Nga Enver Lepemica
“Mjeshtër i Madh”
Ku fle lepuri i Ylli Polovinës?
Lepuri i Ballit Kombëtar që i shpëtoi Kristo Frashëri e zuri Ylli Polovina.
Komunistët e Kristo Frashërit si në kohë lufte edhe në kohë paqje pas vitit 1945 etjen e shuanin me gjak shqiptari duke e kthyer Shqipërinë në banjo gjaku.
Ylli Polovina është një studjues dhe botues i njohur e prandaj artikulli tij “Pse u zhduk procesverbali i kongresit ballist të Beratit”, që flet për Kongresin e Parë të Ballit Kombëtar, mbajtur në Berat më 3 – 4 janar 1944, meriton vëmëndjen tonë.[1]
Zoti Ylli! Mua s’më vjen mirë që më shternguat tu jap këtë përgjigje botërisht, polemikat jo gjithnjë sjellin dobi.
Që në hyrje të këtij artikulli z. Polovina na zhgënjen kur shkruan se “kemi fat se të dhënat na vijnë nga…, Kristo Frashëri”, pra Polovina e quan veten me fat se problemin e ka zgjidhur prof. Frashëri e ky s’do bëjë gjë tjetër veç do noterizojë mendimet e profesorit! Aferim!
Në disa artikuj dhe libra të botuar z. Polovina është marrë me historinë e Ballit Kombëtar, por pa lëvizuar nga vija, pa iu referuar dokumentit historik, por vetëm fantazisë së tij, që nuk i mungon.[2]
Në artikullin e gjatë “Pse u zhduk procesverbali i kongresit ballist të Beratit”, Ylli Polovina pretendon të bëjë një analizë historike për Kongresin e Parë të Ballit Kombëtar, por pa iu referuar absolutisht asnjë dokumenti historik. Ai iu referohet disa librave të njohur dhe të komentuara gjatë, veçanërisht atë e entuziazmon Kristo Frashëri, ai, që për 50 vjet ka falsifikuar historinë e shqiptarëve: “Në sprovën e analizës që do të bëjmë kemi një fat: të dhënat për këtë ngjarje na vijnë prej më të informuarit historian shqiptar të Luftës së Dytë Botërore, njëkohësisht edhe protagonist i saj, profesor Kristo Frashërit”.
Këtu Ylli Polivina gabon, pasi më i informuari për atë luftë është vetë shoku Enver Hoxha mësuesi dhe udhëheqësi i Kristo Frashërit. Pra që në nisje Ylli Polovina na bën të qartë se nuk do të lëvizë nga vija e Partisë dhe Kristo Frashërit.
Edhe fillimi i analizës së Polovinës është antihistorik kur shkruan se Balli Kombëtar në emigracionin e pa dëshëruar “mbijetoi në emigracion në formën e partitëzave”.
Çfarë e shtyn Ylli Polovinën për një falsifikim kaq banal? Përgjigjen po ia lëmë ndërgjegjes së tij. Ylli Polovina dhe shokët e tij duhet të dinë se Balli Kombëtar si asnjë organizatë tjetër në historinë e shqiptarëve jetoi i gjallë dhe me aktivitet antikomunist në emigracionin e detyruar.
Më 31 dhjetor 1945 Mid’hat Frashëri krijoji Partinë Balli Kombëtar Demokrat, e cila në vitin 1949 u quajt Partinë Agrare Demokratike e cila menjëherë u pranua në Lidhjen Ndërkombëtare Katundare.
Po këtë vit që u formua NATO, Balli Kombëtar u thirrë dhe bashkëpunoi ngushtë me këtë organizatë demokratike, duke formuar Komitetin Kombëtar “Shqipëria e Lirë” dhe forcën e tij të armatosur “Kompaninë 4000”, të vlerësuar me dekoratën e lartë të republikës “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”[3], të themeluara këto organe nga amerikanet, të financuara dhe të mbajtura prej tyre.
Ndërsa Balli Kombëtar bashkëpunonte ngushtë me NATO-n, si parti dhe jo si “partitëza”, Partia e Kristo Frashërit antarësohej në Paktin e Varshavës të Stalinit, dhe vetëm pas 60 vjetësh në vitin 2009, shqiptarët u anëtarsuan në NATO. Pra zoti Polovina nuk ishin “partitëza”, po vetëm parti demokratike me peshë. Në emigracion Partia Agrare mbajti 7 kongrese, botonte 17 organe shtypi, botonte libra e broshuar të njohura e të financuar nga anglo-amerikanët.
Është fakt historik, që besoj e njeh si Frashëri dhe Polovina, por e mohojnë se Mid’hat Frashëri në emigracion nuk i afroi disa pesonalitete që akuzoheshin se kishin bashkëpunuar me pushtuesin. Këta ishin një pakicë, që i ndërprenë lidhjet me partinë e Mid’hat Frashërit, mbajtën emertimin e fillimit Organizata Balli Kombëtar me kryetar Ali Këlcyrën, nxirrnin gazetën “Zëri i Ballit Kombëtar” dhe mbajtën vetëm një kongres me 58 vetë.
Kjo ndarje është në natyrën njerëzore, në çdo kohë e në çdo vend, në historinë e njerëzimit, vetëm tre vetë e mbajtën partinë monolite: Stalini, Mao Ce Duni në Kinë dhe këtu Enveri ynë.
- Për çfarë ka të drejtë Ylli Polovina?
Në këtë artikull, Polovina me të drejtë, shtron për diskutim faktin historik, se përse nuk është trajtuar e shkruar për Kongresin e Parë të Ballit Kombëtar mbajtur në Berat më 3 e 4 janar 1944, si nga ana e Partisë Komuniste, Partisë së Punës edhe nga Balli Kombëtar.
“Një rrethanë e tillë censure të kuptueshme prej kundërshtarëve politikë të Ballit Kombëtar bëhet e pashpjegueshme, mezi e interpretueshme, përballë faktit tjetër, shumë të çuditshëm dhe të bujshëm: për këtë kongres edhe vetë ballistët e sidomos grupi udhëheqës i tyre ka heshtur apo ka mezi folur. Duke vepruar kështu edhe ata kanë ndihmuar që ngjarja të mos lërë asnjë gjurmë të ndjeshme në opinionin publik dhe në historinë nacionale”.
Autori ka të drejtë për këtë konstatim të njohur botërisht, që udhëheqësit e Ballit Kombëtar nuk shkruan për këtë kongres dhe me përjashtime të pakta, nuk shkruan as për ngjarje të tjera të Luftës Antifashiste dhe kjo nuk i nderon ata. Shqiptarët kanë ditur të luftojnë, por përtojnë të shkruajnë. Pra, për ballistët ka kritika që nuk na lanë gjë të shkruar, por duhet patur parasysh edhe rrethanat në të cilat ata luftuan dhe punuan.
Më 1 tetor 1943 treshja mafioze dhe terroriste: Miladin Popoviçi, Dushan Mugosha dhe Enver Hoxha i shpallën luftë Ballit Kombëtar dhe kështu në Shqipëri shpërtheu lufta vëlla-vrasëse, lufta civile.[4]
Bandat komuniste sulmuan forcat e Ballit Kombëtar, me zjarr e me hekur, dogjën fshatrat që mbështesnin Ballin dhe u grabitën pasurinë e bagëtinë, po kështu vepruan edhe në Veri. Komunistët e Kristo Frashërit si në kohë lufte edhe në kohë paqje pas vitit 1945, etjen e shuanin me gjak shqiptari duke e kthyer Shqipërinë në banjo gjaku.
E kush mund të shkruante në këto rrethana? Kishte edhe nga ata që mund të shkruanin por Partia e Kristo Frashërit i vrau pabesisht pas shpine, ose ranë dëshmorë si major Azis Çami, dr. Skënder Muço, dr. Yzeir Alimerko, dr. Safet Butka, Hysni Lepenica, Zako Mezini, etj.
Ju duhet t’i dini se në Beratin tuaj Zoti Ylli, partia e Kristo Frashërit, pushkatoi luftëtarët antifashist të orës parë: poetin Namik Meqemeja në moshën 21 vjeçe, talentin Resul Tozhari ne moshën 22 vjeçe, ndërsa Neti Fugës në moshën 23 vjeçe i dha 10 vjet burg.
Shembujt e pushkatimeve vetëm si kundërshtarë politik të Partisë Komuniste janë me mijëra e të njohur botërisht dhe nuk ka nevoj të zgjatemi më tepër.
Pas çlirimit të Shqipërisë nuk guxonte njeri të shqiptonte fjalët Balli Kombëtar, pasi për rreth përgjonte hapsana.
Në emigracionin e pa dëshëruar kujdesi i parë ishte përpjekja për të siguruar bukën e gojës, instikti parë njerëzor, për të jetuar. Para kafshatës së gojës njeriu s’mund të bëjë asgjë tjetër.
Nga ana tjetër dihet se vetia për të shkruar si ajo e Yllit është dhuratë nga Perëndia, talent, dhe nuk është një punë që e bëjnë të gjithë, ose siç thotë populli nuk bëjnë të gjitha mizat mjaltë.
Pavarësisht nga arsyetimet e mia, udhëheqësit e Ballit Kombëtar nuk shkarkohen nga përgjegjësia se përse nuk shkruan për Kongresin e Beratit. Por, nuk ka asgjë misterioze,
nuk është zhdukur procesverbali dhe dokumentacioni i kongresit, por thjesht në rrethanat e luftës civile, në katrahurën e luftës, ka humbur. Pra, asgjë misterioze dhe e fshehtë siç e trajton çështjen Ylli Polovina dhe mundohet të “zbulojë” atë që kanë fshehur ballistët e “poshtër”!
Fakti është se edha ata që na lanë gjurmë për atë kongres, gabojnë edhe në datën që zhvilloi punimet kongresi, çka do të thotë asgjë e qëllimëshme siç pretendon Ylli Polovina.
Edhe Marenglen Kasmi i partisë së Ylli Polovinës e sheh mungesën e dokumentacionit për këtë kongres si të metë të ballistëve dhe jo si gjë misterioze siç thotë Ylli, kur shkruan: “Në mënyrë të pakuptueshme, për këtë kongres është folur shumë pak, madje edhe nga vetë anëtarët e “Ballit Kombëtar”… Mesa duket, edhe për këtë veprimtari të kësaj rëndësie, sikurse ishte kongresi, “Balli Kombëtar” vendosi të mos e prish traditën e moslënies së gjurmëve me shkrim për gjëra të rëndësishme, sikurse ka vepruar pothuajse gjatë gjithë luftës”[5]
Por ka edhe nga ata që kanë lënë kujtimet për Kongresin e Parë të Ballit Kombëtar si Ali Këlcyra, kolonel Faik Quku, prof. Zef Pali, dr. Selahedin Velaj, kolonel Kadri Cakrani, kap. I Ismail Golemi, Abdul Kokoshi, Resul Tozhari, Xhelal Straravecka, Islam Lleshi, Xhemal Alimehmeti, etj, kujtimet e të cilëve botohen në këtë libër.
Natyrisht që Ylli Polovinës nuk i interesojnë kujtimet e ballistëve të “poshtër” sepse ai beson vetëm kujtimet e Kristo Frashërit !!!
- Në vend të dokumentit Ylli si arixhofkat, na shet me fantazi!
Në mënyrë të pa arsyeshme, autori i ka dhënë shumë vend pohimit të Faik Qukut se “e vetmja rrugë shpëtimi nga ndeshja me forcat partizane”, ishte “militarizimi i organizatës balliste”.
Po çfarë rëndësie ka ky mendim i Faik Qukut i cili siç e thotë ai vetë u kundërshtua, nuk u pranua nga Komiteti Qëndror, por Ylli nuk mund ta lërë dhelprën pa bisht, pa dënuar ballistin Faik Quku! Kështu na fanepset politika e kohës së shokut Enver Hoxha kur njeriu dënohej për një fjalë gojë!
Më tutje autori tenton të shkruaj historinë me hipoteza e fantazi që nuk i mungon kur thotë: “Do të ishte shumë e pabesueshme që Faik Quku si Sekretar i Përgjithshëm i Ballit Kombëtar, të mos ketë qenë këshilluar për tezën e militarizimit total të Ballit Kombëtar, para shtrimit të saj në Komitetin Qëndror, me vetë kryetarin, Mit’hat Frashërin”.
Tani sipas Ylli Polovinës duhet të thërrasim në ndihmë një fallxhore, ta gjejë, a është këshilluar Faik Quku me Mid’hat Frashërin për militarizimin e Ballit Kombëtar? Arsyetim shumë qesharak.
Po ja, dhe është këshilluar Faik Quku me Mid’hat Frashërin. Çfarë del prej kësaj? Ai ishte thjesht një mendim që nuk u pranua, që nuk solli asnjë pasojë për Ballin dhe Shqipërinë.
- Polovina e komenton mjaft gjat hipotezën e tij dhe synimi është që të gjej se ku fshihet lepuri i ballistëve të “poshtër”, te qëllimi që ai i ka vënë vetes, të nxi Ballin Kombëtar, të zbulojë se përse u “zhduk” procesverbali i kongresit!
Më tutje analiza, që nuk është analizë historike bazuar në dokumentin, vazhdon me hamendje, me përrallën e militarizimit që na tregon Ylli. “Balli Kombëtar i militarizuar në të gjithë strukturën e tij politike dhe tërë masën njerëzore që kishte, armët nuk do t’i merrte prej rënies nga qielli. Do t’i huante prej qeverisë shqiptare, e cila do t’i tërhiqte nga magazinat e armatës hitleriane dhe do t’i ngarkonte nëpër kamionë të saj për t’i shkarkuar më pas nëpër oborret e komiteteve krahinorë të nacionalistëve”.
Çfarë fantazie për t’u pasur zili.Ylli fallxhori bëhet qesharak, kur parashikon me imtësi si do trasportoheshin armët imagjinare ku do shkonin si do shkarkoheshin armët, duke e kthyer historinë në folklor.
Na fal Ylli, por këtu ke dalë nga tema dhe po na tregon përralla për fëmijë. Përrallat e tua lindin nga urrejtja që ke për ballistët e “poshtër”, dhe në urrejtje nuk mund të ketë as drejtësi e as histori.
- Ylli nga fantazia e përrallat kthehet në histori.
Pas hipotezave për të cilat duhet të thërrasim në ndihmë ndonjë fallxhore Ylli Polovina kalon në realitetin historik: “Nga sa del, në fjalën e tij analizuese për të shkuarën, por edhe programuese drejt të ardhmes, referuar Faik Selenicës, në Kongresin e Beratit Mid’hat Frashëri i bëri ftesë Frontit Nacional Çlirimtar për një marrëveshje të re bashkëpunimi duke ndaluar kështu vëllavrasjen. Kaq pohon Faik Selenica dhe nuk shkon më tej, ta zgjerojë edhe më shumë informacionin, por gjithsesi kjo nuk është pak. Në thelb mbetet të jetë e besueshme”.
Kjo është e vërteta historike, kjo është platforma politike e Ballit Kombëtar prej vitit 1939 kur u fillua, mbeti bashkëpunimi me forcat e brendshme shqiptare dhe me aleatët e mëdhenj, Anglia, Amerika dhe Bashkimi Sovjetik.
Nuk është vetëm Mid’hat Frashëri që flet për bashkëpunim me Frontin Nacionalçlirimtar.
Ali Këlcyra deklaron: “Duhet të bëjmë një politikë oportune karshi Frontit, për t’i afruar”
Xhevat Kallajxhi: “Tha për afrim , se janë djemtë tanë”.
Agjenti komunist i futur në kongres deklaron: “Politika e tyre pro aleatëve”.[6]
Të vërtetën historike e plotëson Ismail Golemi, komandanti i Gjirokstrës, që Ylli në shkrimin e tij e ka lënë përgjysëm fjalën e Ismail Golemit, në gjyqin special dhe pikërisht ka hequr këto fjalë: “Por ishte mejtimi me u formue nji grup të rinjsh për t’ja mbërrit qëllimit të bashkimit. Ndigjova se ka folur Jani Dilo e ca të tjerë për t’u bashkue me Lëvizjen Nacionalçlirimtare….”.[7]
Balli Kombëtar ka kërkuar deri në fund bashkëpunim me Partinë Komuniste. Për këtë të vërtetë na flet edhe Mustafa Gjinishi, alias Tafari një udhëheqës i lartë asaj partie, që e elimimuan pabesisht shokët e tij komunistë. Në një letrën që ai i shkruan Tarasit, pas kongresit, thotë:
“I tronditur para kësaj situate, Balli nashti po kërkon rrugëdalje. Na është drejtuar prapë neve, duke na shtruar përpara problemin e zogizmit që sa vjen e forcohet, kërkojnë të gjejnë një rrugë kompromisi me ne, natyrisht një kompromis të mëshehtë…
Nga ana tjetër të rinjtë e Ballit kur unë isha herën e fundit në Tiranë erdhën e më deklaruan:
“Si të rinj nacionalistë neve duam të bashkohemi ose të bashkëpunojmë me rininë tuaj”.[8]
Letra e plotë e Mustafa Gjinisht botohet më përpara në këtë libër. Kjo pra është e vërteta historike, Mid’hat Frashëri dhe veçanërisht komandnatët e Ballit Kombëtar, Hysni Lepenica, Safet Butka, Abas Ermenji, Azis Çami, Zef Pali, etj ishin dhe mbetën deri në fund për një bashkëpunim me Frontin Nacionalçlirimtar dhe për luftë kundër pushtuesit të cilën edhe e bënë, për të evituar vëllavrasjen, luftën civile, por ishte Partia Komuniste e udhëzuar nga Popoviçi e Mugosha, ajo që u tregua refraktare, jo vetëm refuzoi bashkëpunimin, por i ktheu pabesisht armët Ballit Kombëtar.
- Në kërkim të fjalimit të Mid’hat Frashërit.
Është munudar Ylli të kërkojë prova për fjalimin e Mid’hat Frashërit, duke përmëndur gjithnjë Faik Selenicën, ndërkohë që provën e ka në Arkivin Qëndror të Shtetit. Ja fjalimi i Mid’hat Frashërit: “Mid’hat Frashëri…, paraqiti rrëzimin e K.Q., që më 7 prill 39 u mblodhëm dhe vendosëm të formojmë një organizatë nacionaliste, me program demokratik, për të mbrojtur kombin shqiptar nga okupatori italian dhe nga çdo tjetër (asnjë kundërshtim). Na deshëm që kundra italianëve të mos bënim luftë me armë, por luftë me propagandë. U shtërnguam që ta shtonim veprimtarinë tonë dhe të dilnim para kohe në skenë, nga frika e propagandës komuniste.
Ne kemi mbajtur një qëndrim të butë, duke dashur të bashkohemi. Ata duke përfituar prej butësisë sonë na kanë sulmuar gjithmonë. Ne s’kemi bërë gjë tjetër veç jemi mbrojtur (difensiv), mirëpo kjo politikë s’doli me sukses , prandaj ne japim dorëheqjen e, e lëmë të zgjidhet Komiteti Qëndror i ri për të punuar më mirë. Dorëheqja u pranua. Ky ishte dhe qëllimi i kongresit”.[9]
Fjalimin e Mid’hat Frashërit e plotësojnë kujtimet e udhëheqësve të Ballit Kombëtar që botohen në këtë libër.
Lidhur me diskutimin e Mid’hat Frashërit, Zef Pali, alias Flaka, shkruan: “Dëshmuesi i shqiptarísë qindronte si pyrg në kalâ: kryenaltë i pakrenuem, “Jam nacionalist”, lëshoi zánin në Kongresin e Ballit Kombëtar në Berat. “Nacionalizmi i ynë – shkroi – nuk do t’i bâjë keq kúrrkuj, por nuk pranon që ndokush t’i bâjë keq Shqipnisë”. Për Mid’hat Frashërin bâjshin keq: Ata që vejshin në rrezik pavarsinë e Shqipnisë. Ata që cenojshin lirínë e popullit. Ata që jetojshin në shpinën e Kombit”. [10]
Sikundër pohojnë disa pjesmarrës në Kongres, Mid’hat Frashëri e kishte fjalimin e tij në letër me disa pika, të cilat i zgjeronte me fjalët e tij.
- Pak fjalë sa për sqarimin e Ylli Polovinës, që mbështetet tek Kristo Frashëri.
Në fjalën e tij Mid’hat Frashëri thotë: “që më 7 prill 39 u mblodhëm dhe vendosëm të formojmë një organizatë nacionaliste, me program demokratik”.
Përkundrazi Kristo Frashëri, thotë: “Vetë Mid’hat Frashëri, i cili mbahet si themeluesi i Ballit Kombëtar, me sa dimë ne, nuk e ka shpallur asnjëherë datën e themelimit të saj”.[11]
Pra, Kristo Frashëri ia paska futur kot, për afro 80 vjet, na paska mashtruar, pasi këtë pohim, Mid’hat Frashëri, e ka deklarojë vazhdimisht, me shkrim, gjatë gjithë jetës së tij.
Në punimin e tij, “Mbi historinë e Ballit Kombëtar”, Kristo Frashëri nuk ka vetëm këtë mashtrim. Kështu p.sh. ai thotë : “Kritka të ashpëra pati edhe ndaj Ali Këlcyrës, në mënyrë të veçantë për marrëveshjen e fshehtë që kishte nënshkruar me gjeneralin fashist italian Renco Dalmaco në mars të vitit 1943” [12]
Të pretendosh në vitin 2012 dhe në vitin 2016 nga Ylli Polovina se ka pasur protokoll marrëveshje Dalmaco – Këlcyra nuk është më mashtrim e propogandë, por turp. Turp sepse nuk ka pasur, nuk ekziston protokoll Dalmaco – Këlcyra, nuk është nënshkruar siç thotë K. Frashëri asgjë dhe nuk është protokolluar asgjë zyrtarisht.
Shiheni aktin e bisedimeve privatisht të Ali Këlcyrës dhe gjeneralit Dalmaco: [13])
Ky është “Protokolli” Dalmaco – Këlcyra, që komunistët vazhdojnë ta akuzojnë Ballin Kombëtar, pa firmë, pa vulë dhe pa numur protokolli, sepse mbeti vetëm në kuadër të një bisedimi, ndërmjet dy të njohurve, pa autorizimin e udhëheqjes së Ballit Kombëtar.
Prof. Kristo Frashëri ndofta nuk mund ta dallonte nga pleqëria e miopia se akti nuk ka as firmë e as vulë, as numur protokolli, pra nuk është firmosur, pra nuk ekziston, por Ylli Polovina në vitin 2016 duhet ta dallonte dhe të mos pranonte mashtrimin e profesorit të tij.
Dihet sesi në çdo luftë dhe në çdo kohë, e çdo vend, bëhen bisedime dhe marrëveshje ndërmjet palëve ndërluftuese. Kështu ka ndodhur edhe ndërmjet anëtarëve të Komitetit Qëndror të Ballit Kombëtar Ali Këlcyra dhe Nuredin Vlora me gjeneralin Dalmaco Komandant Epror i Forcave Italiane në Shqipëri, bënë bisedime si persona dhe JO të ngarkuar nga Komiteti Qëndror i Ballit Kombëtar.
Kur Ali Këlcyra doli në emigracionin e pa dëshëruar gjenerali italian Renco Dalmaco, ishte gjallë dhe hodhi dritë mbi të vërtetën e bisedimeve ndërmjet tij dhe Ali Këlcyrës si individ, duke deklaruar se kurrën e kurrës nuk ka patur një marrëveshje zyrtare ndërmjet tyre.[14]
Komiteti Qëndror i Ballit Kombëtar që në numurin e parë të gazetës “Flamuri”, datë 7 maj 1944, në faqen e parë dhe në vazhdim, ka denoncuar e hedhur poshtë akuzat e komunistëve për ”kompromisin” Dalmaco – Këlcyra që nuk ka ekzistuar kurrë, veçse ka patur bisedime privatisht Ali Këlcyra.[15]
Le ta mbyllim këtë arsyetim me gjykimin e një studjuesi të pa anshëm austriak prof. Hubert Neuëirth i cili thotë: ”Deri më sot në Shqipëri vazhdon të besohet pohimi se në mars të vitit 1943 Balli nënshkroi me italianët një farë armëpushimi, të drejtuar kundër komunistëve… Ndërsa vetë ballistët nuk e kanë pranuar kurrë eksiztencën e kësaj marrëveshje… Nëse Ali Këlcyra e ka nënshkruar vëretet në mars të vitit 1943 një protokoll të tillë… gjë që nuk vertëtohet kurrësesi, atëhere kjo duhet të ketë qënë vendim personal i tij… Megjithatë, siç do të dalë me siguri dhe në bazë të zhvillimeve të më tejshme, përmbajtja kolaboracioniste e këtij dokumenti nuk përfaqëson aspak vijën e përgjithëshme balliste, siç duan të pohojnë komunistët… Ndërkaq propoganda antiitaliane vazhdoi e pandryshuar, edhe pse herë herë e dobësuar nga paralajmërimet për rrezikun komunist”. [16]
- Tradhëtia e Lartë: Partia Komuniste i shpall luftë Ballit Kombëtar njësoj si gjermanëve.
Tani vijmë te meraku i madh i Ylli Polovinës: përralla e bashkëpunimit të Ballit Kombëtar me gjermanët.
Për bashkëpunimin me gjermanët Kristo Frashëri paraqet një shkresë për B K të Vlorës. E vërteta historike shkurt ësht kjo: Dihet se Partia Komuniste më 1 tetor 1943 urdhëroi forcat komuniste të sulmonin e të zhduknin forcat e Ballit Kombëtar. Krimineli Ali Demi, alias ”Shtegu” me cilësinë e sekretarit politik të Qarkorit të P.K. të Vlorës i shkruan Shpatit: ”Edhe ne kemi pushkatuar ballistë të rrezikshëm dhe jemi në ndjekje të krerëve të tyre si dhe të zhdukjes të çetave të tyre”.[17] Pra kjo ishte politika antikombëtare e Partisë së Kristo Frashërit.
Pak më shumë:
Në letrën e 1 tetorit 1943, të Enver Hoxhës derguar gjithë komiteteve qarkore të Partisë Komuniste thuhej shprehimisht:
“Bashkimi me Ballin Kombëtar tani është punë e vdekur dhe s’bisedohet më për atë punë. Tani bisedohet shpartallimi tij dhe më tutje:
“Neve vemi drejt likujdimit të Ballit dhe jo bashkimit me të… Për këtë arsye në çdo moment dhe kudo Ballin duhet me e demaskue dhe mos me e lanë në asnjë mënyrë që ai të zen tokë… s’duhet të harroni asnjë moment me pregatit grushtin që duhet t’i jepni ushtarakisht. S’ka rrugë tjetër”.[18]
Sot është pranuar nga Instituti i Historisë dhe Akademia e Shkecave[19], si dhe historianët e njohur botërisht se:
“Letra e Enver Hoxhës dëshmon pa asnjë mëdyshje se PKSH ishte nismëtaria e veprimeve të armatosura kundër Ballit Kombëtar. Ajo nuk kishte ende arsye serioze për të ndërmarrë sulme të armatosura kundër grupimit rival politik…. Letrat e Enver Hoxhës nuk u provokuan nga Balli, por ato ishin një provokim për Ballin, një fakt i kryer, një nxitje për të sjellë sa më shpejt ballafaqimin e pritshëm që të gjitha gjasat paralajmëronin se nuk do të vononte të vinte”.[20]
Vëllavrasja kishte filluar.
Lufta civile kishte filluar. Atë e kishte provokuar, e kishte shkakëtuar, e kishte nisuar Partia Komuniste Shqiptare, që donte me çdo kusht të merrte pushtetin.
Atë e kishte frymëzuar e nxituar Partia Komuniste Jugosllave dhe emisarët e saj në Shqipëri: Miladin Popoviçi dhe Dushan Mugosha.
Në zbatimin e kësaj politike antikombëtare, zhvillimin e luftës civile, forcat komuniste sulmuan të gjitha forcat e Ballit Kombëtar, në të gjithë territorin e Shqipërisë, dhe më keq akoma, ndërmoren veprime antikombëtare, sulmuan fshatrat që mbështesnin Ballin i dogjën shtëpitë e ballistëve dhe strehuesit e tyre dhe ju grabitën pasurinë dhe bagëtinë.
Në Vlorë p.sh. në Tragjas, u sulmua batalionin ”Hysni Lepenica” i Ballit Kombëtar. Major Azis Çami për të evitur luftën vëlla-vrasëse e tërhoqi batalionin ne Gjorm.
Forca të shumta komuniste më 4 nëntor 1943 sulmuan Velçën, Gjormin dhe Lepenicën i dogjën këto fshatra, u grabitën pasurinë dhe bagëtinë. Më 30 nëntor 1943, forcat komuniste do të sulmonin Dukatin ku do të vriteshin 14 partizanë dhe 9 ballistë dhe nuk mundën të hynin në fshat. 14 partizanë u shpallëm dëshmorë të atdheut, ndërsa 9 ballistët armiq të popullit.[21]
Suleme të tilla vëlla-vrasëse, antikombëtare u kryen nga forcat komuniste në të gjithë territorin e Shqipërisë.
Në këto rrethana, forcat e Ballit u tronditën dhe pati individë dhe çeta që bashkëpunuan me gjermanët me arsyetimin se Gjermania e kishte Shqipërinë udhë kalime dhe për të mbrojtur jetën e njerëzve dhe pasurinë duhej bërë me gjermanët një plotikë paqëtuese.
Këta individë dhe çeta nuk përfaqësonin Ballin Kombëtar dhe udhëheqja e Ballit i denoncoi publikisht me trakte dhe qarkore si gjatë luftës edhe në emigracion.
Kështu p.sh. në Vlorë disa çeta kaluan nën komandën e major Enver Risilisë, vëllai i prefektit Vizhdan Risilia dhe bashkëpunuan me gjermanët.
Lidhur me çetat që kaluan nën komandën e Enver Risilisë Kristo Frashëri në librin e tij boton një shkresë që tregon këtë këtë fakt, por si të gjithë komunistët edhe Kristo Frashëri tregon gjysmën e së vërtetës historike.
Frashëri ”harron” të tregojë se ishte Komiteti Qarkor i Ballit të Vlorës që i kërkoi qeverisë së kohës shkarkimin e prefektit Vizhdan Risilia, për shkak të bashkëpunimit me pushtuesin gjerman të vendit.[22]
Qëndrimin kundër bashkëpunëtorëve të pushtuesve të vendit Balli Kombëtar e vazhdoi me konseguencë edhe në mërgim, tashmë i kthyer në parti politike. Në Itali, Partia e Ballit Kombëtar Demokrat vendosi që Vizhdan Risilia të ekzekutohej për bashkëpunimin me gjermanët dhe internimin e vlonjatëve. Dhe ishte ballisti Hasan Lepenica që dolli vullnetar dhe e ekzekutoi në Romë Vishdan Risilinë.
Pra nuk ishte Partia Komuniste, por ishte Balli Kombëtar që realisht ishte kundër dhe luftoi vëllezerit Risiliotë, për t’u hakmarrë për internimin e vlonjatëve në kampet gjermane, duke ekzekutuar në Romë Vizhdan Risilinë, ish prefekt i Vlorës gjatë pushtimit gjerman.[23]
Këshut pra pjesa më e madhe e forcave të Ballit Kombëtar në Vlorë (por edhe në gjithë Shqipërinë) mbeti nën komandën e patriotit të shquar dr. Skënder Muço dhe major Azis Çami dhe vazhdoi të luftonte pushtuesin. Për këto arsye, Skënder Muço do të kapej nga Gestapua gjermane dhe do të pushkatohej më 12 gusht 1944, së bashku me sekretarin politik të Qarkorit të Ballit dr. Yzeir Alimerko dhe Zako Mezinin.
Pra nuk kemi bashkëpunim të Ballit Kombëtar, por vetëm një pakicë, individë e disa çeta, të cilat u ndanë dhe nuk përfaqësonin më Ballin Kombëtar.[24]
- Platforma politike e Ballit kombëtar.
Platforma politike e Ballit kombëtar ishte për luftë kundër pushtuesit të vendit në bashkëpunim me aleatët anglo-amerikane e Bashkimi Sovjetik.
Në kongres, prej fillimit deri në fund u diskutua vetëm për luftë kundër pushtuesit. Nëse do kishte qoftë edhe vetëm një diskutant që të fliste për bashkëpunim me gjermanët, komunistët e Enver Hoxhës e Kristo Frashërit dhe adhuruesit e tij në ditët e sotme nuk mund të rrinin pa e trumbetuar këtë fakt, sikundër e pranon vetë Polovina, kur shkruan: “Arsyeja kryesore e censurës ka të bëjë, sipas mendimit tonë, me një “të fshehtë” të kësaj ngjarjeje: ajo nuk është aq zi sa të përdoret lehtësisht për propagandë”.
Udhëheqësit e BK, ishin për luftë kundër pushtuesit gjerman dhe kundër të gjithë atyre që kishin qenë në radhët e BK por kishin bashkëpunuar. Është e vërtetë se Kadri Cakrani e çeta të tjera në Fier, Mallakstër e Vlorë mendonin se Gjermania është në udhëtim e sipër, prandaj ndaj saj duhet bërë një politikë paqsore dhe se për të luftuar komunistët duhej bashkëpunuar me gjermanët, po aq sa është e vërtetë se politika dhe praktika e udhëheqjes së BK nuk mendoi dhe nuk bashkëpunoi me pushtuesin.
Ja cila ishte platforma politike e Ballit Kombëtar
DEKLARATË E KOMITETIT QËNDROR TË BALLIT KOMBËTAR: 27. 9. 1943
AQSH, F. 270APL, D. 11, f. 35
BALLI KOMBËTAR
KOMITETI QËNDROR, datë 27. 9. 43
BALLI KOMBËTAR DHE KOMITETI EKZEKUTIV I TIRANËS
Balli Kombëtar që është një organizatë revolucionare, e formuar për të luftuar e çliruar Shqipërinë nga okupatori fashist, e ka caktuar qëndrimin e vet, si të gjithë shqiptarët, për të qenë në krah të aleatëve Angli, Amerikë e Bashkimi Sovjetik, kundër fuqive të Boshtit, që kanë robëruar popujt.
Ne luftuam dje fashizmin italian, sot do të luftojm fashizmin gjerman.
*
Pas dorëzimit të ushtrisë italiane pa kushte, gjermanët që ndodhen në Shqipëri, që tregohen gjoja si miq të Kombit tonë ( ! ), mos harroni se kur italianët okupuan Shqipërinë, vetë Hitleri tha me gojën e tij: “U bë mirë se kështu do të kenë rast të qytetërohen një milion barinj të egër !”
Me inisiativën e tyre formuan në Tiranë një “Komitet Ekzekutiv” të përbërë prej Ibrahim Biçakut, Lef Nosit, Ismail Sefa, Zallari e të tjerë, me qëllim që të qeverisin vendin siç e qeverisën edhe Mustafa Kruja, Maliq Bushati, Kol Bib Mirakaj e Co.
“Komiteti Ekzekutiv” i Tiranës, vegël e verbër e gjermanëve, i drejtoi edhe një thirrje popullit shqiptar, të cilin e këshillon që të mos i atakojë fuqitë tedeske, se ata janë miq të Shqipërisë dhe do të na sigurojnë indipedencën dhe lirinë! Përndryshe përfundon thirrja gjermanët do të djegin e vrasin!
Balli Kombëtar që është një organizatë revolucionare, e formuar për të luftuar e çliruar Shqipërinë nga okupatori fashist, e ka caktuar qëndrimin e vet, si të gjithë shqiptarët, për të qenë në krah të aleatëve Angli, Amerikë e Bashkimi Sovjetik, kundër fuqive të Boshtit, që kanë robëruar popujt.
Ne luftuam dje fashizmin italian, sot do të luftojm fashizmin gjerman. Qëndrimi i Ballit Kombëtar në këtë vijë është i caktuar: jemi kundër okupatorit gjerman që kërkon ta bëjë vendin tonë fushë mjerimi e rrënimi. Dhe lufta kundër tyre është çelur. Çetat tona kanë urdhër të prerë të luftojnë okupatorin e ri në çdo kënd të tokës arbënore. Çetat tona të Korçës e të Vlorës e kanë filluar luftën e tyre kundër gjermanëve.
Për këtë arsye Organizata e Ballit Kombëtar proteston energjikisht kundër formimit arbitrar të “Komitetit Ekzekutiv” të Tiranës , duke e quajtur “nul” çdo veprim të tij.
Ndërkohë vendosi rrëzimin nga anëtarsia e Balli Kombëtar të Lef Nosit dhe të Ismail Sefës përgjegjësia e të cilëve do të caktohet sipas rregullave të Organizatës.
Shqipëria e shqiptarëve. Ja vdekje ja Liri![25]
*
Fuad Dibra, Anëtar i Komitetit Qëndror të Ballit Kombëtar: “Duhet tu çelim luftë dhe të luftojmë gjermanët.
*
Deklaratë e Ali Këlcyrës, Anëtar i K. Qëndror të B. Kombëtar. Berat, 7/ 2/ 1944
NE, LUFTËN TONË NUK MUND TA VARIM NGA TË HUAJT.
AQSH, F. 270APL, D. 9, f. 2
I dashur Sulejman Bej!
E këndova letrën që i kishit dërguar z. Ismail Selfos.
Veprimet e gjermanëve nuk varen nga neve. As na pyesin, as na dëgjojnë për çka mund t’ju themi. Ata veprojnë për hesap të tyre, si dhe neve veprojmë për hesapin tonë.
Ne, luftën tonë nuk mund ta varim nga të huajt. As urdhëra marrim prej tyre, as urdhëra mund t’iu japim.
Fuqitë tona janë të shumta, po të pa organizuara. Së shpejti do të organizohen ushtarakisht dhe familjet e tyre do të kenë edhe nga një shpërblim mujor.
Shpresoj, që për pakë kohë terrorizmin do ta çdukim dhe populli do të shpëtojë nga kjo murtajë e keqe. Për t’ia arritur këtijë qëllimi, duhet të bëjmë të gjitha sakrificat.
Më vjen keq të them se dëshnicarët këtë herë nuk po tregohen në lartësinë e detyrave të tyre patriotike.
Ilias beu me Karafil Zhepovën u nisën për aty. U kam dhënë gjithë instruksionet e duhura si të veprojnë për të bërë organizimin e vendit. Të fala me mall të gjithëve . Juaji Ali Këlcyra.[26]
DËBIMI I Z. LEF NOSI
NË MËNYRË TË PRERË NGA RADHËT E BALLIT KOMBËTAR.
Shqipëria e shqiptarve. Vdekje tradhëtarve.
V E N D I M
AQSH, F. 270APL, D. 11, f. 48
Me ardhjen e gjermanëve në vendin tonë z. Lef Nosi, një nga pjestarët e Organizatës Nacionaliste Balli Kombëtar, ka marrë pjesë më Komitetin e 22 vetëve që u formua në Tiranë.
- Lef Nosi ka marrë pjesë në këtë Komitet si individ dhe, meqënse me këtë akt të dalë jashtë direktivave të Ballit , të cilët janë dhe do të jenë gjithmonë për një luftë të pa prerë kundër çdo okupatori , Organizata Nacionaliste Balli Kombëtar vendosi dëbimin e z. Lef Nosi në mënyrë të prerë nga radhët e saj. Balli Kombëtar.[27]
Kaq mjafton për të hedhur poshtë akuzat e Partisë Komuniste dhe komunistëve të ditëve tona.
Vazhdojmë:
Edhe në mërgim e pa dëshëruar Partia e Ballit Kombëtar ndoqi të njëjtën politikë dhe i manjanoi ata që kishin bashkëpunuar me pushtuesin. Në vitin 1945, KQ i BK formi një komision, për të verifikuar qëndrimin e ballistëve gjatë luftës. “Është formuar gjithashtu një komision për shqyrtimin e biografive të ballistëve me këtë përbërje: Xhemil Meço, kryetar, Halim Begeja, Xhemil Leka, Lufto Toto, Hysen Lepenica, Limos Runa, Ethem Çako.[28]
Në mërgim Partia e Ballit Kombëtar Demokrat nuk pranoi të bashkëpunonte me ata që akuzoheshin se kishin bashkëpunuar me pushtuesin. Edhe ndarja e BK në mërgim erdhi për këtë arsye. Nuredin Vlora, Ali Këlcyra, Koço Muka, Kadri Cakrani, Qazim Emra, pra një pakicë, u përjashtuan, nuk u pranuan as në Komitetin “Shqipëria e Lirë” dhe ata mbajtën emërtimin Organizata Balli Kombëtar, ndërsa pjesa më e madhe e pastër e BK me Mid’hat Frashërin në krye themeluan Partinë Balli Kombëtar Demokrat dhe më pas Partinë Agrare Demokratike.
Hasan Mishgjoni, një nga udhëheqësit e Ballit Kombëtar në Vlorë dhe në emigracion në një punim të tij shkruan: ”Lufta e dytë botërore e gjeti vëndin tonë të pushtuar nga ordhitë fashiste, kundër të cilavet Balli Kombëtar luftoi pa mëshirë, duke lënë në fushë të nderit me mijëra të dëshmorë. Por më kot, sepse kushtet politike të atëhershme, me vendimet e nxitura dhe të padrejta të Jaltës dhe të Potsdamit, i lanë dorë të lirë Stalinit të mbjelli dhe të imponojë diktatorinë e kuqe në Ballkan.
Ndën këtë ”parajs” po vuan sot Shqipërija dhe kombet e tjerë të Evropës Lindore dhe Jugëlindore. Partija ime, partia jonë, partia e Mid’hat Frashërit, sot me Kryetar të Komitetit Kombëtar Demokrat ”Shqipërija e Lirë” profesor Abas Ermenjin, është parti shërbestarësh, parti dëshmorësh, parti martirësh. Është partija e Hysni Lepenicës, e Skënder Muços, e Safet Butkës, e vëllezërve Kazazi, e Kolë Tromarës, e Selfo Hekalit, e Jashar Cakranit, e Mustaf Dervishit, e Tare Kalos e Azis Çamit dhe e qindra të tjerëve si këta.
Partizanët e partivet të lindura në tymin e kafenëve të mërgimit, na akuzojnë për intransigjencë!
Jo, ne jemi gati të bashkëpunojmë me shqipëtarët e mirë. Porse ndër ne s’kanë vënd gjynahqarët kronikë të Atdheut, tregëtarët e kurorave, ambasadorët e suazavet, vrasësit e shokëvet, oportunistët, njerëzit e shumë këmishave”.[29]
- Gënjeshtra komuniste e Ylli Polovinës
Polovina shkruan se: “Punimet e atij kongresi u bënë në legalitet të plotë, nën kujdesin dhe mbrojtjen e qeverisë së Mehdi Frashërit dhe nën dijeninë e plotë të forcave naziste të pushtimit”.
Kjo është një gënjeshtër me bisht, pohim banal e tipit komunist. Logjika na thotë se po të ishte se kongresi u zhvillua në legalitet të plotë, përse u munduan delegatët të venin deri në Berat, ishin mirë në Tiranë dhe atje duhej të bëhej edhe kongresi!
Megjithatë do të ishte me interes për lexuesin të dinte se nga e di këtë fakt Ylli Polovina,kujt burimi e dokumenti i referohet për këtë pohim? E nëse nuk na jepet asnjë burim e asnjë dokument historik, lexuesi nuk mund ta pranojë se kjo është e vërtetë, pra propogandë e tipit komunist. Kongresi u zhvillua në ilegalitet të plotë dhe ja dokumentet:
Në kujtimet e tij prof. Zef Pali shkruan: “Në nji natë të caktueme, nji çetë besnike prî nga Karafil Xhepova, iu ngjit kamadoras kalasë, ra pa pritë mbí sogjet komuniste. Kalaja u pushtue, pikat e tjera me randësi u morën pa zhurmë. Topat u drejtuen kah grumbulli i të kuqvet në qytetin e habitun. Rrethimi mjeshtëruer i këshilloi komunistët të presin nji natë tjetër mâ t’errët edhe kokrra, kokrra të braktisin qytetin e parë të çliruem kështu hynë fuqitë e Ballit Kombëtare. Këtu u ngul komanda e përgjithshme. Në ktê mënyre u bâ i mundshëm Kongresi. Berati dukej si nji kuadër i nji piktori”.[30]
Pra Berati ishte çliruar, nuk kishte forca gjermane, pasi forcat gjermane alipne ishin duke ndjekur forcat komuniste maleve, po nuk kishte as forca të komuniste, për këto arsye atje ishte vendosur Komanda e Përgjithëshme e Ballit Kombëtar .
Nga ana tjetër mësojmë se Kongresi ishte siguruar me njerës të armatosur. Njihen e dihen 13 ushtarë ballistë që mbrojtën Kongresin e Parë, dhe e di Ylli se ç’fat i ndoqi këta patriot?
Partia e Kristo Frashërit pushkatoi gjashë prej tyre: 1.Ibrahim Plepi (1919), 2. Myfit Kurti (1914), 3.Yzedin Kurti (1920), 4.Isa Xhindole (1916), 5.Hamdi Sefa (1890), 6.Qazim Dervishi (1898)
Vuajtën burgjet e zeza komuniste 7 vetë: 1. Hysen Meçe (1923), 2. Selma Oseçka (1920),
- Ahmet Xhindole (1901), 4.Teki Libohova (1898), 5.Shyqyri Kurti (1880), 6.Ali Fuga (1913), 7. Kamber Rruli (1898).[31]
Veç kësaj qytetet nga do kalonin delegatët u ishte dhënë urdhër të kishin në gatishmëri njësite të armatosura dhe të zinin pozicion pranë rrugëve nga do kalonin delegatët, këto masa na i sqaron përsëri prof. Zef Pali diplomuar në Itali, në punimin “Kuq e Zi” pjesë prej të cilit botohen në këtë libër.
Po për këto masa sigurimi flet edhe Kadri Cakrani diplomuar në Austri, ndërmjet të tjerëve Islam Lleshi shkruan: “Delegatët kishin vendosur të shoqëroheshin nga disa të rinj, të gjithë të armatosur dhe bëheshin mbi tridhjetë vetë. Shumica ishin student të gjimnazit të Tiranës, ndërmjet tyre dhe unë”.[32]
Arsye tjetër e rëndësishme se përse u zgjodh Berati për kongresin, është Kadri bej Cakrani, që i përkiste një prej familjeve më të pasura në Shqipëri. Ishte diplomuar në Vjenë si oficer kariere dhe ishte emruar pas rënies së Hysni Lepenicës, 14 shtator 19443, Komandant i Përgjithshëm i Prefekturave të Jugut, pra familja e tij dhe ai ishte personalitet i plotfuqishëm për zonën Fier, Mallakstër, Berat dhe Lushnje, kishte shumë forca ushtarake. Ai kishte marrë përsipër të siguronte zhvillimin e punimeve të kongresit dhe kishte bërë organizimin e kongresit në Berat.
Duke shkruar për Faik Qukun, Cakrani thotë: “Ai ishte Sekretar i Pergjithshëm dhe ishte i prerë për këtë gjë, si ushtarak që kish mbaruar. Më dilte mua detyrë tani që të organizoja, qoftë mbedhjet para kongresit, që do te bëheshin në zyrën time, qoftë vetë kongresin, që do të mbahej në kinema”.[33]
Nuk e dime se përse duhet ta mbronte qeveria kongresin, kur udhëheqësit dhe Kongresi e refuzuan dhe nuk e pranuan propozimin e Xhelal Staraveckës për të bashkëpunuam me qeverinë?
Na duket sikur Polovina kërkon të pështy e të fantazoi për një ngjarje historike. E nëse Ylli Polovinës nuk i mjaftojnë këto fakte historike mendoj se do të besojë një deklarim të kohës së luftës, të një komunisti të partisë së Kristo Frashërit, Xhelal Staravecka, se përse kongresi u mbajt në Berat: “Në Berat vramë e premë pa hak për t’u marrë paratë njerëzve. Beratin e bëmë shtetrrethim që nuk e bëri as fashizmi; filluam e kontrolluam brekët e grave nëpër shtëpia, duke i rrethuar shtëpitë e Beratit me mitroloza. Dualëm e bëmë çarmatimin e Nahijes, në katundin Perisneka zumë gratë nga sisët e nga shalët, e ku di unë sa të tjera. Përpara këtyre poshtërsive që do t’i shihni në dokumente mora vendimin e largimit nga kjo parti e fëlliqur… Nga Shqipëria e lirë, 20.11.1943 Xhelal Staravecka”.[34]
- Po ku fle lepuri i Ylli Polovinës?
Ylli pasi është munduar gjatë në këtë shkrim, me fantazi, me hipoteza, arsyetime e shpegime zgjidhjen, e bindjeve dhe mendimeve të tij, ose më saktë të dëshirës së tij, e gjen te një rresht i vetëm i kujtimeve të Xhelal Staraveckës: “Xhevat Kallajxhiu që ndodhet në Amerikë e që redaktoi procesverbalin e atij kongresi …”[35]
Pas këtij rreshti të Staraveckës Ylli Polovina shpërthen në gaz e hare, pasi arrin tek qëllimi që i ka vënë vetes në këtë artikull të gjatë, arrin të zbulojë se përse është “zhdukur” procesverbali i Kongresit të Beratit ose siç shprehet ai: ku fle lepuri i zhdukjes së procesverbalit të Kongresit të Ballit Kombëtar?
Në këtë rast çdo lexues normal që nuk ka urrejtje ndaj Ballit Kombëtar fjalinë “Xhevat Kallajxhiu … që redaktoi procesverbalin e atij kongresi …” e kupton kështu: Xhevat Kallajxhiu… që mbajti procesverbalin e atij kongresi …
Ndërsa z. Polovina fjalën “redaktim” e barazon me fjalën falsifikim, me qëllim që t’i nxi ballistët e “poshtër”! Po të qe falsifikim edhe Xhelal Staraveka nuk do ishte mjaftuar me një fjalë të vetme: redaktim, por do të kishte shpërthyer e folur gjatë e gjërë kundër Ballit Kombëtar, pasi ai ishte kundërshtar i Ballit dhe në kujtimet e tij ai shkruan e flet kundër Ballit Kombëtar me gjuhën e kriminelëve Enver Hoxha e Dushan Mugosha.
Fakti që Ylli Polovina merret me nje fjalë të vetme “redaktim” për të bërë histori tregon bindjet e tij, e për këtë nuk ka nevoj për radiografi për të parë bindjet e Plovinës: urrejtja ndaj organizatës shqiptare, patriotike Ballit Kombëtar, vetëm se ata ishin antikomunist.
Po përse Yllit i shkon mendja për së prapthi? Sipas fantazizë së tij fjala “redaktim” do të thotë se Xh. Kallajxhiu që ka mbajtur procesverbalin e kongresit e ka falsifikuar atë!!!
Për të dalë nga kurthi ku na ka futur Ylli Polovina duhet arsyetuar:
E para:
Në kongres Xhelal Staravecka propozoi “që të mos lihej asnje shteg për bashkimin me Frontin dhe shkrirjen e Ballit në qeveri”, propozim që u kundërshtua dhe nuk u pranua dhe Staravecka u armiqësua dhe u shkëput përfundimisht me Ballin dhe nuk pati me të asnjë lloj lidhe. Duhet thënë gjithashtu se ai kishte vajtur në këtë kongres vetëm për këtë qëllim “shkrirjen e Ballit në qeveri”, që siç thotë ai, të krijonte polin e tretë.
Si kundërshtar i vendosur i Ballit Kombëtar, siç tregohet në kujtimet e tij, nëse do të kishte falsifikim të dokumenteve të kongresit, ai nuk do të mjaftohej vetëm me fjalën: redaktim, por do të fliste më gjere ashtu si kundër ka folur në raste të tjera në librin me kujtime. Pra ai fjalën redaktim nuk e përdor me kuptimin falsifikim sikundër dëshëron e thotë Ylli Polovina.
E dyta:
Përse do ta falsifikonte Balli Kombëtar procesverbalin e Kongresit? Vendim i Kongresit ishte të rifillonte lufta me gjermanët, të kundërshtonte bashkëpunimin me qeverinë, “Për t’u shkarkuar nga çdo përgjegjësi morale e historike u vendos t’u bëhej thirrje për herë të fundit komunistëve të hiqnin dorë nga sulmet kundër forcave nacionalistëve për të bërë të mundur luftën e përbashkët kundër pushtuesit në përputhje me vendimet e Mukjes”.[36]
Nja autor tjetër nga Shqipëria Etnike, prof. dr. Daut Bislimi, Akademik, shkruan për Kongresin: “Tema kryesore e Kongresit ishte se si t’i shpëtohet luftës civile në vend dhe t’i jepej grushti i fundit armikut okupator. Njëherit gjerësisht nga diskutantët u analizua gjendja e krijuar dhe analoge me këtë për angazhimin e Ballit e në vazhdimësinë e luftës çlirimtare, me fuqi më të organizuara dhe me përmasa më të mëdha në tëritorin e gjerë të Shqipërisë Etnike”.[37]
Pra, nga se duhet të ruhej apo të trembej Balli Kombëtar?
E treta:
Tani vijmë te dëshira e Yllit, ana tjetër e çështjes: Ta zemë se Xhevat Kallajxhi e falsifikoi porocesverbalin, sipas dëshirës së ballistëve dhe dëshirës së Yllit, atëhere përse Balli Kombëtar do ta zhdukte procesverbalin e nuk do ta publikonte atë? Në këtë rast përkundrazi Balli Kombëtar kishte interes ta publikonte e propogandonte me të madhe dokumentin e falsifikuar të kongresit. Por kjo nuk ka ndodhur pasi nuk është i vertëtë falsifikimi i dokumentave të kongresit.
Pra a nuk ka këtu një arsyetim kontradiktor të Yllit?
Më tutje Ylli shkruan: “Atëhere pyesim njëherë e mirë, thotë Ylli Polovina: “Diskutimet në kongres ishin për të bërë Balli një marrëveshje me PKSH-në apo qe krejt e kundërta: një pakt me këdo, edhe me “djallin”, kundër Partisë Komuniste Shqiptare? Ndoshta këtu fle edhe lepuri i censurimit masiv të dokumentacionit të kongresit të Ballit Kombëtar për çfarë në të vërtetë qe folur në Berat”.
Së pari, po të ishte se Balli po mundohej të bënte aleanc më “djallin”, siç thotë Ylli, e kishte bërë këtë me qeverinë, e kishte bërë me xhandarmërinë e Xhellal Staraveckës që e kërkoi me këmbëngulje dhe në fund e kishte bërë me “djallin” gjerman për të luftuar komunistët e Kristo Frashërit, por, e vërteta historike është, se Balli Kombëtar e refuzoi aleancën me “djallin”, pra armatosjen e Ballit, aleancën me qeverinë, me Xhelal Staraveckën dhe me gjermanët. Ata këronin aleancë me çdo forcë shqiptare që ka në program luftë kundër pushtuesit të huaj.
Së dyti, theksojmë dhe pyesim: Po nga e more vesh o Ylli Polovina që u bë “censurimi masiv i dokumentacionit të kongresit të Ballit” ?
Pra ky është “zbulimi” i Ylli Polovinës: “censurimit masiv të dokumentacionit të kongresit të Ballit”, zbulim që nuk e bëri dot Kristo Frashëri: “Kjo është arsyeja që u zhduk procesverbali i Kongresit të Parë të Ballit Kombëtar”, thotë ai.
Me këtë mënyrë të arsyetuari duket sikur Ylli Polovina bën shaka, ashtu si në librin e fundit autobiografik të tij ku Ylli tregon përralla se si kishte vajtur te një dentist antikomunist dhe ai kish dashur ta eleminonte Yllin komunist duke futur në gojën e tij një pambuk të ndotur nga goja e një njeriu tjetër… Por Ylli shpëtoi falë organizmit të tij të kalitur në luftën e klasave…
Është e vështirë të pranosh se kështu mendon me të vertetë Ylli Polovina, apo kështu duhet bërë në zbatim të politikës antikombëtare të Partisë Komuniste e Partisë së Punës.
Xhevat Kallajxhi , ishte poet i Ballit Kombëtar, pra shpirt i butë, që kur bënte poezi për dëshmorët e Ballit qante, pra nuk mund të bënte vepra të liga, pra ta censuronte procesverbalin. Nga ana tjetër Xhevati sapo doli nga Shqipëria në nëntor 1944, deklaroi se shkëputej nga Balli Kombëtar dhe nuk do te merrej më me politik dhe nuk u muar, pra nuk ndiente ndonjë detyrim ndaj Ballit.
Në krijimtarinë e Xhevat Kallajxhiut nuk ka botime që flasin për atë kongres, ndofta se ai deklaroi se në mërgim tërhiqej nga Balli Kombëtar dhe ndofta pse nuk donte kontradita me rrymat dhe personat e ndryshëm të Ballit Kombëtar në mërgim, por edhe për t’i shërbyer vendit të tij të punës si kryeredaktor i gazetës “Dielli” të Federatës “Vatra”.
Edhe në veprën e tij “Larg Atdheut”, që Xhevat Kallajxhi e quan roman historik ai ndwrsa flet pwr rwndwsinw e Kongresit tw Ballit tw datws 31 dhjetor 1945, nw emigracion, nuk ka shkruar asnjë rresht për Kongresin e Parë të Ballit Kombëtar.[38]
Dy fjalë për autorin e fjalës “redaktim” që entuziazmon Yllin: Në vitin 2012 u botuan kujtimet e Xhelal Staraveckës, kujtime të cilat do ti kishte zili edhe vetë shoku Enver Hoxha, kaq bukur janë shkruar për ballistat e “poshtër” që iknin me vrap kur binin në përpjekje, që futeshin në kotec e vidhnin pula, që vrisnin gra e fëmi!!!
Xhelali gjatë luftës hodhi tetë trakte ku denoncon krimet e Partisë së tij e të Kristo Frashërit. Në trakte ai thotë veç të tjerave se ne vrisnin njerës për t’u marrë kutinë e duhanit apo opingat, edhe vetë ai komunisti Xhelal Stravecka arriti të vriste për t’u marrë opingat 120 xhandrë italianë të kolonel Gambucit, që u ishin dorëzuar në besë ( e ku kanë besë komunistët?) për t’u marrë rrobat dhe këpucët!?
Ndryshe nga traktet, kujtimet Staravecka i ka mbushur me gënjeshtëra e mashtrime duke u bërë homazh kriminelëve legjendarë Enver Hoxha e Mehmet Shehu.
Ndërsa shfaqet adhurues i romanit “Nëna”, të Maksim Gorkit më tutje në këtë frymë duke lexuar kujtimet e tij të duket sikur lexon veprat “madhore” të Enver Hoxhës duke sharë e marrë nëpër gojë gjithë dynjanë, sidomos organizatat “tradhëtare” të Ballit Kombëtar e Legalitetit.
Edhe botuesit janë kujdesur të mbrojnë bindjet komuniste të Xhelal Staraveckës duke botuar që në kopertinin e parë të librit foton e shokut Enver Hoxha me shokun Xhelal Staravecka!
Reshat Kripa, Kryetar i Shoqatës të të Përndjekurve Politikë të Tiranës duke i kërkuar falje të Neimit, të birit të Xhelalit, bashkëvuajtës me të, reagoi duke e quajtur Staraveckën:”një komunist i përkushtuar” Po kështu pati edhe shkrime të tjera.[39]
Përfundimisht
Procesverbali kongresit nuk u zhduk siç thotë Ylli Polovina, por thjesht humbi në katrahurën e luftës. Siç dëshmon Kadri Cakrani fjalimi Mid’hat Frashërit dhe të gjitha dokumentet e Kongresit u lanë në zyrën e tij, pasi këtu ishte Komanda e Përgjithshme e Ballit Kombëtar për Jugun. Konkretisht ai shkruan: “Pasi u mbyll Kongresi i thashë Mid’hat beut se në trakte, edhe në gazeta të shkruhen ato gjëra që nuk përmenden englezët, prandaj ato fletët e tij dhe të Koço Mukës, i mbajta unë në zyrë, me që Shtabi u vendos këtu”. [40]
Kështu që ai na bën të besojmë se procesverbali kongresit dhe dorëshkrimet që kishte mbajtur Mid’hat Frashëri dhe Koço Muka si drejtues i kongresit mbetën në zyrën e Kadri Cakranit në Berat, pasi atje ishte Komanda e Përgjithëshme dhe humbën, pra humbën në katrahurën e luftës dhe JO u zhdukën sikundër dëshëron e pretendon Ylli Polovina.
Prej fillimit deri në fund autori hedh hipoteza e nxjerr konkluzione, pa iu referuar absolutisht asnjë dokumenti historik, pra në këtë formë nuk mund të flasim më për histori por për përralla e fantazi, gjë që Polovinës nuk i mungon.
Autori synon të anojë nga propoganda e komunistëve për Ballin Kombëtar, sidomos në pyetjet reteorike që bën e që e lë me dyshim se a u diskutua dhe a u pranua në kongres bashkëpunimi me gjermanët?
Tjetër Yll lexova në këtë artikull në krahasim me Yllin e “Historia e Shqipërisë kalon edhe nga Butka”.[41]
Do të thoshim se asgjë të re nuk siell artikulli i gjatë i Ylli Polovinës për Ballin Kombëtar, veçse rishfaqja e politikës së vjetër antikombëtare e Partisë Komuniste, Partisë së Punës se Balli Kombëtar ishte organizatë tradhëtare e armike e popullit shqiptar!!![42]
[1] Gazeta “Shqiptaria.com”, Tiranë, dt. 23 nëntor 2016
[2] Ylli Polovina “Arratia e Ballit Kombëtar”, Tiranë 2024, etj.
[3] Shkwlqesia e Tij Presidenti Bujar Nishani me Dekret nr.10013 dt.20.02.2017 i jep “Kompanisë 4000” Dekoratën e Lartë “GJERGJ KASTRIOTI SKËNDERBEU”.
[4] Akademia e Shkencave “Historia e shqiptarëve gjatë shekullit XX”, Vëllimi IV, 1939 – 1944, Tiranë 2021, f. 310 – 327
[5] Marenglen Kasmi “Sadik Premtaj- Trockisti i fundit”, Naimi, Tiranë 2025, f, 166
[6] AQSH, F. 154, V. 1944, D. 200, f. 169 – 171 ; F. 254, V. 1944, D. 356, f. 10 – 11-
[7] Arkivi MPB Dosja 1568, f. (115); 231; Gazeta “Bashkimi”, Tiranë, dt. 16.3.1945
[8] AQSH, F. 14, V. 1944, D. 84, f. 5; Tafari = Mustafa Gjinishi (1912-1944) u vra pas shpine nga shokët e tij komunistë. Tarasi, pseudonimi i Enver Hoxhws.
[9] AQSH, F. 154, V. 1944, D. 200, f. 169 – 171 ; F. 254, V. 1944, D. 356, f. 10 -11
Ribotuar me shkurtime: Tefik Sfiri “Testament”, “Lumo Skëndo”, Tiranë 2004, f. 117-118
[10] Gazeta “Flamuri” Nr. 109-111, 1959, Flaka: Portretii Lumos
[11] Kristo Frashëri “Mbi historinë e Ballit Kombëtar”, Tiranë 2012 , f. 36
[12] Kristo Frashëri “Mbi historinë e Ballit Kombëtar”, Vështrim kritik, Tiranë 2012, f. 116
[13] AQSH, F.270, V.1943, D.3, f.19.
[14] Tanush Frashëri “Ali Këlcyra…” Çabej, Tiranë, 2005, f. 173
[15] Gazeta Flamuri, nr. 1, dt. 7.5.1944, gjendet nw AQSH, F. 270APL, D. 77, f.2
[16] Hubert Neuëirth ”Qëndresë dhe bashkëpunim në Shqipëri (1939 – 1944)”, Tiranë 2006, f. 67
[17] AQSH, F. 18/AP, V. 1943, D. 4, f. 3. Letwr e Ali Demit.
[18] AQSH, F. 14APL, V. 1943, D. 11, f. 36. Letër e Enver Hoxhës datë 1 tetor 1943 në emër të KQ të PKSH drejtuar gjithë komiteteve qarkore.
[19] “Historia e shqiptarëve gjatë shekullit XX”. Vëll. IV, Tiranw 2022.Botimi me pesë vëllime i Institutit të Historisë, bazuar në projektin e Ministrisë së Arsimit, është produkt i kërkimeve shkencore dhe kontributit të studiuesve nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Diaspora.
“Shkrimi i drejtë dhe pa komplekse i historisë, sidomos në gjysmën e dytë të shekullit të 20-të, është i një rëndësie të veçantë”, wshtw shprehur Presidenti Begaj.
[20] Paskal Milo “Shqiptarët në Luftën e Dytë Botrore”, Vëll. II, Tiranë 2021, f.98-100.
[21] Hysni Kapo, Dhimitër Mandro… “Historiku i Luftës Nacionalçlirimtare të rrethit të Vlorës” Tiranë, variant i vitit 1970, f. 418-421
AQSH, F.253, V. 1943, D. 343, f. 41 (15.11.1943); Hubert Neuvirth “Qëndresë dhe bashkëpunim në Shqipëri 1939-1944”, IDK Tiranë 2006, f. 88
[22] AQSH, F. 154, V. 1944, D. 200, fl. 80
[23] Arkivi MPB, D. 131, V. 1946-1947, f. 1 (Marrë nga nr. O2-O7/1 dt. 8.1.1947)
[24] Shih për më shumë: Uran Butka ”Lufta Civile në Shqipëri 1943 – 1945”, Tiranë 2024 dhe ”Drithije të historisë” Polemikë me Kristo Frashërin” Maluka, Tiranë 2012.
[25] AQSH, F. 270APL, D. 11, f. 35
[26] AQSH, F. 270APL, D. 9, f. 2
[27] AQSH, F. 270APL, D. 11, f. 48
[28] Deponime të Ethem Çakos “Para gjyqit të Popullit:, Tiranë 1950, f.44
[29] Hasan Mishgjoni,Gazeta ”Flamuri”, Romë, Itali, nr. 159 -162, dt. 17.1.68
[30] Libri “Albania”,Romë 1970, f. 173
[31] Shih: “Albumi i Ballit Kombëtar Shkodër”, Vëllimi i III, Shkodër 2004, f. 92
[32] Tefik Sfiri “Testamenti”, Urtësia Bektashiane” Tiranë 2004 f.135-138
[33] Kadri Cakrani “E vërteta e luftës sime…”, f. 345
[34] AQSH, F. 556, V. 1944, D. 31 gjendet libri “Parti Komuniste apo Parti Terroriste”, Tiranë 1944, f.165
[35] Xhelal Staravecka “Pëpara gjyqit të historisë”, Kujtime Historike: 1912 – 1966, “Naimi”, Tiranë 2012, f. 315 – 318
[36] Ali Këlcyra “Shkrime për Historinë e Shqipërisë”, Onufri, Tiranë 2012, f. 192 – 193
[37] Prof. dr. Daut Bislimi, Akademik “Formacionet Politiko-Ushtarake në Kosovë 1941 – 1945”, Prishtinë 1997, f. 89
[38] Xhevat Kallajxhi “Larg Atdheut”, “Urtësia Bektashiane”, Tiranë 2020
[39] Enver Lepenica “Parti Komuniste apo Parti terroriste”, Vëll. III, Tiranë 2024. Internet: Zemra Shqiptare dt. 16.04.2012
[40] Kadri Cakrani “Të vërtetat e luftës sime” Onufri, Tiranë 2020, f. 367
[41] Ylli Polovina “Historia e Shqipwrisw kalin edhe nga Butka”, botart, Tiranw 2018
[42] Ylli Polovina “Pse u zhduk procesverbali i kongresit ballist të Beratit”, botuar në gazetën “Shqiptarja.com” Tiranë, dt. 22 deri 25 nëntor 2016.
Nga artikullin e Ylli Polovinës, kemi lënë jashtë analizës, pra nuk u referohemi kapitujve: Fillon rrethimi i Enver Hoxhës, Ndjekje këmbë pas këmbe, Gjenerali britanik jepet i pari: u dorëzohet gjermanëve, Beson se këtë do ta bëjë edhe Enver Hoxha, Por Hoxha nuk dorëzohet, Ia del të shpëtojë pa ndihmën e Mehmet Shehut, pasi këta kapituj nuk kanë asnjë lidhje me Kongresin e Parë të Ballit Kombëtar.











