DROPULLI – POPULLSI JOGREKE

0
153
Dropulli

Nga HASAN CEKA

“Krahinat më jugore të ILIRISË, që shtrihen NË JUG TË LUMIT VJOSA dhe kufizohen me krahinat veriore të Greqisë së Vjetër, njiheshin në kohë të lashta me emrin EPIR. Kjo fjalë rrjedh nga greqishtja e vjetër APEIROS (në dialektin dorik, i cili flitej nga kolonistët helenë të qyteteve tona bregdetare), që do të thotë TOKË, STERE. . .

Kështu, emri EPIR mori me kohë kuptimin e një shprehjeje gjeografike, ku përmblidhej krejt rripi i bregdetit, që shtrihej përballë ishujve Korfuz, Lefkas, Qefalloni etj. . .

Emri EPIR u përvehtësua mandej jo vetëm nga gjeografët, historianët e shkrimtarët helelenë e romakë, por edhe nga vet banorët, që e përdornin këtë emër shpesh herë edhe në dokumentat e tyre të shkruara si në mbishkrime, monedha etj….

Për nga Lindja kufijt natyrorë të EPIRIT i formonin malet e larta e të pa rrugë të PINDIT dhe të GRAMOZIT, ndërsa nga Perëndimi deti; kurse nga Jugu krahinat greke të AKAMANISË dhe të ETOLISË…
Fiset kryesore të EPIRIT ishin thesprotët, kaonët (labët), molosët, athamanët, parorajt, amfilohët, kasopët, omfalët (në Butrint e që ishin nënfis i kaonëve), dhe arktanët….

Fise epirote jetonin edhe jashtë kufijve lindorë e jugorë të EPIRIT, madje edhe në bregun e përtejmë të Adriatikut. Kështu, penestët e THESALISË ishin epirotë nga origjina; po kështu mesapët dhe fiset e tjera ilire të ITALISË së JUGUT ishin gjithashtu epirotë dhe kishin lidhje gjaku, gjuhe e gjinie me kaonët e bregdetit të HIMARËS…

Përdorimi i gjerë i emrave grekë hyri në EPIR (në fillim kryesisht në shtresat sunduese, të cilave u pëlqente të mbureshin me emra të huaj), si pasojë e marëdhënieve që u zhvilluan ndërmjet dy popujve fqinjë.)

Po në këtë përfundim të shpien edhe zbulimet arkeologjije, që u kryen vitet e fundit në disa tuma të DROPULLIT të SIPËRM, që i përkasin Periudhës së Parë të Hekurit, (që filloi në Mesdhe rreth vitit 1100 para Krishtit).

Gjatë gërmimeve dolën në dritë disa poçe balte, që i përngjasin në formë enëve prej balte të zbuluara në vise të tjera të ITALISË. Sipas gjuhës së arkeologjisë kjo do të thotë se popullsia që banonte asokohe në këtë pjesë të EPIRIT, kishte të njëjtën origjinë si edhe banorët e krahinës së MATIT, ku u gjetën poçe të së njëjtës formë e vjetërsie.

Këtu banonte, pra, e njëjta POPULLSI JOGREKE, për të cilën flasin më vonë burimet e shkruara historike (Tuqididi, Polibi, Plutarku, Straboni dhe Stefan Bizantini).

Për origjinën ilire të POPULLSISË së EPIRIT flet më në fund edhe pozita që zinte femra në shoqërinë epirote; GRATE, ashtu si tek fiset e tjera ilire, gëzonin në EPIR disa të drejta që i vinin pothuajse në një shkallë me mashkullin, siç ishte e drejta e trashëgimisë, dhe arrinin të hypnin deri në fronin mbretëror, dhe kjo nuk ka ngjarë vetëm një herë.

Një trajtim ë tillë të femrës nuk e njeh historia e grekërve të vjetër, ku gratë, me përjashtim të hetereve (grave të përdala), mbaheshin të ndrydhura në katër muret e shtëpisë dhe nuk merrnin pjesë as në jetën shoqërore, as në atë kulturore”.

SHËNIM: Shkëputur prej librit: Hasan Ceka “NË KËRKIM TË HISTORISË ILIRE”, (Instituti i Arkeologjisë), kreu: “EPIRI NË KOHË TË LASHTË. Vërejtje gjeografike dhe etnike”, Tiranë, 1998, f.266 -272..

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.