(Me rastin e promovimit të librave të poetës Zize Pepshi, Shkodër, 07 maj 2022)
Të flasësh për një poezi, një vëllim apo dhe më shumë kur nuk je kritike letrare, ka lehtësira e të bukurat e veta… sepse do flasësh për atë çfarë ty të përcjellë një varg, apo një mori vargjesh e këtë do e bësh me atë sinçeritetin që një poet e karakterizon, madje duke e veshur dhe analizën me lule fjalësh, për të përcjellë botën që autori ka hedhë në rrjeshta.
Por sot, kësaj analizë i bashkangjitet dhe emocioni tjetër, kur këto vargje janë shkruar aq larg, e janë sjellë aty ku ç‘do poezi e ka zanafillën, motivin e muzën… në vendlindje.
E atëherë vargu bëhët i prekshëm, tek sheh sytë e autores që mbartin mall, e që ti kujdesësh që fjalët e tua të janë sa më të gjetura, që mos të prekësh ku vrajat lënë shenja. Një poezi që të vjen herë-herë me çiltërsinë e një fëmije pa faj e që si puhizë pranvere të ledhaton fytyrën dhe të lë pas atë shijen e lehtë të një arome lulesh, e herë-herë si rrëbësh malli që të përplaset në fytyrë e të zgjon çdo qelizë për të reflektuar që nga mesazhi për të qenë njeri e deri të forca për të përballuar gjithçka jeta që të ofron, në pjatë argjendi apo në majë të thikes.
Një botë e pasur, një ndjesi malli që përshkruan çdo poezi, e këtë mall nuk e hedh në letër duke u përlotur, por plot duke përshkruar një çast a një ngjarje me gjithë detajet, si një kujtim që nuk shlyhet asnjëherë.
Largësia nga vendlindja, nga aty ku qau e qeshi por ku jetoj, na sjell pengjet e brengat e autores, që na vijnë si çast ku të duket se aty stopon një rrëfim, por që s‘është ashtu.
Menjëherë kjo pason me një mesazh jete e dashurie, e ti përjeton ato ulje ngritjet që të mbajnë në tension, por që nuk të lënë as të biesh në pesimizëm as të fluturosh përtej reales.
Atdheu, ndarja e herë pas hershme, përshtatja me një atdhe tjetër, mënyra si ndjehësh sa herë të duhet të veshesh e zhveshesh karakterin tënd duke u ndjerë herë vajza e Pejës e herë zonja e një vendi ku të lidh gjithçka veç atij cepit të zemres ku pushon aq paçtë e krenare vendlindja, përshkruhen më së miri në gjithë vëllimin “Më janë ngatërruar atdhetë”.
Të dashur miq, unë nuk jam kritike letrare, mbase as përsoni i përshtatshem për të bërë një analizë letrare të mirëfillt, pasi këtu ka plot të tillë që mund ta bëjnë, por nganjëherë mjafton të lexosh me shpirt një liber, të shohësh autoren, të këmbësh dy fjalë… e të bësh lidhjen mes tyre për të arritur aty ku gjithçka të të shfaqet si një film i jetuar, e kjo nuk do analizë… mjafton të thuash atë që të përcolli kjo gjë.
Sot ndjehem e nderuar që jam pjesë e këtij promovimi, sepse një motër e jona, lindur në trojet tona po larg nesh për shkak të ndasive që jeta na krijoj, emigruar në një vend edhe më të largët, sot kthehet në Shkodrën tonë për të na sjellë copëzat e shpirtit të saj, e për të na i ndarë ne, të ushqejmë shpirtin tonë. Për mua është nderë, vleresim, emocion.
Ndaj nga zemra i uroj motres tonë Zize, autores së dy vëllimeve të mrekullueshme,
Faleminderit që sot je me ne, suksese në fushën e shkrimeve, shëndet e jetë e mos na harro, se dyert tona do jenë të hapura sa herë malli të të rëndoj, krahët e të duash ta ndash me dikë.
Shkodër, 07.05.2022.
Bona Mulaj Lluka
*Kjo fjalë e rastit është mbajtur me rastin e promovimit të librave të Zize Pepshit, në Shkodër, më 07 maj 2022.
Dërgoi për publikim, Shefqet Dibrani, poet e shkrimtar