7.5 C
Tirana
E shtunë, 14 Mars 2026
[ Arkivi ] përmban shkrime nga vitet [ 2009-2015 ] dhe [ 2016-2021 ], ndërsa [ 2003 – 2009 ] (në html)
Kreu Letërsi Ese Kur dija bëhet mburojë

Kur dija bëhet mburojë

0
Safet Sadiku

Ese letrare: (4)

Nga Safet SADIKU

Në një kohë kur botës i dridhen themelet nga kërcënime të reja dhe nga rikthimi i gjuhës së forcës në tryezat diplomatike, dija nuk është më vetëm privilegj i laboratorëve apo krenari akademike, por bëhet mburojë e ndërgjegjshme e kombeve që duan të jetojnë me dinjitet, dhe pikërisht në këtë pikë takohen Shqiponja, Shkencëtari i Ri, Ciceroni dhe Roboti, sepse secili në mënyrën e vet përfaqëson një dimension të kësaj mburoje që nuk ndërtohet me hekur, por me mendje. Shqiponja fluturon mbi hapësirat shqiptare jo për të shpallur epërsi, por për të kujtuar se lartësia është para së gjithash këndvështrim, dhe se ai që sheh nga lart nuk duhet të shohë me përçmim, por me përgjegjësi.

Ndërsa Shkencëtari i Ri, me rrezet e diellit të përqendruara në një mur të padukshëm dhjetë kilometra mbi tokë, dëshmon se epoka e re nuk kërkon mure ndarjeje, por mburoja inteligjente që ruajnë jetën pa e kërcënuar tjetrin. Ciceroni, në ligjërimet e tij, e përkufizon këtë moment si kalimin nga instinkti i mbijetesës te kultura e vetëmbrojtjes së ligjshme, duke theksuar se dija është forma më e lartë e fuqisë, sepse ajo e disiplinon forcën dhe e vendos nën kontrollin e arsyes dhe të normës.

Ai shton se një popull që investon në dije nuk ndërton vetëm teknologji, por ndërton garanci morale për të ardhmen. Roboti, me analizat e tij të detajuara, tregon se informacioni, transparenca dhe përfshirja qytetare janë po aq të rëndësishme sa vetë zbulimi, sepse një teknologji e fuqishme pa etikë është rrezik, ndërsa një teknologji e fuqishme e drejtuar nga parime bëhet mburojë kolektive. Ai vëren se pikërisht aty ku dikur ngriheshin mure frike, sot mund të ngrihen sisteme sigurie që mbrojnë pa izoluar. Në këtë hyrje të një epoke të re, dija nuk paraqitet si privilegj e pakicës, por si energji e shpërndarë që i jep çdo qytetari rol në mbrojtjen e përbashkët, dhe kështu: “Kur dija bëhet mburojë” nuk është vetëm qëllim, por një program i heshtur veprimi, që kombi të mos mbështetet më vetëm te kujtimet e qëndresës, por te aftësia për ta shndërruar dritën në siguri, dijen në drejtësi dhe inovacionin në dinjitet të mbrojtur.

Në horizontin e trazuar të kohës sonë, ku legjenda dhe realiteti shpesh përzihen si drita me hijen në një perëndim të zjarrtë, shfaqet një skenë e pazakontë dhe e fuqishme. Por, Shqiponja, ajo që në kujtesën kolektive mban hijen e Gjergj Kastrioti, na rikthen luftërat e tij, dhe që në simbolikë mishëron vetëdijen e një populli të lashtë, dhe tani ngrihet mbi një qiell të trazuar dhe përballet me një tigër që e kishte sulmuar padrejtësisht. Ky rikthim i ngjarjeve nuk fliste thjesht vetëm si për një kafshë të egër, por ishte si memorie e regjistruar, se veprimet e forcave barbare, në epoka të ndryshme kanë kërkuar të nëpërkëmbin dinjitetin shqiptar.

Me një fluturim të ndritur, që duket sikur përthith rrezet e diellit dhe i kthen në shkëlqim të artë mbi pendët e saj, Shqiponja e kap tigrin me një vendosmëri që nuk është thjesht instinkt, por ndërgjegje. Shqiponja e ngre lart, gjithnjë e më lart, deri në një lartësi ku ajri bëhet i rrallë dhe toka duket si një kujtim i largët, për ta hedhur më pas mbi një shkëmb të thepisur, ku përplasja shndërrohet në një çast simbolik të triumfit të drejtësisë mbi dhunën dhe të mbrojtjes mbi agresionin.

Kjo pamje përhapet me shpejtësi në të gjitha mediat, të cilat i japin jehonë jo vetëm aktit të jashtëzakonshëm, por edhe faktit të çuditshëm dhe domethënës se kjo Shqiponjë, me atë shkëlqim të veçantë dhe me atë fluturim të lirë, nuk shfaqet në asnjë cep tjetër të botës përveçse mbi vendbanimet shqiptare, sikur qielli vetë ta kishte caktuar si roje të historisë dhe të kujtesës kolektive. Në sytë e ushtrive barbare, që e kishin parë gjithmonë këtë simbol si një shenjë ekzistence, dhe ajo bëhet tani një paralajmërim i qartë se padrejtësia nuk mbetet pa përgjigje dhe se një popull që mban në zemër shqiponjën nuk e pranon rolin e viktimës së përhershme, por e ngre veten mbi frikën dhe mbi sulmet e padrejta, duke e kthyer mbrojtjen në akt dinjiteti. Dhe ndërsa ajo fluturon përsëri, me një shkëlqim që përzien mitin me realitetin, qytetari ynë e ndien se kjo nuk është thjesht një skenë force, por një rrëfim për qëndrueshmërinë, për identitetin dhe për faktin se, ashtu si në kohën e Ciceronit fjala ishte vetëm një armë. Sot e kësaj dite, ende simboli bëhet energji morale, një kujtesë se mbi tokën shqiptare gjithmonë ka diçka që ruan, vëzhgon dhe, kur është e nevojshme, vepron.

Tani kur planeti jeton nën hijen e frikës së armëve bërthamore, kur lajmet flasin për tensione dhe ekuilibra të brishtë që mund të shemben pa paralajmërim vetëm nga një vendim i gabuar. Pikërisht në këtë kohë, në rrethana të luftërave të ndezura globale, papritur del në skenë një i ri shqiptar, i cili me qetësi dhe me një siguri që nuk buron nga arroganca por nga bindja e thellë në punën e tij, prezanton një zbulim që premton një formë të re mbrojtjeje. Ky është një sistem që synon të neutralizojë kërcënimet në lartësi të mëdha përmes energjisë së përqendruar dhe inteligjencës së avancuar teknologjike, duke e kthyer frikën globale në një debat të ri për shpresën. Gjatë komunikimit të tij shkencor, përballë auditorëve të përbërë nga ekspertë, diplomatë dhe skeptikë që e shohin me habi këtë djalosh që flet me një gjuhë të qartë, të matur dhe me shifra që ndërtojnë ura mes fizikës, inxhinierisë dhe etikës.

Ai nuk kufizohet vetëm në formula dhe grafikë tredimensionale, por shkon më thellë, duke thënë se çdo teknologji mbrojtëse duhet të lindë nga një kulturë që e çmon jetën dhe jo shkatërrimin. Dhe pikërisht në atë çast, kur kamerat e mediave botërore fokusohen mbi fytyrën e tij dhe kur rrjetet sociale shpërndajnë çdo fjalë që del nga goja e tij si një thënie që mund të ndryshojë drejtimin e historisë, ai prek kraharorin e djathtë dhe gjoksin e tij. Ai vëzhgon me qetësi duke thënë se, me një zë që nuk dridhet, dhe se aty rreh zemra e një biri Shqiponje, jo në kuptimin e krenarisë së verbër, por si shenjë e trashëgimisë që e mëson se mbrojtja është detyrë morale dhe se dinjiteti nuk negociohet.

Në atë deklaratë nuk ka thirrje për përçarje, por një mesazh universal, sepse ai e shpjegon se simboli i shqiponjës, i lidhur historikisht me figurën e Gjergj Kastriotit, përfaqëson vigjilencën, lartësinë dhe përgjegjësinë për të parë më larg se frika e momentit. Por, edhe nëse një popull i vogël ka mundur të mbijetojë mes perandorive dhe padrejtësive, atëherë edhe bota mund të mbijetojë përmes bashkëpunimit dhe inovacionit të drejtuar nga etika.

Kështu, ndërsa disa e quajnë atë vizionar dhe të tjerë e shohin me dyshim, planeti ndalet për një çast dhe dëgjon, sepse në fjalët e tij ka një përzierje të rrallë të shkencës me identitetin, të teknologjisë me historinë, dhe në atë rrëfim të gjatë e të qetë për mbrojtjen kundër shkatërrimit bërthamor, ai nuk paraqitet thjesht si shpikës, por si dëshmi se nga një vend i vogël mund të dalë një ide që sfidon jo vetëm botën, por vetë frikën që e mban peng.

Në vazhdim të atij komunikimi që tashmë ka kapërcyer kufijtë e një konference shkencore dhe është shndërruar në një moment reflektimi global, i riu shqiptar e zgjeron horizontin e fjalës së tij duke e lidhur inovacionin me rrënjët e thella të një populli që jeton prej mijëra vitesh në Gadishullin Ilirik, duke përmendur se identiteti nuk është një konstrukt i rastësishëm i historisë moderne, por një vazhdimësi e kulturës, e gjuhës dhe e qëndresës që ka kaluar përmes epokave pa u shuar.

Ai flet për lashtësinë ilire jo si një mit romantik, por si një zhvillim qytetërimi që ka lënë gjurmë në toponimet dhe në traditat tona. Po ashtu ka shenja edhe në vetëdijen kolektive, duke theksuar se në ato troje ku dikur fiset ilire ngrinin kështjella mbi kodra strategjike dhe mbronin tokën e tyre me një organizim të admirueshëm për kohën, sot lindin ide që kërkojnë të mbrojnë jo vetëm një territor, por vetë ekzistencën njerëzore nga rreziku i shkatërrimit bërthamor. Në këtë rrëfim të gjatë, ku shkenca dhe historia ndërthuren si fijet e një tapiserie të lashtë, ai përmend figurën e Gjergj Kastriotit, jo thjesht si simbol lufte, por si mishërim të një filozofie që e sheh lirinë si kusht të dinjitetit njerëzor. Ai na sjellë një nga thëniet që i atribuohen citimeve të tị: “Lirinë nuk ua solla unë, por e gjeta midis jush”, një fjali që tingëllon si një urë midis shekullit XV dhe kohës sonë, sepse sugjeron se forca e një kombi buron nga vetëdija e popullit të tij dhe jo nga një individ i vetëm.

Ai vazhdon duke thënë se ashtu si në kohën e rezistencës së udhëhequr nga Skënderbeu, kur përballja ishte me perandori të mëdha dhe me vështirësi ekzistenciale, sot përballja është me rreziqe globale që nuk njohin kufij, dhe se përgjigjja nuk duhet të jetë frika apo izolimi, por bashkëpunimi, inovacioni dhe një etikë që buron nga respekti për jetën. Në sallë mbretëron një heshtje e thellë, sepse fjalët e tij nuk janë vetëm prezantim teknik, por një rrëfim për identitetin shqiptar që i jep kuptim të shumëfishtë zbulimit të tij.

Ai e ka vendosur atë si një çështje me një vijimësi historike ku shqiponja, si simbol i lashtësisë dhe i vigjilencës, nuk është thjesht emblemë, por metaforë e një shikimi të mprehtë që di të dallojë rrezikun dhe të ngrihet mbi të. Dhe kështu, në atë moment kur planeti duket i lodhur nga kërcënimet dhe pasiguritë, rrëfimi për lashtësinë ilire dhe për trashëgiminë e qëndresës shqiptare nuk paraqitet si krenari boshe, por si dëshmi se një popull që ka mbijetuar mes stuhive historike mund të ofrojë sot jo vetëm kujtesë, por edhe zgjidhje, duke e kthyer identitetin në burim të përgjegjësisë dhe jo në mjet të pasigurisë, për gjithë njerëzimin.

E gjithë kjo histori, që nis me një zbulim shkencor dhe përfundon në një reflektim të thellë mbi identitetin, mbart në vetvete një mesazh të pavdekshëm të kulturës historike të shqiptarëve, sepse ajo dëshmon se lashtësia nuk është barrë që të mban peng për të kaluarën, por themel mbi të cilin mund të ngrihen ndërtime të reja mendimi, dijeje dhe me shumë përgjegjësi globale.

I riu shqiptar, në paraqitjen e tij të qetë por të fuqishme, nuk e përdor historinë si dekor retorik, por si burim force morale, duke u mbështetur në figurën e komandantit Gjergj Kastrioti, i njohur si Skënderbeu, për të treguar se qëndresa nuk është thjesht akt ushtarak, por qëndrim i brendshëm ndaj padrejtësisë, ndaj nënvlerësimit dhe ndaj çdo miti që përpiqet ta zvogëlojë një popull në stereotipe të padrejta. Duke e përmendur Shqiponjën jo vetëm si simbol heraldik, por si metaforë të vigjilencës, të lartësisë së mendimit dhe të aftësisë për të parë përtej horizontit të frikës, ai i thyen një nga një paragjykimet që shpesh janë ndërtuar mbi padije ose mbi klasifikime të njëanshme, sepse përballë një bote që e sheh Ballkanin përmes klisheve të vjetra, ai paraqet një realitet krejt tjetër. Kështu një mendje shkencore që flet me gjuhën universale të inovacionit dhe që propozon zgjidhje për mbrojtjen e njerëzimit është hap i guximshëm.

Në këtë mënyrë, historia shqiptare nuk paraqitet si një varg betejash të përgjakshme, por si një vijimësi vlerash, ku dinjiteti, besa, qëndresa, respekti për lirinë janë vlera, të cilat në kohën moderne marrin formë në laboratorë, në universitete dhe në forume ndërkombëtare, duke dëshmuar se trashëgimia e një kombi nuk matet vetëm me të kaluarën e tij, por me aftësinë për ta shndërruar atë në energji krijuese për të ardhmen. Dhe kështu, mesazhi që del nga kjo histori është i qartë dhe i qëndrueshëm: shqiptarët nuk janë thjesht subjekt i rrëfimeve historike, por aktorë të kohës së tyre. Ata nuk mbeten të mbyllur në mit, por e përdorin mitin si dritë orientuese për veprim konkret.

Dhe përmes figurës së Skënderbeut dhe simbolit të Shqiponjës, i riu shqiptar dëshmon se identiteti, kur ndërtohet mbi kulturë dhe dije, bëhet forcë që i kapërcen kufijtë dhe i sfidon paragjykimet me qetësi, argument dhe vizion. Në sallat e debateve ndërkombëtare, ku dritat e studiove përzihen me seriozitetin e analizave strategjike dhe ku çdo fjalë peshohet si të ishte pjesë e një marrëveshjeje globale, mendimet për zbulimin e të riut shqiptar dhe për mesazhin e tij identitar marrin formë të shumëfishtë, duke krijuar një dialog që kapërcen kufijtë gjeografikë dhe historikë.

Ciceroni, i sjellë në këtë debat si figurë simbolike e arsyes dhe e retorikës klasike, do të theksonte me mendimet e tij me logjikë, të citat janë të ndërtuara me kujdes se çdo zbulim që synon mbrojtjen e njerëzimit duhet të mbështetet mbi parimin e së drejtës natyrore dhe mbi përgjegjësinë morale të kombeve, duke shtuar se një popull që ruan kujtesën e tij historike, si ai që nxori nga gjiri i vet Gjergj Kastriotin, ka jo vetëm të drejtën, por edhe detyrimin të kontribuojë në arkitekturën e sigurisë globale, sepse liria dhe dinjiteti janë universale dhe nuk i përkasin vetëm një gjuhe apo një flamuri.

Roboti, me analizën e tij të ftohtë por gjithnjë e më të ndjeshme ndaj dimensionit etik të teknologjisë, paraqet modele, simulime dhe skenarë ku sistemi mbrojtës me energji diellore redukton rrezikun bërthamor pa krijuar një garë të re armatimi, duke argumentuar se inovacioni shqiptar nuk është akt sfide, por ofertë bashkëpunimi, dhe se të dhënat tregojnë qartë se stabiliteti ndërtohet më mirë mbi transparencë dhe shkëmbim shkencor sesa mbi fshehtësi dhe frikë.

Media ndërkombëtare, si gjithnjë janë shumë aktive. Mediat globale e trajtojnë ngjarjen fillimisht me habi dhe tituj sensacionalë, duke e quajtur: “shpikja që mund të ndryshojë ekuilibrin strategjik”, por më pas, në analiza më të thelluara, nisin të flasin për dimensionin kulturor të saj, për faktin se një komb me histori të gjatë në Gadishullin Ilirik po shfaqet jo si vatër tensioni, por si burim ideje dhe vizioni, duke e zhvendosur kërkesën nga stereotipet drejt një diskursi mbi dijen dhe përgjegjësinë globale.

Grupe shkencore ndërkombëtare po ashtu kanë qëndrimet e tyre. Delegacione studiuesish dhe ekspertësh vizitojnë jo vetëm Shqipërinë, por edhe treva shqiptare përtej kufijve shtetërorë, duke shkuar në Çamëri, në Iliridë, në Malësinë e Plavës dhe Gucisë, në Sanxhak, dhe në Kosovën Lindore, për të kuptuar më thellë kontekstin kulturor dhe shoqëror që ka formësuar këtë brez të ri mendimtarësh.

Ato grupe kanë vëzhguar universitete, qendra kërkimore dhe bashkësi lokale ku identiteti ruhet përmes gjuhës, traditës dhe një ndjenje të fortë të përkatësisë. Në këto vizita, shkencëtarët nuk gjejnë thjesht një laborator apo një shpikje, por një rrjet kujtese historike dhe aspiratë moderne, ku figura e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut dhe simboli i shqiponjës bashkëjetojnë me ekranet digjitale dhe panelet diellore, duke krijuar një sintezë të pazakontë mes lashtësisë dhe së ardhmes.

Dhe kështu, në këtë skenë të gjerë ndërkombëtare, rrëfimi për të riun shqiptar dhe për mesazhin e tij shndërrohet në një debat mbi rolin e kombeve të vogla në çështjet globale, mbi fuqinë e kulturës për të ushqyer inovacionin dhe mbi faktin se, kur identiteti mbështetet në dije dhe në etikë, ai nuk bëhet mur ndarës, por urë lidhëse mes popujve.

(Nga dorëshkrimet, sirtari 160).

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.