Shkruan: Isak A H M E T I
I. Ish i burgosuri politik nga Tërpeza e Vitisë, Nysret Hajdari alias Fitim Fitimi (L.me 10.01.1935), kohë më parë ka publikuar librin e tij të kujtimeve, me një titull karakterisik: KUJTIME TË NDRITURA NË KOHË TË ERRËTA.
Pas publikimit këtë libër me (dedikim), autori në fjalë ia kishte dërguar edhe shoqes time (M.S) dhe pa humbur kohë librin në fjalë e kam shikuar dhe lexuar me shumë kureshtje dhe kujdes edhe për faktin se aty autori ka paraqitur një periudhe të gjatë jo vetëm të jetës së tij, por edhe të rrjedhave shoqërore dhe politike të nënqiellit tonë. Pas leximit të librit, shoqja ime (M.S.), në bashkëpunim me mua ka shkruar dhe ka publikuar një shkrim vlerësues tek portali i autorit në fjalë, që, përkundër vlerës dokumentare, ka edhe shumë mangësi, që për mua janë të diskutueshme…
II. KUJTIME TË NDRITURA TË KOHËVE TË ERRËTA
Këtë libër (mbase sipas porosisë së autorit ?), në javën e fundit të tetorit të këtij viti (pa dedikim ), ma ka dhënë Profi Tefik Ajvazi, ndërsa këtij (Tefikut), ia kishte dhënë për mua Njazi Hajdari, kushërini i autorit, me banim në Ferjzaj, për çka iu kam shprehur falënderim dhe mirënjohje. Këtë libër tashmë e kam në bibliotekën time, përkatësisht në tavolinën time të punës. Prandaj këtë libër kujtimesh dhe autorin po e marr në shqyrtim dhe po ia paraqes opinionit tonë vlerësimet, qëndrimet dhe pikëpamjet e mia, si autor i shumë veprave zhanresh të ndryshme dhe si studiues i letërsisë, i njohur jo vetëm në rrafshin kombëtar. Për disa arsye:
Së pari, ia vlen të lexohet dhe vlerësohet ky libër, sepse ai ka vlerë dokumentare, për shumë ngjarje, për shumë personalitete e veprimtarë që janë marrë, kush me pak e kush me shumë, me çështjen kombëtare e që kanë vuajtur, kush më pak e kush më shumë, nëpër burgjet jugosllave, në mesin e të cilëve edhe vetë autori i librit.
Së dyti, le të theksojmë se autori i këtij libri ka regjistruar në mënyrë kronoligjike shumë ngjarje, shumë emra veprimtarësh dhe të burgosurish politikë të cilët, siç dihet tashmë, kush më pak e kush më shumë, kanë kontribuar për çështjen kombëtare.
Ç’është e vërteta, sipas vlerësimit tim, autori në fjalë, pa pasur një përvojë dhe një përgatitje profesionale, nuk ka zbatuar kriteret e nevojshme dhe të domosdoshme në shkrimin e këtij libri ,madje jo rrallë ka glorifikuar ose diskredituar, pa u mbështetur në fakte të mjaftueshme dhe të verifikueshme. Prandaj shi për këtë, libri ka dalë me të meta serioze, jo fort i besueshëm!…
III. PËRBALLJA IME PUBLIKE ME AUTORIN
Jo rastësisht, shkrimin tim e titullova kështu si përgjigjee shkrimit të tij në librin e tij: KUJTIME… (fq. 110), ku është përmendur emri im, me qëllim të diskreditimit tim si figurë publike me një kredibilitet dhe autoritet të padiskutueshëm, i njohur dhe i respektuar si rrallëkush jo vetëm në Komunën e Vitisë, por edhe më gjerë, në rrafshin kombëtar dhe më gjerë.
Sa për njoftim të autorit në fjalë, që ka, sipas vlerësimit, njohuri të kufizuara, unë për më shumë se tri dekada kam punuar si profesor dhe shef i ndërrimit në gjimnazin “Boro e Ramizi” tash “Kuvendi i Lezhës” në Viti, kam kryer me shumë sukses edhe shumë detyra dhe funksione shoqërore-politikre, edhe si kryetar i Komunës së Vitisë (1988-1989), madje edhe si delegat i Kosovës në Kuvendin e Serbisë, ku kam mbrojtur publikisht dhe me guxim çështjen shqiptare, duke lënë gjurmë të mira, të pashlyeshne, jo vetëm në kujtesën e qytetarëve të Vitisë dhe askush, përveç autorit të librit në fjalë, serbëve dhe Serbisë, deri më sot nuk e ka drejtuar gishtin për të keq ndaj meje…
Le të theksojmë këtu, në mënyrën më të veçantë se autori i librit Nysret Hajdari alias Fitim Fitimi, duke u bazuar në një “rfëfim” të Daut Azemit (daja i autorit), në librin e tij (fq. 110) ka shkruar se gjoja unë e kam thirrë në zyrën time, Profesorin Habib Bilallin dhe se të njëjtit iu kam kërcënuar, sipas trillimeve dhe gënjeshtrave të Daut Azemit, duke i thënë, citojmë: “…ti Habib (Bilalli) dje je takuar me Daut Azemin! Prandaj zgjidh: ja me Daut Azemin ja me ditarin në shkollë” (mbarim i citatit).
Në lidhje me këtë privatisht, në mesengjer, i kam shkruar autorit të librit që ta kontaktojë profin Habib dhe ta pyesë për këtë shpifje ordinere të dajës së tij, madje ia kam dërguar edhe nr. e tel. dhe të viberit të Profit Habib Bilallit, me të cilin unë kam pasur dy biseda në lidhje me këtë, por, si duket, autori i librit, për arsye që vetëm ai i di, nuk e ka kontaktuar profin në fjalë, i cili kategorisht ma ka thënë se kjo është shpifje e Daut Azemit!…