Botim i ri
BEDRIJE MEKOLLI “RUAJTJA E SË KALURËS”, botoi “Shkrola” Prishtinë, 2025
Bedrije Mekolli sjell librin e parë praktik në Kosovë për restaurimin dhe ruajtjen e librave të vjetër dhe të rrallë
Autorja dhe bibliotekarja me përvojë shumëvjeçare, Bedrije Mekolli, ka publikuar librin “Ruajtja e së kaluarës: Mjeshtëria e restaurimit dhe konservimit të librave të vjetër dhe të rrallë”, një vepër profesionale që vjen si kontribut i rëndësishëm për ruajtjen e trashëgimisë së shkruar në vend.
Libri trajton rëndësinë e librave të vjetër dhe të rrallë si bartës të historisë, kulturës dhe kujtesës kolektive. Në të, autorja paraqet sfidat kryesore që prekin këto materiale, përfshirë lagështinë, temperaturën, dritën, mykun dhe dëmtimet fizike, si dhe ofron teknika bazike dhe të avancuara për restaurimin e letrës dhe libërlidhjes. Po ashtu, theksohet roli i digjitalizimit si metodë bashkëkohore për ruajtjen e origjinaleve.
Libri është konceptuar duke u mbështetur në punën dhe përvojën profesionale të autores Bedrije Mekolli në bibliotekë, si dhe në konsultimet me ekspertë ndërkombëtarë të konservimit, duke siguruar që materiali të jetë i saktë, praktik dhe i zbatueshëm për profesionistët dhe studentët e fushës.
Ky botim pritet të shërbejë si një udhëzues i vlefshëm afatgjatë për bibliotekarë, arkivistë, studiues dhe të gjithë ata që punojnë me materiale të vjetra dhe të brishta, duke kontribuar në ruajtjen dhe mbrojtjen e trashëgimisë së shkruar në Kosovë.
Libri ka 179 faqe tekst me ilustrime, si dhe burime e referenca të cilat ia shtojnë rëndësinë këtij botimi, duke dëshmuar punën e përkushtuar të autores në hulumtimin e materialeve.
Dërgoi për publikim, Ajete Zogaj











