Lahuta Shqiptare dhe Përfshirja e Saj në UNESCO

Shkrime të ndryshme

admin
adminhttps://fjala.info
Publikuar nga: Arben Çokaj - Mësues Fizike & Informatike :: Gazetar & Analist i pavarur :: Shkrimtar :: Ueb- & Grafikdizajner
Gjon Marku
Gjon Marku

Nga Gjon Marku

Lahuta shqiptare përfaqëson një nga shtyllat më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore shpirtërore të kombit shqiptar. Ajo nuk është thjesht një vegël muzikore popullore, por një simbol i identitetit kombëtar, i kujtesës historike dhe i trashëgimisë epike të shqiptarëve, veçanërisht në trevat veriore. Përfshirja e lahutës dhe e traditës së saj në listën e trashëgimisë kulturore jo-materiale të UNESCO-s tregon rëndësinë universale të kësaj vlere kulturore.

Lahuta është një instrument me një tel, zakonisht i punuar nga dru dhe lëkurë kafshe, që shoqëron këngët epike të kreshnikëve. Përmes tingujve të saj karakteristikë, lahuta ka shërbyer për shekuj me radhë si mjet transmetimi i historisë gojore, i legjendave, i betejave dhe i vlerave morale të shoqërisë tradicionale shqiptare. Këngët epike të shoqëruara me lahutë kanë ruajtur gjallë kujtesën kolektive në periudha kur shkrimi dhe institucionet kulturore mungonin.

Roli i lahutës në formimin e identitetit kombëtar është i pazëvendësueshëm. Përmes figurave heroike, si kreshnikët dhe luftëtarët legjendarë, lahuta ka përcjellë vlera si trimëria, besa, nderi dhe dashuria për atdheun. Këto këngë nuk kanë qenë vetëm argëtim, por edhe edukim shpirtëror dhe moral për brezat. Pikërisht për këtë arsye, lahuta ka qenë e lidhur ngushtë me jetën shoqërore dhe historike të shqiptarëve.

Përfshirja e lahutës shqiptare në UNESCO përfaqëson një njohje ndërkombëtare të vlerës së saj kulturore dhe historike. UNESCO synon mbrojtjen e trashëgimisë jomateriale që rrezikon të humbasë për shkak të globalizimit dhe ndryshimeve shoqërore. Me këtë përfshirje, lahuta dhe tradita e saj marrin një mbështetje të veçantë dhe një vëmendje më të madhe për ruajtjen, studimin dhe përcjelljen tek brezat e rinj.

Në ditët e sotme, lahuta përballet me sfida të shumta, si pakësimi i lahutarëve. Megjithatë, njohja nga UNESCO krijon mundësi të reja për ringjalljen e kësaj tradite, përmes festivaleve kulturore, studimeve shkencore dhe përfshirjes së saj në arsimin kulturor. Kjo ndihmon jo vetëm në ruajtjen e trashëgimisë, por edhe në forcimin e identitetit kulturor kombëtar në një botë gjithnjë e më të globalizuar.

Në përfundim, lahuta shqiptare është më shumë se një instrument muzikor; ajo është një arkiv i gjallë i historisë dhe shpirtit shqiptar. Përfshirja e saj në UNESCO përbën një hap të rëndësishëm drejt ruajtjes dhe vlerësimit të trashëgimisë kulturore shqiptare, duke siguruar që kjo pasuri e rrallë të mos humbasë, por të vazhdojë të jetojë dhe të frymëzojë brezat e ardhshëm.

Lahuta dhe Këngët e Kreshnikëve në Trevën e Mirditës

Vështrimi i shkurtër historik

Në tërësinë e krijimtarisë popullore shqiptare, ruajtjes, pasurimit dhe përcjelljes nga brezi në brez, folklori i Mirditës ka një vend të veçantë dhe një origjinalitet të vetin, të spikatur në raport me trevat e tjera që e rrethojnë, qoftë për nga mënyra e të kënduarit, tematika që rrok, personazhet që zënë vend në të, apo edhe mënyra e të transmetuarit dhe të lëvruarit të saj. Në tërësinë e krijimtarisë folklorike popullore të vendit tonë, në këtë korpus universal të krijimit njerëzor, është me shumë interes vënia në dukje e elementeve të veçantë që hasen në këtë trevë. E kjo veçanti, sipas nesh, është e lidhur edhe me faktorë historikë e gjeografikë që kanë ndikuar në ruajtjen dhe transmetimin e disa vlerave autentike të gjinit shqiptar, më e gjendshme në disa raste se në trevat e tjera shqiptare.

“Çdo Mirditas në mallet e tij është një poet i lindur”, pati vënë në dukje rilindasi Prend Doçi. Këngët më të famshme të kësaj treve kanë qenë këngët epike.

Çabej përmend: “Këngët solo të qëmoçme të malësorit të lirë, ku hyjnë këngët ‘maje krahu’, kryesisht këngët me lahutë. Kështu e këtu është kënduar edhe Eposi i Kreshnikëve, i dëgjuar deri vonë, deri rreth viteve ‘60 të shekullit që lam pas, tek-tuk edhe sot”.

Krijimi dhe transmetimi i vlerave folklorike, veçanërisht i eposit shqiptar, ose siç njihet ndryshe: këngë kreshnikësh, këngë trimash, këngë të moçme, apo këngë me lahutë, kanë një shtrirje të gjerë në Veriun e Shqipërisë, por që zbresin edhe më poshtë: në Lezhë, Krujë, madje deri në Tiranë e Elbasan. Janë mbledhur rreth 700 këngë që iu kushtohen kreshnikëve në treva të ndryshme të Shqipërisë dhe jashtë saj.

Në fondin arkivor të Institutit të Kulturës Popullore gjendet ky material i pasur (700 këngë kreshnikësh), shoqëruar me të dhënat e duhura burimore, si dhe filmime rreth jetës folklorike që lidhen me këto këngë në kohët tona. Studiuesit kanë konstatuar se eposi pa muzikë nuk ekziston. Po të realizohej studimi i këtyre këngëve që janë mbledhur, Mirdita nuk është e përfaqësuar sa dhe si duhet. Ani se zanafilla e këtyre këngëve dhe dëshmitë e para për to na vijnë pikërisht prej kësaj treve, madje dëshmitë për këto këngë në Mirditë vijnë qysh herët.

Dëshminë e parë e jep në shekullin XVII Dhimitër Kamarda (1821-1882), e më pas, rreth vitit 1896, Gustav Majeri mbledh të parën këngë të Eposit të Kreshnikëve në territorin e Mirditës. Lambertz ka bërë një punim për epikën popullore shqiptare, duke analizuar këngët e kreshnikëve.

Donald Kurti dhe Benardin Palaj në vitin 1937 botuan Këngët e Ciklit të Kreshnikëve.

Ramadan Sokoli punoi me ekspeditën shqiptaro-gjermane më 1957-1958 për qëmtimin, regjistrimin dhe skedimin e dukurive të etnomuzikologjisë në terren, duke inçizuar rreth 100 pjesë muzikore popullore në shirit magnetofoni.

Një kontribut më vete për dokumentimin e këngëve të kreshnikëve dhe krijimtarisë popullore gojore sjell Vincens Prenushi, i cili në botimin e “Këngëve popullore gegnishte” (Sarajevë, 1911) ka regjistruar dhe këngë të ndryshme të mbledhura drejtpërsëdrejti në Mirditë dhe në Shkodër. Të dhëna të tjera sjell edhe At Shtjefën Gjeçovi. Kjo krijimtari nuk ka mbetur as jashtë “Visareve të kombit”.

Natyrshëm mbledhja e Gustav Majerit dhe Këngët e Kreshnikëve

Natyrshëm, mbledhja e Gustav Majerit dhe këngët e tjera të kreshnikëve ndër kohë janë quajtur këngë lahute, dhe kjo vegël muzikore, pa diskutim, ka qenë e kudogjendur nëpër territoret e Mirditës. Këngët e kënduara me lahutë kanë qenë kryesisht këngë trimash, por nuk mund të përjashtohen edhe ato kushtuar kreshnikëve.

Vetë krijimtaria gojore popullore në Mirditë ka aq të gjendshëm elementë të tillë mitologjikë, si orët e zanat, dragojtë e trimat luftëtarë që luftojnë me bajlozë të detit e me armiq të ardhur nga toka, qofshin ata fqinjë ballkanikë apo të ardhur nga humbëtirat e Azisë, e sidomos me sllavët që nis që nga shekulli VI dhe vazhdon deri në shekullin tonë. Këta janë elementë të gjendur qysh herët në këtë krijimtari.

Vetë kënga popullore në Mirditë – epika legjendare, baladat, epika historike, madje dhe lirikat, këngët e djepit, këngët e dasmave, vajtimet e gjamat – janë të pastudiuara si duhet dhe veç përciptazi të përmendura, pavarësisht se Eposi ynë legjendar nis pikërisht në këtë trevë legjendare, ku nuk zunë dot vend as grekët e as sllavët, as romakët, e as bizantinët, që për shekuj me radhë u përpoqën kështu edhe në fushat e tjera.

Nga zbulimet arkeologjike në Mirditë dhe dokumentet historike dhe arkivore gjejmë në vijimësi një kulturë të mirëfilltë ilire, arbnore e shqiptare, pa ndikimin e kulturave të tjera.

Natyrshëm, dhe me respekt, sa herë të përmendim eposin, do të na duhet të përmendim Mirditën si zanafillën ku gjetëm të parën gjurmë të dokumentuar. Natyrshëm, do të na duhet të përmendim me respekt emrin e Gustav Majerit, që na e dokumentoi dhe mblodhi në këtë territor të parën këngë të këtij Eposi.

Nëse ky epos nis këtu, studimet për të mbeten të përcipta dhe nuk tejkalohen apo studiohen qoftë edhe mbështetur në atë që Majeri nisi. Po e njëjta gjë ndodh edhe me Vajet e Mirditës.

“Vajet e Mirditës janë në za. Mirditorja qan thekshëm… që të ban me kujtue disi poetët e motshëm; elegjitë e Tibulit e, më mirë, të grekëve të vjetër,” është vënë në dukje në Visaret e Kombit.

Çabej ka shkruar se: “Karakteri dhe historia e një populli pasqyrohet më së miri në poezinë popullore, dhe nuk mund të kuptohet kjo poezi po të mos njihet jeta e shqiptarëve të vjetër, po mos ta kuptojmë poezinë si produkt dhe në funksion të kësaj jete.”

“Në malet e Shqipërisë janë ruajtur të gjalla meloditë e lashta të vendit. Meloditë më të vjetra rrojnë në këngët e malësorëve të Shqipërisë së Veriut.”

Duke bërë fjalë për Mirditën, historinë, gjuhën dhe traditat e tyre, historiani vendas Dom Nikoll Kimza ka shkruar se: “…çka pru ky popull për gjuhën, zakone, fise e gojdhana gjendet thjesht kombëtare e përkon me të vjetrën shqiptare, e këndej n’çdo pikëpamje asht ma e besueshme.”

Por, nëse ne e shohim në tërësi këtë krijimtari folklorike të kësaj treve, mund të flitet pa diskutim për një gërshetim të epizmit dhe të lirizmit emocional, me “mbetje” figurative nga Eposi i Kreshnikëve. Do të ishte një problem më vete nëse këto këngë (këngët e vajit), që janë më të lashta, dhe vetë Eposi i Kreshnikëve i mori prej tyre trajtat figurative me “lumnimin” a “mallkimin”, të fortë nga kënduesi apo vajtuesja në rastin e vajeve.

Ajkuna – thekson Ndue Dedaj – nuk mund të qante ndryshe Omerin e saj, veçse si një vajtimore monumentale malesh, që e përfshin thellësisht natyrën e saj: “U shofshi ju o bjeshkë e lugje.”

Trimat e vdekur përmenden me zemër dhe lartësohen poetikisht jo vetëm në këngët e kreshnikëve, por edhe në krijimtarinë tjetër folklorike të kësaj treve. Një moment psikologjik në një situacion poetik të tillë është prania shpirtërore e të vdekurit. Kulti i heronjve pothuajse e bën trimin e vdekur të ngjallet dhe të ringjallet.

“Duke vënë si kufij jugorë Matin dhe Drinin, studiuesit, etnografët e folkloristët, vijnë në një mendje për vendin ku u ruajt eposi në gjendjen e sotme,” pohon studiuesi Shaban Sinani.

Ndërsa studiuesja Agnia Desnickaja thotë: “Ambienti real, që del me mjaft gjallëri në poezinë epike shqiptare, janë kullat e malësorit, vatrat në të cilat pjek kafe e pi duhan, marrëdhëniet e tij me anëtarët e familjes, me propatina, me shokët e çetës, pamjet madhështore të natyrës malore, viset e fshehta ku banojnë qenia mitologjike – zanat dhe orët.”

Maksimilian Lambertz, duke parë veprën e Fishtës si një të tërë, u shpreh: “Gjergj Fishta me mprehtësi mori me mend mënyrën e lidhjes së epeve homerike. Ai është homerist. Ai nuk i bashkoi të redaktuara në një tërësi epet e shkurtëra (lexo: këngët e shkurtra), të cilat qenë për të ushqim shpirtëror i rinisë, si dëshironin të shpjegonin përkrahësit e teorisë së çështjes homerike ‘Lindja e Iljadës’, si finlandezi Elias Lönnroth. Këngët e mbledhura nga goja e luajalëve i kishte bashkuar në epin Kalevala, por shumë ngjarje, veprime dhe trima, të cilëve Fishta u thur lavdi në epin e vet, janë trajtim i veçantë i këngëve të shkurtëra popullore shqiptare (kanga trimash) të malcisë, që këndohen me lahutë.”

E Sotmja

Nuk mund të lë pa përmendur dhe pa falënderuar, nga kjo foltore e Institutit Albanologjik në Prishtinë, këmbëngulësin e zellshëm e të palodhur, profesorin fisnik Zymer Neziri, i cili prej të cilit jo vetëm isha informuar, instruktuar dhe udhëzuar, por edhe kishte këmbëngulur që unë të merresha dhe të ndjekja gjurmët e këtyre këngëve, lahutarëve dhe traditës në këtë fushë në kohën e sotme. Natyrisht, duke mos qenë specialist i folklorit, veçse i pajisur me një kulturë të përgjithshme, pata vështirësi të natyrave të ndryshme, por së pari nuk kisha ndonjë objektiv që të merresha mirfilli me këtë gjë.

I konsultuar së pari me specialistë të folklorit, mbledhës të tij dhe me pjesëtarët e grupit folklorik “Mirdita”, nisur nga udhëzimet dhe pyetësori i marrë nga Prof. Zymer Neziri, por më pas edhe nga studimi më i hollësishëm dhe më i detajuar, kisha hasur nga këta bartës dhe interpretues dhe mund të deklaroj këtu se lahutarët mirditas, pjesëtarë të këtij grupi folklorik, ishin ngjitur njëri pas tjetrit, nga i pari tek i fundit, në skenat e festivaleve tona folklorike, lokale apo kombëtare.

Natyrisht, jo gjithnjë për të kënduar eposin tonë legjendar, por për të interpretuar dhe kënduar me lahutë, dhe të gjithë ata, pa diskutim, nga hulumtimi dhe studimi i drejtpërdrejtë, kanë kënduar këngët e eposit tonë legjendar. Prej tyre ka akoma gjallë që këndojnë dhe interpretojnë me lahutë këngët e eposit të kreshnikëve – këngët tona për kreshnikët, këngët tona me ora e zanat, me trima e dragonj.

Por sa prej tyre janë akoma që këndojnë me lahutë këngë të Epikës historike, epikës legjendare, baladat? Sa gra vajtojnë në një mënyrë mitike, dhe po shuhen një nga një pa u studiuar sa dhe si duhet? Specialistët e mirëfilltë të folklorit kanë vetëm katër km: nga Rrësheni, Gjon Nikollë Deda në Kodër Rrëshen, 80 vjeç, ish pjesëmarrës i të parit festival folklorik, e mund ta inçizojnë dhe të vërtetojnë thelbin e kësaj tradite të pazhbërë e të pazbuluar në territorin e Mirditës.

Në territorin administrativ të Mirditës, pra jo në Mirditën etnografike që është dy herë më e madhe, janë intervistuar gjithsej 12 persona, prej të cilëve:

Gjon Llesh Deda, me arsim të mesëm, marangoz me banim në Kodër Rrëshen. Ai di këngë kreshnikësh dhe i bije lahutës, pjesëmarrës në festivalet folklorike kombëtare, dhe është i gjallë. (Bashkia Rrëshen)

Gjon Llusku, me arsim të mesëm (pensionist), ka punuar mësues. Di dhe këndon shumë këngë të kreshnikëve. I bije mirë lahutës dhe ka marrë pjesë dhe ka kënduar me lahutë në festivalet folklorike kombëtare. Është nga Oroshi dhe jeton në Rubik.

Prena Beleshi, këngëtare e grupit “Mirdita”, pjesëmarrëse në festivalet folklorike të Gjirokastrës. Ka kënduar dhe këndon me lahutë, ka arsim të mesëm, punonjëse e Pallatit të Kulturës Rrëshen. Lindur në Kurbnesh, e martuar në Fanë dhe banon në Rrëshen.

Anton Beleshi, me arsim të lartë. Ka kënduar dhe këndon me lahutë, i bije lahutës dhe di shumë këngë kreshnikësh. Lindur në Kurbnesh dhe jeton në Rrëshen.

Personat e mësipërm janë intervistuar drejtpërsëdrejti.

Veç tyre, në Mirditë rezulton se i kanë rënë lahutës deri në vitin 1999 edhe këta persona, të cilët kanë vdekur:

Simon Beleshi ka kënduar me lahutë këngë në Festivalin Folklorik të Gjirokastrës. Trashëgohet lahuta e tij prej fëmijëve. Ka qenë punëtor dhe ka ditur dhe ka kënduar shumë këngë të kreshnikëve.

Intervistimet e fundit

Bardhok Sulejmani, ish-drejtori i Pallatit të Kulturës Rrëshen, u intervistua nga kantautori Mark Gjoka (drejtori aktual i Pallatit të Kulturës Lezhë).

Bardhok Preng Lusha i ka rënë lahutës dhe ka kënduar këngë me lahutë, kryesisht këngë kreshnikësh. Ka lindur dhe ka banuar në Tenë. U intervistua nga Preng Lleshi, ish-drejtori i Shkollës 9-vjeçare Malaj.

Pep Mikeli, nga Selitë, i ka rënë lahutës dhe ka kënduar këngë kreshnikësh. Ishte punëtor, ka vdekur, dhe ka ditur dhe ka kënduar disa këngë të kreshnikëve. Intervistimi i tij u krye nga Pal Gjikola, me arsim të lartë (oficer).

Pjetër Luçia, nga Komuna Fanë. Për të u pyet Tom Luçia, i biri. Ka kënduar me lahutë dhe ka ditur disa këngë kreshnikësh.
Preng Mark Frroku, Komuna Fanë, ka ditur dhe ka kënduar këngë me lahutë, sidomos këngë kreshnikësh. U intervistua nga Mark Boçi.

Konkluzioni

Në Mirditë, pa kryer një studim të mirëfilltë dhe të shterueshëm, ka akoma të paktën pesë veta me nivele të ndryshme arsimi që jetojnë; ata i bien lahutës dhe këndojnë këngë të kreshnikëve. Kanë lahuta në familjen e tyre.

Deri në vitet gjashtëdhjetë, lahuta është përdorur gjerësisht në këtë trevë, në të gjithë territorin, dhe janë kënduar këngë kreshnikësh.
Deri në vitin 1999 ka pasur këngëtarë të spikatur që kanë interpretuar dhe kënduar me lahutë.
Një studim më i hollësishëm dhe më i specializuar do të jepte një panoramë më të plotë të gjendjes për periudha dhe kohë të ndryshme.

Literatura

“Visaret e Kombit”, 1937.
Çabej, Eqrem: Për gjenezën e literaturës shqipe, “Studime gjuhësore”, Rilindja, Prishtinë, 1975, f. 117.
Sinani, Shaban: Mitologji në eposin e kreshnikëve, f. 151.
Desnickaja, Agnia: Mbi lidhjet boshnjako-shqiptare në lëmin e poezisë epike, në: “Gjurmime albanologjike”, folklor dhe etnologji, 1975, Instituti Albanologjik i Prishtinës, f. 55.
Maksimiljan Lambertz, Die homerische Frage und das albanische Grosspos, në “Shejzat”, vjeti V, Nr. 11-12, Romë, 1961, f. 386.
Nikollë Kimza: Hetime mbi vjetërsinë e Mirditës, “Hylli i dritës”, Shkodër, 1937, nr. 7, f. 346.
Dedaj, Ndue: Fuqia e Epërme e vajeve të Mirditës, “Mirdita në histori dhe etnokulturë”, 2001, f. 106.
Fjalori Enciklopedik Shqiptar, Tiranë, 1985, f. 125.
Podgorica, Fadil, f. 372.
Berisha, Anton, f. 31.
Xhagolli, Agron, f. 486.
Panajoti, Jorgo, f. 351.
Gjurmë të shpirtit Shqiptar, 1, f. 167.

Më shumë shkrime

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Shkrimet e fundit