Aleksandar Vuçiq dhe Hashim Thaçi
IDRIZ ZEQIRAJ
Profesor Adem Salihaj, i burgosur politik, kryetar i LDK-së, kryetar i komunës në Ferizaj, zëvendësministër, kryeministër i Kosovës, deputet, si dhe bashkëpunëtor dhe mik besnik i Presidentit Rugova, ka publikuar një shkrim kronologjik, për të bëmat, “xhevahiret” e Hashim Thaçit, me pazaret e pista të bëra me Aleksander Vuçiq, Edvin Ramën, Richard Grenell, Bolton, Rubin dhe matrapazë të tjerë.
Nën maskën e korrigjimit të kufijve, ai dhe ata kishin planifikuar ndarjen e Kosovës. Falë tri Shërbimeve Informative të shteteve mike të Kosovës: SHBA, Gjermanisë dhe Anglisë, në koordinim me kryeprokurorin e Hagës, Jack Smith, e arrestuan në ditën fatale për atë, kur po udhëtonin së bashku me Aleksander Vuçiqin, për ta nënshkruar Marrëveshjen në Shtëpinë e Bardhë.
Hashim Thaçi u akuzua për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, kryesisht, vrasjen e kundërshtarëve politikë shqiptarë, duke filluar para luftës, gjatë luftës dhe pas luftës. Viktima e parë ishte zëdhënësi i parë të UÇK-së, Ali Ukaj, më 1997, në Tiranë. Ai ishte i dyshuari i parë dhe i vetëm. Xhavit Haliti thotë se “i telefonova një gjenerali të Sigurimit (SHISH), në Tiranë dhe Hashimi u lirua!”
Akuzat në vitin 2020, vazhdonin për krimet e bëra gjatë dhe pas luftës, si grup i strukturuar në Ndërmarrjen e Përbashkët Kriminale, me SHIK-un, Shqiponjat e Zeza, Bia, me lista emërore për ekzekutim. Të shenjëstruar për plumbosje ishin ushtarakët e FARK-ut të Dr. Ibrahim Rugovës; kuadrot dhe veprimtarët e LDK-së; gazetarët e Bota Sot; pra, kundërshtarët politikë. Por, nuk u kursyen as veprimtarët e hershëm të LPK-së, brenda llojit, Behajdin Allaçi me shokë.
Shkrimi i Profesor Adem Salihaj, është një shqetësim dhe alarm i bazuar, që meriton vëmendje të shtuar të shqiptarëve, për t`i sfiduar planet ogurzeza të Serbisë ndaj Kosovës tonë. Kosova nuk ka kohë për ta pritur buxhetin e përvitshëm, qoftë ai edhe i (një) miliardë euro. Duhet djegur etapat, për ta themeluar dhe begatuar një Fond solid, enkas, për mbrojtjen e Kosovës.
Fondi për Mbrojtjen e Atdheut-Kosovë,
imperativ, urdhëresë e kohës!
Pas luftës dy herë është provuar hapja e Fondit për Ushtrinë, për mbrojtjen. Pa paragjykuar për paratë e vjelura, nga nismëtarët: Kryeministri Ramush Haradinaj, më vonë Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, nuk ishin fare seriozë për t`u besuar. Mësuam se “Firma Devolli” dhuroi 50.000 euro. Por, transparenca mungoi nga palë e cituara.
Me paranë e popullit nuk ka lojë dhe as mirëbesim individual, grupor apo një partiak. Në vitet `90-a, kur ende nuk kishte Fond zyrtar në Mërgatë, Dr. Rugova e pa se si hidheshin paratë në paketë, në emër të Kosovës, pa emër, pa regjistrim, thjeshtë, në mirëbesim. Ai dha vetëm një porosi-sintezë: “Mos hidhni para në kapuç!” Dhe, rekomandoi hapjen e xhiro-llogarisë bankare, të përbërë nga një Komision i gjerë.
Organizimi ka qenë i përkryer, pa asnjë mundësi abuzimi në bazën e mërgimtarëve. Por, disa “komandantë” të babëzitur, mujsharë, kriminelë e rrugaçë, nën shantazhin dhe kërcënimin e armëve, i grabitën milionat, nga dy Fondet kryesore dhe të shoqatave e klubeve në Mërgatë, në shkallë botërore, madje edhe në mars, prill, maj 1999 dhe asnjë euro, nuk është përdorur as për armë dhe as për logjistikë! Por, paratë mbetën në xhepat e “komandantëve”, të cilët blenë me privatizime pasuritë shtetërore me çmime qesharake!
Çështja e armatimit të rëndë, ndoshta, ende ka kufizime për Kosovën. Por, infrastruktura mbrojtëse, korracimi për gjatë kufirit, duke respektuar distancat, tunelet e armatimit, strehimoret, duhet të jenë të bollshme dhe të përjetshme. E rëndësishme është të krijosh fonde të fuqishme, për të qenë gati kur lejimi i armatimit të rëndë të jetë pranuar. Por, jo qindra mijëra bunkerët si të Enver Hoxhës, të cilët, sipas specialistëve ushtarakë, më shumë ishin bërë për “konsum” të brendshëm psikologjik, se sa mbrojtje reale kundër armikut!
Përgatitja për mbrojtjen, përmbushë edhe njërin nga kushtet bazë për pranimin më të shpejt në NATO.
Modeli më i sigurt dhe më i lehtë është ai i Fondit Shtetëror të Republikës të Kosovës, 3 % nga rroga mujore. Kuota mujore mund të lëvizë, natyrshëm, më e lartë. Kemi vuajtur me vullnetarizmin, andaj, duhet praktikuar modelin e obligueshëm të Kroacisë, përgjatë luftës së tyre. Në vitet `90-a, kishte një rrogë (pagë) e kryefamiljarit kosovar, që mbante familjen e tij dhe, pjesërisht, vëllazërinë me familje në Kosovë. Ndërsa, tani, në familje hyjnë 3 dhe më shumë rroga mujore, madje të majme. Fjala është për Mërgatën, tashmë, të paktën, e 20 fishuar, krahasuar me vitet `90-a.
Atdheun nuk bënë ta duash me fjalë boshe, folklorike e tundje flamujsh, apo referimit bajat, vend e pa vend të UÇK-së. Kohëve të fundit, po na rastis të shohim më shpesh, të ftuar në debatet televizive edhe ndonjë mërgimtar. Kur ai jep ndonjë qortim për politikën, analistët mercenarë i hidhen, si çakej, me pyetjen klishe: “Ku ishe ti gjatë luftës?!” Në një rast, pas lavdit që i bëri vetës njëri nga uçekejsat e Dukagjinit, moderatori mori guximin ta pyes: “A kujton ndonjë betejë, ku keni fituar?” U lodhë dhe vonoi shumë në përgjigje dhe përmendi një betejë në një fshat të Prizrenit, ku janë vrarë 64 ushtarë serbë!
Dhe, në vijim u mësua se ai nuk ishte pjesë e asaj beteje, pra, ishte rrenë e kulluar, sepse betejat ballore kanë qenë, pothuaj se, imagjinare, në Luftën e Kosovës, përjashto Betejën e Loxhës dhe luftën e Koshares. Dhe, kjo për dy arsye: E para, “Ti vjen nga Armata jugosllave, nuk mund të jesh në komandë, duhet të hapësh rova (kanal mbrojtës)!” Pra, në komandë mbizotëronin partiakët e LPK-së. Dhe e dyta, armatimi ishte jo propercional me armikun, sidomos, posedonte tanket.
Shkrimi në vijim i Profesor Adem Salihaj është një analizë brilante, domethënës dhe bollshëm informativ, por që shqetëson deri në pagjumësi!
Salihaj ‘shpërthen’: Thaçi po çonte Kosovën drejt ndarjes – arrestimi në momentin e fundit e ndali planin!
Nga: A.M.
Adem Salihaj ka reaguar ashpër ndaj zhvillimeve të fundit që lidhen me epilogun e procesit në Gjykata Speciale, duke rikthyer në vëmendje prapaskenat politike të disa viteve më parë.
Ai rikujtoi se, aktakuza ndaj Hashim Thaçi u bë publike pikërisht në momentin kur ky i fundit po udhëtonte drejt Uashington për një marrëveshje me Aleksandër Vuçiq, e cila – sipas tij – parashihte ndarjen territoriale të Kosovës në kuadër të të ashtuquajturit “korrigjim kufijsh”.
Salihaj në postimin e tij në Facebook, hodhi akuza edhe për përfshirje ndërkombëtare, lobim të financuar dhe tentativa për riformatim të hartës së rajonit, duke e cilësuar gjithë procesin si një rrezik serioz për ekzistencën e shtetit të Kosovës, transmeton “Bota sot”.
Postimi i plotë
Ditët e fundit kemi shumë debate dhe shqetësim lidhur me epilogun e gjykimit të Gjykatën Speciale. Por, për t’i kuptuar më mirë arsyet e gjithë kësaj, po kthehemi disa vite pas.
Fletarresti për Hashim Thaçin u lëshua në momentin kur ai në Vjenë po hypte në aeroplan për të shkuar në Uashington. Atje do të shkonte edhe presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiq dhe këta dy po shkonin për ta nënshkruar marrëveshjen për shkëmbimin e territoreve në mes Kosovës dhe Serbisë, të cilin ata e quanin Plani për korrigjimin e kufirit.
Sipas këtij plani, Serbia do të merrte Zveçanin, Zubin Potokun dhe Leposaviqin, pjesën ku ishin miniera të rëndësishme të plumbit, zinkut, arit dhe argjendit dhe përfshinte rreth 20% të territorit të saj. Në një version tjetër ky plan parashihte diku 40% të territorit të Kosovës, deri në Prishtinë e Prizren.
Kosova do të merrte në këmbim një pjesë të Preshevës dhe disa fshatra të Luginës, më pak se gjysma e këtij 20% që do të merrte Serbia. Këto ishin kryesisht ara, livadhe dhe ndonjë mal, por pa asnjë pasuri nëntokësore.
Serbia do të kishte plus Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, pastaj do të kishte mbrojtje të veçantë për kishat dhe manastiret, si eksterritoritet. Dihet se Liqenin e Ujmanit do ta merrte Serbia.
Por, një çështje tepër e rëndësishme ishte Trepça, pasuria e së cilës vlerësohet në 500 miliardë dollarë.
Sipas këtij plani, Trepça do të “menaxhohej” (ndahej) në mes Kosovës, Serbisë, SHBA-ve, Rusisë dhe Kinës. Kosova do të merrte vetëm 35% të saj. Pjesa tjetër i shkonte Serbisë dhe këtyre shteteve që u përmendën. Nuk duhet përjashtuar mundësia që ndonjë hise të kësaj pasurie të madhe të kishin edhe Grenelli, Thaçi, Rama dhe Vuçiqi.
Vetë Mitrovica si komunë, e ndoshta edhe më shumë se kaqë, nuk do t’i takonte Kosovës, por do të ishte distrikt i veçantë nën menaxhimin e shteteve të mëdha.
Ky plan ishte i hartuar në Beograd, nga Vuçiqi, por sponzorë kryesorë ishin Hashim Thaçi dhe Edi Rama. Ata bënë çmos që ky plan të realizohej. Hashim Thaçi bëri vizita në shumë shtete për t’i bindur ta përkrahnin këtë plan, por nuk gjeti përkrahje askund, përveç te Rusia, Serbia dhe, për fatin tonë të keq, te Edi Rama, sepse po më vie rëndë të them te Shqipëria.
Në Uashington, sponzor i Planit ishte Richard Grenell, i cili e kishte bindur Presidentin Trump se ky ishte plan i paqes, i cili zgjidhte në mënyrë paqësore konfliktin shekullor dhe ndalte luftën 200 vjeçare në mes shqiptarëve dhe serbëve. Një plan, të cilin, siç i thoshin Grenell dhe Bolton, e përkrahnin edhe vetë Serbia e Kosova, nuk kishte pse të kundërshtohej as nga Presidenti Trump.
Këto ishin manipulime të Richard Grenellit, i cili, siç dihet, ishte i paguar nga Serbia. Më vonë Vuçiqi e dekoroi Grenellin në Beograd për merita të veçanta për Serbinë.
Por, nuk ishte vetëm Vuçiqi që paguante Grenellin.
Hashim Thaçi e kishte paguar James Rubinin nga 52 mijë euro çdo muaj për dy vite, që bëjnë 1 milion e 248 mijë euro nga buxheti i Kosovës, që të lobonte në Uashington për realizimin e planit serb për ndarjen e Kosovës. Këtë e pranoi edhe vetë Rubin gjatë dëshmisë së tij në Hagë.
Mënyrën e arrestimit të Thaçit e shpjegoi Richard Grenell. Sipas vetë atij, arrestimin e Thaçit e organizuan tri shërbime të rëndësishme të inteligjencës: BND-ja gjermane, MI6 angleze dhe CIA amerikane. CIA anerikane ende nuk kishte rënë nën ndikimin e Grenellit. Arrestimi u bë me urdhërarrestin e kryeprokurorit të Hagës Jack Smith, i cili ishte në kontakt dhe i koordinuar me këto tri shërbime dhe me demokratët në Uashington.
Mendoj se Presidenti Trump ishte i keqinformuar nga Grenelli, të cilit i besonte shumë. Trump nuk kishte ndonjë qëllim të keq ndaj Kosovës. Ai kishte bindjen se po ndalte një luftë 200- vjeçare dhe po krijonte paqen. Madje, pse ta këtë marrëveshje këtë marrëveshje, kur vetë presidenti i Kosovës Thaçi dhe ai i Serbisë Vuqiç ishin pajtuar për këtë plan.
Përndryshe, tash në mandatin e dytë, Presidenti Trump, i rrethuar nga njerëz të duhur, kur u informua drejt, ai ka qëndrimin e duhur dhe ka bërë hapa shumë energjikë për mbrojtjen e Kosovës, bile më tepër se çfarëdo pritje e jona. Siç dihet, i është kërcënuar Serbisë se nëse e sulmon Kosovën, do ta paguajë shtrenjtë, ngjashëm me Kërcënimin e Kërshëndellave të Presidentit Bush. Kohët e fundit ka nënshkruar edhe ligjin dhe urdhërin që SHBA-të të angazhohen për mosndryshimin e kufinjëve edhe për pranimin e Kosovës në NATO. Pra, ai po bën edhe më tepër shumë për Kosovën.
Po të mos angazhohej kaqë shumë Thaçi dhe të mos ishte ky rrezik për ndarjen e Kosovës, me siguri fletarresti për Thaçin nuk do të shpallej atë ditë dhe aqë papritmas. Madje, disa ndërkombëtarë i kishin deklaruar Thaçit se ai, për momentin, nuk ishte në listë për arrestim nga Gjykata Speciale. Është pikëpyetje se a do të arrestohej fare Thaçi, po të mos ishte ky rrezik i ndarjes së Kosovës, apo vetëm do të shtyhej arrestimi i tij për më vonë.
Po të realizohej ky plan, Kosova më nuk do ekzistonte si shtet dhe pjesa e mbetur do t’i bashkohej Shqipërisë.
Sipas asaj që flitej, Thaçi dhe Vuçiqi, si njerëz “të paqes” do të kandidoheshin për Çmimin Nobel për paqe. Ne ishim shumë me fat dhe duhet t’u jemi shumë mirënjohës shteteve të mëdha mike, që nuk lejuan të realizohej ky plan. Pa këto shtete nuk do të ekzistonte sot Republika e Kosovës.
Këtu po e jap atë që më tha Presidenti Rugova, në fund të vitit 2004, kur po bisedonim vetëm unë e ai për formimin e qeverisë: “Hashim Thaçin nuk duhet lejuar në asnjë mënyrë që të bëhet kryeministër, ai është shumë i rrezikshëm”.









