Guri i një muri

0
Nexhat Halimi

Nexhat Halimi

Ag është… Tufa degësh të pemëve nxjerrin vetveten përmbi muret e lashta prej guri, të cilat rrethojnë oborret dhe derdhin aromë të fortë. Ngjasin në qepalla mbi rrënjët me vetëtima e gishta të ngulitur nëpër vija kalldrëmesh e rrjedha ujit të buqitshëm të Lumbardhit. Vetëtimat ngrihen lart në reflektim herë në përgjasje kokash të njohura e herë në ngjasje që vijnë nga historia e përgjakshme për liri.

Flasin me gjuhë të flakës mitike.

Qiellit gjysmë të ndezur mbi kalanë e vjetër i shkundin nën dridhje degët e moçme nga përbirojnë lart e më lart hapësirës së kaltër dhe vijnë me sy të ndritur dy skifterë nga majat e maleve të Sharrit dhe bien në degët e lashta të Rrapit të lidhur me ujin e gufueshëm të Lumëbardhit… E shikoj pa folur asnjë fjalë hijen që më shoqëron.

Shkulmat e ujit të rrjedhës së Lumëbardhit bien me zhurmë.
Plaku Xhemal e shikon lart kalanë. Përqendrohet në ndonjë gur mbi kokët tona hije në kala. Për pak kohë mbyllet në heshtjen e pashpjegueshme.
“Brenda muresh qe vdekja vetë… herë-herë përmes fytit të topave, nga gojë e tyre, ajo vdekje derdhej dhe mbi qytet. Tri vjet në pranga- në atë guacë të errët e të ftohtë, me kokë në mengene, i la dhe Abdyli i Madh në kala…”, mbyll sytë dhe pastaj prapë i hapë plaku Xhemal dhe largohet nga buzë rrjedha e Lumëdardhit dhe me një trokitje të hovshme të zemrës merr të ngjis shkallët e Shtëpisë së vogël të Lidhjes së Prizrenit.

Të ngjitemi lartë ku rrah zemra flet ai i mbushur frymë.
… ora me tik-takun e vet të mbytur e bluante mesditën. Çel sytë dhe i befasuar vërej orën e imagjinuar: akrepat, mekanikisht lëviznin, tik-tak,tik-tak,tik-tak.. Kaq ka ikur dita, e unë ndërroj! Asgjë s`do t`ia dal të bëj me ritëm kaq të vdekur të punës. Kush do t`i shkruajë ato skica, reportazhe, rrëfime të vogla, që i presin nga unë… – të kërkosh ndonjë gjurmë, sado të vogël… – më tingëllonin fjalë të Maksit në kokë. – …ka, do të gjesh. Ajo qe ngjarja më e ndritshme në zinxhirin e gjatë e të rëndë të robërisë së gjakut, në secilën pëllëmbë të tokës etnike! – Mishi e gjaku qe, – e mbylli me çelës fjalinë redaktori i dytë, Çelaj… – Ja, pra, – i fola vetes, – … udhëtim brenda gjakut!… Ngjita shkallët e shtëpisë së vogël të Lidhjes. Eca prapa plaku Xhemal dhe mora frymë thellë.

– Alo…
– Oh! – më ra në vesh zëri i përgjumshëm. Ta prisha gjumin?
– Po… ende flija. Qe natë e rëndë!
– Kurrë më e rëndë se imja… – ia bëra, pa e zgjatur më. Ai, mes lodhjes e gjumit, tha, do të vinte më vonë… E ngreha kokën, shikova qiellin mbi veten time dhe atë pjesë të kalasë, që e kapte syri… Ecja hijes, i kredhur në shtresat e etjes e të hirit. – Ka çaste, data, ngjarje, që s`vdesin me vrasjen në betejë, – dëgjoja bubullimë të rëndë në brendi nga ecja me veten në shpinë ndanë udhës së iluzionit. – … Ato udhë lënë duhmën e gjakut, zërin dhe jehonën në kohë, hyjnë në zemër të gjërave, t`i flasin etjet, ëndrrat, kredot e atyre që u dhanë shpirt, të bëhen pjesë e gjithësisë së një populli… Eci në gjysmëhark- kalldrëmit, nën plepat e vjetër dhe të gjatë, të cilët bashkë me gurtë e kalasë përballë-lart, mbajnë qiellin mbi vete. Mes plepash, një shtëpizë e vogël, me dy kate… Shkel mbi copëza betoni, mbi gurë e tulla, hekura të lakuar dhe të gjatë, mbi dërrasa, drurë të latuar… Rinovohen në gjysmëhark konakët e vjetër, para tyre – në hapësirë të vogël, ravijëzimi për dy bazamente shtatoresh. Eci e gjithnjë kthehem prapa në kohë. Ngjis shkallët një e një në shtëpinë e vogël. Shkallë druri. Për secilën shkallë ndahem nga vetja dhe njëkohësisht hyj në vete. Njëqind vjet më parë pëlciste gjaku në secilin damarë atDheu e shpendi e njeriu. Tash, kaq vjet më vonë, unë qaj i paThënë, i robëruar, i prerë, pa një këmbë e pa një dorë, pa gjysmën e trupit e të kokës…

– Kaq vonë të djeg gjaku yt, – bie mbi gjërat zëri im.
– Ndodh kjo mbi mua dhe në mua gjithherë, – ndërhyj.
– Ja, tash veç hiri i gjakut, veç sendet pa frymë dhe zjarri i largët, i ftohtë… – tingëllon prapë i njëjti zë..
– Zjarri – megjithatë, kurrë i shuar. As ëndrra!
– Me ëndrra s`ndërtohet kulla!
– Hesht… – i fus çelësin drynit brenda vetes. – Ja, ka mbetur çdo gjë!
– E s` është asgjë!- shpërthejnë shtatë zëra përnjëherë në mua. I mbyll sytë dhe zë ballin me dorë. Sa s`më pëlcet gjaku për hundë e gojë…
Shkel mbi tepihun e odës së epërme të shtëpisë kaq të vogël dhe kaq të madhe në ecjen time në kohë dhe hapësirë. Derdh shikim të ndezur flakë mbi eksponate. E sytë- robëruar nga lotët.
– Një shtëpi kaq e vogël të bart brenda vetes një ngjarje kaq të madhe e të mos pëlcasë, të mos digjet, – e dëgjoj zërin tim.
– Digjet! Si nuk e ndien, – ndërhyj.
– Si?!
– Në vajin e qyqes nga e çukit ashtin e vet dhe timin.
– Njëqind vjet njëjtë, ndanë vatrës së fikur, gojë-gur!
– Na i prenë degët, na e thyen qiellin, na i verbuan sytë… Ja, veç me dorë i prek gjërat, t`i njoh nga hiri, nga ngrirja dhe gjithësia!
– … megjithatë, i ndien. Ja, var` në mur rrobat kombëtare…
– E kjo?

– Kjo… Tavolina e Abdylit, në të cilën punoi, shkroi telegrame, dokumente me rëndësi, në të cilat amshueshëm frymon jeta e Lidhjes, luftërat e përgjakshme për tokën dhe qiellin e lirë të zogut dykrenor. Ja, mes shumë fotosh, të zverdhura nga koha, mes shumë gjakshkrimesh dhe ëndrrash është dhe një orë e xhepit, me qostekë. E heshtur, nën xham të vitrinës, ka kohë e pa kurdisur. Akrepat e ngrirë në dymbëdhjetë pa pesë. A flet kjo ndonjë gjë, vallë? Ndoshta çastin e fundit të jetës së të zot, Ahmet Koronicës, apo fundin e Lidhjes, të shuar me gjak… apo, fillimin e zinxhirit të gjatë të robërimit të ri të zemrës dhe të tokës… Më pikin lot qelqit të ndritshëm mbi gjësendet.

– S’hyhet këtu për lot, – kumbon nga dera e odës zëri i rojës. – Këtu hyhet për t`u ringjallur! Fshij lotët.
S’mund të nxjerr zë. Eci… afrohem te dritaret, marr me shikim kalanë dhe një dizgë qielli të errësuar. Në hapësirën, bri dritaresh – i heshtur, i palosur – flamuri kombëtar.
– Flamuri është i kohës së Lidhjes, – më afrohet roja dhe më vë dorën mbi sup, – … i takoi kryetarit të fundit, Y. Prizrenit. Afër njëqind vjet, në fshehtësi, e ruajti në një arkë Gafarri, në kujtim të të zot dhe të gjakut të derdhur për të… E dëgjoj e s`flas. Ia zë dorën me dorë dhe ia largoj nga supi im. Eci… te një vitrinë, më pastaj te tjetra. Fare i hutuar. Hepohem në një marramenth të rëndë. – Ç`ke, a je mirë, – më afrohet prapë roja…
– Ja, – bëj me dorë nga një vitrinë, me sy në një armë.
– Kobure, – thotë roja.

E shikoj herë atë në sy herë armën, e cila rri aty në sfondin bojë gjaku e hesht. – Vitet kanë kaluar e asgjë në të nuk e ka humbur shkëlqimin?
– Do të këndonte dhe tash për lirinë… – shikon anash roja dhe flet të vogël. – … kjo armë me një unazë aty pranë! Në cilën dorë lidhën besën , vallë, në cilin rremb të atDheyt shkruan epikën, bukurinë në cilin brez zgjuan, në cilin zjarr, në cilin trëndafil i dogj pavdekësia e gjakut?! – …flet poezi, nxjerr fjalë nga zemra, – më shikon me kureshtje roja. – Cili je ti?
– Ja, tash, – e shikoj armën, – rri aty e hesht. Nuk flet as për të zot, as për vete. Hesht ajo që ndër malet nuk heshti kurrë…
– Eh, – ia bën roja dhe dalim nga shtëpia e vogël. Jashtë Lumëbardhi rrjedh me ritëm të zgjuar, siç ik kaq me hov nëpër damarë gjaku…
Më ndjek veç zëri im i robëruar…
…Trokas, në orën e caktuar, në derën e plakut Xhemal Limani.
– Pse s` hyn, ç`pret para derës, – më flasin njerëzit e shtëpisë.
– Do të ecim pak qytetit me plakun, a është gati?
– Po, po… Ja, tash del… – thotë një fëmijë. – Secili konak te ne e ka derën hapur për mysafirin e mirë, – flet plaka, për ta thyer heshtjen e përvjedhur mes nesh.

– Po… – del plaku dhe mbath këpucët, – bukë e kripë e zemër për mikun, e për armikun plumb ballit. E ka traditë këtu secili, bartet ndër breza… Ec plaku dhe shikon udhën e ngushtë gjarpërore mes shtëpiash të vogla, dykatëshe. Ec, kokë ulur, i heshtur. Në bërryl të udhës ndalet, i bie gurit me bastun. Dy pika lot i këputen nga sytë dhe i zbresin fytyrës. Nuk i flas, e ngacmon diçka, le të qajë. I bie prapë gurit me bastun dhe ngreh kokën lart, sikur të kthehet nga ndonjë udhëtim i largët e i rëndë dhe gjithë etje ik shikimin mbi pemët, mbi pullazet e qytetit, ku e reja me të vjetrën rrinë afër, pranë-pranë, kompozohen bukur. E shikoj dhe e kam të qartë ku i dhemb plakut dhe për çfarë i dhemb… megjithatë, heshtjes i mbetet pjesa më e madhe e burimit të dhembjes dhe e vetë dhembjes. Më vjen të qaj dhe mua… e, s`mund as të mendoj pse!?
– S` mund të thuash ende në shkrimin tënd asgjë çfarë duhet. Ke kujdes, prit… Pylli është përplot bisha! – më shikoi.
– Prit e prit, kot. Pylli do të jetë gjithherë me bisha, – ia lexova mendimin.
– Veç ndonjë gërvishtje ta lëmë…- Ngadalë, për ku ngjitemi… – e dëgjova të thoshte ngadalë. – Ku? – Te unaza, te zëri i gjakut që këndon himnin… – tha e i ra ashpër tokës me bastun, i mbytur në heshtje iku shikimin nga kalaja apo nga qielli. E – poshtë, Lumëbardhi rridhte me ritëm të zgjuar, siç rridhte dhe gjaku në damarët e mi dhe të plakut. Ecnim udhës së shtruar me gurë, ku lashtësitë ruajnë vetveten, ngjyrën dhe emrin, dëshminë e dritës në ndonjë ornament, apo vizatim-lule nga koha ilire, e me këtë dhe vargu i shkruar kudo – “ky shkëmb e ai dru, kjo kështjellë e ai zog mbesin ku kanë qenë”…

Plaku hepohet. E zë marramenth, do të bjerë për tokë, apo toka ngrihet lart dhe e godet për ballë. Kot mbahet për bastun. E zë për krahu dhe e ul në një gur. – Qetësohu pak, – e shikoj të verdhë në fytyrë, – e më pastaj ikim për në shtëpi. Dikush ia beh ndërkohë nga kafeneja e afërme me një gotë ujë. Këndellet pak… – S` është lehtë ta prekësh varg e vijë këtë bukuri, siç mësymë unë e ti! Ja, të robëron dhe s`e përballon, – buzëqesh, e sytë kaq të turbulluar pak çaste më parë përsëri i ndrisin. – Është djep i poetëve dhe i poezisë ky qytet… Veç zemra e madhe, gjaku i paepur ia ka dalë t`i lidh në një gërshet këtu epikën e lirikën për të gjethuar në kohë, në hapësirë e breza trungu me rrënjë të thella i Lidhjes, kuvendi i së cilës është mbajtur në medresenë e xhamisë së Mehmet Pashës, e cila kishte një qoshk të madh e të bukur dhe përpara një fushë të qarkuar me plepa. Ja, afër është çdo gjë, dëshmia për zjarrin, për gjakun… për fjalët, besën, për pushkën që kaq bukur këndoi nëpër male, për flamurin që në emër të secilit – të madh e të vogël, me valëzimet e veta zgjoi ndjenjën e dritës që do të vijë… – S’pikoi dot ajo dritë. – ndërhyj. – Është në ne, është… në secilën zemër.

Mund ta prekësh përmes çdo gjëje dhe ta përjetosh, të të dridh me themel, si ngjau – ja, me mua… – i ik një buzëqeshje e lehtë… – … megjithatë, shumë gjëra kanë ngelur nën pluhur!? – Jo… A s`e dëgjon bubullimën e zërit të Baca Kurtit nga Tuzi, përfaqësues i Grudës në Kuvendin e Lidhjes. “Kafexhi… treqind kafe prej meje për delegatët”… për të gjithë, pa vel të fisit e të fesë, në fustanella, në tirq të bardhë me gajtan të zi, me kobure në brez, lidhur me besa-besë, deri në pikën e fundit të gjakut për të mbrojtur trojet e atDheut që e gllabëronin… E marr prapë për krahu e ecim ngadalë.- Drekën do ta hash te unë, – thotë, pas një heshtjeje të gjatë mes nesh. – A s`u ngjitët në kala, a?- na e çel derën plaka dhe shikon gjithë habi. -… s`do të ishim shqiptarë t`i shkonim punës deri në fund, – qeshi plaku. Hyjmë në dhomën, në të cilën plaku udhëton në kohë, brenda gjakut të vet. – Ja, – e zbret nga muri një fotografi. – Është nga viti1895, fotografi e regjimentit të Prizrenit, që mori pjesë në luftërat me grekët. Mes tyre dhe babai im. Ja, të gjithë me plisa, sypatrembur…

…Syri, ngado të lëvizësh, zë kalanë dhe qiellin e pafund, të derdhur mbi fshehtësitë e ngelura në gurë muresh, mbi frëngjitë dhe qelitë, brenda të cilave ndodhën varje, vrasje, pikoi gjak dhe shpërthyen gjëma të llahtarshme të burgosurish në pranga, me koka në mengene… E Lumëbardhi, ja, veç rridhte e ftohtë dhe e pandjenjë! – Ngadalë, do të mund të ngjiteshim në kala, – më thotë plaku, nga pinim kafe në Marash. – S` bën pa e parë… – Pse, ç`ka ngelur tjetër në të veç heshtjes dhe të vdekurës, veç fshehtësisë që koha ia mori me vete!? – Do të jemi dhe më afër zotit, a kupton? – Për sa… – Për një pëllëmbë e – te ai, – qeshi dhe u ngreh. Doli… – Ej, ku ik, – dola pas tij. – Ke harruar diçka brenda! – Paguaj pasi të kthehemi, – qeshi ai dhe mori udhës së gjarpërt, që shpien në qiell… Ik dhe unë. Ia përcjell hijen që i ngel prapa. Eci e në kokë lidh e zgjidh nyej, i këpus dhe prapë i lidh penjtë e njëjtë, për të ecur më tej jetës me arna, për të bërë kolazh. E tillë, zaten është jeta, rrypa-rrypa… ik, i këputur nga çdo gjë. “Ku?” më thotë një zë. “Ku e përsërit… aty dhe un’!” E në kokë papritur më tingëllon zëri i plakut Xhemal… “Jeta është një breg penjsh të prerë… Ti këtë ende s`e kupton! Secili e vjedh nga një grusht, më vonë të shoh – ka marrë më shumë të zi apo të bardhë. S` mund t`i ikësh udhës që e ke para as dhembjes, me të cilën je mësuar, të është bërë e bukur dhe s`ke ajër pa të!” Eci… Gjuha e udhës-gjarpër, shkëputet aty-këtu në qafa guri, të lidhet prapë dhe të arrijë në qiell. “Më afër zotit!” siç tha dikush. – Qe pak vështirë, po – ja, ia dolëm, – vë ai dorën mbi trupin e topit, i cili në kohë të ikura volli pamëshirë zjarr mbi gjakun tim. – Po, ia dolëm… – mora të ulesha në një gur e mendja më iku te plaku Xhemal Limani i Terzi Mëhallës, me të cilin deshëm të ngjitemi këtu e s` ia doli… I mbet gur në zemër pse e la fuqia.

“Ndoshta nuk do të ngjitem kurrë më…gjallë, – e theksoi prapë, – gjallë! … – E shikoi gjatë kalanë e qiellin e derdhur mbi të. “Brenda muresh qe vdekja vetë… herë-herë përmes fytit të topave, nga gojë e tyre, ajo vdekje derdhej dhe mbi qytet. Tri vjet në pranga- në atë guacë të errët e të ftohtë, me kokë në mengene, i la dhe Abdyli i Madh në kala…”, më binin në veshë me tingëllimë fjalët dhe zëri i përvajshëm, por dhe me një krenari të fshehur në vete… “Tri vjet brenda muresh të lagështa dhe të ftohta, pa pikë drite, i shtypur, plot pagjumësi e lodhje, herë-herë me kokë në mengene, i etur e i uritur… – gati ripërsëritet plaku, për të shtuar gjithnjë me një hije të rëndë në fytyrë… – E kjo e ligështoi për ndonjë çast. Secili prej nesh është prej mishi e gjaku, bie… ra dhe ai, mbylli sytë dhe ia zgjati rojës orën e vet të trashëguar me qostekë. – Ja, ora… – i thotë, – shite apo bën ç`duash me të, po më sill bukë!… – i iknin çurkajë lot fytyrës plakut, i cili krejt i harruar i binte me mllef dhe ashpër tokës me bastun. – Jeta në pranga, sado i paepur-me qëndrim mali të pamposhtur, të patundshëm, dalëngadalë e bënte të veten!… Ai, si qiriri, sa shkrihej kaq dhe gjuhësonte flakë – dritë në gjakun e secilit të etur për liri dhe atDhe”…

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.