EKZEKUTIMI I SHQIPTARËVE NGA OZNA DHE UDB-JA JUGOSLLAVE 1944-1990

0
Sabile Basha - Ekzekutimi i shqiptarëve

Fjala e kryeredaktores së librit

Prof. Dr. Teuta Shala – Peli, Drejtore e Institutit të Historisë “Ali Hadri” Prishtinë

Dy fjalë rreth botimit të monografisë:

EKZEKUTIMI I SHQIPTARËVE NGA OZNA DHE UDB-JA JUGOSLLAVE 1944-1990

(Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha: “Ekzekutimi i shqiptarëve nga OZNA dhe UDB-ja jugosllave 1944-1990”, Botoi Instituti i Historisë “Ali Hadri” Prishtinë, 2024, f. 1179)

Monografia “Ekzekutimi i shqiptarëve nga OZNA dhe UDB-ja jugosllave 1944-1990” përshkruan një nga kapitujt më të ndritshëm dhe më të dhimbshëm të historisë së popullit shqiptar, ku çdo faqe e saj sjell dëshmi të gjalla të përpjekjeve heroike për liri dhe të sakrificave të panumërta. Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha, një studiues me përvojë mbi katër dekada në fushën e hulumtimit shkencor, ka fituar me të drejtë nderin dhe respektin për të marrë përsipër sfidën e ndriçimit të kësaj periudhe të rëndësishme të historisë kombëtare. Përmes fakteve të pamohueshme dhe dokumenteve autentike, ajo i sjell lexuesit një pasqyrë të qartë dhe të saktë të përndjekjeve, burgosjeve, torturimeve dhe ekzekutimeve të atyre shqiptarëve që me guximin e tyre atdhetar u bënë bartës të flakës së çlirimit të Kosovës.

Në çdo rresht, monografia përçon peshën e një tragjedie të thellë kombëtare, ndërsa përshkruan detajet e organizatave ilegale, kuvendeve dhe lëvizjeve patriotike që u zhvilluan në Kosovë gjatë periudhës 1945-1990. Studiuesja, me maturi të madhe dhe një ndjesi të thellë përgjegjësie, ka mbledhur fakte që zbardhin jo vetëm ngjarjet kryesore, por edhe karakteret e pashembullta të atdhetarëve që jetuan për idealin e lirisë. Emrat e tyre përmenden me nderim, ndërsa historia e tyre vjen e gjallë, e shpalosur përmes burimeve të kohës dhe studimeve të thelluara.

Një aspekt i veçantë i monografisë është përkushtimi i saj ndaj biografive të patriotëve që humbën jetën nga dora e egër e OZNA-s dhe UDB-së jugosllave. Përmes një kronologjie të detajuar, autorja paraqet emrat, vendet dhe vitet e ekzekutimeve, duke e kthyer librin në një homazh për ata që u flijuan për Kosovën. Prof. Dr. Keçmezi-Basha i jep jetë kujtimit të tyre përmes një studimi të thellë dhe rigoroz, që përçon ndjenjën e një tragjedie kolektive, por edhe të një triumfi të shpirtit të pathyeshëm shqiptar.

Libri është një vepër monumentale që i shton vlerë trashëgimisë shkencore të Institutit

të Historisë “Ali Hadri”, duke pasuruar fondin e botimeve që trajtojnë fundin e shekullit XX, një periudhë që do të mbetet gjithmonë në kujtesën e popullit shqiptar. Me botimin e kësaj monografie, autorja jo vetëm që ka kontribuar në pasurimin e njohurive historike, por edhe ka dhënë një shembull të guximit intelektual, duke ndriçuar një periudhë të errët dhe tragjike të historisë sonë.

Kryeredaktore
Prof. Dr. Teuta Shala-Peli

Prishtinë, 17 shtator, 2024

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.