ME NAIM FRASHËRIN
i ndjeva gjëmimet
e fjalës së dritës
që mes mundimesh
bëri në Shqipëri
shekull të ri
në Stamboll
larg Tiranës
e larg Prishtinës
ndjeva goditjet
që merr
drita jote jona
nga ca shkapërdarë
në Prishtinë e në Tiranë
në Stamboll
të ndjeva thellësisht,
Naim i Shqipërisë
AYASOFYA
dalin
dhe kthehen sërish aty
njerëzit e bardhë
njerëzit e verdhë
njerëzit e zinj
vijnë nga shekulli 11
e nga shekulli fare i ri
21
vijnë edhe nga Iliria
në Ayasofya
nga muret burojnë si kroje
zërat e të gjithëve
në lutjet e bardha
shpirti nuk ka ngjyrë
në një gjuhë për të gjithë
flasin sytë
vetëm dashuri rrit drita
në Ayasofya
NË STAMBOLL
zgjuar rri
ose
sa të duash fli
ti
ha, pi, shit e bli
lirisht
në rrugë
e në treg
çfarë të duash vetë
rrugën shtroje me ëndrrën
që më s’e sheh
pastaj udhëto
vrapo
fluturo
deri atje
ku tokë
kohë
as qiell
s’ka më
deri atje
ku s’ka më
as det
as planet
pulëbardhë
krahartë
që ia rrit blunë
natën e parë
qiellit
e natën e dytë
detit
(Stamboll, 10, 11 e 12 maj 2024)