Greqia financon autostradën me Shqipërinë pas gati 20 vitesh diskutime, buxheti 320 milionë dollarë

0
Autostrada me Greqinë

TEMA, 1 SHKURT 2023

Ministria greke e Infrastrukturës dhe Transportit shpalli të mërkurën tenderin për aksin rrugor “Janinë – Kallpaq – Kakavijë ”, me një buxhet prej rreth 320 milionë dollarë.

Sipas autoriteteve greke të transportit aksi rrugor 70 km i gjatë do të lidh rajonin e Janinës me Shqipërinë dhe do të jetë një autostradë e mbyllur me standarte të larta të sigurisë rrugore.

Ministri grek i Transporteve, Kostas Karamanlis tha se “ky është një projekt emblematik, i cili filloi të planifikohej dhe diskutohej para vitit 2005, por më së fundi u bë realitet.”

Segmenti rrugor Janinë – Kakavjë krahas përmirësimit të lëvizjes së njerëzve dhe mallrave pritet të nxisë sidomos lëvizjen turistike.

Rajonet e Gjirokastrës dhe Janinës kanë njohur vite e fundit një rritje të ndjeshme të prurjeve turistike, sidomos drejt destinacioneve natyrore dhe të trashëgimisë kulturore.

Aksi i ri rrugor Janinë-Kalpaq-Kakavijë do të lidhë Greqinë me Shqipërinë si pjesë e “Korridorit Blu” , një rrjet rrugor prej rreth 1500 km që financohet kryesisht nga Bashkimi Evropian.

Në projektin e Korridorit Blu janë të përfshira 8 vende Shqipëria, Bosnje-Hercegovina, Kroacia, Greqia, Italia, Mali i Zi, Serbia dhe Sllovenia.

Sipas vlerësimit të Bashkimit Evropian, ndërsa projektet e ndërtimit të akseve rrugore në Kroaci kanë bërë përparim të konsiderueshme, në Shqipëri, ndërtimi i pjesës trrugore të këtij korridori ishte planifikuar që të përfundonte në pranverën e vitit 2020, por pandemia e ngadalësoi zbatimin e projekteve. Seksioni shqiptar i “Korridorit Blu” ka një gjatësi totale prej 315 kilometrash.

VOA

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.