3.5 C
Tirana
E dielë, 8 Dhjetor 2024
[ Arkivi ] përmban shkrime nga vitet [ 2009-2015 ] dhe [ 2016-2021 ], ndërsa [ 2003 – 2009 ] (në html)

ARTI I BOHEMISË

Shkrime të ndryshme

admin
adminhttps://fjala.info
Publikuar nga: Arben Çokaj - Mësues Fizike & Informatike :: Gazetar & Analist i pavarur :: Autor librash :: Uebdizajner & Grafikdizajner

(Ese)

Ramadan Mehmeti: REQUIEM PËR MIRKO GASHIN; Rozafa, Prishtinë, 2017

Meti Rexhepi

E mira e diskutimit në tryeza është rikthimi te poetët tanë burimorë, tek ata që artin e të shkruarit e kishin vakacion jetësor, si Rexhep Elmazi, Beqir Musliu, Mirko Gashi, Teki Dervishi dhe të tjerë, që meritojnë t`iu ofrohen përqendrimeve të lexuesve e të studiuesve.

PËRKUSHTIME E NËNVIZIME

Ramadan Mehmeti pos tjerash shkroi dy libra, që t’i nderonte dy nga poetët tanë më të veçantë: për poetin dhe shkrimtarin  Beqir Musliu shkroi poemën “BALSAM ZEMRE”, të cilën e publikoi Shtëpia botuese Rozafa, Prishtinë, më 2016 dhe, librin “REQUIEM PËR MIRKO GASHIN.” Për librin e parë pata nderin dhe vullnetin të shkruaja një studim. Poeti iu përkushtua të shkruante për këta dy autorë: për ta nxjerr nga shpirti akumulimin e dhimbjes, të konsideratës e të vlerave letrare-artistike, përftimin vetjak e kolektiv për letërsinë, përkatësisht poezinë shqipe.

Poemën për Beqir Musliun Ramadan Mehmeti e shkroi me një përkushtim prej njëzet vitesh, pra, e rrallë si qasje, që shfaq një denduri ideore-metaforike e stilistike, e denjë për një Poet si Beqir Musliu. Ai spikati konsideratën e dhimbjen e thellë për zbrazësinë që la, Poeti e miku i tij i zemrës, Magu ose “Mbreti i metaforës” shqipe, i pikë-vështruar në dy plane: në planin personal, intim të autorit të poemës dhe, në sferën e përgjithshme të modernes në poezinë shqiptare.

Poeti i ngërthesave dhe zbërthimeve origjinale artistike, i mbrujtur me ide, figura reflektuese  poetike e filozofike  Mirko Gashi, u lind më 1939 dhe vdiq më 1995, një vit para Beqir Musliut, në moshën 56 vjeçe, atëherë kur pritej të arrinte majën e pjekurisë poetike.

Që të dy këta poetë: Mirko dhe Beqa vdiqën kur kishin për të shkruar e për të thënë shumëçka. Beqa jetoi 51 vjet, por ishte tejet i frytshëm e krejtësisht origjinal.

Vlerësimet kritike të diskursit kritik, nuk i përfillin konstatimet emocionale a hiperbolike të ndonjë shkrimtari tonë të adhuruar, nëse nuk e dëshmojnë vlerat e shoshitura. Mirëpo, besoj se pohimet në vijim nuk bien ndesh me frymën e një diskursi të tillë, kur ia apostrofojmë Poetit Beqir Musliu përmasën antologjike dhe enciklopedike të përfaqësimit edhe tej kulturës së shkrimit shqip!

Në librin “BALSAM ZEMRE”, poeti Ramadan Mehmeti tek Beqir Musliu, u përpoq t`i nënvizonte disa përmasa: përmasën mitike, legjendat e arealit gojor, metamorfozat stilistike të mitologjisë, reflektimet tej kohore të tragjikes, qëmtime parabolike të historisë së absurdit, fatet njerëzore kapërcejve të mijëvjeçarëve, dhimbjen vetjake dhe mizorinë e sëmundjes së Mikut; humbjen personale të pleksur me humbje etnike, deri te përgjithësimi  i humbjes estetike.  Njëkohësisht, pse mos ta nënvizojmë ndjeshmërinë e thellë të poetit për Poetin Model të tijin.

AMANETI-DRAMË E ZHVARRIMIT

Në librin “REQUIEM PËR MIRKO GASHIN”, Ramadan Mehmetit sikur nuk i mjaftoi përkushtimi prej tre ciklesh poezish: Recital i parë, Recital i dytë dhe Recital i tretë; por këtij vëllimi i bashkëngjiti dhe prozën eseistike “Molla e hallës” prej shtatë faqesh. Kjo prozë e gërshetuar me dëshmi prekëse emocionale për poetin Mirko Gashi, më drejtpërsëdrejti poetin e shpie në kënde të thella, që e karakterizuan jetën e dhimbshme, dramën e përhershme të Mirko Gashit.

Ndërmjet diskursit dokumentar, ndonëse pa të dhëna datash e, me prekje trishtuese për Poetin bohem, rrëqethet autori! Padyshim ai e rrëqeth dhe lexuesin për sprovat e një karakteri, të një bohemi, që ishte dhe mbeti i veçantë, burrëror, një bohem shëmbëllyes, unikët në jetën kulturore, nën mendësinë e trusnive të censurës, të institucionit të saj veprues përmes politikës mbi kulturën tonë.

Varrimi dhe zhvarrimi, sipas një mandati dhe amaneti, ishte një dramë e thadruar thellë në përjetimet e poetit Ramadan Mehmeti. Libri pashmangshëm i zgjon, i shpërpush ato reflektime të dhimbjes njerëzore e miqësore, vatra e së cilës është në thelbin e ndjeshmërisë e të përkushtimit të autorit të këtij libri që ruan aktualitetin.

Si lexues nuk e di: a janë shkruar ciklet e poezive para kësaj dëshmie të dhimbshme prozaike, ose anasjellas? Si duket brumi për gatimin e cikleve ishte aty?

Autorit të këtij përkushtimi për Mirkon, iu dukën të pakta tre ciklet e poezive të tij, andaj që nga faqja 61 e librit titulluar “Ndërkomunikimi poezi-kritikë letrare”, në më tepër se gjysmën e këtij libri, renditen disa nga perceptimet e kapjet kritike-letrare, ose një lloj kronologjie e shkrimeve, recensione, vështrime, mbresa për poezinë e Ramadan Mehmetit kushtuar Mirko Gashit  nga autorë të shquar bashkëkohës, si:  Azem Shkreli,  Qerim Ujkani, Beqir Musliu, Faik Shkodra, Ibrahim Ibishi, Shyqri Galica. Po ashtu, libri fisnikërohet me shkrimin sintetizues “Natura naturata, motërzim i shlirë fryme” i poetit dhe kritikut Prend Buzhala.

SINTEZAT JETËSORE E ARTISTIKE

Brenda këtij shkrimi përgjithësues, autorit të këtij vëllimi simpatik, edhe atëherë, edhe tash do t`ia kisha preferuar dy publikime: ndaras poezinë, ndërsa vëllim më vete shkrimet kritike dhe hartimet tjera.

Që nga poezia “Hyrja në mbrëmjen letrare”, të cilat Mirko i ndiqte dhe paraqitej mjaft joshës për publikun artdashës si aktor i vërtetë; lëndën figurative të poetit Ramadan Mehmeti e përshkojnë vargje, të cilët kapin fije të shumta dhe reflektime të dhimbjes. Dhimbja është e përmasës njerëzore dhe artistike, që i mbështillet një strumbullari, i cili i mblidhte dhe i ç`mbështillte rreth boshtit të vet motivet e metaforave të jetës, të ambienteve shoqërore, meditime për jetën, për ekzistencën, për heroizmin, për apokalipsin…

I vetëdijshëm për trusnitë politike, hapësira nëpër të cilën gjallëroi, sprovoi, vuajti, meditoi, qau, qeshi, ironizoi egon djallëzore dhe përjetësoi të madhërishmen e të bukurën, është relievi ekzistencial dhe filozofik i poetit Mirko Gashi, të cilit poeti Ramadan Mehmeti ia përshkroi ecejaket dramatike e filozofike, nënvizoi sintezat e Tija jetësore e artistike përmes figuracionit vetjak artistik.

Në tre cikle përkushtimesh, poetin e mbanë pezull graviteti thellësisht i ndjerë i Mikut poet, i cili sapo e kishte mbyllë ciklin e vet të jetës e të kultivimit të artit të shkruar. Pikërisht arti e mbante Mirkon në jetë, si dhunti për t`ia zbardhur ditët e turbullta, për t`i dhënë kuptim ditëve e netëve, kundruall gjallërimit të zorshëm e hiletar të ekzistencës në hapësirat e Ilirisë së pushtuar.

Personazhin e Ramadan Mehmetit e kishte mbuluar nata e përhershme. Tek Ai asgjë nuk arrinte: asnjë përgjërim, asnjë lot, asnjë fjalë çmallje, asnjë kërkim-falje,  pos poezisë Tij, së cilës i ishte qasur sikurse një shenjtërie për t`ia ndjerë pulsimet, vajin e burrit – këngën, e shkrirë në rreshta vargjesh dhe porosish të thella për brezat:

“Përveç poezisë më asgjë s’arrin te Ti
Derisa Mesnata kafshon vetveten në ëndërri
… … … …
U zhyta thellë në tokë, fluturova në rè
Mos e ngacmoni lumin, më the, më the”*

Sugjerimi i vargut të Personazhit e lë të hapur porosinë për lumin. Lumi emërtohet si emër i përgjithshëm, si dukuri së cilës nuk duhet t`i pengohet rrjedha. Rrjedhjes së vet lumi rigjeneron mëkëmbje, rritje, gjallëri për dherat, për florën, për kopshtet, për faunën. Gjithsesi, Lumi, me shkronjë të madhe, mbetet të rrjedh si trashëgimi e gjallë e vijimësisë së poetit.

*”REQUIEM PËR MIRKO GASHIN”; ROZAFA, Prishtinë, 2017, f.17

ARTI I BOHEMISË

Rrjedha e lumit zbërthen konotacione të gjallërisë. Autori ua varë në qafë sikurse një nuseje ose shumë sosh, nga një gjerdan margaritarësh, të cilët ia shtojnë krenarinë qafës e fytyrës të secilës prej tyre. Përpos si moto e kredo, poeti tërhiqet e joshet, që pas atyre ngërthesash prijatare t`i zbërthejë ose të ngjyej kafshata në modelin e adhuruar për t`i dhënë shije, kahe e shumësi shtjellimit figurativ të dhimbjes, konotacioneve të gjera të saj.

Idealet e poetëve dhe të poezisë janë parësore për t`iu dhënë doza fisnikërie shpirtrave njerëzorë por, edhe shtytje motivuese për ta herrë bimën helmuese dhe, për ta mbjellë të mirën, të madhërishmen, të bukurën, shpirt-ndjeshmërinë për sakrificën, për të dhimbshmen. Autorit Ramadan Mehmeti, veçantia e poetit Mirko Gashi, e poezisë tij, i shërbeu si përvojë ndonëse paradoksale, për sa i përket bohemisë. Diskursit i shtrohet pyetja: ç`është bohemia? Pse bohemia qenka një lloj arti?

“Bohemia është art mbi artet, më the, art
Është të heshtësh kur të gjithë belbëzojnë
Por, poezia është kur “Të gjitha dituritë
Për lulen janë gjysmë të vdekura”,
Ashtu si unë jetova përgjysmë”*

Bohemia e Mirko Gashit është gjendja e dehjes shpirtërore, ku shkrep dhe ndizet thënia më e çiltër e së vërtetës. Bohemia është thënia shpërfillëse e çdo lloj vetë-censure.

Në kontekst të Bohemisë ka shumëçka për të zbërthyer… Varet se si i qasemi paradoksit të dhimbshëm të Bohemisë së Mirko Gashit dhe Hermetikës së Beqir Musliut?

Mendoj, pa iu referuar kornizave të teorikëve të artit, se intonacioni i pyetjes, heshtja a retiçenca, qoftë kur përdoren si shenja grafike ose jo, nuk kanë thjesht funksione sintaksore në poezinë moderne, as te poezia e Mirko Gashit, as te Ramadan Mehmeti. Paradoksi kumtimor dhe kuptimor i bohemisë është veçanti e vargut të Mirko Gashit në poezinë shqipe, si stil, si ide dhe si esencë. Në poezinë e përkushtimit të Ramadan Mehmetit apostrofohet kjo veçori e sipër-ilustruar.

Është forca e intuitës së lexuesit për t`i kapur ngërthesat figurative secili në mënyrën vet: thellësisht a sipërfaqësisht? Komunikimi përmes thënies alegorike ngre asociacione në poezinë e Mirko Gashit.  Autori i vëllimit “REQUIEM PËR MIRKO GASHIN” përmes vargut zbërthen anën e prekshme të ngërthesave figurative pra, anën e dhimbshme, aty ku stis më shumë dendësia e dhimbjes për Personazhin dhe dramën e jetës tij.

Po aty; f. 29

Vargjet e përsiatjeve poetike të Ramadan Mehmetit shpërpushin zjarrminë e mallit të poetit dhe, zbutjen e atij malli të një shpirti rebel. Një shpirt i tillë rebeli, prore i pakënaqur me pozitën e njeriut të futur në sirtarë regjistrash e numrash, të njeriut që i gatitet korniza e të shprehurit prej burokracisë, censorit, përgjuesit të përhershëm, ndjekësit të ëndrrave të  George Orwell-it.

I tillë ishte poeti që jetoi me dy pasione: njëri i këndshëm-poezia, tjetri i pakëndshëm-alkooli-dehja, si kërkim i ngushëllimit, si gëlltitje e të pakëndshmes në jetën e kurdisur me plagë e mëkate, me kurthe e prangosje, (babai i tij Mark Gashi veprimtar kombëtar, ishte dënuar me njëqind e një vjet burgim nga Mbretëria Serbe!). Dehja e Tij në artin e shkrimit poetik, përkundër dehjes prej alkooli solli një model çiltërsie! Ai e jetoi jetën në mënyrën e vet prej bohemi, sikur e pohoi vet: “jetova përgjysmë.”

Lexues i nderuar!

Iu rikthyem veprës “REQUIEM PËR MIRKO GASHIN”, të poetit Ramadan Mehmeti, që  t`i bëjmë nderime Mirko Gashit dhe figurave tona, të cilat përfaqësojnë vlera të veçanta, që pasuruan përvojën dhe idetë e shkrimit artistik dhe, lëvruan me dinjitet hullitë frytdhënëse të djeshmes, të sotmes dhe, do t`i reflektojnë  edhe të ardhmes, artit si dhimbje e shëmbëllesë krenarie.

Gjilan, qershor 2023

Më shumë shkrime

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.

Shkrimet e fundit