Hamza Halabaku, “Letra mikut në amshim”, (Letra imagjinare mikut tim, shkrimtarit të ndjerë, Zejnullah Halili); Botoi “Drita Press”, Prishtinë 2024
Shkruan: Ajete ZOGAJ
“Libri i mirë është dhuratë, është testament i autorit për gjininë njerëzore” T. Edison[1]
Libri “Letra mikut tim në amshim” Letra imagjinare mikut tim, shkrimtarit të ndjerë, Zejnullah Halili), i autorit Hamza Halabaku, është një krijim i bukur letrar, komunikim jo reral që ka formën e një letre të zakonshme (përshëndetjen, strukturën e letrës dhe përfundimin), me anë të së cilës autori ka zgjedhur ta shkruaj librin e tij, duke krijuar bashkëbisedim artistik me mikun e tij të ndjerë Zejnullah Halilin. Këto letra, janë të shkruara në harkun kohor nga viti 2018 deri në vitin 2023. Ky komunikim i autorit me të ndjerin Zejnullah Halili, është një komunikim mjaft i realizuar artistikisht, me një gjuhë të pastër ku shprehet çiltërsia e autorit (letërshkruesit) ndaj mikut të tij, njeriut me shpirt fisnik, shkrimtarit e intelektualit të shquar Zejnullah Halilit, i cili me punën dhe angazhimin e tij, ka lënë gjurmë në zhvillimet kulturore, letrare e intelektuale, si prind i mirë, intelektual largpamës, që e deshi Kosovën me zemër deri në shkuarjen e tij në amshim.
Autori Hamza Halabaku, ka zgjedhur letrën si mënyrë komunikimi duke ndërthurur ndjenjat dhe shqetësimin personal për atdheun e tij, t’ia ‘rrëfejë’ miku të tij Zejnës, shqetësim ky që (autorin) e brenë deri në palcë, sa që, në letrën drejtuar Zejnës shkruan: “Ta kam lakmi që nuk i sheh këta horra”[2] duke shprehur revoltën ndaj thyerjes së gurit të varrit të Zejnës ku ishte i skalitur emri i Zejnullah Halilit, ditëlindja dhe ditëvdekja. Ja se si e përshkruan autori, mikun e tij, Zejnën: “Ti ishe i mirë, i sjellshëm, i ndershëm, gojëmbël, i ngrohtë! Kur na jepje dorën, ishe aq miqësor e i ngrohtë, sa zor të të gjendet çifti! Nuk e ke merituar atë vandalizëm, siç nuk i meritojmë as ne të gjallët shumë e shumë vandalë, të cilët po na sulen për çdo ditë.[…]”Unë e di se mbi tokë ecin shumë njerëz, por shumë pak prej tyre lënë gjurmë të ndritshme, siç ka lënë shkrimtari Zejnullah Halili )1945-2004)” [3]
Letra imagjinare – pasqyrim i realitetit
Përmes formës së letrës imagjinare, autori i drejtohet një miku të ndjerë, duke i rrëfyer mallin për të, si dhe zbrastësinë që i ka krijuar ikja e tij në amshim, evokim kujtimesh e vlerësimesh për personalitete të shquara, si: Ibrahim Rugova, Fehmi Agani e Mark Krasniqi. “Të dy e donim presidentin Ibrahim Rugova, se vërtet e kishte me zemër punën e lirisë e të pavarësisë sonë. Po jo vetëm ne, e donin pjesa dërmuese e shqiptarëve, hiq ata që ia kishin shitur shpirtin djallit. Bile, kur votoi populli, më shumë se nëntëdhjetë për qind e votuan për të parin e vendit. Atë e kishim më të mirin!”[4].
Në këto letra, Hamza Halabaku i përzien ndjenjat e dhimbjes dhe humbjes, me kritikën ndaj realitetit të pasluftës, gjendjen e rëndë politike dhe ekonomike, që po kalon Kosova, me padrejtësi, korrupsion, papunësi dhe degradim vlerash. Ai i tregon mikut të tij në amshim për ‘dukuritë negative’ që po shkatërrojnë shpresat e njerëzve: interesat personale, ndarjet shoqërore, për gjendjen e mjerueshme në shëndetësi, ku shëndeti i njeriut shndërrohet në biznes, arsimin e degraduar dhe zhgënjimin ndaj institucioneve.
Përmes gjuhës së thjeshtë, autori krijon një letër poetike me ton meditimi dhe revolte, ku përzihet malli për mikun në amshim me dashurinë për atdheun. Ai e sheh mikun e tij si dëgjues të sinqertë, dikë që mund ta kuptojë më mirë se të gjallët, në këtë Kosovën tonë të mbushur me padrejtësi, nepotizëm e hipokrizi!
Struktura artistike
Letërshkruesi (autori) në letrat drejtuar Zejnës, nuk i fsheh emocionet; përkundrazi, ndjenjat i kthen në mjet proteste.
Libri “Letra mikut tim në amshim” i autorit Hamza Halabaku, shquhet për qartësinë e mendimit dhe qartësinë e shprehjes, elokuencën meditative që shpaloset në secilën letër, duke ndërthur përjetimin personal me reflektimin shoqëror e kombëtar.
Në këto letra, autori rrëfen zhgënjimin ndaj një jete ku vlerat njerëzore janë zbehur, ku drejtësia dhe liria për të cilën u luftua duket sikur janë zëvendësuar nga korrupsioni, padrejtësia e egoizmi i tepruar. Miku në amshim bëhet simbol i pastërtisë, ndershmërisë dhe idealeve të humbura.
43 letrat imagjinare që autori ia dërgon mikut të tij Zejnës, në thelb, janë një bashkëbisedim me ndërgjegjen. Autori e gjen ngushëllimin te miku i tij në amshim, sepse në botën e të gjallëve ai sheh padrejtësi, zhgënjim dhe mungesë shprese. Ai i tregon mikut për realitetin e hidhur të shoqërisë kosovare: për njerëzit që kanë harruar idealet, për politikën që nuk i shërben popullit, për të rinjtë që po ikin nga vendi dhe për mungesën e ndershmërisë që dikur e përkufizonte njeriun e thjeshtë.
Kjo nuk është thjesht një vaj për mikun e ndjerë, por një klithmë e heshtur për shoqërinë. Nëpërmjet letrave të këtij libri, autori Hamza Halabaku na bën të reflektojmë: Për vlerën e lirisë dhe sakrificave ndër breza, për dashurinë ndaj atdheut e ndaj gjuhës, për një arsimin cilësor, për shëndetësi që i shërben qytetarit. Autori e përjeton Kosovën e tij si një vend që ende vuan, jo më nga lufta, por nga lufta e brendshme – lufta me vetveten, me humbjen e idealeve dhe me harresën e vlerave.
“Hajni në krye të shtetit, po edhe hajni në xhepat e qytetarëve, prej këtyre hajnave të rrugëve. Këta janë të vegjël, po ta lëmë me kaq, more Zejnullah i dashur! – O, na kanë ardhur kohë shumë të rënda!!!”[5]
Në të njëjtën kohë, teksti është edhe një dëshmi dashurie dhe mirënjohjeje. Miku në amshim përfaqëson ndershmërinë, besnikërinë dhe pastërtinë morale. Ai bëhet simbol i asaj çfarë mungon në botën reale. Kështu, letër pas letre, autori gjen forcë për të folur hapur, për të treguar plagët e shoqërisë dhe për të kërkuar shpresën atje ku duket se ka mbetur vetëm heshtja.
Në letrat drejtuar Zejnës, autori shprehë shqetësim edhe për mungesën e leximit, si dhe mungesën e komunikimit, duke u shprehur se jemi bërë ‘robër të telefonave celularë’.
Me shumë mjeshtëri, dhe në vendin e duhur, autori përdorë edhe sentenca të cilat i japin gjallëri librit, duke na kthyer në urtinë popullore si gurrë frymëzimi ndër gjenerata: “Te ne gjithnjë, kur po na ‘thyhet kerri, po gjejmë rrugë të shumta!” Vonë po na del gjumi! Po, ani, se vetëm te ne “për një plesht digjet jorgani! Dhe vetëm te ne kemi dëshirë ta lusin Zotin që “për inat të resë, më vdektë djali”! Në fund të kësaj letre, i dashuri Zejnullah, i lutem të madhit Zot që të të japë dritë, se dritë bëje kur ishe me ne! Dritë paç miku im i mirë! (Nuremberg, 31 mars 2018)[6]
Autori Hamza Halabaku në mënyrë mjeshtërore në librin e tij e përdor letërsinë si mjet për vetëdijesim dhe kritikë, duke i dhënë asaj një kuptim shoqëror dhe qytetar, është thirrje për reflektim dhe ndërgjegjësim kombëtar.
Mjetet stilistike
Libri i Hamza Halabakut “Letra mikut në amshim”, (Letra imagjinare mikut tim, shkrimtarit të ndjerë, Zejnullah Halili), shquhet qartësinë shprehëse, gjuhën e pastër e të pasur si dhe për mesazhet domethënëse që përcjell tek lexuesi secila letër e shkruar. Përdorimi i formës së letrës imagjinare, e bën tekstin më personal dhe të afërt me lexuesin. Autori flet në vetën e parë, me një ton të sinqertë, duke krijuar përshtypjen se lexuesi e po dëgjon një rrëfim të drejtpërdrejtë e të vërtetë. Në këtë mënyrë, autori arrin ta kombinojë tekstin e letrës me reflektimin filozofik e shoqëror.
Duke lexuar librin e Hamza Halabakut, “Letra mikut në amshim”, (Letra imagjinare mikut tim, shkrimtarit të ndjerë, Zejnullah Halili),kuptojmë mirëfilli se njeriu nuk duhet të harrojë vlerat njerëzore, dhe idealet për të cilat jeton e sakrifikon. Miku në amshim është dëshmia se dashuria, besnikëria dhe ndershmëria mund të mbijetojnë edhe përtej jetës.
Njëkohësisht, Halabaku e shfrytëzon kujtimin e mikut për të bërë një pasqyrë të realitetit shoqëror dhe për të kritikuar mënyrën se si shoqëria kosovare po përballet me plagët e pasluftës.
Hamza Halabaku arrin të krijojë një tekst që të prek emocionalisht, por edhe të nxit të mendosh thellë për realitetin në të cilin jeton.
Është shumë domethënëse letra e fundit e shkruar më 16 prill 2023, ku autori shprehet kështu: “Miku im i dashur, shpresoj se mjaftojnë këto letra, të cilat nuk di si i kam shkruar, por ta them me sinqeritetin e plotë, se i kam shkrua me zemër! Me zemrën e mbushur mall për Ty dhe me zemrën e plasur, apo të thyer, që nuk po na ecin punët ashtu siç ishin idealet tona…Ty të qoftë i lehtë dheu i Kosovës sonë, miku im! U takofshim atje ku i madhi Zot na vendos, në vendin e merituar!”[7]
Përfundim
Ky libër është një kujtesë për miqësinë, humanizmin dhe përgjegjësinë qytetare, duke dëshmuar se fjala letrare mund të jetë një mënyrë e fuqishme për të ruajtur shpirtin e njeriut dhe idealet e një kombi.
Në fund, letër pas letre, Halabaku na mëson se edhe në amshim, fjala mbetet e gjallë, dhe përmes saj, njeriu mund të ringjallet në kujtesën dhe ndërgjegjen e të tjerëve.
Përmes këtij libri, autori Hamza Halabaku na kujton se si edhe letërsia mund të jetë edhe një formë proteste, duke shprehur realitetin me gjuhën e artit, edhe për dukuri të cilat rëndojnë realitetin tonë. Mbase autori, siç shprehet T. Edison “Libri i mirë është dhuratë, është testament i autorit për gjininë njerëzore”, librin “Letra mikut tim në amshim” ia dhuron lexuesit shqiptar si testament i cili dëshmon magjinë e fjalës së shkruar bukur e të skalitur mjeshtërisht me gjuhën e artit!
Prishtinë, 23 tetor 2025
[1] Nasho Jorgaqi&Xhevat Lloshi, “Antologji e fjalës së mençur, Shtëpia Botuese Enciklopedike, Tiranë, 1993, fq.54
[2] Hamza Halabaku, “Letra mikut në amshim”, (Letra imagjinare mikut tim, shkrimtarit të ndjerë, Zejnullah Halili); Botoi “Drita Press”, Prishtinë 2024, fq.5
[3] Po aty, fq.14
[4] Po aty, fq.16.
[5] Po, aty, faqe 39
[6] Po aty, fq 57
[7] Po aty, fq. 168.