FATMIR R. GJATA – POET MODEL MË VETE

0
Fatmir R. Gjata

Pas botimit të tre vëllimeve poetke:
1. Mjelma nën dritën e hënës (2013).
2. Engjët e shuar (2013) dhe
3. Valsi i tretë (2014),
korpusit poetik të Fatmir R. Gjates i shtohet libri i katërt me poezi: Buqetë trëndafilash, me të cilin autori shkon e ngritet në atë maje qe dëshmon pjekurinë dhe vetëdijesimin e tij poetik. Vlen të theksohet se pjesa më e madhe e poezisë së tij shquhet për disa veçanti dhe struktura tekstore më artistike dhe më të ndërliqshme në poezinë tonë më të re.

E menduar mire dhe e krijuar mbi bazën e një sistemi të përpunuar me shumë përkushtim, poezia e Fatmir R. Gjatës shquhet duke filluar nga njësitë më të vogla të strukturës gjuhësore poetike, për të vazhduar te poezia si njësi tërësore , pastaj te përmbledhja si unitet shprehjeje e stili poetik si formë e shqiptimit të botës subjektive të krijuesit.

Elemente të këtij parimi bien në sy që në librat e parë : Mjelma e hënës dhe Engjëjt e shuar, por ky sistem shkon e pasurohet dhe ngritet në një nivel më të lartë te libri: Valsi i tretë, për t’u kurorëzuar te libri: Buqetë trëndafilash.

Koncepti krijues-poetik i Fatmitmir R. Gjatës nuk shprehet vetëm nëpërmjet mënyrës së organizimit dhe krijimit të strukturës tekstore poetike dhe kuptimësisë së pasur që del nga ajo, por edhe nga mënyra e objektivimit të këtij procesi pothuaj lasgushian. Poeti në fjalë, për dallim nga modeli i poezisë agolliane, apo përkundër modelit kolokvial të poezisë kadareane, si dy modele me të cilat sot, jo më shumë të drejtë, krahasohen të arriturat poetike në Shqipëri (R. Musliu), është larg edhe njërës edhe tjetrës : është një model më vete, një kontrapunkt me to…

Arsyeja e vetme e kësaj është se autori nuk pajtohet me modelet e njohura poetike që ofron tradita apo bashkëkohanikët e tij, që tashmë janë shndërruar në epigonë të modeleve të njohura dhe të deplasuara poetike.

Buqetë trëndafilash, ndërkaq, është libri i katërt me poezi i Fatmir R. Gjatës – poet me shije të hollë artistike, që vjen nga Fieri-zemra e Myzeqesë, të cilën poeti e ka kënduar me aq zjarr dhe dashuri (shih poezinë: Ahhh Myzeqeja ime). Tanimë poeti në fjalë vjen para lexuesit shqiptar me librin e ketërt : Buqetë trëndafilash, libër ky qe të ngashnjen me tiparet artistike e gjuhësore.

Edhe me këtë liber, poeti në fjalë, sikundër edhe me librat poetikë të mëparshëm, sjell risi me diskursin poetik, edhe në kompozicionin e jashtëm edhe në atë të brendshëm.Poezinë e këtij libri, ku jane përfshire buqetë trëndafilash si p.sh. Ahhh Myzeqeja ime, Baltë e Myzeqesë, Bukuri, Fol shqip Hirësi, Me hirin e ëndrrave, Bija ime, Dashuri… etj. etj., sikundër edhe poezinë e librave të mëparshëm, e karakterizon një procedim i veçantë, origjinal, një dinamikë e veçantë tekstore, një tekstualitet me ritem e figura artistike të
mahnitshme :

E ëmbla bija ime…
ajri i qiellit tim,
E lirë si dëshirë…” (Bija ime).

Është me rëndësi të theksohet se poezia e këtij libri, me strukturën e veçantë tekstore poetike, me shumësinë dhe thellësinë kuptimore që ngërthen në vete, me nëntekstin e pasur, poetologjik dhe me mundësi të shumta të ndikimit estetik, si stukturë poetike e hapur (Umberrto Eco), bën njërën ndër pjesët më të bukura kuptimore dhe artistike në poezinë e sotme shqipe…

Ka edhe një element që e mban bukur ritmin e këtij libri, nga njëra poezi tek tjetra: titujt e poezive që vijnë(Avull mbi rrugë, Baltë e Myzeqesë, Berat, Bërtas, Dua të harroj, E mbusha një gotë, E ndiej shi, E le të fle, Dhe thur gërshetat, Kush e di sot, Në djep të harresës, Me zjarr përzier, Meerm, Na vodhen dhe, Në ënrrat e tua, E nesërmja nuk është, Në gjysmë, O shpresë, O zot më lër, Pritje, Magji, Atdheu, Shesim atdhe, Çelin trëndafila etj.), janë poezi, janë vargje-trëndafilash, plot magji, janë perla poetike… që reflektojne shpirtin e poetit plot dritë, plot dashuri…

Në këtë liber, që lexohet me një frymë, një sgment i veçantë tematik është ai i dheut, i atdheut, i truallit të lindjes, i Myzeqesë, nga bart origjinen poeti. Prirja familjarizuese e poetit me gjërat që i poetizon, prirja që të intimizojë botën, brenda poezisë së tij arrin të nxjerrë në sipërfaqe lidhjet shpirtërore që dalin nga raportet e thella që subjekti krijon me rrethin ekzistencial.

Buqetë trëndafilash,shikuar si liber vazhdues,mbetet në kontinuitetin e metodës së stabilizuar krijuese vetëm se në librin në fjalë rruga duket më e trasuar dhe interesimi më i precizuar dhe shprehja gjithsesi më e krehur dhe më e saktësuar. Këto intenca në plotëninë e vet janë shprehur sidomos sa i përket imanencës së shprehjes, përmes një shprehjeje të kondensuar poetike, që vë në spikamë prirjen specifike të poetit. Për më tepër,poezia e autorit në fjalë, në përgjithësi, dhe Buqetë trëndafilash në veçanti shpërfaq trajtat funksionale të intertekstualitetit dhe interdiskursit si efekte të posçme poetike.

Ndërlidhja mes botës materiale dhe shpirtërore, në funksion të katharsisit poetik, ndjehet kudo si intencë karakteristike, e mesazhit poetik. Dhe këto gërshetohen nga ndjeshmëria e thellë humane për të bukurën, për sublimen, dhe kategoritë e saja estetike, për dashurinë si përjetësia e fjalëve dhe amshueshmeria e vargjeve… me të cilat krijon, si do thoshte Roland Barthes, tipologjinë e kënaqësisë të lexuesit dhe lexues të kënaqësisë.

Isak Ahmeti, Prishtinë, shtator 2015

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.