20.3 C
Tirana
E enjte, 22 Tetor 2026
[ Arkivi ] përmban shkrime nga vitet [ 2009-2015 ] dhe [ 2016-2021 ], ndërsa [ 2003 – 2009 ] (në html)
Kreu Artikuj DUKE NDJEKUR NJȄ PȄRVJETOR

DUKE NDJEKUR NJȄ PȄRVJETOR

0
Anton Nikë Berisha në 80-vjetorin e lindjes, Gjilan

REPORTAZH

– NȄ VEPRIMTARINȄ E ORGANIZUAR NȄ QYTETIN E GJILANIT
ME RASTIN E 80 VJETORIT TȄ LINDJES SȄ SHKRIMTARIT TȄ SHQUAR ANTON NIKȄ BERISHA –

Vlash Prendi Nga VLASH PRENDI

Biblioteka “Fan S. Noli” në qytetin e bukur të Gjilanit, gumëzhinte nga vizitorët, krijuesit dhe lexuesit e shumtë. Ȅshtë data 18 tetor, pikërisht dita kur në këtë qytet me tradita, sidomos në fushën e organizimit të veprimtarive artistike dhe letrare, do të zhvillohej veprimtaria “Vjeshta Letrare e Gjilanit” në edicionin e saj të shtatëmbëdhjetë. Së bashku me poetin, studiuesin dhe gazetarin Llesh Ndoj, udhëtojmë drejt këtij qyteti të ftuar nga Ars Clubi “Beqir Musliu” që drejtohet nga poeti, shkrimtari dhe botuesi i njohur Sabit Rrustemi. Në hollin e bibliotekës së qytetit ka gjallëri si kurrë më parë. Kanë ardhur krijues, shkrimtarë, poetë dhe studiues nga shumë qytete të trojeve shqipfolëse për të nderuar shkrimtarin dhe studiuesin e letersisë shqipe prof. dr. Anton Nikë Berishën, të cilit sot i kushtohet veprimtaria e këtij edicioni tradicional.

Gjilani, njeri nga shtatë qytetet më të mëdha të Kosovës, shtrihet në pjesën jug – lindore të Dardanisë, në trevën e njohur të Anamoravës dhe përshkohet nga lumi Morava, dikur pagëzuar me emrin Angros, siç e përmend në dokumenta edhe Herodoti. Ka disa hipoteza sa i përket etimologjisë së emrit, por siç na thonë, më i besueshmi është se qyteti mendohet të jetë themeluar rreth vitit 1737 nga familja bejlere Gjinolli, madje edhe sot ekziston një venbanim me emertimin Gjinaj. Qyteti me rrethina shtrihet në një hapësirë territoriale prej rreth 392 km2.

Prof. Dr. Anton Nikë Berisha është një nga studiuesit më të shquar shqiptarë të letërsisë së sotme shqipe, i cili punoi dhe jetoi për një kohë të gjatë në horën arbëreshe dhe njohu mirë arësyet e shpërnguljes, traditat e tyre, vlerat shpirtërore, dashurinë dhe përpjekjet për të ruajtur zakonet e të parëve. Ai ka lindur në fshatin Dobërdol më 7 gusht 1946. Studimet i nisi shkollën fillore të fshatit Ujmirë – Dobrovodë të komunës së Klinës dhe më pas në qytetin e Prishtinës. Në vitin 1971 mbaroi studimet në Fakultetin Filozofik, dega gjuhë – letërsi shqipe në Universitetin e Prishtinës, ndërsa më 1976 përfundoi studimet e rregullta pasuniversitare pranë Fakultetit Filozofik të Universitetit të Zagrebit dhe mori titullin: Magjistёr në fushën e filologjisë. Po në këtë Universitet, më 1981 mbrojti tezën e doktoraturës. Në korrik të vitit 1973 Prof. Anton Berisha u emërua në Departamentin e Folklorit në Institutin Albanologjik të Prishtinës, ku punoi për disa vite. Në vitin 1991 u largua në Itali dhe një vit më vonë nisi të jap leksione në gjuhën shqipe në Universitetin e Kozencës në Kalabri.

Anton Nikë Berisha në 80-vjetorin e lindjes, Gjilan

Në vitet 1978 – 1979 realizoi një specializim pasuniversitar në ish RF të Gjermanisë, Universiteti i Gëtingenit me bursë të i DAAD-së. Në Institutin Albanologjik të Prishtinës punoi nga viti 1973, si bashkëpunëtor shkencor dhe këshilltar shkencor. Në vitin akademik 1992 – ‘93 mbajti seminare mbi linguistikën e përgjithshme dhe atë indoeuropiane në Katedrën e Albanologjisë së Universitetit të Mynihut. Ndërsa nga nëntori i vitit 1993, punon si profesor në Katedrën e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe, në departimentin e linguistikës, Fakulteti i Letërsisë dhe i Filozofisë, në Universitetin e Kozencës në Kalabri, ku për shumë vite me radhë ka qënë profesor i letërsisë shqipe. Korpusi i tij krijues numëron rreth dyqint vepra poetike, letrare dhe studimore të krijuara ndër vite. Njohës mjaft i mirë i folklorit dhe i letërsisë së traditës. Jetës dhe veprimtarisë misionare së shenjtores Nënë Tereza, profesor Antoni i ka kushtuar një komplet vepre prej shtatë vëllimesh, titulluar “Nënë Tereza në shtatë shpalime”.

Në hollin e bibliotekës së qytetit na prêt plot buzëqeshje dhe na uron mirëseardhjen drejtori i këtij institucioni Qazim Hazizi, i cili ishte tepër i impenjuar me organizimin e aktivitetit. Na shoqëron kudo shkrimtari i njohur, ardhur nga komuna e Dardanës enkas për këtë takim zotëri Nexhat Rexha. Së bashku me të, paraqitemi tek punonjësit e bibliotekës, të cilët i falenderojmë për mikpritjen dhe shkrimtari Llesh Ndoj i dhuron kësaj biblioteke një set të pasur me veprat e tij të botuara vitet e fundit. Nexhati është shkrimtar i njohur, i cili dallohet për stilin e tij të vaçantë krijues që shpaloset tek veprat e tij “Prangosje kohësh”, “Unazë qiellore”, apo “Ndrydhja e pikës K”, e më pas duke kaluar natyrshëm edhe në fushën e studimit me librin me vështrime dhe kritika “Ligjërime përjetimesh”. Dua të theksoj këtu se Nexhat Rexha është zgjedhur edhe deputet i Republikës së Kosovës në vitin 1992 dhe më vonë në legjislacionin 2004 – 2007, përsëri e gjejmë deputet në Kuvendin e Kosovës.

Anton Nikë Berisha në 80-vjetorin e lindjes, Gjilan

Teksa i hedh një sy revistës “Agmia” (Agimi), organ i shoqatës Ars club “Beqir Musliu”, e cila në numrin e 52 – të të saj  i kushtohet jetës dhe veprës së prof. Anton Nikë Berishës në 80 vjetorin e tij të lindjes dhe 65 vjetorin e veprimtarisë letrare, më tërhoqi vemendjen një poezi e bukur me titull “Sfond i ngjyrosur” e poetes Selvete Abdullahu. E takoj poeten Selvete Abdullahu, një zonjë e vërtetë, psikologe e njohur, njëherit edhe poete, autore e vëllimeve me poezi “Emërtimi i ditës së nesërme” dhe “Baladë e humbur”. Është pikërisht zonja Selvete që më njeh me shkrimtarin e shquar, autorin e disa veprave, sidomos në prozë, Mehmetali Rexhepi. Kur bisedon me të, duket qartë se është  patriot me ndjenja të zjarrta. Është një nga themeluesit e konkursit letrar “Flaka e janarit”, ish i burgosur dhe i dënuar politik në perudhën e sundimit totalitar jugosllav. Është autor i shumë veprave letrare në poezi dhe në prozë, ku dallojnë “Frymë e fërguar mynxyrave” – 1997, “Hirësia e motit” – roman 2017, “Hirësi e flluskuar” – poezi 2018 dhe shumë vepra të tjera. Prof. Mehmetaliu e tregon haptas shqetësimin për gjendjen politike në trojet shqiptare, pasi edhe vetë është përndjekur, pushuar nga puna dhe burgosur në periudhën e sundimit të shovinistëve sllavë.

Ndërkohë në sallën e mbushur plot me shkrimtarë, poetë, studiues dhe artiste ka nisur aktiviteti. Flet i pari shkrimtari dhe poeti Llesh Ndoj, i cili përshkruan bukur jetën dhe veprën e prof. dr. Anton N. Berishës, si shkrimtar, shtudiues dhe poet, mes të cilave ai thekson: “Anton Nikë Berisha mishëron në shpirtin e tij përmasa thuajse hyjnore. E them këtë nisur nga produkti shoqëror që e vërejmë të gjithë, por edhe nga njohja ime personale me të, njohje nga e cila vlerësimi dhe përfundimi i sipërthënë më është kthyer në një bindje të brendshme. Ai, kur e merr penën të shkruaj, kur lexon apo zhvillon një mendim kritik rreth një vepre letrare, apo në fushën e çështjeve teorike të letërsisë, gjithnjë niset nga të vështruarit e dukurisë nisur nga përmasa e dashurisë për të, i vendos vetes qëllim që të shënojë tek ajo qoftë edhe vetëm një filiz të shëndoshë dhe kujdeset që ky filiz të rritet e zhvillohet, duke krijuar rreth tij një mjedis sa më të ngrohtë e të përshtatshëm.

Anton Nikë Berisha në 80-vjetorin e lindjes, Gjilan

Ky shpirt i pasur i tij është baza, themeli, apo rrënjët ku nisin ngjizjen e ngjitjen të gjitha veprat madhore, por edhe garancia e qëndrueshmërisë së tyre. Në analizën e bërë prej tij, kjo përmasë e brendshme shënohet si parësore, por unë e quaj veten me fat të jem bindur për këtë edhe nga takimet që kemi pasur në këto 5 – 6 vitet e fundit”. Pas tij flasin plot respekt dhe pasion edhe shkrimtari e kritiku Prend Buzhala, i cili u ndal në vlerat studimore të prof. Anton Nikë Berishës, shkrimtari i njohur Ibrahim Kadriu foli për punën krijuese ndër vite, bashkëpunimin për dekada me profesorin, ndërsa poeti dhe botuesi i njohur Sabit Rrustemi, u ndal në vlerat e autorit si poet dhe studiues. Janë të panumërta veprat, tematikat e trajtuara dhe gjinitë letrare të lëvruara nga ky shkrimtar i rrallë në letërsinë shqipe. Në diskutime me shkrimtarë, studiues dhe kolegë të prof. Antonit, marrim vesh se ky personalitet me një vepër aq kolosale nuk është ende as anëtarë i Akademisë së shkencave të Kosovës dhe as të Shqipërisë, një paradoks i rrallë në rrethet shkencore të letërsisë dhe shkencës shqiptare.

Diku mes të ftuarve shquaj shkrimtarin e njohur Ibrahim Kadriu, me veprën e të cilit jam njohur vite të shkuara, kur në vendin tonë qe botuar libri i tij “Qerrja e dritës” – roman, ndoshta një nga librat e parë kushtuar humanistes së njohur Nënë Tereza. Shkrimtari gjilanas Ibrahim Kadriu ka një numër të konsiderueshëm veprash që mbajnë nënshkrimin e tij. Për tre dekada me radhë ka punuar si redaktor dhe gazetar në gazetën e mirënjohur “Rilindja” të Prishtinës, dhe më vonë edhe  tek “Zëri”. Këtij burri fisnik, nuk i shqitej buzëqeshja, fisnikëria dhe fjala eëembël. Kur bisedon me të, është aq i thjeshtë, saqë nuk të le pershtypjen se është autor i mbi dyzet librave të botuara. Më flet me entuziazëm për disa libra të tij si: “Netët e Karadakut” – poezi, “E lumi rridhte” – novela dhe tregime, ”Ethet e një dimri” etj. Ishte hera e parë që u takuam, por u miqësuam aq shpejt, sikur të ishim njohur prej vitesh.

Nga mesi i të ftuarve më përshëndet shkrimtari dhe botuesi i njohur, fisniku 85 vjeçarë Nazmi Rrahmani, me të cilin jemi takuar dhe kemi biseduar disa herë kohët e fundit. Kontaktet e para me veprat e tij i kam pasur që në bangat e shpollës pedagogjike “Luigj Gurakuqi” në Elbasan, kur qenë botuar veprat e tij “Malsorja”, “Fëmijët e lumit tim”, apo “Tokë e përgjakur”. Mjeshtri i fjalës së bukur, dikur gazetar i njohur në Radio Prishtina, gazetar tek “Rilindja” dhe “Jeta e re”, ndërsa sot drejton Shtëpinë Botuese “Faik Konica” në Prishtinë. Megjithë peshën e viteve që ka, ke dëshirë të bisedosh me të për botimet, për letërsinë, për jetën e vështirë që ka kaluar. Nga tavolina përballë më përshendet një grua. Selvetja më thotë se është Gjylshine Berisha, ish deputete e Kuvendit të Kosovës, tani drejtore e Trashëgimisë Kulturore në komunën e Gjilanit. Në takim nuk mungoi edhe don Frrok Zefi, famullitar i Binçës. Takimi u gërshetua herë pas here edhe me recitim të poezive të autorit, shkëputur nga librat e tij me poezi.

Në fund të takimit e mori fjalën edhe prof. Anton N. Berisha, i cili falënderoi të pranishmit për respektin dhe nderin që iu bë në këtë 80 vjetor. Të bën pershtypje fjala e tij plot emocon, plot humor, duke të dhënë përshtypjen se ky personalitet i letrave shqipe po rinohej dita – ditës dhe kjo na mbushte me gëzim dhe shpresë. Na ftojnë për drekë. Mirësia zotëron në mesin tonë, bujaria gjithashtu. Së bashku me shkrimtarin Llesh Ndoj jemi në ambientet e lokalit “Labinoti”. Bisedojmë këtu edhe me Prof. dr. Labinot Berishën, autor i disa librave dhe përmbledhjeve letrare. Të bën për vete djaloshi i ri, i cili tashmë është Dekan i Fakultetit të Edukimit në Universitetin “Fehmi Agani” në Gjakovë. Ja pra, familja Berisha ka menduar jo vetëm për të siguruar trashëgimi gjenetike, por edhe letraro – artistike ndër breza.

Aty kemi rastin të takojmë dhe të bisedojmë edhe me poetin e njohur nga Malisheva, Skënder Zogaj, për të cilin na thanë se në vitet e vështira të luftës kishte vënë në dispozicion dy dhoma nga shtëpia e tij në Fushë – Kosovë dhe i kishte përshtatur në klasa për nxënësit. Ky akt patriotik dhe atdhetarë, vlen për t’u vlerësuar, sepse vinte në një kohë të vështirë, kur shkolla “Selman Riza” në  Fushë – Kosovë, qe djegur dhe shkatërruar dhe nxënësit kishin mbetur pa mësim. Poeti Skënder Zogaj flet për Tiranën ku ka jetuar rreth 6 vjet në periudhën e luftës, madje për një kohë ka qenë edhe si përfaqësues i Republikës së Kosovës, njëhrit pati kontribuar edhe si gazetar tek gazeta “Rilindja”. Ka botuar rreth 8 libra me prozë dhe poezi, ku mund të dallojmë ”Zogu i ekspozitës” – poezi 1983, “Merrmë vëlla përdore” – poezi, Tiranë 1994, “Ora e qoftëlargut” – poezi 1996 etj.

Pas një dite të bukur dhe një aktiviteti për t’u marrë shembull, së bashku me Lleshin, marrim rrugën e kthimit. Bisedat për organizimin e aktiviteteve të tilla nuk kanë fund, as shpresat që të tilla veprimtari mbresëlënëse të organizohen e të bëhen periodike edhe në bashkitë e zonave tona. Personalitete krijuese ka plot, zërat e rinj nuk mungojnë, prandaj nuk duhen lenë në harresë, sepse ndoshta një ditë do të pendohemi.

Gjilan – tetor 2026

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.