MARSHI I STUDENTËVE, NJË ZGJUARJE E VONSHME NGA GJUMI!…

0
Gani I. Mehmeti

Gani I. Mehmeti

A ka pasur vend të marshojnë kundër marrëveshje të ndryshme më heret studentët?

Ku ishin deri sot, në gjumë? Ae janë ngopur së fjeturi, dhe tani sikur nuk dinë nga t’ia mbajnë, nga rruga e humbur në oborr, apo vegël e dikujt tjetër…!?

Shumë ngjarje janë zhvilluar në Kosovë që nga paslufta. Studentët kurrë nuk u ndien të gjallë.

Bisedimet e Kosovës me Serbinë kanë filluar nga viti 2011, kurrë nuk u ndie zëri i tyre, për ose kundër, të mos flasim për Marshe apo aktivitete tjera studentore në përkrahje apo jo politike në vend. Ndërsa studentët e mirëfilltë, studentët që nuk marrin nota fallso, që nuk paguajnë notat me para, studentët që nxejnë karrigen së lexuari e studiuari, studentët e vërtetë, vërtet kanë bërë revolucione në shtete të ndryshme, ashtu siç ishin edhe studentët e viteve 1968 dhe 1981 në Kosovë.

Këta studentë patën bërë kthesa të mëdha në të drejtat e shqiptarëve në Jugosllavi me kërkesat e tyre të drejta, për të cilat dihet. Janë të njohura edhe demonstratat e studentëve në Kosovë në vitin 1981, nga ku u kërkuan të drejtat e plota të shqiptarëve në Jugosllavi, sa i patën lëkundur themelet e Jugosllavisë, që qenë ndërprerë në mënyrë të përgjakshme me ndërhyrjet policore nga e gjithë Jugosllavia, e, në veçanti nga Serbia.

Studentët e pasluftës, të më falin, por nuk u është dëgjuar zëri, përveç për ndonjë të drejtë të tyre herë pas here, ndërsa nuk ka pasur kërkesa ose ndërhyrje politike, sidomos me dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për gjatë gjithë këtyre viteve.

Janë bërë nënshkrime të ndryshme, të pranueshme e të papranueshme deri sot, për dhe kundër Kosovës, të mira e jo të mira për Kosovën, po kurrë studentëve nuk u është dëgjuar zëri.

Marrëveshjet për Asociacionin janë bërë dy herë: më 2013, pastaj më 2015, ku edhe ka qenë nënshkruar nga pala kosovare, deri sa kjo Marrëveshje është aprovuar nga Kuvendi i Kosovës, dhe nuk u ndie zëri i studentëve! Sot, 10 vite pas vitit 2013 dhe 8 vite pas vitit 2015, pas gjithë atyre kërkesave të opozitës për themelimin e këtij Asociacioni prej kur ka ardhur Albin Kurti në qeveri, pas gjithë atij kundërshtimi nga qeveria dhe Albin Kurti deri para dy tri ditësh, kurrë nuk u dëgjua zëri i studentëve.

Ndërkaq, tani, kur kryeminsitri pranoi themelimin e këtij Asociacioni, duke vënë kushtetn e tij në gjashtë pika, u çuan të gjithë ata që ishin për dhe dolën kundër Kurtit, dhe e sulmuan se si të pranohet Asociacioni, edhe kur kryeministri nuk kishte pranuar të formohet një asociacion njëetnik!

Studentët është dashur të reagojnë që në vitin 2013, në vitin 2015 dhe para se të aprovohej në Kuvendin e Kosovës. Fatkeqësisht, ndërkombëtarët tani po e thonë se edhe zbatimi i tij është i detyrueshëm. Me këtë, vërtet duhet të kërkohet ndonjë formë a mënyrë në formimin e tij, por jo të bëhet me kompetenca ekzekutive, jo të bëhet një Republikë Serbe brenda Kosovës.

Formimi  i tij është politik, e si politik, duhet të mos ketë absolutisht kompetenca ekzekutive, por një lloj shoqate, jo pse serbët nuk kanë të drejtat e tyre brenda Kosovës, por pse është bërë i detyrueshëm, e këtë, bashkësia ndërkombëtare e kërkon sa për të “qetësuar” serbët e të vihet deri tek marrëveshja reciproke e njohjes së Kosovës nga Serbia, siç po e thonë.

Ky zë i shterrur sot i studentëve është tepër i vonshëm, kur po kërkohet me ngulmin më të madh formimi i asociacionit, për çka Albin Kurti gjithmonë ka qenë kundër formimit të tij, por tani, nga nënshkrimi dhe nga aprovimi i tij në Kuvendin e Republikës së Kosovës, vështirë të refuzohet.

Me këtë, nuk do të thotë se unë jaë kundër Marshimit të studentëve, por, të paktën, ka qenë dashur të bëhet disa ditë para se kryeminsitri të paraqesë kushtet e tij dhe pranimin e formimit të tij, ani pse me kushte. Po të bëhej më përpara, do të ishte një ndihmë e një arsye për mospranimin e Kryeminstrit që ta formojë. Tani është vonë, pse ai ka pranuar me kushtet e paraqitura për formimin e tij.

Studentët duhet të ndjehen shumë më të gjallë e më fuqishëm se deri tani dhe të jenë prijës i proceseve politike e demokratike.

6 shkurt 2023

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.