Kohë më parë poeti, prozatori dhe publicisti, Sabit Abdyli, tashmë i njohur në letrat shqipe, ka nxjerrë në dritë edhe dy vepra të reja:
1. KËNGA IME RRI FSHEHUR, poezi (2022) dhe
2. TREGIME VENDÇE, prozë (2022).
Me këto dy vepra letrare, ky autor, që ka botuar deri me tash dhjetra vepra, është dëshmuar edhe kësaj radhe se ai ka kulturë shkrimi, elegancë gjuhe dhe stili që mund të shërbejë edhe si model shkrkmi në këto kohë kur kanë vërshuar vepra me vlera jo të mirëfillta letrare…
2. Pak biografi për autorin
Sabit Abdyli, profesor shumëvjeçar i Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe, është i lindur në Kabash të Vitisë më 1946. Sabiti, krahas punës me ditar, ka kryer edhe detyra shoqërore, kurse në vitet 1990-1999 ishte përgjegjës për paralelet e Gjimbazit “Kuvendi i Lezhës”, në Kabash. Një mandat ka qenë deputet i Kuvendit të Kosovës (1974-1978).
Gjatë kohës së Luftës policia serbe e ka nxjerrë forcërisht nga shtëpia dhe e ka torturuar mizorisht jo vetëm atë por edhe të vëllain Feratin. Për shkak shëndetit të rrënuar e nevojës për shkollim të fëmijëve, ai, pas luftës, me 29 tetor 1999 emigroi në Zelandë të Re.
Sabit Abdyli, sipas shënimeve biografike, përveç artikujve për Mërgatën shqiptare etj., ai ka botuar nëpër gazetat: “ILYRIA”, “DIELLI”, SHBA, “ZËRI”, “Bota Sot”, Kosovë, “Shqiptarja.com”, Shqipëri, “Fjala Jonë”, etj.
3. Veprat e botuara
1. Kabashi i Anamoravës, monografi, 1997,
2. Ankthi i pranverës’99, libër dokumentar, 2004,
3. Kohë e lumtur, poezi, 2005,
4. Bijtë e shqipes në tokën e reve të bardha, poezi, prozë, artikuj, 2010,
5. Letra, Anekdota, Aforizna, 2013,
6. Ne Kabashi jemi t’ndamë nji zjarmi, 2013,
7. Dallgë malli, poezi, 2016,
8. Tybe këta veç kabashë janë, 2016,
9. Thërmija jete, prozë, 2017,
10. Letra për babuqin gasterbajter në Gjermani, 2017,
11. “Lisi” skenar për film,
12. Orë bukurshkrimi, poezi, 2019,
13. Kënga ime rri fshehur, poezi, 2022 dhe
14. Tregime vendçe, prozë, 2022.
4. Tregime vendçe, prozë
Te libri i tij në prozë me titull: TREGUME VENDÇE, autori shfleton në mes të rrëfimeve dhe prozave të tij traditat e vendlindjes së tij, flet qetë “me gjuhë nornative për duart e nënës, aromën e bukës së ngrohtë të saj në Kosovë, për vuajtjet e qëndresën stoike nën okupimin serb të tij e popullit që i përket” (Antonina Kodheli, recensente). Rrëfimet që janë përfshirë në këtë libër janë të shkurtra me gjuhë të pasur e dialog të qartë, ato nund të lexohen edhe si poezi shumë prej tyre të jetuara nga vetë autori.
Por në këto rrëfime lexuesi do gjejë diçka që i përket gjithsecilit që nga dashurua për vendin, për familjen, për njeriun njeri, për renkimin e mallin, për historinë e gjeografinë e tokës prej nga vjen, herë-herë edhe pezmi… (A. Kodheli). Siç e ka vërejtur edhe recensentja e këtij libri, A. Kodheli, autori i librit nuk ka mund të mbetet vetëm spektator, kur bie fjala për gjendjen ekzituese në vendlindjen e tij dhe reagon për gjithçka që sot ndodh aty. Ai e do Kosovën të begatë e të përparuar.
Duke i lexuar këto rrëfime, lexuesi pasurohet shpirtërisht dhe estetikisht..
5. Kënga ime rri fshehur
Pas botimit të librit me poezi: ORË BUKURSHKRIM (2019) për të cilin kam shkruar dhe botuar një vështrim afirmativ (POEZI QË REFLEKTON BOTËN POETIKE-SHPIRTËRORE TË POETIT, Bota Sot 14 maj 2021), autor tash na vjen me librin e tij me të ri me poezi titulluar: KËNGA IME RRI FSHEHUR, ku janë përfshirë mbi 140 poezi me tema dhe motive nga më të ndryshmet… Edhe ky libër, ç’është e vërteta dëshmon për pjekurinë artistike të autorit në fjalë.
Poezia e përfshirë në këtë libër është poezi e arrirë, fine, poezi plot sharm, e pasur me motive e tema nga më të ndryshmet, është shkruar me elegancë gjuhe dhe stili. Ndryshe nga libri: ORË BUKURSHKRIMI, këtu ligjërimi poetik është më i saktësuar, më autentik, ndërsa stabiliteti i vargut, i frazës poetike më racional, gjithsesi edhe më novator. Janë të ndryshme mënyrat me të cilat poeti, Sabit Abdyli, e shquan semantikisht fjalën, frazën poetike, mendimin në të vërtetë ligjërimin e tij poetik. Është për t’u theksuar se poeti i ka kushtuar një kujdes të veçantë estetikës së gjuhës poetike.
Poezia e këtij libri është e pasur, siç thamë, me tema e motive që ndërlidhen me jetën e poetit,me jetën e brezit të tij, me jetën e shqiptarit (kosovarit) në kohë e rrethana të ndryshme. Vetë titujt e poezive, si: “Dhembjet tona”, “Pse”, “Jam brez”, “Zjarri nuk i zhduk”, “Unë e ti”, “Duam”, “Kënga ime rri fshehur”, “Brezi im”, “Arbëria”, etj., dëshmojnë fuqishëm për vlerat ideoartistike të poezisë së këtij poeti që lexohet me një frymë, me shumë kënaqësi estetike.
Sabiti është poet i veçantë me botën e vet poetike, i frymëzuar nga jeta dhe bota reale dhe imagjinative. Në fakt këtu kemi dy forma të jetës, forma e jetës dhe forma e krijimit që ndërlidhen, fuqimisht dhe artistikisht, bukur, mes veti dhe skalitën në fjalën poetike, ku shkrepëtijnë bukuritë artistike të bëra në vargje të.lira, jo rimuese. Duke e lexuar poezinë e Sabit Abdylit që është përfshirë te: KENGA IME RRI FSHEHUR, ne kënaqemi estetikisht, ndjejmë, mësojmë, këshillohemi dhe pasurohemi letrarisht, shpirtërisht dhe kombëtarisht.