Monitor.al, 18/02/2023
Flet Skënder Hoxhaj, administrator “Vega Solar”
Projektligji i ri “Për burimet e rinovueshme të energjisë”, që është në diskutime, parashikon një skemë të re të matjes për vetëprodhuesit, të cilët janë një ndër grupet më të interesuara që kanë instaluar impiante fotovoltaikë.
Skema në fuqi është ajo e matjes neto mujore, ndërkohë që drafti parashikon faturimin vjetor neto.
Skënder Hoxhaj, administrator i kompanisë “Vega Solar”, nënvizon se ky është një ndryshim shumë pozitiv me avantazhe, ku ndër të tjera mbulon 100% nevojën për energji.
Për bizneset, ky është një lehtësim shumë i madh, në kushtet kur në treg, çmimet e energjisë mbeten të larta, për shkak të krizës.
Ligji i ri për burimet e rinovueshme ka mbërritur në Kuvend me një draft konkret. Cilat janë disa nga aspektet që ju gjykoni si pozitive në këtë ligj?
Ligji për burimet e rinovueshme, i miratuar në vitin 2019, dha një kontribut të madh në zhvillimin e mëtejshëm të tregut në industrinë vetëprodhuese.
Fakti që para këtij ligji, vetëprodhuesit nuk kishin të drejtë të hidhnin energji në rrjet e ndalonte interesin për impiante fotovoltaike.
Tashmë, çdokush do të ketë mundësinë ta prodhojë energjinë e vet dhe të përfitojë 100%, duke ju njohur dhe energjia e hedhur në rrjet me baza vjetore.
Lehtësi të tilla e zhvillojnë tregun dhe mbështesin të gjithë familjet dhe bizneset në këtë situatë delikate, siç është kriza energjetike që ka prekur gjithë botën së fundmi.
Qeveria ka pranuar se do të ketë një faturim vjetor neto? Çfarë do të thotë kjo dhe cilat janë avantazhet që sjell kjo skemë për vetëprodhuesit?
Pranimi nga qeveria për faturim vjetor neto i hap rrugë dhe i jep garanci për zhvillim sektorit.
Kjo do të thotë se të gjithë individët dhe bizneset, të cilat kanë instaluar sisteme fotovoltaike, do të kenë mundësi të mbulojnë 100% të nevojës për energji elektrike. Si do të ndodhë kjo?
Aktualisht me ligjin ekzistues, energjia e tepërt e hedhur në rrjet nga vetëprodhuesit njihet vetëm muajin aktual. Me ligjin e ri, netimi do të bëhet vjetor, energjia e tepërt e prodhuar në muajt e verës dhe pranverës do të mbulojë konsumin e ditëve me më pak diell në dimër. Disa nga avantazhet e kësaj skeme janë:
I. Rritje të interesit për impiantet fotovoltaike
II. Përballimi i çmimeve të larta të energjisë në treg
III. Ndihmon shtetin shqiptar duke ia lehtësuar peshën e mbrojtjes së konsumatorëve të energjisë në situatë krize energjetike
IV. Lehtëson rrjetin dhe transmetimin, duke e prodhuar energjinë në vend pa qenë nevoja për t’u transmetuar.
Si e prisni sektorin e fotovoltaikëve në vitin 2023 në lidhje me interesin për investime, duke pasur parasysh që kriza e energjisë vijon të jetë e pranishme?
Për vitin 2023, parashikojmë që investimet në sektorin fotovoltaik do të vazhdojnë të mbeten tërheqëse, si për familjarët, edhe për bizneset. Disa nga faktorët kryesorë që na bëjnë të besojmë
te ky parashikim janë:
I. Çmimi i lartë i energjisë elektrike që nuk pritet të pësojë ulje drastike
II. Lehtësitë nga qeveria siç është faturimi vjetor
III. Roli mbështetës i bankave
Të mos harrojmë që prodhimi i energjisë, nëpërmjet paneleve fotovoltaike, mbetet një nga mënyrat më ekonomike dhe ambientaliste në treg.
Si ka qenë interesi nga bizneset e lidhura në tension të mesëm që po furnizohen me çmim preferencial nga qeveria, por që pas situatës së emergjencës do të duhet të dalin në treg të lirë?
Pavarësisht ndryshimit, bizneset e lidhura në tension të mesëm kanë shprehur interes të shtuar për impiantet fotovoltaike.
Avantazhet e këtij investimi janë lehtësisht të dukshme dhe duke marrë parasysh situatën energjetike në vend, ky investim mbetet zgjidhja më
optimale për ta. Një ndihmë e madhe për këto biznese ka qenë dhe përkrahja e shumë bankave të nivelit të dytë në Shqipëri, të cilat nuk kanë hezituar për t’u ardhur në ndihmë të gjitha palëve të interesuara në këtë proces.
Cilat janë sfidat që po has sektori i fotovoltaikëve në kostot dhe furnizimin me panele, duke qenë se është një kërkesë globale në rritje për këtë produkt për shkak të situatës?
Vitet e fundit kanë qenë të mbushura me ngjarje dinamike në rang kombëtar dhe global. Vlen për t’u përmendur periudha e pandemisë, lufta dhe kriza energjetike. Këto ngjarje kanë ndikuar dhe në industrinë e fotovoltaikëve.
Disa nga problemet që u përballëm ishin rritja e çmimeve të lëndëve të para, luhatje të shpeshta në çmimin e produkteve, rritja e kostos së transportit, vonesa në logjistikë si dhe rënia e kapacitetit të prodhimit për të mbuluar kërkesën e tregut, e cila vitet e fundit ka pasur rritje galopante.
Kjo e ka vështirësuar disi punën tonë, por shpresojmë që së shpejti, situata do të ndryshojë.
Shumica e industrive po hasin probleme me gjetjen e forcës së punës. Po ju a e ndieni këtë presion?
Gjetja e forcës së punës është një nga sfidat më reale dhe koherente. Profili i impianteve fotovoltaike është specifik dhe kërkon njerëz të specializuar në këtë fushë, çfarë e bën dhe më të vështirë gjetjen e punonjësve të përshtatshëm për këtë industri.
Kushtet e punës, pagesat tërheqëse, politikat e brendshme të kompanisë kanë qenë një amortizator për ta bërë sa më të lehtë punësimin e njerëzve të përshtatshëm.
Një rol kryesore kanë luajtur edhe bashkëpunimet tona me instanca të ndryshme, për të kryer trajnime në të gjitha profilet që mbulon sektori fotovoltaik, për t’u ardhur në ndihmë gjithë personave të interesuar për të punuar në këtë industri.
Kliko në Watch on YouTube, për të parë videot e mëposhtme: