Autore: Elife LUZHA
Në rrjedhën e gjatë të historisë, janë të rralla ato kombe që kanë arritur të mbijetojnë përballë përndjekjeve, dëbimeve dhe masakrave me përmasa gjenocidale – jo vetëm fizikisht por edhe shpirtërisht e kulturalisht – duke ruajtur kujtesën kolektive, si shtyllë të identitetit dhe vazhdimësisë së tyre kombëtare.
Hebrenjtë dhe shqiptarët janë shembuj të gjallë të kësaj mbijetese. Të ndryshëm në origjinë, por të ngjashëm në përvojat historike, këta dy popuj kanë dëshmuar ndër shekuj një qëndresë të fortë kulturore, shpirtërore dhe kombëtare.
Historiani dhe filozofi izrailit, Yuval Noah Harari, në veprën Sapiens, shkruan se hebrenjtë janë ndër komunitetet më jetëgjata dhe më të qëndrueshme në historinë njerëzore. Për më shumë se dy mijë vjet, të shpërndarë nëpër botë, ata kanë ruajtur identitetin dhe misionin e tyre kombëtar, duke e trashëguar brez pas brezi.
Një fuqi e ngjashme mbijetese pulson edhe në zemrën e historisë shqiptare. Studiuesi britanik Sir Noel Malcolm, në veprën Kosovo: A Short History, argumenton se shqiptarët, të vendosur në një nga rajonet më të trazuara të Ballkani Perendimor, kanë mbijetuar si një entitet unik gjuhësor dhe kulturor. Me rrënjë që shtrihen deri tek ilirët, identiteti shqiptar është ndër më të lashtët në kontinentin europian.
Të dy këta popuj kanë përballuar shekuj shtypjeje, dhune të strukturuar dhe përpjekjesh për shfarosje, duke dëshmuar një forcë rezistence që kapërcen të zakonshmen.
Populli hebre ka kaluar nëpër valë të përsëritura përndjekjesh e masakrash, që kulmuan me Holokaustin – një nga kapitujt më të errët të historisë njerëzore, ku mbi gashtë milion hebrenj u zhdukën nga makineria e vdekjes naziste gjatë Luftës së Dytë Botërore. Nga Besëlidhja biblike për Tokën e Kananit, e deri te themelimi i shtetit modern të Izraelit, rruga e tyre ka qenë një kalvar vuajtjesh, por edhe shprese se ringritja është gjithmonë e mundur.
Nga kjo përvojë lindi një nga thirrjet më të fuqishme të epokës moderne “Kurrë më viktimë” (Never Again). Kjo shprehje nuk është thjesht një britmë ndaj së shkuarës, por një filozofi jetese, një akt vetëdijeje kombëtare dhe institucionale. Është refuzim për të mos qenë më të pambrojtur as viktimë e tragjedive të përsëritura. Është një zotim për të ndërtuar institucione të qëndrueshme, një shtet funksional, një ushtri të përgatitur dhe arsim që edukon qytetarë të ndërgjegjshëm – jo për hakmarrje, por për mbrojtje, drejtësi dhe dinjitet.
As konflikti i sotëm në Lindjen e Mesme, nuk mund të kuptohet pa këtë sfond historik dhe psikologjik, që ka formësuar ndërgjegjen kolektive të popullit të Izraelit. Sepse paqja nuk ndërtohet mbi harresën, por mbi kujtesën dhe pranimin e së vërtetës historike për çdo popull.
Po ne shqiptarët, ku qëndrojmë në këtë udhëtim?
Edhe ne kemi kaluar nëpër rrathët e ferrit: dëbime masive, masakra, burgosje, përndjekje dhe përpjekje për shfarosje. Edhe ne, pas shekujsh dhimbjeje dhe qëndrese, shpallëm pavarësinë – një akt i shenjtë, i arritur me shumë gjak dhe sakrificë.
Por, çfarë kemi ndërtuar mbi atë sakrificë?
Hebrenjtë ndërtuan shtetin e tyre mbi një vizioni të qartë dhe një ndjenjë të thellë përgjegjësie kolektive. Ne, përkundrazi, kemi dështuar të bashkohemi rreth një ideali të përbashkët që frymëzon zhvillim dhe përparim. Pavarësia, në vend që të bëhej themel i konsolidimit shtetëror, është shndërruar shpesh në strehë të korrupsionit, padrejtësisë dhe abuzimit.
Ne ende nuk kemi artikuluar qartë një ”Kurrë më viktimë” tonën – një zotim moral , qytetar dhe institucional që as Raçaku, as Dubrava, as Krusha e as ndonjë masakër tjetër të mos përsëritet më kurrë.
Dhe nëse, larg qoftë, historia do të përsëritej dhe dhuna do të trokiste sërish në kufij tanë, si do të reagonim si shoqëri dhe si shtet? A do të mbështeteshim sërish në ndërhyrje ndërkombëtare, apo do të merrnim përgjegjësi për veten tonë? Sa here mund të paraqitemi si viktimë pa rrezikuar dinjitetin kombëtar?
Sepse roli i viktimës nuk mund të shërbejë më si alibi morale, pas dekadash lirie dhe mundësish të shpërdorura.
Askush nuk na ka penguar ta ndërtojmë një shtet funksional dhe të suksesshëm, ashtu siç bënë hebrenjtë. Bota nuk mund të ndërhyjë pafundësisht për ata që refuzojnë të marrin përgjegjësi për fatin e tyre.
Por, ende nuk është vonë.
Edhe ne mund të ngremë zërin dhe të themi: “Kurrë më viktimë. Kurrë më papërgjegjshmëri. Kurrë më përçarje. Kurrë më besëthyerje.”
Le ta kuptojmë se dhimbja nuk është fundi. Dhimbja është kujtesë. Është paralajmërim. Është thirrje për ndërgjegjësim.
Sepse, në fund të fundit, historia nuk na gjykon për atë që kemi shpëtuar, por për atë që kemi ndërtuar pas shpëtimit.