Mesazhe nga libri, “Krahina e Bendës në vargjet e mia”, të autorit Nuri Gjoni!

3
1769
Nuri Gjoni - poet

Ibrahim Kabili Prej disa ditëve kisha marrë një ftesë nga drejtori i Shkollës së Mesme Zall-Bastar, Ylli Hysa, poeti Nuri Gjoni dhe organizatori Hysen Hysa, për të marrë pjesë në një orë letrare me nxënësit e klasës 10-A në këtë shkollë. Kjo veprimtari ishte e një lloji të veçantë. Ishte e tillë pasi realizohej rreth mesazheve të librit të botuar nga mësuesi pensionist Nuri Gjoni, “Krahina e Bendës në vargjet e mia”. Libri me poezi ishte lexuar më parë nga nxënësit dhe pjesmarrësit e tjerë. Libri është një vlerë e shtuar dhe përcjell mesazhe për brezat…

Veprimtaritë të tilla letrare-artistike në shkollë kanë vlera arsimore dhe edukative. Ato thyejnë monotoninë e proçesit mësimor dhe motivojnë nxënësit për arritje të mëtejshme në punën me librin dhe proçesin mësimor…

Kabineti i letërsisë ku do zhvillohej aktiviteti, falë punës plot pasion të mësuesit Elmaz Lila, është kompletuar me stenda bashkëkohore që konkretizojnë pjesën më të madhe të programit të letërsisë. Po kështu falë punës në vite te drejtorisë së shkollës dhe të stafit pedagogjik janë krijuar ambiente të bukura dhe tërheqëse në shkollë. Klasat, kabinetet dhe këndi sportiv janë funksjonale. Shtuar edhe punën plot pasion të mësuesve sipas lëndëve e profilit, tregon se shkolla në të ardhmen do të ketë rezultate në rritje.

Në pritje të veprimtarisë letrare, bëra një bisedë me drejtorin e shkollës Ylli Hysa. Ai ndër të tjera shton: “Jam i kënaqur nga angazhimi dhe puna e kolektivit mësues nxënës për ecurinë e proçesit mësimor në shkollë. Pak kohë kam në këtë detyrë prandaj le t’ja lëmë të ardhmes, arritjet e shkollës. Unë e ndiej veten krenar që jam drejtor i kësaj shkolle, ku vetë mbarova arsimin e mesëm këtu. Kjo më obligon më shumë që të punoj me gjithë energjitë e mia në drejtimin e shkollës.

Po ndjek me përparësi gjithë ecurinë e planit mësimor edukativ të hartuar nga drejtoria e shkollës në fillim të vitit shkollor. Stafi është me arsim përkatës dhe i përkushtuar në punë. Shkolla është në kushte komode. Do të punoj edhe në drejtim të pasurimint te bazës materiale, plotësimin e laboratore dhe rifreskimin e ambientit figurativ të shkollës. Këto janë disa nga prioritetet e punës time në këtë shkollë. Po i kushtoj shumë vemendje edhe rregullit dhe disiplinës në shkollë”.

Ora letrare filloi në orën e katërt të mësimit. Ajo në mendimin tim qe ideuar mjaft mirë nga mësuesja e re e letërsisë Armela Merdani. Mëduesja në fillim të orës letrare përshëndeti nxënësit, mësuesit dhe pjesmarrësit në këtë veprimtari. Takimin letrar ajo e hapi me fjalët: “Siç jeni njoftuar më parë, sot do të argumentojmë një orë letrare të veçantë për tu njohur më mirë me vlerat natyrore, gjuhësore, kulturore dhe folklorike të krahinës së Bendës”. Gjatë orës letrare folën shkurt mësuesi i gjuhës Ylli Hysa, korrektori letrare Elmaz Lila, autori i tekstit Nuri Gjoni,etj. Fjala kryesore qe e nxënësve.

Ata krahas nxjerrjes në pah të vlerave artistike të librit në fjalë ngjallën interes tek të pranishmit edhe me recitime nga poezitë e librit në fjalë, me vënjen në pah të mesazheve që përcjell autori, me numra humoristik ku kritikonin ngarjet dhe fenomenet “kancerogjene” që na ka “servirur” koha. Ora qe e bukur, tërheqëse dhe me vlera njohëse dhe edukative. Orë të tilla “gjallërojnë” shkollën, motivojnë më shumë lexuesin, shtojnë dashurinë për librin. Ato rrisin njohuritë për vendlindjen dhe përgatitin brezin e ri për tu përballuar me sfidat e së ardhmes. Ora qe model, i’a arriti plotësisht qëllimit aq sa e lejoi koha. Urime mësueses së re në misionin e saj fisnik.

Megjithese se nuk jam i fushës përkatëse, duke lexuar dhe rilexuar librin, mendoj se autori përcjell shumë mesazhe:

Poeti i ka shkruar me shumë mall për vendlindjen e tij, Benden. Ky mall shtohet kur edhe ai pa “dëshirën” e tij është larguar prej saj, si shumë te tjerë. Në poezitë: Bendës sime, Dera e shtëpisë, Vetmia e shtëpisë, Panoramë në Zall-Bastar, Drejt vendlindjes, Fshati i braktisur, Të ëndërroj shtëpia ime e vjetër, Amaneti për dallëndyshen, Fshati i braktisur, Kjo është vendlindja, Fshati im, Atje ku dua varrin; etj, shprehet dashuria, malli dhe dhimbja për vendlindjen. Ajo është e shenjtë daj duhet të kthehemi pranë saj. Dallëndyshet e para kanë filluar të kthehen. Dhe duhet “detyrimisht” të kthehen, ku të thithin dhe ti japin oksigjen asaj. Ja si shkruan autori te poezia:

Bendës sime

… O vend i pasur,
Me lugina e male.
O vend i magjishëm,
O Bendë e madhe…

Në poezinë tjetër: Vendlindja, autori shpërthen fuqishëm me nota maksimale vlerësimi dhe shkon deri në himnizimin e saj:

Vendlindja

Vendlindja ëhtë djepi, mirësia.
Vendlindja ëhtë ëndrra dhe liria.
Vendlindja është besimi dhe shpresa.
Vendlindja është amaneti dhe besa.

…Vendlindja është dielli dhe era.
Vendlindja ëshë pragu dhe dera.
Vendlindja është pranvera…

E kush nuk e don pranverën?!! Të parat pranë saj, kthehen dallëndyshet. Autori ka edhe një amanet për to:

Amanete për dallëndyshen

O moj dallëndyshe
E urtë e me besë,
Për të parë shtëpinë time
Je e vetmja gjallesë.
…Që shtëpia ime
Mos të mbajë mërzi
Zogjtë e tu të vegjël
T’i duken si fëmijët e mi…

Autori përshkruan me shumë dashuri fshatin e tij të lindjes dhe fshatrat e tjerë. Te poezia:

Fshati im – shprehet:

…Kudo ka mrekulli,
Këtu është vetë jeta,
Ka mjaft pasuri,
Kështu është e vërteta…

Më poshtë shton:
Në rrëzë të malit
Ndodhet fshati ynë
Rreth fshatrat e tjerë
Ja shtojnë bukurinë…

Autori shkruan gjithë mall për prindërit e tij, për nënën, për babain… Asgjë nuk mund ta zevendësojë dashurinë e prindërve. Sot është e tronditur disi familja, janë çrregulluar raportet në të, ka dhe prindër që jetojnë të vetëm, ka edhe tjerë të braktisur. Mesazhi i autorit është; duajini prindërit sa janë gjallë, kthehuni, mos i braktisni kurrë ato.

Autori i thur lavde me gjithë fuqinë e shpirtit të tij; bukurive natyrore dhe perlave të vendlindjes, njerëzve të thjeshtë, njerëzve të punës, bejtexhiut Bastari, intelektualëve të zonës, misionarëve të dijes mësuesve, aktit heroik të dëshmorëve dhe dhimbjen për to, bukurisë femërore dhe djemve, shkruan dhe vlerëson me nota maksimale njerëzit e kulturës dhe artistët.

Vlerëson shumë nëpërmjet poezisë së tij artistët e mirnjohur; Bogdani, Çeliku, Bakiu, Veleshnja etj. Ai është mirnjohës dhe vlerëson punën e bërë në vite nga ato me grupet artistike të krahinës dhe arritjet e tyre pas viteve ’70.

Autori e përjeton në vargje, aktin heroik dhe dhimbjen për rënjen në krye të detyrës të dëshmorin Ibrahim Basha:

Dëshmorit të Bendës lbrahim Basha

Nga Bulçeshi i Bendës
I malësisë së Tiranës
Lindi Ibrahim Basha
Që ra dëshmor i zonës.

Më pas vjen mallkimi për vrasësin e Bimit:

…Hidhërove miq,
Sikletose shokë.
O ti pushkë që shtive,
Mos pac varr dhe gropë!…

Poeti në libër përshkruan me mjeshtëri jetën e Zenel Bastarit dhe vlerëson shumë bejtet e tij te:

Zenel Bastari

…Me ty krenohet zona
Dhe të gjithë brezat mbarë,
I pavdekshëm do jesh
O poet kombëtar.

Në fushën e kulturës ai jep mesazhe per ringritjen e saj. Duke qenë artist ai kërkon ndërhyrje nga shteti dhe mbështetje për kulturën dhe njerëzit e saj. Zona ka tradita të vyera dhe e ka treguar veten në të gjitha kohërat gjatë historisë. Autori ka thur vargje për; shumë njerëz e profesione, ustallarët e zonës, për ahengxhijtë, mullixhijtë, fillërojtësit, për fiset në zonë, për pensionistin e lënë pasdore, për bujarinë, mikpritjen, besën, për traditat dhe zakonet, etj. Mesazhi i autorit është se shoqëria jonë ka nevojë për të gjithë, e secili ka rolin e tij në zhvillimin e saj.

Autori e ngre zërin kundër; sjelljeve të keqia, korrupsionit, marrdhënieve me bazë interesi, ziliqarëve, zullumqarëve, lajkatarëve, servilëve, tradhëtisë bashkëshortore, lakmitarëve që kan si qëllim të vetëm paranë, etj.

Libri në vështrimin tim ka vlera të gjithanshme për gjithë banorët e zonës, nxënësit, studentët, mësuesit e gjuhë-letërsisë dhe jo vetëm, intelektualët, etj. Në libër nëpërmjet vargut poetik pasqyrohen vlerat dhe traditat më të mira të krahinës dhe njerëzve të saj. Te poezia e fundit autori do shprehej:

…Në agime mëngjesi dhe në orët e vona,
Në vatrat tona, në zemrat tona,
Tek ju i mora dhe tek ju i solla,
Në ugare e sofra, fidanet i mbolla.

Mesazhi tek kjo poezi është i qartë, poeti merr frymëzim nga njerzit dhe i çon me vargje krijimet e tij tek ata. Fidanet mbjellen dhe rimbjellen ne kohra…

Falenderoj Nuriun për këtë botim dinjitoz! I uroj suksese në krijimet e tjera!

Ibrahim Kabili
Tiranë më 16.05.2022

3 KOMENTE

  1. …e gjej me vend te falenderoj Prof. Ibrahim Kabili per punen e palodhur ne adresimin, promovimin dhe publikimin e vlerave njerzore historike e kulturore te zones se mirenjohur ne malesine e Tiranes, Bendes me shume bukuri natyrore e njerez punetor…
    Profesorit i urojme jete te gjate e pune te palodhur ne qellimin e tij fisnik…

  2. Profesor Mediu!
    Të falenderoj shumë që më lexoni në vijimësi!

    Faleminderit për fjalët e mira, vlerësimin dhe motivimin që bëni për mua duke më dhënë kurojo dhe forcë për të punuar edhe më shumë!
    Të uroj suksese në përmbushjen e detyrës tuaj fisnike për arsimimin dhe edukimin e nxënësve!

    Nga facebooku i Flavios, lbrahimi.

  3. Si nw ijimwsi TRINITRINA* mar sa lexoj te pa lodhurin Ibrahim Kabili, ish nxenes, ne vitet u ne ne ato zona MESUES e DREJTOR shkolle, kohe me arrtie qe me ben KREAN. Ish NXENESIT ne vite KREANARI e ZONES bere si Ju me NURI gjonin me shoke, pasues te brazave nismetare… Nga Nazll-Dajti ne tere krahinen nje fshat me prodhimtar ne *ARSIM-KULTURE*se tjetri. Ju faleminderi i miri te mirave Ibrahim Kabili, bere ZEDHENSI merituari asaj KRAHINE me VLERA. Nga tej oqeani ju lexoj me mendie e zemer mes asaj TREVE dhe BANOREVE te SAJ me te tille si Ju, i nderuar Ibrahim Kabili dhe Nuri Gjoni me shoke, KRUJUES-KREANIRI e BENDES-krah TAMADHESE si MOTER ne malesine e Tirane-KRENARI!. Guri -Naimit D.-Mbrodhesi ju uroj-une- *86 vjecari 1964-73-me *BENDE-TAMADHESE*nisur jeten e *MESUSINE*. Mbrodhesite ju shoqerrofshi, Krenarien dhe MIREQENIEN asaj KRAHINE ia shtofshi!. *Pauesi Veteran*- Me Ju dhe *VENDLINDIEN e DYTE*timen:-BENDE-TAMADHE-*Korieri Tuneleve te Selites*-buzequmesht Nise(1951-52) mes herronjve te KOHES.

    Me *Dhimbien e Madhe popull* po e neneshkruaj kete pershendetie nga tej oqeani, ne nisie per t’i marre EREN-trojeve AMTARE; nga DANGELLIA NAIMJANE aty ne BENDE e TAMADHE-t’u jap LAMTUMIREN, une sot, 86 vite ne kalim, fatkqesisht tej oqeanit. Ne NISIE jam… ARRIFSASHA!

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.