, prit t’ua kthej kusurin, zoti redaktor! (E fut dorën, kërkon nëpër xhepa.)
RRUMADUCI: Ec, ik, ore, lëre ti kusurin! Redaktorit, nuk i vijnë shpesh kësi vjershash gjithë art me simbole në redaksi…
GAFURRI: Nejse, zoti redaktor. Falemnderit. (Del nga zyra.)
DUMDUMI: Tani mund t’u biem duarve, t’i shpërthejmë të gjitha pikat e rendit ditës, se e kemi shtruar si burrat. E jo si pak më parë, me bark të zbrazët, kur na këndonin zorrët në bark…
SHKRIMTARI: (Troket në derë dhe hyn mbrenda me Lumen e Etshme.) Mirëdita, o burra! Mirëdita! E paskeni shtruar sofrën si shqiptarët.
RRUMADUCI: (Çohet sakaq në këmbë, duke i zgurdulluar sytë dhe duke i fërkuar duart. Dikur i vë edhe syzat.) Urdhëroni, uluni, zoti Shkrimtar! Urdhëroni dhe mirë se na vini në këtë shtëpi shqiptare me traditë kombëtare! Sot, si duket, e paskëshit këmbën e mbarë… Me siguri do të na pushojnë pak sytë mbi materiale…
SHKRIMTARI: Së pari do t’ju njohtojë me zonjushën. Me siguri nuk e njihni?…
RRUMADUCI: Jo, kësi bukurosheje nuk kam parë as në ëndërr. (Ia shtrin dorën Lumes së Etshme. I buzëqesh.) Rrumaduci.
LUMJA E ETSHME: (Pak duke u përdredhur dhe duke i rrotulluar sytë.) Lumja e Etshme.
RRUMADUCI: (Duke ia afruar karrigen.) Urdhëroni, zonjushë, uluni! Kam nderin t’i shërbej një dame me vlera artistike letrare…
LUMJA E ETSHME: (Ulet, duke i treguar këmbët me mjeshtëri.) Falemnderit.
RRUMADUCI: (Duke i fërkuar duart e duke i hapur sytë edhe më tepër nga këmbët e Lumes së Etshme.) Zoti Shkrimtar, keni ardhur mu në çastin e nevojshëm… Sa mirë bëtë që kthyet edhe te ne në zyrë… Njerëz jemi, duhet ta kujtojmë njëri ‑ tjetrin… Fundi i fundit, ne na lidh edhe arti…
SHKRIMTARI: Pse, mos keni sot ndonjë dasmë partiake?!… Festival ndërkombëtar?!… Orë letrare?!… Përurim të ndonjë libri nga “Unioni i viçave”?!…
RRUMADUCI: Po, si të thuash, zoti Shkrimtar. Edhe kemi, edhe s’kemi. Punë redakatorësh partiak. Nesër i presim disa vjersha të mira të na i sjellin në redaksi…
SHKRIMTARI: Vërtet, atëherë paskeni për çka të gëzoheni, zoti redaktor. Autori, si duket, qenka i kujdesshëm dhe me përvojë. Ia di rendin burrërisë… E paska shtruar mu si burrat…
RRUMADUCI: Jo, zoti Shkrimtar, këtë tryezë nuk e ka shtruar autori.
SHKRIMTARI: Po, kush atëherë, ore jahu, në mos autori? Qerres, po nuk ia lyejte mirë rrotat, fishkëllon gjatë gjithë rrugës, të këndon këngë…
RRUMADUCI: Unë, zoti Shkrimtar. Unë ia kam lyer rrotat… E kam ujdisur për merak… Të kesh mall t’ia dëgjosh melodinë…
SHKRIMTARI: Tash, më në fund, më bindët vërtet se e doni artin… E lëni kokën për të bukurit… Gjumi nuk ju merr gjithë natën…
RRUMADUCI: Artin, jo! Po, vjershat!…
SHKRIMTARI: Mirë de, vjershat…
DUMDUMI: Hi ‑ hii‑ hiii… Vjershat me simbole…
RRUMADUCI: (I drejtohet Shkrimtarit.) Kjo bukuroshja shkruan vjersha?
SHKRIMTARI: Po, vetëm natën…
RRUMADUCI: (Duke iu afruar me frikë.) Zonjushë, bën të m’i sillni disa vjersha për gazetë?
LUMJA E ETSHME: Çfarë vjershash, ore?!
RRUMADUCI: Vjersha, oj bukuroshe! Vjersha. Nuk e di çka janë vjershat?!
LUMJA E ETSHME: Unë e di çka janë vjershat, ore zotëri! Po, ku t’i marr? Asnjëri poet deri më sot nuk i ka nxjerrë t’i shesë në pazar… Ose t’i prodhojë në ndonjë fabrikë…
RRUMADUCI: Po, ju nuk shkruani vjersha?!
LUMJA E ETSHME: Jo, zotëri. Jo. Mua aq më bën për vjersha.
RRUMADUCI: Dëm i madh. Vërtet, dëm i madh. Kësi bukuroshe e të mos shkruaj vjersha… Të mos marrë pjesë nëpër orët letrare… Në përurimet e “Unionit të viçave”…
GAZETARI ME GËRSHËRË: (E hap derën dhe hyn brenda në zyrë.) Ohohooo, këtu paska krisur pija! Nuk është çudi, të nisi edhe vallja. E mua, siç duket, më dashka vjehrra…
RRUMADUCI: Lëre, ore ti, pijen. Mendjen e ke vetëm te gota e rakisë rrushit. E këndej, për të nuk ke herdhe. E sa për vjehrrrën, ja po të them unë, nuk i do pijanecët. Po, tregomë a e bëre gati atë intervistën për gazetë?
GAZETARI ME GËRSHËRË: Ja, zoti redaktor, sa e gjeta gazetën. Nuk më ka mbetur edhe shumë punë. Ajo më kryesorja u krye, mezi e gjeta mes faqeve një intervistë me Babanë e Intelektualit të Rrejshëm në një gazetë të dëgjuar edhe matanë kufijve të Atdheut. Vetëm ta pres, e pasi ta përkthej, e ke gati për disa minuta. (E hap gazetën dhe e pret me gërshërë.)
RRUMADUCI: Ama, të kesh kujdes se të del e dobët. nën gurë e dru duhet të sigurojmë edhe një fotografi të tij me mjekër!… (E hap derën dhe del në korridor.)
EPËRDREDHURA: (Hyn me një libër në dorë.) Shikoni, shikoni ku qenkan fshehur bilbilat, por pa kanarina. E kanë shtruar për shtatë palë qejfe, pa e thirrur as zogzën e vetme të shtëpisë…
DUMDUMI: Ec, oj e uruar, hyr brenda, sa nuk jam çuar të bërlykem si mëzat nëpër redaksi!… T’i rrotulloj tryezat me këmbë përpjetë pas dere… Karrigeve t’ua ngre këmbët…
EPËRDREDHURA: Aman mos, ja do të hyj pak. Po, mos bërtit se na dëgjon Rrumaduci. Edhe në zyrën tuaj do t’i bëj sa rrotullime… Poste redaksie… E di unë ku ka më shumë lule…
DUMDUMI: (Ngrihet dhe e kap me të dy duart për beli, duke e puthur egërsisht.) Le të dëgjojë gjithë Qyteti. Unë nuk trembem fare nga Nëna Parti. A nuk i mjafton që të mban brenda katër muresh tërë ditën? Kështu ai e ndihmon emancipimin e femrës shqiptare?! Një ditë, siç e keni nisur, nuk është çudi të të shohim edhe me ferexhenë krahëve. Gati është në gjendje të të mbyllë edhe me çelës. Nuk i beson as diellit. Frikë i ka edhe rrezet e tij, kur përvidhen nëpër dritare…
GAZETARI ME GËRSHËRË: (Hyn edhe ai dhe, kur e sheh si është puna, ulet pranë Lumes së Etshme.) Zonjushë, ju shkruani vjersha?
LUMJA E ETSHME: (E nervozuar çohet në këmbë.) Ore, çka dreqin keni me ato vjersha?!…
GAZETARI ME GËRSHËRË: Më fal, zonjushë! Mendova se edhe ti si Nuska e Rrezikshme do të bëhesh poeteshë partiake?
LUMJA E ETSHME: Hiçmu, ore, qafe! Lërmë rehat! Çfarë poeteshe, nuk i kam gjetur unë këto në rrugë. (I rrok gjinjtë me duar.) Secilit që t’i teket ta futë kokën. Ec, zoti Shkrimtar, të dalim, se këta këtu do të më çmendin me ato vjersha! (E tërheq Shkrimtarin për dore dhe dalin nga skena.)
(Skena errësohet. Muzikë.)
PJESA E DYTË
Përdorimi i lapsit
Ndizen dritat. Zyra e Rrumaducit. Pas shpine e ka një raft me libra. Mbi tryezë ‑ telefonin dhe një llambë mbi disa dorëshkrime… Anash ‑ dy piktura, në njërën shihet një akt femre. Mbi kokë e ka një pikturë të madhe në kolor të shokut Tito. Njëri reflektor përballë e përforcon pak dritën. Rrumaduci pozon me këmbë mbi tryezë. Është duke lexuar një libër. Pak më vonë e hedh në dysheme. Thellohet në mendime. Dikur e ngre kufjen e telefonit dhe formon numrin.
RRUMADUCI: Alo, Fakulteti… Ëhë… Ma jepni prof. Dr. Hutin Qarrin!… Si, cilin profesor, shok? Atë të “Unionit të viçave”!… Të pres një çast? Ama, zonjë… I thuani se e kërkon një mik nga Shtpia Publike… Alo… Ohohohooo, mirëdita, zoti profesor! Po, ku je, ore, që nuk po dukesh fare në redaksi? Së paku të ktheje të pinim nga një kafe! Ke humbur si uji nën tokë. Po… Po… Edhe unë isha në Panairin Ndërkombëtar të Librit në Frankfurt. Po, po mirë që kam kaluar se ‑ si zotëri. Me paratë e mia, thua? Çfarë, ore! Po s’m’i ka pirë pula mendtë. Paguan shteti, shoqëria. Ku ka gjetur kjo shoqëri t’i specializojë gjenitë pa para? Pa u blerë vila në bregdet, banesa. Puna jonë e vështirë, zotëri, këkron kushte… Deviza… (Derën e hap Ipadëshiruari. Rrumaduci ia bën me dorë të ikë jashtë, ta lër rehat.) Cilën? Eh, Nuskën e Rrezikshme. Jo. Që kur e mbaroi fakultetin, nuk ia kam parë më sytë. Aq zor pati e bekuara. Nevojë sa ta marrë diplomën, tash ia ka dërguar të gjitha ndonjë hadumi. Fat, kanë, zotëri, vetëm hadumët. Edhe grua, edhe diplomë. Kush do të qajë kokën për mua që vite me radhë për atë bukuroshe e diplomë i kam humbur vitet më të mira nëpër kabinete. Po, ti lëmë gjithë këto marrëzi, të kthehemi te qëllimi i bisedës. Si?! Jo, ore. Jo. Nuk dua të njohtohem me studente tjetër. Një herë në vit njeriu është budalla. Me siguri sot nuk është ajo ditë. Nevojë tjetër kam unë i pafati. Pyet, ç’hall kam? Eh, ore mik! Halla do burrë! Koka, “na”, më është bërë nga problemet… Politika… Kam frikë se do të më pëlcasë si bombë një ditë. Që në fillore djali i nënës m’i nxori thinjat. Në gjimnaz nga katër njësha mezi e kalova shkëlqyeshëm. Se, për vajzën nuk e çaj fare kokën, ajo i rregullon vetë këto punë. Është e zonja, fisnikja, i ka ngjarë nënës. Si, të mos kem gajle? E po, e di unë se çfarë miku kam. Ëhë… Për të tjerat mos u mërzit, bre, ma lër mua atë punë! Tash, si e ke familjen?… Djalin?… Ëhë, vajza e paska kryer fakultetin. E kam unë një lidhje partiake në Institutin e Trashëgimisë Kulturore. Si, ëhë… Sillmi një ditë, kur të dalësh këndej, dokumentet! (Pushon pak.) Si, ç’do të thonë demokratët?! “Vëllazërim – bashkim”… Po, unë, ore, i kam në dorë edhe frerët e demokracisë… Njerëz të njëjtë jemi ne, vetëm tash i kemi ndërruar maskat… Jo, jo… A të kam mik? E mira, bre, kthehet me të mirë. Ëhë… Do të kthej, do të kthej ta pimë së bashku nga një kafe… T’ia shtrojmë muhabetit si burrat… E kemi në plan të themelojmë ose të shndërrohemi nga “Unioni i viçave” në një parti politike. Ngase mendojmë që në këtë të tanishmen që e kemi nuk na dëgjohet zëri… Na i kanë zbuluar mjetet demokratike dhe strategjinë e luftës në Parlament… E, me themelimin e kësaj të resë, ndoshta e zgjatim edhe pak jetën tonë politike… Maqedonisë i duhemi ne si politikanë të kalitur nëpër shkollat politke të komunizmit. Ta shpëtojmë Maqedoninë!… Ditën e mirë! (E lëshon kufjen. Rri pak. Pastaj përsëri formon numra.) Alo… Alo… Alo… Mirëdita, shpirt! Si i ke punët? Ëhë… Ëhë… A ke ëndërruar mbrëmë diçka të bukur… Ohohohooo… Po, me vjershat me simbole?… Sillmi një ditë ta zgjedh ndonjërën për gazetë! Librin? Oh, për librin hiq mos u merakos. Ai s’ka më nevojë për ty fare. Prof. Dr. Hutin Qarri e ka rregulluar punën. Këto ditë pritet të dalë nga shtypi. E kemi paraparë edhe përurimin nga “Unioni i viçave”. Si, edhe ti do të ma shpërblesh mundin?! Oh, ti moj bukuroshe, e ke bërë tënden, dihet ku… Si, e ke edhe një befasi? Oh, i lumi unë, si do të m’i nxjerrësh djersët… Po. Po, hajt, mirupafshim! (E lëshon kufjen e telefonit. Rri pak. Thellohet në mendime…)
EPËRDREDHURA: (Hyn brenda me disa fletë për t’i nënshkruar dhe ia vë përpara në tryezë.) Vetëm një nënshkrim!
RRUMADUCI: (I shfleton, duke u hedhur një sy.) Ëhë… Po, moj bukuroshe. Po. Por, nuk dilet nga këtu vetëm me një nënshkrim… (Ngrihet dhe e puth, fillon ta shtrëngojë me të dy duart. Mundohet t’ia zhvesh fustanin.)
EPËRDREDHURA: Oh, të lutem, mos këtu në zyrë!… Nuk jam sot e disponuar… E ndiej veten të lodhur… Burri gjithë natën e gjatë ma ka nxjerrë shpirtin… Më ka lënë pa gjumë…
RRUMADUCI: Vetëm pak, oj, ta fus së paku kokën mes gjinjëve!… Ndoshta më pushojnë dhimbjet, më qetësohet shpirti… E kam të trazuar nga librat…
EPËRDREDHURA: Kokën, bën, fute! Madje vetëm pse më vjen keq, nuk kam zemër të mos ta kënaq dëshirën. (E hap kraharorin.) Mos kërko më shumë, se: sot, nuk jam e zonja për vjersha…
IPADËSHIRUARI: (Hyn me disa materiale të lekturuara në dorë.) Mirëdita, zoti redaktor! (Por, kur e sheh si janë punët, kthehet vrik prapa, duke e mbyllur derën.)
RRUMADUCI: (I zemëruar, i bërtet duke e gjuajtur pas me disa libra.) Budalla, nuk hyhet pa trokitur në derë! Vetëm edhe një herë provo kështu, pa do të ta tregoj qejfin!… Unë gjallë, e ti të më shëtitësh korridorit, nuk do ta duroj më këtë turp Rrumaduci… (E fut kokën dhe fillon të tërbohet si ndonjë qen mbi mërshën.) Mmm… Mmm… Ham ‑ ham… Haaam…
EPËRDREDHURA: Më ngadalë, ore i krisur, se më dhëmbin! Për sot, mjaft e ke kaq!… Mos u mundo t’ua dyndësh edhe rrënjët!… I kanë të thella… Nuk i shkul dot, jo. Më mirë e ke t’i lësh pak edhe për nesër…
RRUMADUCI: Prit, oj, pak t’i mbaj në duar! Prit, se kam mall!… Temperaturë… Djersë…
EPËRDREDHURA: Jo. Jo, për sot e ke mjaft kaq. Mallin? Mallin ruaje për ndonjë ditë tjetër! E, sa për temperaturën, do t’ia gjejmë çarenë ‑ shko e ule në nevojtore!… Ika. (Ia shtyn kokën me dorë dhe del në korridor.)
RRUMADUCI: E poshtra, nuk ma bëri qejfin. Këndej ta tregon shtëmën, andej nuk të jepë të pish as dhe një pike ujë. Ose, siç thotë populli: “Të çon me shoshë te burimi për ujë…” Më thotë se e ka lodhur burri. Përralla. E këndej, kushedi më kë i ka përzier kësulat gjithë natën e gjatë. Haj, oj bukuroshe! Haj, se, po të zura edhe një herë në zyrë, nuk të lëshoj pa t’i nxjerr djersët. (Pushon pak. Përsëri e ngre kufjen e telefonit dhe formon numrin.)
Alo… Alo, Emira Caku? Po, ku je, moj hem zonjushë, hem studente e përjetshme? E ke harruar zjarrfikësin më të dëgjuar në tërë Qytetin Historik… Netët e çmendura mbi libra… Nuk dukesh fare. Profesori yt thotë, se: nuk të sheh as në fakultet. Ke filluar t’i përgatitësh disa emisione për televizion… Herët e paske shijuar bukën e hidhur… Njëri më tha, se paske filluar të dalësh me zoti redaktorin, Dilber Kikirikun në një lokal nate të Qytetit. Ai edhe ty, si shumë të tjerave, ta paska premtuar vendin e punës në Televizion. Po, mos harro, njeri i gjallë nuk i shikon ato emisione! E vetmja rrugë që do të të nxjerrë në jetë është zyra ime me namë. Siii, mos i ke lënë krejt studimet? E di çfarë mëkati është ai… Një studente si ti, është dëm i madh ta lëshojë fakultetin… Si, nesër e ke mendjen? Oh, së pari ec tek unë në zyrë! Po qe nevoja, të pres edhe gjithë ditën, gjithë natën… Nesër do të të tregoj nga cili libër duhet të përgatitesh për provim… Ëhë… Ditën e mirë! Ditën e mire, dhe mirupafshim!…
DUMDUMI: (E hap derën.) Shoku shef, nuk kemi lokal ku ta mbajmë testimin për gazetarë. E këtë herë, si për inat, kemi mjaft kandidatë…
RRUMADUCI: Thua, kemi mjaft të interesuar, zotëri?
DUMDUMI: Po.
RRUMADUCI: Atëherë mund ta kryeni testimin në zyrën time të redaktorit. Thirre komisionin, le t’ia fillojë punës!
DUMDUMI: Ja, sa t’i lajmëroj edhe kandidatët. (Del nga zyra.)
RRUMADUCI: (E ngre përsëri kufjen dhe formon numrin.) Dani? Po si je, or bir? A i bëre detyrat e shtëpisë? Po, mësimet i ke përgatitur? Ashtu, ë? Hajt mos u mërzit, se edhe ty ta gjen babi një punë në Televizion, edhe pse nuk e ke kryer fakultetin. Ma jep tash mamin! Alo, plako, ja edhe pak e do të vij në shtëpi. Më ka kërkuar njeri?… Askush. Ëhë… Çka ke bërë për drekë? Lakër me mish? Ëhë… Ëhë… Mrekulli… Hajt, ditën e mirë!… (E lëshon kufjen e telefonit.)
DUMDUMI: (Hyn me kandidatët për gazetarë, të cilët ulen nëpër karrige rreth e rrotull tryezës.) Zotëri shef, ne jemi gati, mund të vazhdojmë me testimin?
RRUMADUCI: Po mirë, kryeni ju testimin! Unë jam i thirrur në koktej te drejtori. E, nëse vjen Ipadëshiruari sot në redaksi, ia dorëzoni vendimin për pushim nga puna. Mos harroni t’ia jepni edhe dy qese bonbone t’ua dërgojë fëmijëve për Vitin e Ri!… Njëherësh, në emrin tim personal i dëshironi suksese të reja në punën e tij të mëtejshme letrare…
INTELEKTUALI I RREJSHËM: Si urdhëron, zoti redaktor! (Pasi ua shpërndan të pranishmve nga disa fletë.) Si duket puna, edhe këtë herë do të dalim faqebardhë… Detyrën do ta kryejmë me nder… Kryesorja është se do të shpëtojmë njëherë e përgjithmonë nga Ipadëshiruari… Këpucët e tij me taka korridorit…
DUMDUMI: Ashtu duket, koleg. Sipas numrit të pjesëmarrësve, i kemi disa kandidatë seriozë. Dhe, nëse është e thënë Ipadëshiruari të ketë pasardhës, le ta ketë ndonjërën nga këto bukuroshet… (I afrohet dhe i pëshpërit Intelektualit të Rrejshëm.) Si të duket kjo bukuroshja, që e ka hedhur këmbën përmbi këmbë? Talente e hatashme, ë?…
INTELEKTUALI I RREJSHËM: Kandidate e lindur dhe e përkryer për gazetare. I ka me vete të gjitha përgatitjet profesoniale. Shihet se ka njohuri të përgjithshme. Ose, kjo di ta përdorë lapsin siç duhet, ose unë nuk marrë erë nga gazetaria…
DUMDUMI: Dita e mirë, thotë populli, shihet në mëngjes. Nuk qenka gabim as shefi i katedrës bashkë me shokë, që i kanë dhënë diplomën e fakultetit. Pastaj edhe intervenimet që bënë për këtë bukuroshe. Pajtohem plotësisht me shefin e katedrës, që qysh në fakultet ua cakton vendin e punës. Ti do të punosh në redaksi të gazetave… Ti ‑ në Institut… Ti ‑ asistent në katedër… Ti ‑ drejtor shkolle… Ti ‑ në radio… Ti ‑ në televizion…. Ti ‑ deputet në Parlament… Ti… Zotëri, vetëm kjo ma mbush syrin për gazetare. Qëndrimi i saj tregon se ka lexuar shumë edhe natën… Talentin që e ka për art, ne duhet ta marrim parasysh në këto çaste të vështira për gazetarinë…
INTELEKTUALI I RREJSHËM: (Kandidatëve ua mbledh fletët dhe, pasi ata të gjithë e lëshojnë zyrën.): Po, ku guxon, ore, kësi cope të mos ketë talent. Shumica e redaktorëve do të dëshironin ta kenë vetëm në zyrë. E ata të televizionit, para testimit, do ta shëtitnin edhe kafene më kafene… E sa për materialet, kush nuk do t’ia shkruante kësaj bukurosheje?…
DUMDUMI: Unë i pari. Unë do të shkruaja për të natë e ditë, vetëm ta kisha në zyrë!…
INTELEKTUALI I RREJSHËM: Jo ti, po unë. Ku di ti të shkruash për gazetë. Dy fjali nuk mund t’i lidhësh bashkë. Kjo copë, këtë herë, më takon mua, unë i pari e pashë së është talente, se ka vlera të pakapërcyeshme artistike… Pastaj, ti e more herën e kaluar konkursin, kur e pranove atë flokëzezen… Tash mund t’i kënaqësh vetëm sytë. Se, kjo më takon mua t’ia mësoj mjeshtërinë e gazetarisë…
DUMDUMI: Ohohohooo, kush do t’ia mësoj mjeshtërinë e gazetarisë! Po ti, ore, nuk di t’i hedhësh dy fjalë në letër. Nuk merr erë nga gazetaria. E zonjusha duhet ta ushtrojë profesionin…
INTELEKTUALI I RREJSHËM: E sheh, pra. Ja, mu ky burrë do t’ia mësoj profesionin… Në do të dish më shumë, po më shkoi pak për qejfi, do ta bëj edhe redaktore.
DUMDUMI: Hi – hii ‑ hiii… Nuk ma merr mendja. E them këtë se deri më sot nga shkolla jote nuk ke nxjerrë asnjë redaktor. Të gjitha atyre që ua ke mësuar ti profesionin e gazetarisë, një ditë kanë qenë të shtrënguara t’i lëshojnë redaksitë.
INTELEKTUALI I RREJSHËM: Gabon, zotëri. Gabon. Redaksinë e kanë lëshuar vetëm ato, kur e kanë kuptuar një ditë profesionin, që e kanë zgjedhur kërkon edhe prirje. Se, gazetarja e mirë duhet t’i ketë të gjitha me vete, po qe nevoja, me gjithë laps të flejë edhe në shtrat. Gazetaria kërkon mund, sakrifica, djersë, net pa gjumë…
DUMDUMI: E sheh, pra… Ende tash nuk e ke të qartë Mu për këtë them, se unë duhet t’ia mësoj profesionin. E di si duhet të sillem, si ta mpreh lapsin, si t’ia ndez zjarrin…
INTELEKTUALI I RREJSHËM: Hi – hii ‑ hiii… Budallai. T’ia ndezë, thotë, zjarrin. Po, nuk do ta piqësh bukën, ore i krisur! Zjarri në këtë rast duhet të shuhet, t’i hidhet ujë. E një gjë e tillë vetëm mua më shkon ndoresh…
AUTORI I DISA LIBRAVE: (Hyn me disa dorëshkrime në duar.) Ç’është gjithë kjo poterë në këtë zyrë?!
DUMDUMI: Ja, garojmë në profesionin e gazetarisë… Kemi rënë në konflikt me kolegun se cili do ta ushtrojë gazetaren e ardhshme në profesionin e gazetarisë…
AUTORI I DISA LIBRAVE: Ëhë, e vendosët?
DUMDUMI: Jo, nuk mund të merremi vesh. Se, që të dy jemi kandidatë seriozë…
AUTORI I DISA LIBRAVE: Punë e lehtë, vini bast!
INTELEKTUALI I RREJSHËM: Mirë t’u kujtua, zotëri. (I drejtohet Dumdumit.) A pajtohesh, he burrë me tirqi e xhamadan?…
DUMDUMI: Edhe pyet, ë? Po.
AUTORI I DISA LIBRAVE: (I nxjerr dy fije shkrepseje nga kutia.) Fija e shkurtër humb, e gjata e fiton bukuroshen. Tërhiqe! (Ia afron fijet e shkrepsës.)
INTELEKTUALI I RREJSHËM: (E tërheq njërën me hamdje.) Pthu! O Zot, si më doli e shkurta! (E flug në dysheme.)
DUMDUMI: Opaaa, më buzëqeshi fati! E fitova edhe këtë herë bukuroshen! (Kërcen nëpër zyrë nga gëzimi. U bie duarve shuplakë si pehlivan.)
INTELEKTUALI I RREJSHËM: E dita unë se nuk kam fat. Nuk duhej të vija bast me këtë dinak partiak. I papërvojë jam në këto punë politike. Gjithmonë më të mirat i ka marrë për vete, t’ua ushtroj profesionin partizaneve “artistike”…
GAZETARI ME GËRSHËRË: (Hyn me disa fletë në dorë. I drejtohet Autorit të disa librave.) Zoti redaktor, e bëra gati materialin për Orën letrare që u mbajt me rastin e Muajit të Librit.
AUTORI I DISA LIBRAVE: Mirë, lërma mbi tryezë, do të shoh t’i gjej vend për numrin e nesërmë të gazetës partiake.
NANAÇI: (Hyn edhe ai në zyrë.) Ohohohooo, shikoni në zyrën e kujt ia paskan shtruar bisedës! E unë budallai i kërkoj në zyrë, mbi makina të shkrimit…
AUTORI I DISA LIBRAVE: (I drejtohet Dumdumit.) A je sonte kandidat për të shkuar te shefi, t’ia urojmë martesën me një nuse të re?
DUMDUMI: Mirë t’u kujtua, duhet të shkojmë se e kemi të shtëpisë.
GAZETARI I TREDHUR: Po, shefi është i martuar, koleg?! Edhe, ka fëmijë…
DUMDUMI: Ka qenë, por tash e ka marrë sigurisht edhe ndonjë të re, si kukull. Shefi ynë nuk është aq budalla të plaket vetëm me një grua.
AUTORI I DISA LIBRAVE: Ashtu, pra: siç, u morëm vesh, sonte do të shkojmë te shefi me dhurata martesore. Dakord?
DUMDUMI: Dakord. Në ora njëzet, pra, takohemi para çasjtores “ CUFA”.
KOMUNISTI I ARRATISUR: (Hyn në zyrë me plot dekorata në gjoks.) Tungjatjeta, burra!
DUMDUMI: Tungjatjeta, plak! Urdhëro, ulu në karrige!
KOMUNISTI I ARRATISUR: Falemnderit, po nuk e kam ndërmend të rri gjatë kohë. E kam një dert të madh unë, hallexhiu…
INTELEKTUALI I RREJSHËM: Për hajr qoftë, o burrë! Na e trego hallin!
KOMUNISTI I ARRATISUR: Eh, o burra! Plaku dikur e ngriti zërin edhe në mes të Beogradit. Gjatë komunizmit morën funksione e pensione lufte, edhe shumica që nuk e kishin bërë “baaam” në Federatë. As, edhe në luftë si “komandantë”. Edhe unë, thashë, pse të mos e shijoj pak funksionin. Punë e madhe çka do të thonë nacionalistët. Kryesorja ‑ të më tymojë drejt oxhaku. Në pleqëri do të ulem t’i shkruaj memoaret. Po, kungulli nuk shkuaka gjithmonë mbi ujë. Në demokraci ndryshuan kohët, erdhi çasti që edhe unë si shokët komunistë ta shaj monizmin me nanë e babë, të kërkoj strehim në Kryesinë e Partisë të Zarzavateve… Kohën e fundit e pash të udhës me disa veteranë të komunizmit të formojmë edhe një parti të re edhe më ekstreme për të drejtat e barabarta të shqiptarëve. Plaku, biro ka eksperiencë nga komunizmi i “vëllazërim – bashkimit”, dhe duhet të shfrytëzohen aftësitë e luftës strategjike shqiptare… Dyluftimet partiake në foltore… T’i dalim zot Maqedonisë me parti politioke shqiptare…
INTELEKTUALI I RREJSHËM: Punë e lehtë kjo, o burrë me tirqi e xhamadan! Edhe unë si aktivist i dëshmuar para Vetëshërbimit të kukullave në “Bit ‑ Pazar”, përpiqem të zë një vend të merituar në Kryesinë e Partisë të Zarzavateve!…
KOMUNISTI I ARRATISUR: Po, ti nuk je antëtar në Kryesi?! Kjo nuk është zyra e Partisë së Zarzavateve me “Din e Iman”?!…
INTELEKTUALI I RREJSHËM: Jo. Kjo është redaksi… Redaksi e “Klubit të Tollumbave”…
KOMUNISTI I ARRATISUR: Unë paskam ardhur në polici?!…
INTELEKTUALI I RREJSHËM: Jo, zotëri. Ne jemi redaktorë… E kjo është redaksi…
KOMUNISTI I ARRATISUR: Ehë, tash e kuptova ngjarjen. Domethënë, nuk jeni inspektorë të policisë, po jeni redaktorë…
DUMDUMI: Po, zotëri… Ne punojmë në gazetë. (Hapat me taka dëgjohen korridorit.)
INTELEKTUALI I RREJSHËM: Hesht!… Epërdredhura…
DUMDUMI: Ohohohooo… Epërdredhura… (Duke i fërkuar duart çohet më këmbë dhe e hap derën. Papritmas hyn Ipadëshiruari.)
IPADËSHIRUARI: Zotërinjtë e mi, lehtë është të hiqeni si demokratë në mes të Shkupit, zhytur në kolltukë me gojën plot parulla demokratike. Po, ejani një ditë edhe në Zajas, në fshatin e Mefailit!… Mes atyre maleve kokë më kokë… Vetëm, me një kusht, që të mos i mbushni brekët… Hi – hi ‑ hiii… T’i dalim zot Maqedonisë… (E hedh një petarkë në mesin e tyre e cila pëlcet si bombë mes këmbëve. Dhe, të gjithë nga frika shtrihen në dysheme, përveç tij Ipërdredhurit. Dikur, e hap derën dhe del duke qeshur në korridor.)
INTELEKTUALI I RREJSHËM: Gjizë na e bëri Ipadëshiruari. Ne jemi menduar të tallemi pak me të, ta kalojmë kohën, po, si duket, është i shëtitur dhe i gojës. E shkrepi edhe një fishek mu në mes të Shkupit. Po, edhe ne nuk u dorëzuam aq lehtë, pa i treguar grushtat… Sa bën ora?
AUTORI I DISA LIBRAVE: Trembëdhjetë e njëzet minuta.
DUMDUMI: Koha qenka afruar të ikim edhe ne në shtëpi mes grave. (E merr çantën.) Energjinë duhet ta ruajmë edhe për nesër. Ditën e mirë, zotërinj! (Del.)
INTELEKTUALI I RREJSHËM: Edhe unë shkova, o burra!… Mjaft punova sot për Ditën e Nesrërme. Ditën e mirë! (Dalin njëri pas tjetrit edhe të tjerët nga skena.)
(Skena errësohet. Muzikë.)
PJESA E TRETË
Shënime nga “Bit ‑ Pazari”, në Shkup.
Dritat ndizen, dhe shuhen në skenë mbi tavolinën e drurit arrës të Babait. Edhe, mbi një llambë mbi tavolinë, Zyra e redaksisë me tri tryeza përaballë. Një llambë mbi tavolinën e punës të Shkrimtarit. Dhe, një makinë shkrimi. Rafti me libra. Telefoni… Në një kënd ka lëshuar shtat një bimë tropikale. Ndërsa, pranë dritares rri e heshtur fotografia e Shokut Tito…
AUTORI I DISA LIBRAVE: Dumdum, dëgjove çka ndodhur mbrëmë te shefi?
DUMDUMI: Jo, e çka?! Mos e ka shkruar shefi edhe një libër të ri me tregime?
AUTORI I DISA LIBRAVE: Jo, ore, çfarë libri të ri me tregime? Mezi i shkruajti dy broshura politike. Madje, kur e pa se do ta avancojnë në pension. E molën mirë “vëllezërit” si lopën qe disa vjet. E, më në fund, e çuan te kasapi…
DUMDUMI: Atëherë, me siguri gruaja besnike ia ka mbyllur derën, dhe e ka lënë jashtë, gjithë natën si qen me zgjebe pas Shtëpie?
AUTORI I DISA LIBRAVE: Jo, ore. Jo. Nanaçi kishte dashur mbrëmë t’ia urojë i pari martesën. E kishte vizituar me gjithë gruan besnike.
DUMDUMI: Siii?! E ka vizituar me gjithë gruan besnike në shtëpi?! E, në të vërtetë, ne vetëm pak u tallëm, bëmë një shaka me Nanaçin. Kësaj nuk i vjen aspak era e mirë politike. Prite tash mbas një jave, kur Nanaçin do ta avancojë për merita artisitike në redaksi…
AUTORI I DISA LIBRAVE: Ndodh. Nuk i thonë kësaj shaka. Nanaçi e kishte dërguar edhe një takëm prej kristali, në përurimin e Gruas të tretë besnike…
DUMDUMI: Si, edhe takëmin nga kristali ia ka dërguar shefit në shtëpi?!…
AUTORI I DISA LIBRAVE: Po. Po, takëm nga kristali… Buketë me lule… Edhe një bonbonierë nga më të shtrenjtat nga “Qendra Tregtare”… Përkarshi “Parkut të Grave”…
DUMDUMI: Mos e zgjat më shumë, zotëri! Të gjitha i kam të qarta si dritën e ditës. Edhe, natës me hënë. Nuk duhet të kalojë shumë kohë, pas një jave, vetëm prit kur do t’i dalë tymi…
AUTORI I DISA LIBRAVE: Hi – hii ‑ hiii… Ku do t’i dalë tymi? Në ndonjë vend pune më të rehatshëm, redaktor. Po, gruaja e Rrumaducit, kur e kishte kuptuar qëllimin e vizitës, të gjithë i kishte përzënë nga shtëpia… Më kot e luste shefi pas dere, atë e kishin kapur ato të vetat…
DUMDUMI: Hi – hii ‑ hiii… Po, Rrumaduci do t’ia lidhë disi kryet. Do të thotë: Vetëm ai mendon diçka të mirë për shefin. Asnjërit nga ju, nuk iu kujtua të ma ndjellë një fat të tillë, të ma shpërblejë mundin. Mu për këtë duhet ta avancojmë në postin e redaktorit. O imzot, kush do ta durojë nga disa herë në ditë, duke u fryrë korridorit të redaksisë. Kokën duke e ngritur lart si kalë dhe duke ecur në majë gishtash pas dyerve të zyrave redaksisë. Flokët e lëmuara, hedhur pak mbi veshë. Tamam redaktor i përkryer me të gjitha meritat artistitike…
AUTORI I DISA LIBRAVE: Sa për mua, nuk prish punë, unë edhe ashtu kam mjaft obligime me libra. Do të mbyllem në zyrë dhe do të shkruaj ndonjë libër. Ndodh në ndonjë tregim ta kem edhe si personazh. Vetëm zhurmën e këpucëve “trrak ‑ trrak” do t’ia dëgjojë korridorit. Asgjë më shumë, zotëri. E një ditë edhe në libër…
GAZETARI I TREDHUR: (E hap derën.) Tungjatjeta, burra! Ju të dy qenkit këtu?! Ende nuk e keni lëshuar zyrën e redaksisë?
AUTORI I DISA LIBRAVE: Këtu, po ku deshe ti të shkojmë në polici? Mos deshe të shkojmë në Mars? Apo, në ndonjë livadh me lule?…
GAZETARI I TREDHUR: Jo, nuk e pata për në Mars! Përtej Qiellit… Prajsë… Apo, në polici. Por, thashë mos keni zbritur ju në bufe, në Teatrin Shqiptar?!. Kokë më kokë ta pini me mua një rraki rushi. Edhe ju, më në fund, siç u ka hije, ta pini kafen me llokum… Ҫaj rusi… Raki rrushi…
AUTORI I DISA LIBRAVE: Me cilin mik të zbresësh në bufe, me Gafurrin? Apo, me rrufjanin e partive politike?!… Mysafirët e kanë vështirë të arrijnë deri te kjo zyrë redaksie politike. Intelektuali i Rrejshëm gjithë ditën e gjatë i pret në korridor, para dere…
GAZETARI I TREDHUR: Mirë, de, mirë. Nuk e pata për qëllim t’i marrë të tjerët nëpër gojë…
AUTORI I DISA LIBRAVE: Ti nuk e pate, por, ja, po ta them unë, se: bufenë e redaksisë e hap dhe e mbyll Intelektuali i Rrejshëm. E nis bisedën për letërsi dhe del në tregti. Nuk harron t’i ilustrojë edhe me ndonjë bukuroshe. Sa për mua, mund t’ia vënë dryrin. “Trraang”…
GAZETARI I TREDHUR: Prozë e gjatë. T’i lëmë këto, se nuk kanë fund. E unë nuk e kam ndër mend të shkruaj roman. Po, të kthehemi te mbledhja e redaksisë!
AUTORI I DISA LIBRAVE: Hë, mos ka farë ndryshimi? Apo e kemi shtyrë mbledhjen për ndonjë ditë tjetër? Vërtetë, sot një vendim i tillë do të ishte i mirëseardhur, se kam punë.
GAZETARI I TREDHUR: Për ndonjë ndryshim, hiç mos i fërko duart! Nuk e kanë thirrur sot shefin në përurimin e ndonjë libri në “Unionin e viçave”… Edhe ndonjë ditë do t’i zgjatet dita qengjit. Po, më tha se për shkak të lokalit do të mbahet në këtë zyrë.
AUTORI I DISA LIBRAVE: Dreqi i marrët të gjitha! Orë të tëra do të m’i shurdhoni veshët. Kush do t’i durojë deri në fund marrëzitë e ditës…
GAZETARI I TREDHUR: Koleg, merre fjalën prapë! Gabon. Mos luaj me artin! E bukura është e bukur. Vlerësimi i materialeve të gazetës nuk është marrëzi…
AUTORI I DISA LIBRAVE: E di, zotëri. E di. Nuk është hera e parë që merremi me këto mrekulli. Populli thotë: “Plaka krihet e katundi digjet në flakë”. (Në dhomë hyjnë edhe të tjerë me nga një numër të gazetës.)
INTELEKTUALI I RREJSHËM: (Pasi i lëmon flokët me dorë dhe e ndreq kravatën e larme, e vë gishtin te goja. Mendohet pak, duke e shikuar tavanin. Dikur, pasi merr guxim, shikimin e zbret tinëz mbi disa shënime në një fletë letre.) Mirëmbrëma, Maqedoni!… Zonja dhe zotërinj, po e hap mbledhjen e sotme me këtë rend dite: 1) Vlerësimi i materialeve në gazetë; 2) Pranimi i një redaktori në rubrikën e kulturës, i një gazetari sipas konkursit të shpallur në gazetë dhe 3) Të ndryshme. A ka ndonjëri të shtojë edhe diçka, ndonjë pike tjetër? Jo, nuk ka. Domethënë, që pajtoheni me këtë rend dite.
RRUMADUCI: (E merr fjalën për diskutim.) Zonja e zotërinj, numri i fundit i gazetës është për çdo lëvdatë. Meritë të madhe për këtë sukses ka redaktori i rubrikës së politikës. Materialet e kësaj rubrike këtë herë janë përkthyer vërtet pa gabime. Lexuesi i flaktë, që e pret gazetën në rreshtin e gjatë para qoshqeve, me të vërtetë ka pasur çka të lexojë brenda atyre faqeve. Ngjarjet në botë, ngjarjet në vend… Vizitat e ndryshme… Lufta me nacionalizmin, separatizmin… Mitingjet e solidaritetit… Grevat e minatorëve… Demonstratat në Armeni… Protestat e studentëve në Peking… Kërkimi i armëve… Tubimet e grave… Sekuritaten… Kongresin e Prosperitetit… Tribunat e “Unionit të viçave”… Po, çka do ai më tepër, për aq para sa kushton gazeta jonë, unë mendoj se i ka shumë ato lajme…
GAZETARI ME GËRSHËRË: Gazeta në mes lëvdatave që i përmendi zotëriu, është edhe për pak kritikë. Titulli i reportazhit ka dalë pa një shkronjë. Zotërinj, të kuptohemi njëherë, gabimeve të tilla të mëdha duhet t’u vëmë pikë. Pastaj, po në atë reportazh, një fjali nuk e ka një presje. Po, a jemi ore ne njerëz të kalemit, apo jo? Deri kur do t’i kalojmë në heshtje këto gabime? Gabim i rëndë për mua është edhe ai në faqen e fëmijëve, ku në një vjershë emri i përveçëm është shkruar me shkronjë të vogël. Ku është këtu roli yn si mësues të dytë të drejtshkrimit? Në vend që nxënësve t’u tregojmë si duhet të shkruhet pa gabime, ne u tregojmë si të shkruajnë me gabime… Edhe në rubrikën e sportit e kemi lëshuar një gabim teknik. Topin e kemi shkruar me shkronjë të madhe.
Shihni, zotërinj, sa gabime vetëm në një numër! E ne, një ditë duhet të aftësohemi në këtë profesion gazetaresk, që na e ka besuar populli. Koha është, që edhe ne diçka të re të nxjerrim nga koka. Po, numri i fundit nuk është për çdo kritikë. Faqeve të tij ka vërtet edhe materiale të mira. I tillë është komenti i Gazetarit të Tredhur. Kolegu ynë, zotërinj, me të vërtetë ka talent. Herë pas here delë edhe me pseudonim. Po, kush ka tjetër, ore aq aftësi, sa ta përkthejë në gjuhën tonë edhe emrin e fabrikës?! Askush. Ja, zotërinj, çka do të thotë talenti… Aftësia… Puna… Gazetarit me gërshërë i duhet Ndihma e shpejtë, që mos dalë me pseudonim, por me emër e mbiemër. E, aq më keq, asnjërit nga ne nuk i kujtohet ta shpërblejë punëtorin. Ose, fundi i fundit, t’ia shtrijmë edhe dorën. Të lumtë, zotëri, se na e zbardhe fytyrën!…
RRUMADUCI: Unë plotësisht pajtohem me diskutimin e kolegut. Nuk duhet t’i heshtim anët negative, por duhet t’u biem grushta. Kokën t’ua shtypim si gjarprit, që edhe një herë të mos na dalin papritur e pa kujtuar nëpër faqe. E, kur është pyetja te lëvdatat, si materiale më të përkryera, kësaj radhe i meriton Gazetari me Gërshërë, me shënimet nga “Bit – Pazari”. Ai, o vëlla i dashur, di çka t’u zgjedhë lexuesve për gazetë. E paralajmëroi popullin shqiptar, se: komandantët e UҪK -ës, janë spiunë të Serbisë?! Plot mund e djersë ia rezervoi lexuesit të flaktë shqiptar artikujt më të mirë ushqimorë: domatet, specat, qepët, mollët, dardhat, rrushin… Kolegu ynë shihet se ka talent, ai për lexuesin e gjen edhe suxhukun më të mirë… Madje, mu para Vetëshërbimit në “Bit – Pazar”…
AUTORI I DISA LIBRAVE: Kolegut, në mos i besofshim për të tjerat, për suxhukun duhet t’u biem duarve. Pse t’ia kemi inat, e ka qëlluar burri i botës. Edhe këtij i thonë talent. Me siguri në zyrë ka ruajtur edhe për ne një copë. E di ai ku i drejton kritikat e ku lëvdatat…
INTELEKTUAL I RREJSHËM: Zonja e zotërinj, unë mendoj se mjaft e vlerësuam për sot gazetën “RRENA”, të kalojmë në pikën e dytë të rendit të ditës. Pika e dytë është: Emërimi i një redaktori në rubrikën e kulturës. Para se të kalojmë në propozime, t’i them unë edhe disa fjalë. Ju e dini se redaktori i deritashëm shkon në detyrë të re, zëdhënës në Qeveri. Këtu ne s’kemi çka të diskutojmë, vetëm se zotëriut t’ia urojmë detyrën e re, dhe t’i dëshirojmë suksese në punë. Kjo më ka marrë fund. Por, ne duhet t’i hapim mirë sytë se kush do të vijë në vendin e tij. Redaktori i kësaj rubrike, zotërinj, duhet të jetë ai që ka përnjëmend më së shumti merita. Po, çfarë merita? Dihet se çfarë zotësie kërkohet për ta redaktuar këtë rubrikë. Zotëriu pikësëpari duhet të ketë aftësi morale e intelektuale… Të jetë dalluar me shkrime kundër nacionalizmit, irredentizmit shqiptar dhe t’i njohë mirë arritjet e letërsisë te ne dhe në botë…
DUMDUMI: Unë, zonja e zotërinj, mendoj se ai vend i takon Nanaçit. Ai kohën e fundit është dalluar me shkrime nga Parlamenti, e sidomos me deklaratat e Intelektualit të Rrejshëm. Vërtet, nuk ka shkruar asnjë vjershë, asnjë tregim me përjashtim të një libdri me pizi… Por, kjo s’do të thotë gjë, ka kohë. Jeta është e gjatë. Mund të shkruaj më vonë, kush mund t’ia ndalë hovin… Asnjë vjershë nuk e kishte të shkruar, kur u bë redaktor edhe Intelektuali i Rrejshëm, po shihe tash, askush nuk mund t’ia ndalë lapsin. Vetëm në revistën që e redakton ai, për çdo numër ke nga dy ‑ tri vjersha e një tregim edhe me pseudonim.
INTELEKTUALI I RREJSHËM: (E merr përsëri fjalën.) E unë, zonja e zotërinj, them më së miri është ta qesim në vota.
RRUMADUCI: Mirë e ka zotëriu, të veprojmë sipas rregullave të artit! Kjo është punë më me mend… Asnjërit nga ne nuk do t’i mbetet hatri…
E PËRDREDHURA: Të votojmë, zotërinjë! Të votojmë! Se nuk e kemi bërë këtë arë të babait, kujt t’i teket, sa herë të dojë, të korrë e të bëjë ugare…
INTELEKTUALI I RREJSHËM: Mirë, atëherë, kush është për? Një, dy, tre, katër, pesë, gjashtë, shtatë, tetë… Kundër? Asnjë. Zonja e zotërinj, në rubrikën e kulturës, pra, që nesër mund ta vazhdojë punën zoti Nanaç. Urime, zoti Nanaç!…
E PËRDREDHURA: Urime, zoti Nanaç! Urime!… Që nesër nuk ke pse të ankohesh edhe ti, o i mjerë, se me cilin do ta pish kafen. Që nesër edhe zyrën tënde do ta vërshojnë vjershat, tregimet… Ohohohooo, por, kur do të të vijë edhe ty ajo Poetesha e urtë si pulë… Ose ajo Flokëgjata me një fletore nën sqetull plot me vjersha…
RRUMADUCI: Zonjë, lëri për ditë tjetër urimet! Koha nuk na pret, e ne duhet sot të vendosim edhe për gazetarin. Pra, fjalën e ka komisioni i pranimit, të shohim se çka na ka zënë në rrjetë.
DUMDUMI: Zonja e zotërinj, nga njëqind lutjet që i pati komisioni për shqyrtim, gjashtë i diskualifikoi si të pakompletuara. Njërën, se në dokumente kandidatja i kishte harruar pesë mijë marka. Tjetrën, se lutjen e kishte shkruar si të ishte vjershë dashurie. Të tretën, se në lutje i kishte vënë buzët e kuqe në vend të nënshkrimit. E ajo që më nervozoi më tepër, ishte ajo që në vend të emrit dhe të mbiemrit të vet e kishte shkruar atë të burrit qeveritar. O imzot, alamet burri! Emër plot tituj e shpërblime. Njëri nga ata të ndershmit. Emër i nderuar dhe i shëtitur zyrë më zyrë… Kabinete… Kolltuk më kolltuk… Mu për këtë komisioni më së shumti u përcaktua për lutjen dhe tekstin e Gazetares së Hijshme. Talente e rrallë, o vëlla! Lapsin do ta bëjë tym e mjegull në gazetë. Pra, ne që të tre anëtarët e komisionit dalim para këshillit të redaksisë me një propozim të këtillë që nuk duhet ta luajë as topi…
INTELEKTUALI I RREJSHËM; Zonja e zotërinj, e dëgjuat mendimin e komisionit. E hap diskutimin për vendosje.
NANAÇI: Sipas mendimit tim, komisoni e ka kryer detyrën me përgjegjësi dhe me nder. E kanë zgjedhur kandidaten më të talentuar, që, sipas mendimit tim, ne na duhet mu një gazetare e tillë…
GAZETARI I TREDHUR: Unë, zonja e zotërinj, unë aspak nuk dyshoj në punën e shijen e komisionit. Grupi shihet se ka punuar pa direktivë të intervenimeve. E ka zgjedhur kandidateten që ka treguar më së shumti sukses në testim dhe e ka dëshmuar veten si gazetare…
INTELEKTUALI I RREJSHËM: Mirë, zonja e zotërinj. A ka të tjerë që duan ta marrin fjalën? Nuk ka, ë? Kush është për? Një, dy, tre, katër, pesë, gjashtë, shtatë, tetë…Kundër? Nuk ka. Atëherë, kalojmë në pikën e tretë.
RRUMADUCI: (E merr fjalën.) Zonja e zotërinj, duhet njëherë e përgjithmonë t’u vëmë pikë shëtitjeve nëpër zyra. Ndonjëri nga ne sikur e harron detyrën. Ja, mua një turist i tillë më ka marrë nga zyra reshonë, e tash, kur vijnë mysafirët, jam i shtrënguar të zbres në bufe.
E PËRDREDHURA: Zotëriu, le të na falë pak, se reshoja nuk e ka vendin në zyrë. Tryeza e punës nuk është për të fërguar vezë e suxhuk. Ne nuk duhet ta kalojmë kohën duke pjekur kafe, po mbi materiale, mbi makina të shkrimit…
DUMDUMI: E unë, oj zonjë e nderuar, nuk jam si ti të më pjekë kafe Rrumaduci. Të më ul në kolltuk dhe ta rrotullojë dy herë çelësin në derë…
E PËRDREDHURA: Shihe, shihe ti njëherë të poshtërin e botës… Të pafytyrën, njeriun e pacipë… Ka filluar të merret edhe me shpifje, thashetheme… Po, ore, nuk na e ka mbajtur ti qiririn… Burrin që e kam unë në shtëpi, jo vetëm mua, po edhe ty të bën këmbëekrye bashkë…
DUMDUMI: E ke, oj zonjë… E ke, po do edhe një në redaksi… E pangopshme je, nuk të pritet deri në shtëpi…
E PËRDREDHURA: E unë s’të kam faj ty, o i mjerë! Që për ty jam rrush i thartë… E ke vështirë të më arrish, të më këputësh, kapësh m e dorë me dorë… Fundi i fundit këtë të adhuruar nuk e kanë gjuajtur, kujt t’i teket dhe kush të kalojë atypari t’i shterrë herdhet… Nuk jam si gruaja jote t’i ngre këmbë në hava në mes grunajave…
INTELEKTUALI I RREJSHËM: Zonja e zotërinj, dikush prej nesh e kaloi kufirin shqiptar. E tepëroi me fjalë publistike. Mbëledhje i thonë kësaj, publistike. Zotërinj, e jo të “Bit – Pazarit”. Pra, me kaq e përfundojmë mbledhjen piblicisitke artisike për Ditën e Nerërme…. (Të pranishmit ngrihen më këmbë m e duratokitje, dhe nisin të dalin nga skena.)
(Skena errësohet. Dëgjohet muzikë.)
PJESA E KATËRT
Përzënia e xhindeve
Dritat ndizen… Shuhen, në skenë… Ndizen… Korridori i redaksisë. Herë pas herë dëgjohen të rrahurat e makinave të shkrimit. Nga një zyrë vjen edhe një muzikë e lehtë popullore. Dëgjohen zërat e të punësuarve. Telefoni. Zëri i një burri. Hapat e të Ipadëshiruarit me take në korridor. Dyert e zyrave herë pas herë hapen dhe mbyllen nga të punësuarit. Ndonjëri me çantë në dorë, ose krahëve ngutet korridorit për t’u fundosur sa më parë në kolltuk, për një sy gjumë. Dikush shpejton për në sallën e gazetarëve të luajë një parti shah. Një i tretë turret korridorit për të arritur me kohë në lojën e letrave… Vetëm dy veta me këmbëngulje rrinë me nga një lule në dorë…
RRUMADUCI: Sa bën ora?
DUMDUMI: (E shikon orën.) Tetë e pesëdhjetëepesë minuta.
RRUMADUCI: Dëm i madh! Nuk erdhi ende Ajo? E unë desha i pari t’i uroj mirëseardhjen!
DUMDUMI: Jo, mirëseardhje do t’i uroj unë, zotëri! Unë gjithë kohën kam bërë luftë për ta pranuar në punë. Ti gjithë ditën e gjatë vetëm ia ke shtruar me meze e ndonjë gotë raki. Plus tash del vullnetar të ma rrëmbesh nga duart në mes të ditës…
RRUMADUCI: Pse, unë nuk kam bërë luftë?! Po, cili përveshi duart i pari kundër Kryetarit të “Unionit të viçave”, kur deshi ta pranonte atë vajzën e motrës. Unë, ore, unë. Unë isha ai që ia përplasa të gjitha në fytyrë. Ti e mbylle gojën si me dry dhe gati sa nuk hyre nën tryezë.
DUMDUMI: Po, kundër Intelektualit të Rrejshëm, cili i tregoi dhëmbët? Hë, thuama këtë, zotëri! Ma thuaj! Ti e di çfarë kurrizi ka ai, të elefantit dhe vetëm që nuk fle përpara Vetëshërbimit të kukullave në “Bit‑Pazar”. Këmbët, kur i ngul ai, nuk mund ta shkulë dot as eskavatori. Punën, kur të dojë, e ndërron, zyrën… Banesa, a i mori dy brenda një viti? Jo, dydhomëshe e kam pak, dua katërdhomëshe! E ti për njëzet vjet pune nuk mund ta marrësh as një kotec pulash…
RRUMADUCI: Ore, lëri gjithë e gjithë, por qyshkur u bë redaktor, ka vendosur të bëhet edhe shkrimtar. Poet. E botoi edhe një libër me pizi erotike.Vjershat dhe tregimet që i shkruan, burri i botës i boton me emër e pseudonim në revistë. Alamet shkrimtari. Talent i rrallë, që do ta tregojë veten edhe në letërsi. Njëri më tha që e paska dorëzuar në redaksi edhe një roman…
DUMDUMI: E po, zotëri, kush të ka faj ty që nuk ke talent dhe nuk merresh me letërsi. Intelektuali i Rrejshëm e di se kujt i mundëson kushte për jetesë shoqëria. Mu për këtë ai natë e ditë rri mbi makinën e shkrimit, mbi libra…
RRUMADUCI: Jo, zotëri! Jo. Intelektuali i Rrejshëm nuk është vetëm talent, por edhe i përshtatshëm, i dëgjueshëm, i përdorshëm. Armë e parftive politike, ai i jep shoqërisë dhe nuk merr nga ajo pa djersë si ti me të dy duart….
EPËRDREDHURA: (E hap derën dhe vjen duke i përdredhur bythët korridorit.) Zotërinj, ju dy, si duket, sot nuk paskeni punë?! Gjithë orarin e punës keni vendosur ta kaloni në korridor…
DUMDUMI: E po, më mirë në korridor, zonjë, sesa në prehërin e Rrumaducit…
EPËRDREDHURA: Ore, ju siç duket, sot u paska shastisur krejt papunësia në redaksi! Nuk dini çka të bëni me kohën… Edhe, hapni derën…
INTELEKTUALI I RREJSHËM: Edhe na ka egërsuar, zonjë. Na ka çmendur, kur shohim kësi belkëputura korridoreve gjysmëtëveshura të redaksisë…
DUMDUMI: Zemra na bëhet mal… (I fërkon duart.) Rrugës do të na fluturojë nga kraharori mes yjeve… U bien duarve si pehlivanë… Ka dhënë mjaft edhe për ne zoti… Nuk bën të qahemi, se na dënon i Gjithëfuqishmi. E kemi mbi kokë…
EPËRDREDHURA: Ore, ju mos keni luajtur sot, ose keni shkelur në ndonjë grumbull magjish?… A i keni të gjitha në kokë?! Mos rastësisht ju kanë fluturuar nga koka në qiell?!…
INTELEKTUALI I RREJSHËM: Cilët, zonjë?!
EPËRDREDHURA: Mendtë. Mendtë, ore të krisur! Mendtë…
DUMDUMI: Po, a rrinë ato në kokë, oj zonjë, kur shohin kësi bukuroshesh?
EPËRDREDHURA: O zot! Këta me siguri i paska shkepur deri në vdekje çytek Tollosuni…
INTELEKTUALI I RREJSHËM: Aq më keq, zonjë, ende sa mundet me tokamak na mëshon në kokë deri në vdekje…
DUMDUMI: Mua, zonjë, më bëri edhe duart t’i fut në mes këmbëve…
EPËRDREDHURA: Ore, ejani në vete! Mos e ngritni zërin t’ju dëgjojnë edhe kolegët!
INTELEKTUALI I RREJSHËM: Zonjë, më shpëto, se ma nxori shpirtin!
EPËRDREDHURA: Çka të thotë?!
INTELEKTUALI I RREJSHËM: Të t’i përzë xhindet…
EPËRDREDHURA: Xhindet m’i ka përzënë Rrumaduci…
INTELEKTUALI I RREJSHËM: Zonjë, ai në ato punë madhore nuk ka talent artistik qeveritar… Shkopi i tij të lë në baltë…
EPËRDREDHURA: Ku e di ti?!
INTELEKTUALI I RREJSHËM: E di, se u takon gjysmëanalfabetëve… Qeverisë… Është i përdorshëm… I dëgjueshëm… Edhe, shefi me brekë të kuqe…
EPËRDREDHURA: O zot! Më shpëto nga gjysmëanalfabetët!…
INTELEKTUALI I RREJSHËM: Është vonë, zonjë. Vonë. Gjysmëanalfabetët janë të pamëshirshëm… Kokën e kanë të tepërt në qafë… Duart ua futin të tjerëve në mes këmbësh… Edhe, ua fërkojnë herdhet qeveritarëve… Ecin mbi varret e të parëve… Mbi kurrizin e popullit…
DUMDUMI: Zonjë, unë e di një ilaç kundër asaj fare të ndytë, asaj qelbësire…
EPËRDREDHURA: Tregoma, se m’u errën sytë!…
DUMDUMI: Eja sonte në orën, 20.00, hotelin “Fitorja”!
EPËRDREDHURA: Më herët nuk bën?
DUMDUMI: Jo, se mbrëmë më janë harxhuar bateritë…
EPËRDREDHURA: Në sa ora?
DUMDUMI: Njëzetë… Me siguri deri atëherë do të mbushen me energji deri në fyt…
INTELEKTUALI I RREJSHËM: (U bie duarve.) Rrau ‑ rrau, rrauuu… Me shëndet, zonjë!… I gjithë Qyteti do të ketë sonte dritë… Darkën nuk do ta hamë në terr…
EPËRDREDHURA: Edhe ti paç shëndet!… (Vazhdon rrugën, thujse fluturon korridorit.)
INTELEKTUALI I RREJSHËM: Hesht! (Hapat dëgjohen nëpër korridor.) Gazetarja e Hijshme! (E zgjat qafën edhe pak matanë derës.) Ptëhu, përsëri Ipadëshiruari. Dumdum, duhet disi t’ia bëjmë edhe këtij çarenë. Edhe pse e larguam nga puna, ky përsëri sillet nëpër redaksi. E ka vendosur të na çmendë brenda këtyre mureve…
DUMDUMI: Lëre gjithë e gjithë, po tërë kohën rri mbyllur me Havën me çizme… E heq veten njëfarë Don Zhuani në Ditën e Sotshme…
INTELEKTUALI I RREJSHËM: Budallai, ta kujton gozhdën e Nastradin Hoxhës… Mos mendon se ende ka hise këtu, në Shqipëri?!…
DUMDUMI: Kushedi, mundet. Po, e di çka?
INTELEKTUALI I RREJSHËM: Hë?!…
DUMDUMI: Ec, të shkojmë e ta përgjojmë pas dere! (Nisen.)
INTELEKTUALI I RREJSHËM: Hesht! (E vë ngadalë veshin pas dere.)
DUMDUMI: Hë?!…
INTELEKTUALI I RREJSHËM: Nuk dëgjohet asgjë. Të hyjmë brenda!
DUMDUMI: (E shtyn derën.) E paska mbyllur me çelës!
INTELEKTUALI I RREJSHËM: (Troket.) Hape derën!…
IPADËSHIRUARI: (Përgjigjet matanë derës.) Ikni, më lërni rehat, se bëj lekturë!…
DUMDUMI: Hape derën! (Nervozohet, i bie me grushta.)
IPADËSHIRUARI: U thashë një herë, bëj lekturë… Madje çfarë lekture!…
INTELEKTUALI I RREJSHËM: Hape derën! (Kërruset të shikojë për vrime të çelësit.)
DUMDUMI: Hë, a e sheh të krisurin?
INTELEKTUALI I RREJSHËM: Po, bën lekturë…
DUMDUMI: Ohohohooo, lekturë… (I fërkon duart.)
INTELEKTUALI I RREJSHËM: Hesht! (Përsëri dëgjohet zhurma e takave korridorit.) Dumdum, vjen e bekuara! Ohohohooo… T’i dalim para!… (Nisen.)
DUMDUMI: (Korridorit turret i pari, por, posa duket ajo, i dëshpëruar i thotë kolegut.) Nëse qenka kjo, s’i vlen as pesë para…
GAZETARJA E HIJSHME: Mirëmëngjes! Ku është zyra e kryeredaktorit?
INTELEKTUALI I RREJSHËM: Ja ajo, në fund të korridorit. Majtas.
GAZETARJA E HIJSHME: Falemnderit, zotëri! (Niset teposhtë korridorit.)
DUMDUMI: Kolegë, edhe kjo farë bukurosheje, si duket, kërkon punë!? Po, guximtare që duket se, drejt e në zyrë te Rrumaduci. Të thuash se është Zhozefina e Napoleon Bonapartës…
INTELEKTUALI I RREJSHËM: E ka kot, zotëri. Jo të shkojë në zyrën e Rrumaducit, po të shkojë edhe te kryetari, asgjë për t’u lakmuar nuk ka e shkreta. Aq më keq, po të doli natën pranë varrezave, ta kallë datën. Njëqind kilomtra në orë u jep këmbëve për në shtëpi…
DUMDUMI: Hesht, u hap dera! Nuk ndenji gjatë në zyrë.
INTELEKTUALI I RREJSHËM: Eh, budallai që je ti, kurrë nuk u mbushe mend. Po, ku ke parë ti, Rrumaduci të mbajë kësi malli në zyrë…
DUMDUMI: Vërtet ashtu është, zotëri! Edhe unë e kam hetuar këtë fshehtësi të Rrumaducit. Kur hyjnë burrat, ose ndonjë e shëmtuar, nuk është në gjendje t’i dëgjojë deri në fund. E kur hyjnë bukuroshet e pispillosura, harrohet me orë…
GAZETARJA E HIJSHME: Zotëri, ku është salla e gazetarëve?
INTELEKTUALI I RREJSHËM: Ja, ajo dera në fund të korridorit! Po, prezentohu njëherë, zonjushë e bukur!
GAZETARJA E HIJSHME: Unë jam ajo gazetarja e re që më keni pranuar në punë këto ditë…
DUMDUMI: Po, sa më kujtohet mua, zonjushë, ti nuk ishe atë ditë në testim?!…
GAZETARJA E HIJSHME: Hi – hii ‑hiii… (Qesh.) E keni gabim, zotëri. Me siguri nuk mi keni vërejtur mirë bukuritë e hatashme atë ditë…
DUMDUMI: O imzot, a është kjo e mundur?! Çka më shohin sytë dhe çka më dëgjojnë veshët?! Në testim paska qenë një kandidate tjetër!…
RRUMADUCI: (Duke ardhur korridorit.) Çka the, koleg?!
DUMDUMI: Burra, ndonjëra na e paska hedhur me mjeshtëri! Na mori në qafë… (E lëshojnë këmbët dhe bie pa mend në mes të korridorit.)
RRUMADUCI: O imzot! O tokë, hapu ta fsheh së paku fytyrën!… (Rrëzohet edhe ai në anën tjetër pa frymë. Matanë, në anën e kundërt, rrëzohet si trung shelgu edhe Intelektuali i Rrejshëm me gjithë dorëshkrime…)
AUTORI I DISA LIBRAVE: (E hap derën dhe, kur i sheh këta të rrëzuar në mes të korridorit, bërtet me sa zë që ka.) Nanaaaç! Nanaaaç, shpejt thirre ndihmën e shpejtë!…
NANAÇI: (Vrapon nëpër korridor, duke bërtitur si i çmendur pa kokë.) Thirreni ndihmën e shpejtë! Ndihmën e shpejtë! Ndihmën e shpejtë…
EPËRDREDHURA: Ja, erdha! Erdha. (Vjen duke vrapuar dhe përkulet së pari mbi Rrumaducin, duke i dhënë artificialisht ajër gojë më gojë. E, kur i hap sytë, i jep edhe dy ‑ tri herë ajër edhe Dumdumit e, më në fund, edhe Intelektualit të Rrejshëm…)
GAZETARI ME GËRSHËRË: Zotërinj, nga e gjithë kjo, asgjë nuk e kam të qartë! Po, mos humbni shumë kohë, thirreni ndihmën e shpejtë…
AUTORI I DISA LIBRAVE: Hi – hii ‑ hiii… Pse, kjo ndihmë e shpejtë nuk ta mbush syrin? Nuk e ditke se në kësi rastesh te ne vjen në redaksi vetëm kjo ndihmë e shpejtë?… Madje, aty për aty të sëmurët i çon më këmbë… (Skena errësohet. Nëpër terr vrapon duke bërtitur një hije.)
SHKRIMTARI: Dritë, ju lutem! Dritë, ju lutem! Dritë! (Ndizen dritat.) Falemnderit. Ky qe fundi i satirës groteske. Komedi apo tragjedi moderne?!… Hi – hii ‑ hiii… Natën e mirë! (Del nga skena, duke i përshëndetur të pranishmit me dorë dhe përkulje. Nga altoparlantët dëgjohet kënga: “Vaj si qenka ba dynjaja”…)
(Errësohet skena. Ndizen dritat.)
(Fund)
Shkup, 1993
(Nga Libri: “Imzot, lehin qentë” (Shkup, 1993, 2002, 2013). Satirë groteske e përgaditur nga Trupa Teatrore e Kumanovës “Aleksandër Moisiu”. Dhe, e vënë në skenë para publikut në Kumanovë, Shkup dhe Kërçovë.