Shkruan: Lekë Mrijaj
Pamja e djeshme në Kuvendin e Republikës së Kosovës ishte, për të ardhur keq, dhe më të vërtetë shumë dëshpëruese. Dhe jo vetëm për mënyrën e komunikimit dhe mungesën e kulturës qytetare e politike të disa deputeteve dhe deputetëve, por edhe për një të vërtetë që duhet ta pranojmë: ata nuk kanë ardhur aty vetë, por i kemi zgjedhur ne me votën tonë.
Prandaj nuk është krejt e drejtë që gjithë fajin t’ua lëmë vetëm atyre. Në demokraci, edhe qytetari me votën e tij ka përgjegjësi për atë që zgjedh. Siç thotë populli ynë, çfarë mbjell, atë edhe korr. Nëse votojmë njerëz vetëm për parti, për inat, për interes apo pa e parë mirë dijen, sjelljen dhe përgjegjësinë e tyre, atëherë nuk duhet të çuditemi kur në Kuvend shohim hallakamë, zhurmë, arrogancë mesjetare dhe mungesë respekti.
Kosova është ndërtuar me shumë gjak dhe sakrificë nga heronjtë tanë dhe miqtë tanë euroatlantik. Për këtë arsye, Kuvendi duhet të jetë vend ku flitet me argumente, ku ruhet dinjiteti dhe ku respektohet edhe ai që mendon ndryshe. Nuk duhet të jetë vend ku deputetët sillen sikur janë në një arenë përplasjesh personale apo arenë cirku…
Një deputet duhet ta dijë se nuk përfaqëson vetëm partinë e vet. Ai përfaqëson edhe qytetarin që e ka votuar, institucionin ku është ulur dhe, në fund, vetë shtetin e Kosovës.
Prandaj, kur shohim skena të tilla, nuk duhet të pyesim vetëm: “Çfarë deputetësh kemi?” Duhet ta pyesim edhe veten: “Çfarë njerëzish kemi zgjedhur?”
Sepse vota nuk është vetëm një e drejtë. Është edhe përgjegjësi. Në fund të fundit, çfarë votojmë, atë përfaqësim kemi. Asgjë më shumë…











