GJERGJ KASTRIOTI – SKËNDERBEU SIMBOL I BASHKIMIT DHE I PAVARËSISË INDIVIDUALE DHE KOMBËTARE

0
Shtatorja e Gjergj Kastriotit Skënderbeut në oborrin e shtëpisë së Anton Gjergj Hajdarajt

Në Palabardh të Gjakovës, në oborrin e shtëpisë së Anton Gjergj Hajdarajt, zbulohet shtatorja e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut

Anton Nikë Berisha - 2022
Anton Nikë Berisha – 2022

Shkruan: Anton Nikë Berisha

Jemi bashkuar këtu, në ditën e madhe – 28 nëntorin kur në vitin 1912 në Vlorë u shpall pavarësia e shtetit tonë, për të marrë pjesë në zbulimin e shtatores së heroit tonë kombëtar – Gjergj Kastriotit – Skënderbeut. Disa metra më tej qëndron tash disa vjet dhe rrezaton dashuri e mirësi dhe na kujton nevojën që të flijohemi për tjetrin – shtatorja e shenjtëreshës – Nënës Tereze, njëra nga figurat më të shquara të botës shqiptare në vijën vertikale.

Në këtë takim në qenësi kulturor e miqësor, nuk e shoh të arsyeshme të flas në rrafshin historik për rëndësinë e veprës së Gjergjit – Skënderbeut nga se të pranishmit e dinë këtë mirëfilli. As nuk do të flas për familjen Hajdaraj në rrafshin kombëtar duke filluar nga koha kur kjo familje nga të parat u vendos dhe e themeloi këtë katund dhe të sjell të dhëna për vijimësinë e kësaj veprimtarie të saj deri më sot, ku dëshmohet ajo që thotë fjala e urtë: Rrushi e sheh rrushin e piqet!

Po bëj përpjekje të them diçka rreth rrezatimit dhe simbolikës që ka zbulimi i shtatores së heroit tonë kombëtar Gjergj Kastriotit – Skënderbeut në një ambient familjar me çka ai bëhet i gjallë duke filluar nga familja e katundi për t’u shtrirë pastaj në atë shtetëror dhe gjithëkombëtar. E përmenda ambientin familjar nga se nga individi dhe familja fillon çdo gjë. Nëse këtu ngrihet dhe mbretëron vetëdija kombëtare, atëherë ajo do të dëshmohet edhe në rrafshe të tjera.

Duke folur për domosdonë që t’i dashurojmë njerëzit me dashurinë që e duam Zotin, Nëna jonë Tereze thoshte: “Nuk duhet t’i kërkojmë rastet për të përmbushur këtë qëllim, ato janë rreth e përqark nesh, njëzetekatër orë rresht. Hapni sytë në atë mënyrë që të shihni mundësinë të bëni një shërbim të lirë, të kryer me gjithë zemër, pikërisht aty ku jeni, në familjen tuaj. Nëse nuk e dëshmoni një shërbim të tillë në familjen tuaj, nuk do të jeni në gjendje t’u ofroni atyre që janë jashtë shtëpisë suaj[1]”.

Anton Gjergj Dulë Hajdaraj nga Palabardhi

Kjo shtatore e Gjergjit – Skënderbeut, që nga sot do të rrezatojë simbolikën e veprës së heroit tonë kombëtar edhe nga kjo vatër familjare – bashkimin kombëtar dhe mirëqenien kombëtare. Bërja dhe zbulimi i kësaj shtatoreje të Skënderbeut duhej të përmbushej njëzet vjet më parë dhe duhej të vendosej pranë Lisit qindvjeçar, po rrethanat kushtëzuan shtyrjen.

Secili mund ta shohë në mënyrën e vet rëndësinë dhe vlerën e kësaj shtatore në një vatër familjare, po unë dua të kujtoj këtu mendimin e atë Anton Harapit, i cili thoshte se janë tre lloj patriotësh në botën shqiptare. Grupin e parë e bëjnë “patriotët” që thërrasin e bërtasin ditën e natën “Rroftë Shqipëria”, po gjithë ditën e natën punojnë për shkatërrimin e saj. Grupin e dytë e bëjnë “patriotët”, që thërrasin e bërtasin gjithë ditën e gjithë natën “Rroftë Shqipëria”, po as ditën e as natën nuk bëjnë as dhe një të mirë për Shqipërinë e për shqiptarët. Grupin e tretë e bëjnë patriotët, të cilët as nuk thërrasin, as nuk bërtasin, por gjithë ditën dhe gjithë natën punojnë për Shqipërinë, duke mos e kursyer as jetën[2].

Në këtë rrjedhë dua të sjell edhe fjalët e atë Anton Harapit të thëna më 14 shtator 1936 në Shkodër para arkivoleve me trupat e Çerçiz Topullit dhe Mustafa Qullit, me ç’rast ai i ftoi të pranish-mit dhe qytetarët e Shkodrës që: “[…] para se të niseni, eni këtu, e mbí këta eshtën, shembllesë ideali, force dhe bashkimi, t’i a shtrîjmë dorën shoqishojt, Toskë e Gegë, muhamedanë e të krishtênë, e me besën e burravet, me besën shqiptare, të lidhemi për t’i a mbajtë Shqiptarit të paprekun nji Zot të vërtetë, nji atdhé të lumtun, për ta bâm Shqipnín e ré, të fortë e të madhnueshme, të denjë për Skanderbén. T’i diftojmë, po, botës, se Shqiptarët janë njimend burra; se mund të jemi Toskë e Gegë, muhamedanë e të krishtênë, e njiheri Shqiptarë të njimendët.”

Pra, punën e dashurisë ndaj atdheut duhet parë si punën e besimit në Hyjin: s’ke pse e kërkon jashtë teje, po brenda teje. Nëse mendon ndryshe, atëherë e mashtron veten dhe bëhesh i shpifur përballë vetes dhe përballë të tjerëve.

Shtatorja që zbulohet sot në këtë vatër familjare në Palabardh është njëra nga shtatoret dhe përmendoret e shumta – shpirtërore dhe materiale – që arbërorët – shqiptarët ia ngritën heroit të tyre kombëtar – Gjergj Kastriotit- Skënderbeut.

Ato shpirtërore, dëshmohen qysh në kohën e vetë ndërmarrjeve ushtarake të tij. Historiani venedikas A. Sabeliki (A. Antoni Sabellici) në udhëpër­shkrimin e tij nëpër trevat shqiptare në vitin 1474[3] bën të ditur se Gjergj Kastrioti – Skanderbegu qe bërë objekt trajtimi në këngët që këndoheshin për nderimin e tij: “[…] i mahnitur (populli) nga adhurimi i lartë i këtij burri, sikur të shikonte tek ai diçka që kalonte mundësitë njerëzore, e lartësonte kujtimin e princit të dashur me këngë solemne.

Më kanë treguar burra të denjë për t’u be­suar se mu në mes të zjarrit të luftës, kur gjithçka shungullonte nga armët e barbarëve (turqve), grumbuj vajzash (arbërore – shqiptare) e kishin zakon të mblidheshin çdo ditë në sheshe, kryqëzime rrugësh të qyteteve, ku ai kish sunduar dhe të këndonin lavditë e princit të tyre të vdekur, ashtu siç bënin edhe të vjetrit në gostitë e heronjve të mëdhenj[4]“.

Për ketë traditë dëshmon edhe relacioni i Frang Bardhit i vitit 1637, ku autori shkruan: “Dukagjinasit, sipas zakonit të moçëm, në gostitë e veta, në rrugë dhe në punë, këndojnë me zë trimëritë e burrave të tyre të mëdhenj, sidomos të pathyeshmit Gjergj Kastriotit, të quajtur Skënderbeg[5]“.

Traditën e bërjes objekt trajtimi poetik të figurës së Skanderbegut – ngritjes së përmendores shpirtërore e përligjin dhe rapsoditë e arbëreshëve të Italisë që e përjetësuan në art emrin dhe figurën e tij dhe periudhën kur jetoi e quajtën “Moti i Madh[6].

Këtu po sjell vetëm disa vargje të veçanta nga rapsodia “Eni e klani me hjidhí”, kur Lekë Dukagjini, duke i shkulur flokët, e jep lajmin e vdekjes së Skënderbeu dhe i fton arbërorët të dalin e të vajtojnë me hidhërim. Pësimin e madh të vdekjes së Kryetrimit e përjetojnë edhe shtëpitë, malet dhe kambanarët e kishave.

Gjegjëtin shpít e u trihjimistin,
gjegjëtin malet e u ndán,
kambanárt e qishvet
zún lipin mbë vetghén,
po ndër qiellt e ghapta ghinej
Skandërbeku i pafán.

(Eni e klani me hjidhí)

Ngritja e këtyre përmendoreve shpirtërore vazhduan ndër arbëresh dhe ndër shqiptar në forma të ndryshme. Kështu, për poetin arbëresh,Vorea Ujkon, Kruja, e cila ndërlidhet ngushtë me Skënderbeun, është ylli polar, e kaluara dhe e tashmja; është pjesë e mendimeve të tij; frymëmarrje, dashuri që s’ka mbarim: “rrënjë e thellë / e shpirtit tim.” Gjithë këtë poeti e ndjen në thellësinë e shpirtit të arbëreshëve dhe të tij:

Pse ti je i gjallë, Skanderbeg,
në sheshet e Arbreshëvet
në mallkimet e stërgjyshvet,
në këngët e vashavet
te dredhja e vallevet.
Ti je i gjall
në jehonat e djepavet
në shertimet e t’mërguarvet
në gjakun e luftëtarvet[7].

(Scandarbeg)

Madhështia e Motit të Madh, e Krujës dhe e Skëndërbeut, shkrihen dhe rrezatojnë vetëdijen kombëtare:

Kruja është e kaluara
po që e gjej në prag të derës […]
ylli polar
që udhëheq fisin tim,
dashuri e gjatë
që askund s’më tradhton[8].

(Ora e historisë)

Shtatoren e Skënderbeut dhe atë të Nënës Tereze të ngritura në këtë vatër familjare të Palabardhit, i shoh në dritën e asaj që thoshte Nëna Tereze: “Çdo person për mua është Krishti e nga çasti se është vetëm një Jezus, personin që e takoj në atë çast është i vetmi njeri në botë[9]”. Pra, Krishti Zot bëhet i gjallë nëpërmjet njerëzve, ashtu siç thoshte dhe Gandhi: “Është më mirë që në vend të fjalëve për ne të flasë jeta jonë.

Zoti nuk e barti kryqin njëmijë e nëntëqind vjet më parë, po e bart sot dhe vdes dhe ngjallet ditë për ditë. Do të ishte një ngushëllim i pamjaftueshëm për njerëzimin sikur do të duhej të mbështetej (lexo: të besojë) në një Zot historik që vdiq dymijë vjet më parë. Pra, mos e predikoni Zotin e historisë, por dëshmojeni të gjallë sot në ju[10]” [Shih Ps 95 (94)].

* * *

Më lejoni që t’i them pak fjalë dhe për Nënën Tereze, shtatorja e së cilës rrezaton po nga ky truall i familjes Hajdaraj, përkatësisht të familjes së Anton Hajdarajt.

Më duhet të them se fryma e veprës dhe e flijimit të saj për tjetrin, si krijesë e Zotit, është vështirë të përmblidhet me pak fjalë. Shtatë vëllimet e mia – Nëna Tereze në shtatë shpalime, ku janë përfshirë 10 vepra kushtuar asaj, është vetëm një gjysmë pike uji në det e gjithë asaj që ka bërë ajo për tjetrin, nga viti 1930 kur mbërrin qytetin e Kalkutës në Indi e deri sa ndërroi jetë po në atë qytet më 5 shtator të vitit 1997, pa marrë parasysh racën, besimin, prejardhjen.

Lutjet e saj dhe të motrave të saj për atdheun e saj, atëherë Shqipërisë, për dhjetëra vjet; kjo ka qenë “arma” e saj, kjo ka qenë ndihma e saj e jashtëzakonshme.

Për Nënën Tereze papa Gjon Pali II pati thënë në Katedralen e Shkodrës më 25 prill 1993:

“Të dashur,

Nuk mund të mos e përshëndes një njeri fort të përvuajtur, që ndodhet mes nesh. Është Nëna Tereze e Kalkutës. Të gjithë e dimë nga vjen, cili është Atdheu i saj. Atdheu i saj është këtu. Edhe në kohët e izolimit të plotë të Shqipërisë ishte kjo rregulltare e përvuajtur, kjo shërbyese e përvuajtur e më të varfërve që përçonte në tërë botën emrin e Atdheut tuaj.

Në personin e Nënës Tereze Shqipëria është nderuar gjithmonë.

Është ky misioni i saj dhe i të gjithë atyre që, porsi ajo, janë ndjekës të vërtetë të Krishtit, apostuj të Krishtit, apostuj të dashurisë e të dhembshurisë[11] […] Me zjarrin e fesë në kraharor, kjo grua e vogël dhe e madhe njëkohësisht, sjell dhe ruan brenda vetes hovin e bujarisë së përmbajtur dhe të pamposhtur të zemrës shqiptare[12]”.

Kryeipeshkvi i Kalkutës, mons. Henry D’ Souza, duke folur për punën dhe flijimin e Nënës Tereze për tjetrin pati thënë:

“Po, India e ka ndryshuar Nënën Tereze, duke e detyruar me dhunën e varfërisë, ta përfillë çështjen e të varfërve nga më të varfrit. Mirëpo, edhe Nëna Tereze e ka ndryshuar Indinë, duke e kundërshtuar mentalitetin fatalist dhe duke e rivendosur vlerën e pazëvendësueshme të individit[13]”.

Intelektualja dhe gazetarja e shqua italiane, Franka Zambonini, e cila e kishte takuar në Romë disa herë Nënën Tereze dha ka dy libra kushtuar asaj, shkruan: “Ishte atje… Dhe më pritte. Edhe një herë tjetër përjetova magjepsën e pranisë së saj. Më dha atë bekimin që buron nga fytyra e një qenieje hyjnore; një ndikim shpirtëror që indianët e quajnë dershan, një perceptim i së vërtetës së një qenieje më të lartë. Një minutë në praninë e një shenjti i fshin malet me mëkate, thonë shkrimet indu. Për të pranuar dershan rradhë (të tërë) turmash pritnin të kalonte Mahatma Gandhi. Sot ngarendin rreth Nënës Tereze kur e shohin nëpër rrugë të Kalkutës[14]”.

Për këtë arsye, bota nuk e quajti rastësisht NËNË. As shteti i Indisë nuk i bërë rastësisht një përcjellje mortore të tillë, që u kishte bërë vetëm Gandit dhe Nehrusë.

Ne, mjerisht, bëjmë pak për ta njohur mirëfilli veprimtarinë e saj, edhe pse ajo ishte bijë e popullit tonë; ishte motra dhe nëna jonë e tash është edhe shenjtëresha jonë. Ne as emrin nuk ia shkruajmë drejt. Nuk e njohim në qenësi as flijimin që ka bërë për tjetrin pa marrë parasysh besimin që ka pasur, vendin ku ka jetuar dhe prejardhjen. As faktin se ajo dhe motrat e saj u lutën për atdheun dhe për popullin e saj.

Njeriu i ynë kryesisht e njeh Nënën Tereze si bamirëse dhe që u ka zgjidhur vështirësitë sociale njerëzve . Po ta lidhesh punën dhe flijimin e saj me bamirësi dhe me ndihmë sociale është ta njohësh atë me një përqindje krejt të vogël ose në mënyrë të përmbysur. Nëna e deshi njeriun me dashurinë e Hyjit dhe u flijua për të me atë dashuri për më shumë se një gjysmë qindvjetshi.

* * *

Dua ta përmbyll këtë fjalë timen me tri mendime, që lidhen ngushtë me shtatoren e Skënderbeut që e zbuluam sot.

I pari është i nobelistit për letërsi, Derek Welcott, i cili thekson: “Mendoj se dheu (toka) prej nga je është nëna jote, nëse ia kthen krahët dhe e mallkon, atëherë e mohon dhe e mallkon nënën tënde”.

I dyti lidhet me atë që thotë një personazh i romanit “Rudini” të Turgenjevit: “Rusia mund të jetë pa këdo prej nesh, po askush prej nesh nuk mund të bëjë pa Rusinë”.

Të tretin e ka thënë atë Anton Harapi për atdheun, emrin e të cilit e përmenda dhe dy herë të tjera: “Çdo ndërtese i vîhen themelet në dhé. Edhe në vorr, prandaj në hijshëm duhet të jemi gurët e themelit të njasaj binaje të cilën sot e quejmë Shqypní”.

Palabardh, më 28 nëntor 2024


[1] Titulli i origjinalit: Thirsting for God. A Yearbook of Prayers, Meditations, Anevdots, edited by Angelo Devananda Scolozzi, Servan Books, Ann Arbor (USA) 2000. Përkthimi nga italishtja. Shih Gloria Germani, Teresa di Calcutta una mistica tra Oriente e Occidente, vep. e përm., f. 170.

[2] Shih Atë Anton Harapi, Njesimi kombtár dhe ideali kombtár. Zgjodhi dhe përgatiti për shtyp Anton N. Berisha, Kuvendi françeskan i Gjakovës, Gjakovë 1977, f. 77 – 78.

[3] Për njoftimin e A. Sabelikit, i cili vizitoi trojet shqiptare më 1474, na bën të ditur Fan Noli në botimin e parë të veprës së tij “Historia e Skënderbeut”, vitit 1921, f.271, shën. 1.

[4] M. Antonii Sabellici, Historiae Rerum Venetarum. Basileae 1556, f. 922-923 (bot. i parë më 1487) Përm., sipas Epika historike I. Përgatitur nga Qemal Haxhihasani. ASH e RPSSH, Instituti i kulturës popullore, Tiranë 1983, f. 23-24. Shih dhe Ramadan Sokoli, Figura e Skënderbeut në muzikë. Tiranë 1978, f. 7-8; Folklor shqiptar. Tekst për universitetin. Grup autorësh. Tiranë 1972, f. 33.

[5] Shih Tregime dhe këngë popullore për Skënderbeun. Përgatitur nga Qemal Haxhihasani. Tiranë 1967, f. 6.

[6] Shih, pos tjerash, Vincenzo Dorsa, Sugli Albanesi, Ricerche e pensieri. Tipografia Trani, Napoli, 1847; Qemal Haxhihasani, Të dhëna bibliografike rreth traditës popullore për Skënderbeun. Në Studime filologjike, nr. 4, Tiranë 1967; Dhimitër S. Shuteriqi, Skënderbeu në poezinë epike të arbëreshëve të Italisë. Në “Nëpër shekujt letrarë (Studime)”. Shtëpia botuese “N. Frashri”, Tiranë 1973, f. 5 – 54; Shih nga i njëjti autor Këngët e arbëreshëve mbi Skënderbeun. Në “Nëpër shekujt letrarë (Studime)”, vep. e përm., f. 55 – 64; Françesk Altimari, Figura e Skënderbeut në një rapsodi të De Radës dhe në letërsinë gojore arbëreshe. Në “Vëzhgime gjuhësore e letrare arbëreshe”. Shpresa, Prishtinë 2004; Shih nga i njëjti autor Mbi figurën e Skënderbeut në letërsinë gojore arbëreshe. Në Studime filologjike, Viti XXXIV (XVII), nr. 2, Tiranë 1980, f. 73 – 81.

Poezinë e parë gojore për Skënderbeun, me sa dihet deri më sot, e botoi, të për-kthyer vetëm në italisht, Dorsa, shih Vincenzo Dorsa, Sugli Albanesi, Ricerche e pensieri. Tipografia Trani, Napoli, 1847, f. 153. Shih vëllimin Simpoziumi për Skënderbeun. Simpozijum o Skenderbegu (9 – 12 maj 1968), Prishtinë 1968, sidomos punimet Anton Çetta, Fytyra e Skënderbeut në traditën popullore, f 277 – 286 dhe Shefqet Pllana Skënderbeu në krijimtarinë gojoret Kosovës dhe të Maqedonisë, f. 287 – 300.

[7] Vorea Ujko, Gërmime në dhimbje. Zgjodhi, shtjelloi dhe shkroi parathënien Anton Nikë Berisha. Editrice “Il cosciale”, Castrovillari, 1998, f. 114. Shih edhe veprën time Burim drite e dashurie. Antologjie e përshpirtshme shqipe 1618 – 1998. Shpresa, Prishtinë 1999, f. 228.

[8] Vorea Ujko, Gërmime në dhimbje. Zgjodhi, shtjelloi dhe shkroi parathënien Anton Nikë Berisha. Editrice “Il cosciale”, Castrovillari, 1998, f. 119.

[9] Kathryn Spink, Madre Teresa. Una vita straordinaria. Edizione Piemme, Casale Monferrato, 2003, f. 13.

[10] G. Germani, Teresa di Calcutta una mistica tra Oriente e Occidente, vep. e përm., f. 62. Shih origjinalin H. Zimmer, Myths and Symbols in Indian Art and Civilisation, Bollingen Foudation, ashington D. C. (USA) 1964. Shih botimin në italisht Miti e simboli dell’India, Adelphi, Milano 1993, f. 189.

[11] Fjalët e Papës Gjon Palit II, të thëna në Katedralen e Shkodrës. Shih: Papa në Shqipëri. 25 prill 1993, Radio Vatikani – Drita, 1995, f. 36.

[12] Papa në Shqipëri. 25 prill 1993, vep. e përm., f. 49 – 50.

[13] Franca Zambonini, Teresa di Calcutta. La matita di Dio. Paoline, 8° Edizione, Milano 2007, f. 100.

[14] Franca Zambonini, Teresa di Calcutta. La matita di Dio. Paoline, 8° Edizione, Milano 2007, f. 164.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.