Dhimbje, trishtim dhe lot për Matildën…

0
Matilda Aruçi

Ikja e parakohshme nga jeta e mësuese Matildës, është një dhimbje e madhe për familjen, farefisin, kolegët e punës, nxënësit që deshti shumë, për të gjitha ato që e njohën apo bashkëpunuan me të. Lajmi qe trishtues pasi ajo qe një vajzë e re 36 vjeçare, me shumë ambicje dhe ëndrra që i’u prenë në mes dhe u shuan përjetësisht. E tillë është jeta me të mirat dhe fatkeqësitë e saj. Fatkeqësisht, ajo u tregua e padrejtë me mësuese Matildën dhe e ndërpreu në mes rrugëtimin e saj. Ajo e donte shumë profesionin e mësuesisë dhe i kushtoj gjithçka atij. Qe një mësuese model që trasmetonte dije dhe rrezatonte kulturë tek nxënësit e saj. Ato nuk u ndanë asnjëherë prej saj dhe e përcollën me dhimbje, respekt, lot dhe buqeta me lule në banesën e saj të fundit. Mësuese Matilda qe modeli i mësueses shembullore, një mësuese e pajisur me dije bashkëkohore, bashkëpunoi me kolegët, mori dhe shkëmbeu përvojë me to. Respektonte shumë kolegët e vjetër dhe u bë model e pikë referimi për kolegët e rinj…

Matilda Aruçi lindi në Ferraj, Tiranë më, 14.04.1988. Lindi në një familje të njohur në zonë, dhe i dha më shumë emër asaj. Ajo qe vajzë e vetme e Xhavit dhe Lutfije Aruçit, ku u rrit me shumë kujdes dhe dashuri prej tyre. Shkollën fillore dhe atë tetëvjeçare e kreu me rezultate shumë të mira, në Ferraj. Edhe tani ajo mbante lidhje të vazhdueshme me gjithë mësuesit e kësaj shkolle, dhe veçanërisht me mësuesen e saj, të fillores, Nurie Sula. Shkollën e mesme e bëri tek “Eqerem Çabej” ku edhe aty doli me rezultate shumë të mira. Në të gjallë, ajo krenohej shpesh që ishte nxënëse e kësaj shkolle me emër. Vlerësonte në shkallën sipërore mësuesit dhe kolektivin e kësaj shkolle.

Si nxënëse shumë e mirë ajo kishte e ambicje të vazhdonte arsimin e lartë dhe e realizojë me sukses të plotë. Pati pasion shkencat ekzakte dhe e realizojë këtë. Vazhdoi studimet e larta në Universitetin e Tiranës, në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, dega Fizikë dhe pati rezultate të mira. Diplomohet në Bachelor në Fizikë, më 08.10.2012. Vazhdon masterin pranë këtij fakulteti, ku diplomohet, me: Master Shkencor në Mësuesi në Fizikë për Arsimin e Mesëm të Lartë, më datë 10.07.2014. Kjo qe një arritje e madhe për Të dhe gëzim i madh për prindërit e saj.

Në bisedë e sipër babai i saj, Xhaviti, me lot në sy, shton: “Matilda qe e dhënë pas shkollës, qe gjithçka për ne prindërit, qe drita e syrit që na bënte, ne, të shikonim. Ajo qe zemra e shpirtit tonë që na bënte të shpresonim për ditë më të mira për të. Ajo qe gjithçka për ne. Duke pasur e fëmije të vetëm, ne kemi bërë gjithçka për ta rritur, edukuar dhe arsimuar atë. E kam motivuar shumë, më ka dëgjuar shumë dhe ma ka shpërblyer shumfish. Matilda qe shumë vajzë ambicioze, nuk kënaqej me atë çfar kishte arritur, kishte ëndrra dhe donte të vazhdonte më tej doktoraturën. Ëndrrat e saj u shuan para kohe. Iku në kulmin e moshës dhe formimit të saj. Në vend të fustanit të bardhë, u mbulua me dheun e zi. Kjo është jeta. Zoti e dha atë pas dy fëmijëve, që vdiqën të vegjël. Zoti e mori në shtëpinë e tij. Dhimbja jonë është shumë e fortë, por mendjen e kemi te Zoti”.

Pas mbarimit të arsimit të lartë, mësuese Matilda kryen praktikën mësimore pranë Gjimnazit “Qemal Stafa”. Ajo na fliste me shumë respekt për kolektivin pedagogjik të kësaj shkolle dhe aftësitë profesionale dhe shkencore të mësuesve të saj. “Ata shërbyen si model për mua”, – thonte shpesh, ajo. Matilda filloi dhe punoi për pak kohë si mësuese në “Kolegjin Grek”, në Tiranë. Nga viti 2017 dhe në vazhdim nëpërmjet portalit, filloi dhe punoi si mësuese Fizike dhe e TIk-ut, në Shkollën e Mesme të Bashkuar “Bahri Nela”, Zall-Bastar. Gjatë kësaj periudhe ne patëm fatin ta njihnim nga afër Matildën. Ajo qe një mësuese e përkushtuar, shumë e përgatitur nga ana shkencore, e aftë nga ana pedagogjike, shumë bashkëpunuese me mësuesit, nxënësit, komunitetin. Gjatë kësaj periudhe kohore si mësuese në këtë shkollë la një emër të mirë, la mbresa të pashlyeshme tek kolegët dhe nxënësit.

Ishte një vajzë e sinqertë, e apasionuar pas profesionit, përgatitej sistematikisht, ishte kërkuese e lartë ndaj vetes dhe nxënësve. Mbi të gjitha qe një mësuese serioze, rrezakonte kulturë, ishte me zemër të madhe, kishte një komunikim të mirë dhe i donte shumë nxënësit. Ishte e vajzë e drejtpërdrejtë dhe nuk duronte shtirjen. Si e ndjeshme që ishte i shihte gjërat në detaje. Punonte shumë që gjithçka të shkonte më së miri. Qe një mësuese e guximshme, shumë krenare, e vendosur, e zgjuar dhe e dashur për ata njerëz qe e njohen vërtetë. Kjo bënte të ishte edhe e ndjeshme dhe të prekej shpejt.

Si mësuese qe sistematike në shkollë, kishte qef estetikën tek nxënësit, në klasa, shkollë, etj. Dha një kontribut të madh tek nxënësit në dhënjen e njohurive shkencore, mësimin dhe përdorimin në detaje të kompjuterit. Lëndën e fizikës ajo e kishte pasion, e zotëronte lëndën dhe lexonte vazhdimisht literaturë të re. Kjo qe mësuese, Matilda. E tillë do të mbetet ajo gjithmonë në memorjen e atyre që e njohën dhe punuan me të. Njëra nga koleget, shprehet: “Kam mësuar shume gjëra nga Matilda, ajo ishte më e vogël në moshë, por e madhe në mendime, kishte objektiva të qarta dhe i realizonte në kohë ato.

Matilda i bënte “zbor”, kompjuterit me atë dorën dhe gishtat e “brishtë”. Sëmundja e rëndë dhe e pashërueshme po bënte punën e saj. Ajo nuk jepej dhe nuk mposhtej, deri sa erdhi dita e ndarjes… Kolegja tjetër, kujton: “U njohëm në koridoret e Fakultetit të Shkencave të Natyres në me Matildën në vitin 2007 dhe nuk u ndamë më. Matilda qe nje vajzë e thjeshtë, e zgjuar, e dashur, inteligjente, studente shumë ambicioze, shoqe, kolege shumë e mirë. Si kolege, kaluam vitet më të bukura së bashku pranë kësaj shkolle, ku shkonim si motra. Si mësuese ajo hynte shumë shpejt në mendjen dhe zemrën e nxënësve. Kurrë nuk e kisha menduar se ajo, do të ikte kaq shpejt nga jeta dhe do na linte këtë dhimbje të madhe. Unë prisja të isha një ditë në dasmën e saj, siç e kishim diskutuar. O zot, kam shumë dhimbje…

Drejtuesi i shkollës, shton: “Matilda ishte një mësuese këmbëngulëse, shumë ambicioze, tepër optimiste, punonte me përkushtim me nxënësit. Rrezatonte energji pozitive dhe kulturë tek nxënësit dhe komuniteti. Ajo ka marrë pjesë në shumë trajnime të organizuara nga MAS, DAR, dhe institucine të tjera në vend. Ka përfaqësuar shkollën tonë me dinjitet dhe është dhe është vlerësuar shumë mirë, prej tyre. Ajo ka realizuar, së bashke me një grup nxënësish, dy projekte në shkollë për kompjuterat e informatikes dhe mobilimin e shkollës. Nga ana ime si drejtues ka vlerësimin, shumë mirë, për të gjithë performancën e proçesit mësimi-edukativ. Ikja e saj është një humbje e madhe, por edhe forcë dhe burim frymëzimi, për ta çuar më tej punën tonë”. Kolegja tjetër, që tani ndodhet në anën tjetër të globit, në mesazhin e saj, thotë: “Me dhimbje të madhe mësova humbjen e parakohshme të shoqes dhe koleges sonë, Matildës.

Ne shkonim dhe duheshim vërtetë si motra. Ajo qe një vajzë dhe mësuese e shkëlqyer. Ka punuar me përkushtim dhe profesionalizëm të lartë në punë. Matilda dha një kontribut të madh në Shkollën e Mesme të Zall-Bastarit. Sado fjalë zemre të themi ne për zyshë Matildën, ato nuk janë të mjaftueshme për plotësimin e portretit të saj. Ajo e meriton të kujtohet dhe të nderohet edhe pas ikjes së saj në botën tjetër. Kush e njohu këtë vajzë dhe punoi me të, e vleresoi për vlerat e larta njerëzore dhe profesionale qe kishte. Dhimbja që na la pas është e madhe shumë, aq sa na duket e pabesueshme. Është si një ëndërr e trishtueshme, që mezi pres të mbarojë”. I tillë është vlerësimi i figurës dhe punës së kësaj mësueseje nga stafi pedagogjik, kolektivi i nxënësve dhe komuniteti i prindërve…

Në vazhdim të bisedës me prindërit, nëna e saj, shprehet: “Kjo është dhimbja më e madhe që kam përjetuar në jetën time. Kjo dhimbje nuk do të largohet kurrë nga unë, deri në vdekjen time. Ne sytë i kishim tek Matilda. Ajo qe një vajzë e veçantë, na donte jashtë mase, linte veten e saj pas dore dhe bënte shumë kujdes për ne. Na thonte shpesh unë jetën e kam përpara, ndërsa me ju prindërit duhet kujdes, pa ju unë nuk kam jetë. Fatkeqësisht ne prindërit jetojmë, dhe ajo u nda nga jeta krejt papritur. Ne e dinim diagnozën e sëmundjes, por ajo e mori shumë shpejt. Si prindër nuk jemi të ngopur asnjëherë me Matildën…

Duke plotësuar, babai shton: “Matildën e kemi dërguar edhe në Angli dhe Turqi për kurim por ajo nuk gjeti shërim. Desha ta dërgoj së fundmi edhe në Itali. Por mjekja e saj e mrekullueshme, Bora më tha: “Mos e dërgo më jashtë shtetit sepse nuk kanë ç’ti bëjnë më shumë se ne”. “Unë ju falenderoj shumë si kolektiv mësues-nxënës për përkrahjen dhe ndihmën e dhënë, për vajzën time të ndjerë, Matildën. Edhe pjesmarrja në funeralin e saj është shumë domethënës. Nuk do ta harroj kurrë xhestin e mësues Fatmirit dhe Redjanit që dhanë gjak nga trupi i tyre për shpëtimin e Matildës”.

Fatkeqësisht më datën 19.11.2024, Matilda ndërroji jetë në spital. U nda fizikisht nga prindërit, të afërmit, kolegët dhe nxënësit e saj. Puna dhe kontributi i saj në arsimimin dhe edukimin e nxënësve do të jetë i përjetshëm.

I paharrueshëm qoftë kujtimi i saj!

KOLEGËT…

Zall-Bastar më, 24.11.2024

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.