LLAPI…
“Llapi nuk kalohet në këmbë…”*
As me ajrore nuk i bihet Llapit
Në zemër të Dardanisë e keni Llapin
Llapin – palcë e Kombit
Kurrkush nuk e gjeti fjetur Llapin
Llapin – kockë që të mbetet në fyt
Llapi shtrihet përgjatë Ilirisë
Llapi – zemra e shqiptarisë
Nga Mollë e Kuqe gjer në Qirez shtrihet Llapi
Llapi me yje lirie – Elfete Humolli e Afrim Zhitia
në shtatin e Llapit e falën gjakun Aliu e Fahria
Llapit ik barbari kah ka ardhur
Llapit del fushës djalli i zi me shtatë sy
Llapit pylli rritet rreth shtëpisë
Llapi – shpirt’ i Dardanisë
Në dritare Shaban Shala ia mat shtatin Llapit
te Molla e Kuqe ngul bajrakun
shtatë shekuj ëndrra lirie
E në veri të Llapit rri barbari i zi me shtatë sy
* Varg i poetit Ali Podrimja
PODUJEVA
Përmbi Llap këtë vend ngritëm, oh sa e dua
në muzgun e bruztë, në agun që lind
pastërtia e ujit në lumë është qenësia
tamam si shpirti që shkrihet në çastin përlindës
Nga fshati shpesh kam zbritur
e rrugët i kam shkelur herët me dritë
vjen rinia tufa tufa plot hare
e kujtimi i brezave po ikën shqim
Mbrëmjeve vonë në parkun e qytetit
ndjej si lumi, ma qetësisht ndjej
diçka të panjohur, vitet ikin
e unë mbetem ngrirë me këmbë në dallgë
Gjithnjë flatrat i hap e zemra më grafullon
si tambli në flakë derdhet jeta ime
tamam si Lumi Llap rrjedh koha
në muzg e ag i qetë si lojë intime
Si poeti kur merr hov ashtu rendin
shkëlqimet, pëshpëritjet, pushon, vazhdon
si humnera e ferrit të verbon, zbrazet
por përmbajtjen secili e di, poeti ia krijon
Sikur më përgjigjet me një jo harrese
ndër rrënjë e krande kam strehuar tragjedinë
dhe kam ruajtur një rini pa u shteruar
duart t’i freskoj, mendimet për t’i kthjelluar
Kot mendova se është shlyer kujtesa
nga zjarri i luftës e barbaria
qyteti ka ndërgjegjësuar ritmin e jetës
mes për mes pëshpëritjes së ujit të qetë
LIQENI
Në Batllavën e vjetër
Pendë ngritën një herë,
Lumenjve t’Gollakut
U vunë frerë.
Çdo lumi i thanë :
– mjaft ke bredhë,
tani e tutje
do kesh tjetër rrjedhë!
FSHATI IM
(Vendlindjes)
Rrëzë maleve të Gollakut
Pushon fshati im
Andej nga Llapi në lindje
Çel syri i tij
Shtëpitë shpateve
Arat luginës
Lumi mes për mes tij
Si ëndërr e mirë
Nga kullat
Fluturojnë pëllumbat
Që marrin fushat
E ndalen
Mbi supe djemsh
Mbi supe vajzash
Rrëzë maleve të Gollakut
I pamort fshati im
Me pëllumbat në sup
Ëndërron lirinë
DHEMBJA
Kushtuar qytetarëve të Llapit
në marshin drejt Gollapit*
Kur daullet bien e gërneta gjëmon
kur ngrihet dollia e kënga jehon
dhembja më gërryen kraharorin
e lotët më rrjedhin më rrjedhin
Pleq dhe të sëmurë shkojnë vargan
mendimin diku larg çojnë matanë shtatë shpresave
përpara bari i butë këputet ndër këmbë
pa bërë as oh as uh fëmijët ëndrrat i bartin mbi supe
Pikëllimi përhapet qetas kolona lëviz
në prag të varrit në buzë të jetës kosa ju ndjek nga pas
dhembja bie si kallinjtë e grurit në arë
fëmijët si kallamishte rrëzohen në bregun e lirisë
Gjëmat e shurdhëta, vijnë zëra të thyer
kaos vetëtimash shkreptijnë në horizont
shigjetohet karvani përpara trupa të rinj rrëzohen
derdhet shpresa e shtrënguar deri në grykë
Hovi i djelmoshave venitet vazhdimisht
heshtja është zbehur zemra s’qëndron
s’përballen dot breshërimat e barbarive
këputet shpresa për ta kaluar qetas bjeshkën
Trojet u lëkundën mos toka u përplas?
njeri i gjallë s’ka mbetur të dalë në prag
shkërmohet fundi i shekullit tragjik
kosëtarët festojnë fitoren e vdekjes
Karvani rritet si rrethi i valles
fuqia e dhembjes shtohet vazhdimisht
tej kësaj bjeshke, matanë kodrës përmbi
fjala e shpresës fryn si erë
Toka e ngopur me gjakun e derdhur frymon
e fushat kundërmojnë nga tufat e vrara
populli im i vuajtur mbijeton tragjedinë
në vorbullat e krimit, viktimë s’u bë
Dhembje, vetëm me ty mund të bashkëbisedoj
ikën vrastarët, shkuan kosëtarët e vdekjes
po bari i rrëzuar po kalbet në fushë
kundërmimi të mbytë në grykë
Në brigjet e harresës karvanët ecnin rënd
frikën e fëmijëve mbanin në krahë
kocka e shpresa të këputura ecnin lodhur
të dremitur pa ditur për ku e kah janë nisur
Karvan shtegtarësh në shtegun pa fund
dihet kah vijnë, nuk dihet kah shkojnë
shkretëtirë që ngatërrohet në brigjet e humbura
si hije pranë njëri-tjetrit radhas treten
Një nënë me gjinj të tharë nuk ka qumësht fëmijës t’i japë
ka ditë pa fjetur pa ngrënë skelet ka mbetur
fëmija skelet bartet në duart e një nëne tjetër
me gjinj të fryrë sa nuk i pëlcasin, foshnjën ia vranë
s’ka më buzë të vogla që të thithin qumështin e jetës
Të falem perëndi i përulem shpirtësisë
dhe nëse krimit i shpëtojmë dhe nëse…
dikush jetën do ta vazhdojë, cilën fjalë
cilin psalm duhet ta them më parë
Kush mund t’i prekë plagët e fisit tim të
djegur mish e kocka në zjarr hedhur
kush mund t’i prekë netët e tragjedisë
dhembja ka prekur zemrat dhe lotët vërshojnë
Dhembje, ti që përjetove skllavërinë, prangat
në duar të vajzave, nuset pa purpurin e nusërisë
fol e shpaloje gjithë atë tragjedi
mallko e nëm barbarin e zi
Dhembje, ti përjetove trokun nëpër malin e gjethuar
përjetove alarmin e kryengritjes së madhe
në vallen e protestës ishe atë ditë për të shpaluar
pelinin shekullor të tubuar në zemrën tënde
Vallja e barti dhembjen kudo në bjeshkë
barbarët me kosa në dorë faniteshin
tymi i shtëpive të djegura preku qiellin
që lëshoi kushtrimin mbi botë
Dhembja ime tash të shohë si nuse në liri
prekma gëzimin e vyshkur në buzët e fëmijës
mos m`i lëndo kockat e plakave as mos ma fshi
shkrumbin në buzët nusërore, tashmë prodhimet
shtohen me çmimin e jetës
*Në këtë marsh kanë qëndruar e tërë familja dhe farefisi i autorit.
TRIMI I LLAPIT
(Shaqir Grishtës)
Shaqir Grishta n’log ka dalë
tërë Kosovës i çon fjalë:
“Ne këtu kemi vënë kufi
këtë gjithkush le ta di.
Le të pëlcasë tradhtia
nuk mashtrohet vegjëlia.
Le t’digjet dhe e zogut flatër
nuk durojmë sundues në vatër.
S’durojmë kral s’përfillim mbret
Llapit trim i dalim zot vet!”
PËR TOKËN DHE PRAGUN
(Rrahman Penusë – Dedës)
Për tokën e stërgjyshit
dhe pragun e shtëpisë,
në Llap ra një djal i ri.
Në arat e babait një ardhacak
ish parë
se si lëvronte – kish hedhur farë!
Do t’bëhej zot i tokës së huaj.
Ardhacak zot në tokën stërgjyshore
arën e bukës punonte,
e tym i duhanit fjollë i shkonte.
“Ndal barbar i barbarisë,
ara ka zot e shtëpia trim
ardhacak je ti këtu!”
Tani trimit i këndohet kënga,
ndërsa zërit i dridhet shpirti,
dhe sharkisë i këputën telat –
kënga merr udhën e vet.
NË KODËR TË PRISHTINËS
Kushtuar Afrim Zhitisë dhe Fahri Fazlisë *
Dy duar në besatim – lisa në përqafim
Dhe heshtja e dhimbshme e lamtumirës
në kodër të Prishtinës
Dy zemra zjarr yje të reja në Llap
Dhe dita e madhe zdrit
anembanë Dardanisë
Dy emra në një emër – LIRI
Dhe qëndresa te ju merr frymë
vëllezër të mi Afrim e Fahri!
*Afrim Zhitia e Fahri Fazlia – vrarë nga policia serbe
më 2 nëntor 1990, në Prishtinë.
NJË ÇAST I LIG
Ilir Konushevcit – motiv lufte*
Çfarë çasti i lig, çfarë ndodhi në fushëbetejë
një nënë pret vdekjen e të birit
fytyra unur iu bë
Ajo ka ardhur nga një vis i largët e rri pranë të birit
si dega e pemës së shtëpisë, këputur nga breshërimat e zisë
Një ushtar me plumba në kraharor rrëzuar për tokë
edhe zogjtë nga pikëllimi nuk mund të mos ligjërojnë
një lutje flatrash:
O Zot
ndero këtë ditë
dhe vdekjen e ushtarit shtyje
se nëna qëndron pranë tij…
*Ilir Konushevci, vrarë më 9 maj 1998.
BALADA PËR VARRIN E KOSOVARIT
“…do të rrojë apo do të bjerë dëshmor i biri i tij BAHRI FAZLIU*. Dhe nis shpalimi i shiritit. Prindi më afrohet fare pranë dhe më porosit të shikoja vëmendshëm edhe unë se mos helbete do t’i bëjnë sytë, ose do të shkujdeset. Kanë kaluar mbi dhjetë ditë nga vrasja dhe mbi pesë vjet qëkur s’e ka parë. Mund të mos e njoh, të mos jetë i sigurt dhe ece hape ti varrin sërish për t’ia prishur gjumin kot”.
Enver Mehmeti: VARRI I KOSOVARIT
“Rilindja” – Zvicër, 19.05.1998, f. 11.
I.
Qëndron e fortë Nëna e Trimit sa vetë dhembja kundër krimit
sa vetë plagët që kullojnë gjak në shtat në asnjë shtrat
lotët rrjedhin mbi qepalla lagin truallin e trimit
zëri i tij bubullon: “Jo, Nënë, lotët nuk dua të t’i shoh”
po nëna kishte kohë që qante për Fahriun
birin në Dhé çuar dhe gulçimat tashmë
për Bahriun fytin ia kishin copëtuar
Qielli nuk qante po bubullonte së bashku me dhembjet
e trimit. Ai s’kishte vdekur, matanë rrugës së amshimit
ishte nisur me ritmin e fjalës dhe frymimit mortar
Familjarët kishin dalë për t’i dhënë pranë vëllait
një copë prehje, një varr, një shembje shpirti, ofshamë
e dalë nga thellësia shekullore – shpalim për brezat që po vijnë
II.
Një minator që di të lexojë gjëmën e nëntokës
është merakosur për birin e vet se kishte
dëgjuar në Vuthaj ka trokitur për të gjallë në
një derë, bukë i kanë kthyer, pritje i kanë shtruar
të vaftë udha mbarë e mirë ardhsh si në shtëpinë tënde, o Trim kosovar
po na le një fjalë për njerëzit tuaj të gjallë
(Ai, s`pat kohë një fjalë me ua thanë…)
Në ag të nxirë nga tradhtia
e mori plumbi pa u kthyer Bahriu te shtëpia
Vuthaj u mbulua me zi
ia mëkuan plagët që i kullonin gjak
porositën lajmësin prindërit me i ardh’…
Shtatë ditë mbi trupin e tij zakonet u shpaluan
të gjitha ritet si prindërit ia bënë, ashtu siç
nderohen heronjtë e kombit
III.
Në një shirit celuloidi i dalë nga tragjedia, si engjëlli
në duart e vuthjanëve shpalohet Bahriu
E kishin përkëdhelur duart engjëllore në varrin
pranë rrugës kryesore
Nga Malësia për në Vuthaj kur të zbresin këta
malësorë, uratë dhe buqeta me lule do t’i dhurojnë
Nga krahët lëshohet kujdesshëm arkivoli buzë varrit
qetësisht gjumin mos ia trazojnë
duar malësore emblemën me shqiponjë ia shpalojnë
fiksohet në celuloid fytyra engjëllore e Bahri trimit
kokën me kujdes ia mbajnë duart prindërore, kurse gratë
sipas zakonit ia mëkojnë të gjashtë plagët në gjoks
dhe emblemën mbi fytyrë prapë ia kanë lënë
– Po, burra, ky është biri im dhe heshtja e varrit i kapi të gjithë
pikëllimi në fytyrat e vuthjanëve ra sikurse loti në sytë e babait
ata ia kishin ledhatuar dheun përmbi sikurse birit të vet
e kishin pagëzuar “Varri i kosovarit”
që udha e amshimit këtej e ka sjellë
Po kemi një lutje tash, o kosovarë
a bën të na e lini këtu të na nderojë vendin tonë
pjesë e atdheut Vuthaj është…
siç i ka hije e kemi nderuar dhe në varrezat e njerëzve të historisë
sa herë të kalojmë këndej pari aty do të përulemi
Në një çast
një zë sirenash u dëgjua…
ishte zëri i Fahriut që në Veri të Kosovës shungullon…
ka kohë kundër barbarëve ka ngritur istikam
dhe pranë vetes Bahriun kërkon
Vuthjanët shpejtuan
zemrat shtrënguan
atje në Llap tek Fahriu bashkërisht të gjithë, të gjithë
shpirtrat me amshimin bashkuan…
E pastaj të gjithë
të gjithë… i kanë parë
kah shkojnë drejt një jete të gjatë
* Bahri Fazliu, vrarë nga ushtria jugosllave në Vuthaj, me 7 maj 1998.
PORTRETI I PËRGJAKUR
Agron Rrahmanit*
Barbari të kishte zënë pritë në rrugën përbri shtëpisë
krisma të shkurtra shurdhët u dëgjuan
mandej qetësia pllakosi tymi i barotit u pa
e fjala jote në prag lirie u bart fshehur ndër breza
gjer sa ra tek Pozerka në sheshin e kryeqytetit
Lajmi mori dhenë e zia mbuloi Prishtinën
zogjtë ndalën cicërimën barbarët endeshin rrugëve
ah ishin me helmetë hijerëndë nxinin si retë
Ditët kalonin me ritmin e jetës
Prishtina ia hëngri putrat tradhtisë
e barbari pushkatonte
qytetin që s’përkulej duke ëndërruar lirinë
Kosova dëgjoi lajmin mortar për të birin
babai s’u lejua ta shkelë pragun e tragjedisë
as vëllai nga përtej dhembjes nuk erdhi
Si të heshtë nëna e gjorë
lajmin e mori si kafshim gjarpri
e dhembjen me forcë e mbështolli
Në kokë vuri një shami të zezë dhe nxitoi tej pragut
i shkretë dukej vendi njeri nuk pipëtinte
vetëm barbarët silleshin për rreth
bajonetat ju vizëllonin e kërcëllonin…
Ajo e pa të birin e vet rrëzuar mbi dhé e përqafoi
dhe fytyrën me duar ia mbuloi dridhërimat rrëqethëse
(sikurse dridhet gjethi në rremb) trupin ia përshkonin
të birin në prehër e mori te gjoksi e afroi si dikur fëmijë
të paskan vrarë biri im pa lënë amanetin e bardhë
motrën me lot në sy pranë e ke
babai unur i zverdhur të rri përmbi
Qohu trimi i lokes, Prishtina ka rënë në pusi
te Bregu i Pikëllimit atje në Malësi
të kanë rënë në lak dy shokët e tu në altarin e lirisë
kurse Llapi këtë ditë për ju s’e ka pritur
(oh, ç’dritë e uritur!)
Atëherë lokja trupin e të birit mbi dhé la të shtrirë…
u shkri zemra e tëra kur e mori ta dërgojë në shtëpi të vet
nga lart dielli sodiste këtë magji
po kthehej, po kthehej trupi i trimit atje ku ishte nisur
Shkëlqente funerali i birit të saj
ashtu siç shkëlqen bora mbi vargmale
Shqiponjat një fluturim të ri bënë
sipër fshatit për rreth ushtoi
e gjëma gjer në qiell shkoi
*Agron Rrahmani, vrarë në Prishtinë më 12 maj 1998.
KOHËT E MUGËTA
Zahir Pajazitit e Hakif Zejnullahut*
I.
Ploja u palos mbi kullat tona
lëmashku çatitë ka mbuluar
pyjet pushuan nga sëpata e pylltarit
E deshët këtë vend të lirë me udhë të hapëta
furtunat rrufetë nuk ju ndalën
shtegu për në humnerë paraprinte
në emër të drejtësisë e bashkëjetesës
paqja e qetësia zhveshur lakuriq kanë jetuar
ditën për diell në rrugë shkolla e parlament
dhelpërisht në emër të drejtësisë e bashkëjetesës
krimi bëhej vazhdimisht
Uri patët në tokën plot grurë
e këmbët pa larë pranë lumit me ujë
ëndërrim deshët tokën e lirë me diell
II.
Dy dyfekë dhe një qëllim
sikurse shtatorja e mbështjellë në dyllë
bashkëjetesën e shikonin me një sy
në agun mëngjesor e në muzgun e zi
qepallat rrapëllonin
qëndronte i vdekuri në këmbë
o fjetur është populli im
ditën për diell e natën me hënë
III.
Dhe tash ata mungojnë
nata përsërit fluturimet e lakuriqëve
nëpër errësirën e dendur
mugëtirës së kohës shpirtit ngjiten
drejt gurrës së përjetësisë
në duar mbanin koburen gati
ngase rreziku shfaqet befas
Po kush theu heshtjen
e kush nuk deshi të shohë humbjen
e pemishtes dhe rrezen e dritës
Thika dytehëshe bëri sprovë
në mes kufirit nëpër kurmin tonë
përpara turpit pranë syrit të përgjumur
Në përgjërim të vazhdimësisë
askund gjurmët nuk ua gjetën
përpos ehut të armës dhe fjalëve vesh më vesh
që shushuritnin për dhembjen e njëjtë
Gjethet e dendura në pyll
e pastruan ajrin si dëshirat tona
IV.
Ata mundimshëm jetën rikrijuan
nuk luajtën në teatër ndonjë komedi
kur gjumin e bënë fjalët kishin marrë dhen
Ndjekjes i përbishtnin
trupi u rëndonte aq sa rëndojnë gurët në varre
me gjunjë dhe bërryla vizatuan hartën e atdheut
Kush mundi ta prekë atdheun për një çast
paqja e heshtur ua kallte shpirtin
me një pishë e unur ndritën rrugën
përqafimin e fundit e bënë para valëve të detit
me tallaze të tërbuara
V.
Shiu ua qulli ndjenjat plotësisht
në fytyrat e tyre plot ardhmëri
pemës iu thyen kraharorët e degëzuar
Mespërmes hapësirave flakëroi dashuria
rrotull fytyrës rridhnin shqetësimet
u përqafuan edhe një herë dhe u lëshuan me vrap
megjithatë rrotën nuk e lanë të ndalonte
VI.
Në liri flasin të panjohurit
djersiten nga fjalimet e rënduara
teprimet pa pikë e presë
për praninë e papranishme
që kishin me ju
* Zahir Pajaziti dhe Hakif Zejnullahu, vrarë në pusi më 31 janar 1997.
NA-RRA-TIVE
(Shkrimtarit Nazmi Rrahmani)
Rrëfimtar lindur prej Zotit
i pe vuajtjet tona si dhembje të motit
Lokja urimin qysh në djep ta dha
hapëro kujdesshëm nëpër këto anë t’Llapit…
e Ti me urtësi i kapërceve edhe luftërat ideologjike
sfida të shumta jetësore
prej ëndrrash të purpurta
Mbi gjithë ato paragjykime
këtë vend mbi vobektësi e bëtë
dhe një fjalë amanet e mbollët
“Pas vdekjes” kthjellon L I R I A…
Librin e bëtë ninullë për t’u edukuar fëmija
se vetë ishe ara ku pjellëronte bagëtia
ishe fushë me lule ku mbushullonte dashuria
madje dhe pyll ku ulërinte dhe egërsia
fyelli i bariut ndër male me blegërimë të lirisë
ishe vetë lumi që rrjedh drejt ardhmërisë
Ishe ëndrra jonë për shpresën e re
lumi që ecën rrjedhës së vet
dhembjet i mëkove në ditët e vështira
atëherë kur inskenohej pabesia
kur luftë klasash bënte ideologjia
kur shtriganë gëlltitën dashurinë
kur njëri tjetrit ia kafshëronin njerëzinë
kanibalët që përlyen plisin tonë
kur ishe nxënës Ti e mbaje mbi kokë
kur dija fliste me gjuhë sëpate
e thika topitej nëpër mishrat tanë
shekujve të ftohtë mbi Atdheun e mjerë
Shqetësimi Yt nuk pushoi kurrë
anise mbi Malin e Shtedimit
veç diell të lindur ka
për fushën e blertë të Llapit
aty ku ardhmëria shihej në sy
e bukuria e fjalës mbështetej mbi urtësinë
Trishtimin magjik në zemër të nënës
e në rrudhat e shpirtit të babait
e përjetësuat Atdheut me këngë e fjalë
duke dhënë shpresë
me inicialet N.RR.
“NA” me ty edhe kur na “RRA”-hën
thamë urra bre burra
se fjala e mendjes ka dalë nga këto gurra
e tutje është shtrirë tokës pjellore
me duar prej brenge me halle njerëzore
ishe ti burrë si zë Na-Rra-tiv
atëherë kur ishe djalë fare i njomë
kur dhëndër “Malësorja” të futi në dhomë
Rruga drejt shtëpisë ishte vetë Shtëpia jote
me emrin Kosovë
Ne kaluam bashkë
me tragjeditë e përjetuara
nga “Kthimi i njeriut të vdekur“
te “Toka e përgjakur”
Me plagë të jetës sonë
si vargmale
si fusha
si uji
thellë e më thellë
përjetohej ndjenja e vargut magjik
edhe atëherë edhe tash
kur bukuria shëmtohej me kamxhik
Atëkohë dalja në derë të kushtonte me kokë
nga kosa e kostarëve komshinj
bisha me brirë që i rrisnin hallet tona
ndërsa duart tuaja prej brenge
e shkruanin historinë
nëpër shpirtin e përvuajtur
të nanave tragjike
të babait kur e rrëzuan për tokë
ishe loti i vajzave sorkadhe
që vajtonin vëllezërit ndër beteja
gjersa thinjat e flokut sa herë u ranë
Të mos bredhim në pakthim
se ti o miku im Na-Rra-tiv
rrëfimin e bëre nocion të jetës
histori e ndodhur mbi truallin tonë
nëpër brirët e kohës u ngjite lartësive
në kujtimin tim dhe të kësaj historie…
Askush nuk jetoi këtë botë ma me dashuri
se rrëfimi yt kur u lexua nëpër shkolla
askush nuk lë mbrapa kaq ardhmëri
sa “Malësorja” që u bë motiv i jetës
dhe tabela te “Rruga e shtëpisë sime”
shkëlqim t`u bë edhe “Tymi i votrës së fikun”
vatër që nuk u shua kurrë
kuurrë… kuuurrë… kuuuuuuurrë…
Atëherë kur Na Rra-hën me kamxhik
Ti – durimin na predikove si shkollë
dashuria për Llapin balsam t’u bë
sa vetë historia mbi këtë Dard(h)ani
Në Kosovën tonë të Re
rrëfimi Yt NaRRa-tiv mbetet
si përditshmëri vuajtjesh
me plot dashuri.
CH – St. Gallen, 19.07.2015.
VEGIMET E POETIT
Poetit dhe kritikut letrar Sabri Hamiti*
Në Prishtinë kur bie terri e kur acari shtrëngon
hëna vezullon mbi akullin dimëror
vertikal ec poeti në vegime për ardhmërinë
është “Trungu Ilir” që ndër kohëra si ylli shkreptin
e flakërimën s’ia humbi as barbaria as tutoria
kurse proletarët me leninka në kokë
si hija mbrapa gjithnjë i shkonin
Vertikal shëtit rrugëve të Prishtinës
rrëzëllimë e rrezes mbrëmjeve mbi bulevard
shpresë për gjeneratën që po gjallëron
Hijet përgjëruese vazhdimisht i shkojnë pas
kur hëna ndrit qytetin lemeritëse bëhen
të trishtuara duken edhe nën dritat e neonit
Në shenjë proteste
vargu i poezisë pezmin lëshonte uturimë
A thua janë hijet e krimit që përcjellin poetin
a thua, ardhmëria po na gënjen dhe
robëria po na gatuhet me njerëzit tanë
me yllin e leninkat mbi sy
Kur flluska e borës mbi faqen e zbehur të poetit shkrihet
rrëshqet sikurse nga pullazi
poetit kjo flluskë kujtimet ia kthen te e ëma atje buzë kufirit
atje ku është rritur fëmija nën tehun e kosës
atëherë kur barbarët kositnin livadhet tona
Ajo i kishte thënë: “Mos u shqetëso engjëll-bir”
se kalimthi janë në këtë tokë
e ti do të rritesh qetësisht me gjeneratën në vegim
Rrugëve të Prishtinës vazhdimisht shëtit poeti
fytyrëvrarë më errët se nata pa hënë, thuaja më terr se robëria,
më rëndë se çizmja barbare
ashtu shkretërisht siç duket qielli pa yje
Atij i del ofshama nga shpirti dhembja i buron nga balli i tij
Poeti është sinonim i gjeneratës në vegim
me hallet e tyre me vrullin që kanë
tamam sikurse pranvera me sythe të bulëzuara
hija e tij simbiozë e qëndresës
pranë bizantizmit komunist vertikal rrinte
për t’u parë tradhtia si në pasqyrë e pastaj
të gjitha pështirosjet mbi të thyhen
edhe drejtimet e erërave që fryjnë
Smirëzinjtë nga urrejtja terrin kafshojnë
poeti ka kaluar edhe tej terrin kurse ata nuk e dinë
Ai është zgjatur gjer në agimin e bardhë
shtat-hedhur endet bulevardeve të Prishtinës
e koka prek majat e plepave të gjatë
Vetëm pse ka pikturuar jetën pas e ndjekin hijet
një uturimë përbindëshi përplaset mbi poetin
ashtu siç përplaset era mbi lisat e malit dhe shkëmbinjtë lakuriqë
Mëllenjat sipër plepave të Prishtinës shpupuriten qetësisht
e këmba e poetit pengohet nëpër rrugë vazhdimisht
ashtu siç u pengua Liria nëpër Fushat e Mëllenjave
nga glasa e barbarëve që zbritën nga Malet
dhembjet rëndojnë gjithnjë gjer në ditën e amshuar
Nata mban shpatën mbi kokë e njerëzit ngujohen në dhomë
Prishtina shkretohet deri në agun e ri tani bulevardeve
ka vetëm qen e policë dhe një pjellë prej shtrëngate
kurse integralistët me patkonj tashmë dalin edhe
rrugëve të Prishtinës si karnavale çmendurake
Yjet tremben nga harbutët
po zemra e poetit vazhdimisht troket
ashtu siç ka tronditur vargu i poezisë Mbretërinë e Hadit
Ai me sy ka parë edhe vdekjen e Hënës te koka i ka qëndruar
ballin ia ka mëkuar me dorën e butë dhe një varg
nga libri i përjetësisë në vend të psalmeve ia ka lexuar
Poeti vegimtar është udhëtar i ardhmërisë
dhe vargu i tij ka arritur përjetësinë
“Trungu Ilir” qëndrueshëm nëpër mote
ia preku dhembjet atdheut mbi pranverat
si Shën Valentini i dashurive dhe kompromiseve
Ai vazhdimisht mbetet enigmë e territ që kaplon
POET që fytyra e ATDHEUT me të ngjason
*Mbi poetin dhe intelektualin Sabri Hamiti është bërë atentat dhe është plagosur më 24 shtator 1998, duke qëlluar me plumba mbi të.
NË KOSOVË EDHE DREQI PLAKET
Poetit Rrahman Dedaj
Në Kosovë po plaket dreqi
s’ka më as gjëra të paprekshme
as dashuri të paputhshme
të gjitha sikurse orëkeqi
po përtërihen
Dreqi plaket në Kosovë
çdo gjë është e prekshme
dashuria është lart
as me shkallë nuk arrihet
liria ende nuk shijohet
Poet jam nga Visi yt i pafjalë
të kam mallkuar nga ky Vend i largët
të kam nëmur tërë stinët e mia
për një fjalë për një Unur
Në Kosovë dreqi po plakët
po ti ku m’je strukur dashuri
se pjella e keqe këtu vetëm është përtërirë
dhe askush më nuk bën çudi
Në Kosovë dreqi plaket
njeriu vdes i ri dhe i uritur
liria edhe për ty edhe për mua
është e huaj edhe këtu në mërgim
edhe në Dheun tuaj
Në Kosovë po rrafshon orëligu gërmadhat
për t’u dukur më i shëmtuar
për çudi të të gjithëve kanë filluar
të ecin këmbas mbi këtë tokë
plot me vuajtje përplot me dhembje
Në Kosovë dreqi plaket
dashuria vdes më ngadalë
ardhacakët bënë piedestale
pastaj edhe për një shekull
liria ka humbur kuptimin
CH – Rorschacherberg, 28 nëntor 2003.
PËR FJALËN E LIRË
Mikut, Xhemail Mustafa
Vrasësit kanë tharë lule në një vjeshtë të vonë
përplot premtime e mbuluan predhat kokën e një burri
abort për lirinë si një qasje e feksur
dhe kjo u bë kundër fjalës së lirë
zakon i zbritur nga mesjeta e ndryshkur
gjurmë potkonjsh thundra barbarësh
me maska në fytyrë kanë zbritur nga malet
U shua fjala e lirë që deshi ardhmërinë
prapa ka lënë veshur në të zeza
gruan dhe shtëpinë
U vra fjala e lirë në ditën e parë
u shua një jetë në ditëlindjen e saj
u fye populli i shndërruar në funeral
Zvicër, 23.10.2000.
NJERIU QË IA HAPI PORTAT DIELLIT
Enver Malokut*
Ata që e kanë njohur Enver Malokun, nuk do ta harrojnë
Ai gjithnjë me mustaqe të zeza, xhaketë e mantel të gjatë
Nganjëherë në këmishë të bardhë dhe me kravatë është parë
Nga Llapi ka zbritur në Fronin e Informimit, atëherë
kur të tjerët lakuan
Alarmoi Botën në Kosovë ç’po ndodhte e s’mbaronte
Nuk iu frikua helmetës së policit serb
As prangave në duar, kur ia venin shpesh
Ai si për çudi servilët dhe injorantët
Që i silleshin vërdallë duke i vënë ndërkëmbëza
Ata tmerroheshin kur Enver Maloku dilte rrugëve pa roje
Ndryshe nga të tjerët ai shëtiste serbes me duar në xhepa
I lëpiheshin e ai vazhdonte të mbërrinte në cakun e synuar
Lehja e qenve karvanin s’ia trembte
Në ”unin“ e tij thumbonte mizoria bizantine e integralistëve
Atyre bij komunistësh e sahanë lëpirës të tradhtisë
Atyre që babë e gjysh “probatin” serbin kanë pasur në shtëpi
Ai s’kishte nevojë të dukej më i lartë pasi puna e ngriti në orakull
Në shtëpi i dashur për fëmijët, i butë, pedagog, edukator
Ai nuk u lodh kurrë së punuari në Qendrën për Informim
Shkonte herët e vinte vonë, sikurse bleta lule më lule
Mblidhte dhembjet kudo atdheut, torturat (në shpirt e lëndonin)
Botën alarmuar për krimin e madh në Kosovë
Zemërimi atij i plaste kur shqiptarët kafshoheshin mes veti
Edhe nga mërgimi shokët e gjeneratës e thumbonin
Që pas njëmijë të zezash ata Kosovën patën lëshuar
Tërë jetën e kanë kafshuar qençe, aty ku nuk kafshon njeriu
Ashtu tinëzisht, siç dinë qentë, që harbojnë befasisht
Tamam si atëherë kur zbriste nga Bradashi me autobus
përgjatë Llapit
Po ai nuk ua kthente, si dikur ”të mjerë“ i quante
Dhe fare nuk merrej as me baltosjen e përditshme që i
bënte KOHA
Në kohën e mbuluar me plojë e idiotësi
Dhe Enver Maloku vazhdimisht alarmonte Botën
Për krimin në Kosovë të bandave serbe
Ai kurrë nuk u ka thënë ”çyp“ as zagarëve të natës që
ndiqnin shtriga nëpër bare
Për idealin e bashkimit shqiptar falte edhe gabimet
Kur u ashpërsuan kafshimet, kur qentë e shtuan plleshmërinë
Ai tha: ”Po më torturon për vdekje kjo racë e ndyrë pis“
Dhe prapë ecte kokëlartë i drejtë si qiriu rrugëve të Prishtinës
Kokën s’e kthente për t’i parë të strukur pas drurëve në
Bulevardin e qytetit
Unë dua të mbërrij në cakun ku jam nisur dhe kohë nuk
kam të merrem me të tjerat
Por “tam – hamët”e këtij klani bolshevik të çoroditur në
ndyrësi e shqetësonin vazhdimisht
Ai kurdoherë ka porositur: ”Rruga e Lirisë nuk bëhet pa dëmtime”
Ndjenjën e frikës mos e tregoni edhe kur kokën na hanë
Sepse këta kafshojnë sikurse ata që ecin në katër këmbë
Vështrimin Enver Maloku e ngulte diku në Bregun e
Diellit në Pallatin më të lartë
Në bodrumin e të cilit e prisnin dy çuna, një gocë
Dhe gruaja që dashurinë ia bënte të pafundme
Ai Kodrën e Diellit mësynte për të dalë në Bregun e ardhmërisë
Dhe fëmijët në Majën e atij Bregu e ngazëllenin
me përqafime të përditshme
Por hijet e zeza e përcillnin dhe kobin mortar e thërriste
koha vazhdimisht
Ata projektuan krimin që e kishin në shpirtin e tyre
Dhe për të mos e lënë të Informonte Botën
E gozhduan në Maje të Bregut në prani të fëmijëve
që kishin dalë ta përqafojnë
Kurse gruaja mbeti e ngrirë përballë krimit, kur Enver Maloku
mbi Dhé ra
Nga ajo ditë pak e më pak Bota ka ditur për krimin e zi
Në Kosovën e paçliruar binin njerëzit në valomën e tmerrit
siç rrëzohet bari mbi tokë
Enver Maloku burrë me mustaqe të zeza e xhaketë të pastër
Vetëm atë ditë kur gjaku i rrodhi e panë të shtrirë mbi Dhé
Pa bërë “ah” e as “uh” mbylli sytë mes policisë barbare
Kriminelët në kafenenë e Progresit Komunist dolli çuan
Ata që ishin më dinakë në Qeveri pastaj shkuan
Në atë Maje të Bregut, (Dielli ende s’ka zbritur…)
Ngase me dekret shtetëror në atë Kodër është vrarë
Njeriu që ia hapi portat diellit
* Enver Maloku, ishte shef i Qendrës IInformative të Kosovës, (QIK),
u vra para shtëpisë së tij më 11 janar 1999.