7.4 C
Tirana
E martë, 24 Nëntor 2026
[ Arkivi ] përmban shkrime nga vitet [ 2009-2015 ] dhe [ 2016-2021 ], ndërsa [ 2003 – 2009 ] (në html)
Kreu Artikuj MËSUESI ISLAM GASHI – NJË JETË E TËRË NË SHËRBIM TË ARSIMIT,...

MËSUESI ISLAM GASHI – NJË JETË E TËRË NË SHËRBIM TË ARSIMIT, KULTURËS DHE PAJTIMIT

0

Sinan Gashi “Islam Gashi babai im mësuesi i juaj” botoi Shoqata Kulturore “Anton Pashku”, Prishtinë, 2009

Ajete Zogaj
Ajete Zogaj

Shkruan:  Ajete ZOGAJ

 “Fjala mësues është emërtim i shenjtë, përgjegjësi sa koha, sa historia, sa kombëtarja, sa njerëzorja. Eh,  Mësues…!”[1]

Në rrjedhën e zhvillimeve historike të zhvillimit kulturor, arsimor e shoqëror të Kosovës, personalitete të shquara u bënë figura idetitare të këtij zhvillimi, jo përmes bujës, por përmes punës së heshtur, përkushtimit të përditshëm dhe përgjegjësisë ndaj kohës në të cilën jetuan dhe punuan.

Pjesë e këtij rrugëtimi, janë edhe mësuesit e brezit të hershëm të shkollës shqipe, të cilët përballë vështirësive të kohës bartën përgjegjësinë e madhe të përhapjes së dijes dhe të edukimit të gjeneratave të reja. Në këtë frymë merr kuptim edhe  monografia “Islam Gashi – Babai im, mësuesi i juaj”, e autorit Sinan Gashi.

Prandaj, autori Sinan Gashi, përmes këtij libri, na rikthen në një kohë kur fjala shqipe në shkollë kishte një peshë të veçantë, kur dija kërkonte përkushtim, kur shkolla nuk ishte vetëm një godinë ku nxënësit mësonin shkrim – lexim.

Ishin vite të vështira, kohë kur themelet e arsimit shqip ndërtoheshin me mund, sakrificë dhe besimin  në fuqinë e dijes. Në këtë rrugëtim, mësuesit ishin njerëzit që ndiznin dritën e parë të diturisë dhe e përcillnin atë nga një brez te tjetri. Islam Gashi i përkiste pikërisht kësaj kohe.

Rrënjët familjare dhe trashëgimia atdhetare e mësuesit Islam Gashi

Titulli i monografisë „Islam Gashi – Babai im, mësuesi i juaj“, përmban në vete një domethënie të veçantë. Në të bashkohen dy këndvështrime që, ndonëse të ndryshme, plotësojnë njëri-tjetrin: ai i të birit që shkruan për babanë e tij dhe ai i nxënësve e i shoqërisë që e kujtojnë Islam Gashin si mësues e si atdhetar.

Të dhëna për vendlindjen e tij, Arllatin, dhe biografia e familjes së tij, familje kjo e dëshmuar kombëtarisht, e dëshmojnë forminim intelektual e atdhedashurinë e rrënjosur thellë në këtë familje të përcjellë ndër gjenerata.

“ I ati i Islamit, Isuf Fana, ishte emër i njohur në rrethinë e më tej. Duke qenë një tregtar lëvizës, ai kontaktonte me shumë njerëz dhe, sigurisht, edhe kryente aktivitete kombëtare, ngase ishte njeri fjalës dhe i besës. Ndëqrsa vëllai i vetëm Ibrahimi, merrej me punët e bagëtisë dhe të tokës.[ …] Në kohën kur në Bihor e Kolashin mësyjnë bandat çetnike, qoftë edhe si partizan në dukje e veshje, duke masakruar qindra familje shqiptare dhe boshnjake të atyre trevave, kur “çetnikët e Malit të Zi për një ditë, me 3 janar 1943 në Bihor masakruan 4000 banorë të 52 fshatrave të këtij regjioni dhe i marrin 300 vajza për keqtrajtim moral dhe martesor”, atdhetarë shqiptarë  nuk qëndruan duarkryq, dhe organizojnë një ushtri vullnetarësh, për mbrojtjen e njerëzve të pafajshëm dhe të trojeve etnike shqiptare. […]

Në atë luftë dredharake të çetnikëve me vullnetarët shqiptarë të papërgatitur ushtarakisht, bijnë fli shumë vullnetarë, e ndër ta edhe Ibrahim I. Gashi. Jahir I. Bytyçi, Aruç F. Bytyçi, ndërsa i gjallë kthehet me tre plumba në shtat, Ali Halil Gashi – Fana, i cili edhe rrëfen për mashtrimet çetnike si dhe masakrën e krijuar aty. Çetnikët kishin mësuar disa fjalë dhe u thërrisnin në shqip, në mënyrë që ata të humbin kahjen  në atë dimër të acartë e me borë të madhe. Trupat e të vrarëve pastaj tërhiqen fshehurazi nga banorët shqiptarë dhe varrosen gjithandej, disa në Suhadoll e disa në oborrin e Xhamisë së Lushtes, në Mitrovicë, ku prehet edhe Ibrahim I. Gashi – Fana (1885-1943). “[2]

Isuf I.Gashi – Fana, në vjeshtën e vonë të vitit 1943 arrestohet në Prishtinë me një grup shokësh dhe dërgohet në Burgun e Prishtinës, ku mbahet për disa kohë dhe një natë të errët të vitit 1944 do të pushkatohet me shumë shokë në afërsi të Tauk Bahqes, në vendin e quajtur atëherë ‘Strelishte’, në Prishtinë, ku u krijua një varr i madh në të cilin lanë eshtrat me dhjetëra atdhetarë.

I mishëruar me arsimin dhe vendin e tij

Duke lexuar me kujdes këtë libër, të hartuar me shumë përkushtim nga autori Sinan Gashi, shpalosim vyrtytet e larta njerëzore e pedagogjike të mësuesit Islam, i cili punën me ditar e kishte filluar së pari në Arllat, më 1.09.1945 deri më 20.10.1947.

“Është me interes të përmendet e dhëna se  në muajt e parë të shërbimit si mësues, ai shkoi në shkollë me plis të bardhë, sepse ndryshe shikoheshe me sy të keq, ku njerëzit krye-shturem merrnin madje etiketimin ‘shka’”[3]

Autori vë në pah se mësuesi Islam asnjëherë nuk ishte anëtarë i Partrisë Komuniste të Jugosllavisë, dhe se atdhetarinë e tij e manifestonte si veprim në mënyrën e vet, aty ku mundëte e ku i jipej mundësia, pa zhrumë e pa pompozitet, sepse sipas tij, e mira po u deklarua, e humb gjithë efektin.

Për mësuesin Islam, mësimdhënia nuk ishte vetëm profesion, por mision dhe përgjegjësi ndaj gjeneratave të reja.

Puna e tij e përkushtuar në edukimin e brezave të rinj si dhe veprimtria e tij atdhetare, bënë që disa herë të jetë i përjashtuar nga procesi mësimor, por kurrë i pathyeshëm dhe puthadorë i pushtetit. Kudo  që shkonte në ndeja,  e ngjallte dashurinë ndaj shkollës dhe arsimimit: “Arsimi është si qumështi, burra – prej tij pastaj dalin të gjitha të tjerat: kosi, tëlyeni, djathi, llalla, shëllira” pra donte të shprehte në mënyrë metaforike se dobia nga arsimimi është e shumëfishtë.  Prandaj, veprimtaria e Islam Gashit duhet parë edhe në dritën e kohës në të cilën ai jetoi dhe punoi.

Kur i lexojmë këshillat e tij në faqet e këtij libri, të duket sikur ato janë thënë për të gjitha kohërat: “Jeta nuk është çast, thoshte. Secili do të ketë mundësinë të tregohet dhe secilit do t’i zbardhet e vërteta. Nuk jetohet për të ngrënë, por hahet për të jetuar…i fiktë por jo i korit’”[4]

Autori në këtë libër,  me mjaft mjeshtri sjell momente nga bisedat e mbrëmjes me babain e tij, të cilit i bëhej zemra mal tek shihte të arriturat e të birit të tij (të vetmit djalë) dhe të pesë nipave të tij të gjithë me pergatitje superiore. Në rrëfimet e mësuesit Islam, kuptojmë shumë herë pengun e tij jetësor, pèr  fatin e babait dhe axhës,  por edhe për maltretimet e më vonshme ndaj djalit Sinanit si  dhe nipit Isufit, për kurdisjen në shërbimin ushtarak  në Bnja Llukë, duke i bërë dhe procesin e montuar politik ndaj tij, dhe seancën gjyqësore në të cilën mori pjesë gjyshi Islam,edhe pse në moshë të shtyrë.

Pajtimtarë gjaqesh

Një veçori tjetër me rëndësi në jetën e Islam Gashit ishte pjesëmarrja e tij në pajtimin e gjaqeve. Ky angazhim e nxjerr figurën e tij përtej kufijve të profesionit dhe e vendos në rrafshin e përgjegjësisë qytetare e shoqërore. Pajtimi i gjaqeve ishte një përpjekje me rëndësi të madhe për shoqërinë shqiptare, sepse synonte të ndalte zinxhirin e konflikteve dhe të hapte rrugën drejt mirëkuptimit e paqes.

Në këtë proces, fjala e mirë, urtësia dhe gatishmëria për t’i afruar njerëzit kishin rëndësi të veçantë. Prandaj, ky aspekt i jetës së tij e plotëson portretin e një njeriu që përpiqej të ishte i dobishëm jo vetëm në shkollë, por edhe në jetën e përditshme, aty ku  e kërkonte nevoja.

Në këtë mënyrë, figura e tij shfaqet në disa plane: si mësues që i shërbeu dijes, si mbledhës i folklorit që i shërbeu kulturës dhe si pjesëmarrës në pajtimin e gjaqeve që i shërbeu paqes. Këto tri dimensione e bëjnë monografinë më të pasur dhe na ndihmojnë ta kuptojmë më mirë gjerësinë e veprimtarisë së tij. Ishte krah i djathë i Anton Çettës që nga vizita e parë që profesor Antoni i bëri në shtëpinë e tij në Arllat në vitin 1963, duke mos  u ndarë në këtë rrugëtim, derisa ishin gjallë.

Mësuesi në kujtesën e nxënësve dhe atyre që e kanë njohur

Një pjesë të rëndësishme në monografi zënë kujtimet e ish-nxënësve  dhe ish kolegëve të tij. Ato janë zëra që vijnë nga e kaluara dhe që ndihmojnë në plotësimin e portretit të mësuesit Islam. Përtej të dhënave biografike, këto kujtime sjellin dimensionin njerëzor të figurës së tij. Aty ku biografia shënon datat dhe rrjedhën e jetës, kujtimet ruajnë ndjenjat, përjetimet dhe mbresat që kanë mbetur në kujtesën e nxënësve dhe kolegëve. Ai vazhdon të jetojë në kujtimet e nxënësve, në dijen që ata kanë marrë prej tij,  dhe në përvojën që kanë bartur gjatë jetës. Prandaj, dëshmitë e ish-nxënësve janë një element me vlerë të veçantë në këtë monografi. Ato nuk janë vetëm kujtime individuale, por edhe dëshmi për marrëdhënien ndërmjet mësuesit dhe brezave që ai ka edukuar.

Shefqet Bytyqi, gjyqtar dhe avokat, e vlerëson si mësues i palodhshëm i arsimit shqip, ndërkaq, Sahit Gashi e kujton mësuesin Islam si personalitet i cili kudo që ishte la kujtesë të mirë.

Mësuesi në pension Aziz Abazaj,  kujton sjelljet dhe punën profesionale të mësuesit Islam i cili mbeti shembull unik prej mësuesi.

“Unë e kam dasht deri në adhurim për guximin shprehës” [5] vlerëson Banush Krasniqi, kurse Abdyl Kelmendi veteran arsimi e kujton mëuesin Islam si mësues që e donte shkollën më shumë se shtëpinë e vet. Vesel Bajraktari është shprehur se, Islam Faniqi ishte mësues e patriot demokrat. Ish nxënësi i tij, Sadik Bajraktari nga Polluzha e Drinit, në kujtimet e tij e cilëson mësuesin Islam shpirt njeriu, kurse Ismail Krasniqi, mësues veteran nga Terpeza në kujtimet e tij është shprehur: “Dallohej si mësues i zellshëm  e burrë i autoritetshëm”[6],  Lekë Berisha, ish nxënësi i tij pensionist nga Dobërdoli i Klinës,  e kujton mësuesin Islam me respekt si njeri dhe si mësues, i cili deyrën e kishte marrë me përkushtim . Në libër janë pasqyruar kujtime të shumta nga ish nxënës dhe veteranë arsimi, kujtime këto të cilat e bëjnë edhe më të plotë figurën e ‘mësuesit plak’ siç e thërrisnin në disa raste për shkak të moshës së tij.

Pjesë mjaft simpatike është edhe një poezi e gjatë e Ismail Z. Nishorit kushtuar veteranit të arsmimit Islam Gashit, si dhe pjesë intermeco. Gazetarët, Tefik Selimi dhe Ismail Gashi i kushtojnë nga artikull mjaft domethënës.

Mbledhës folklori dhe adhurues i traditave autoktone

Një dimension tjetër që e pasuron veprën është përfshirja e krijimeve dhe materialeve folklorike të mbledhura nga Islam Gashi. Ky interesim dëshmon për lidhjen e tij me traditën popullore dhe me trashëgiminë kulturore. Folklori është një pasuri e veçantë, sepse në të ruhen përvoja, mendësia, zakonet, këngët dhe rrëfimet e brezave të mëparshëm.

Përmes këtyre krijimeve, një pjesë e kujtesës popullore ruhet nga harresa dhe bëhet e njohur edhe për brezat që nuk e kanë përjetuar drejtpërdrejt atë kohë. Mbledhja e materialeve folklorike është një punë që kërkon interesim, vëmendje dhe vetëdije për vlerën e traditës. Në këtë kuptim, veprimtaria e Islam Gashit në këtë fushë përbën një kontribut të rëndësishëm kulturor.

Nga të dhënat e këtij libri, lexuesi njihet edhe me fatin e hidhur të dorëshkrimeve të mësuesit Islam të cilat i shkrumbuan flakët e luftës.

“Fati e deshti që Autobiografinë dhe Ditarin e jetës, në dorëshkrim, t’ia shkrumbojnë flakët e luftës, ndërsa kujtesën përplot kujtime të shumta t’i merr me vete në amshim”[7]

Mësuesi Islam Gashi, nuk ishte vetëm mësues që përcillte dijen në shkollë, por edhe një intelektual që vlerësonte që dijen dhe përvojën e ruajtur në traditën popullore. Kështu, figura e tij merr një përmasë tjetër: krahas mësuesit shfaqet edhe mbledhësi i folklorit, i cili përpiqej të ruante vlera që përbëjnë pjesë të rëndësishme të identitetit tonë komnëtar e  kulturor.

Nëse arsimi ishte fusha ku ai kontribuonte në formimin e mendjes, mbledhja e folklorit ishte mënyra për të ruajtur kujtesën kulturore, ndërsa pjesëmarrja në pajtimin e gjaqeve ishte angazhim për paqe dhe bashkim. Këto tri fusha krijojnë një tërësi që e bën figurën e Islam Gashit të veçantë dhe monografinë më të pasur në përmbajtje.

Ky libër i autorit Sinan Gashi,  ka edhe një dimension të ndjeshëm familjar. Autori, si i biri i mësuesit Islam Gashi, i është qasur jetës dhe veprimtarisë së babait të tij me afërsinë dhe ndjenjën që sjell një lidhje e tillë. Megjithatë, vlera e monografisë nuk qëndron vetëm në këtë lidhje. Përmes dokumentimit të biografisë, kujtimeve të nxënësve dhe materialeve folklorike, autori e zgjeron rrëfimin përtej rrethit familjar.

Këtu qëndron njëra nga vlerat më të rëndësishme të veprës: shndërrimi i kujtimit personal në një dëshmi të shkruar me interes për lexuesit. Djali shkruan për babanë e tij, por njëkohësisht na i sjell lexuesit figurën e një mësuesi që i përkiste një brezi të rëndësishëm të arsimit shqip. Në këtë mënyrë, kujtimi familjar bëhet pjesë e kujtesës së kombëtare.

Koha kalon, brezat ndërrohen dhe shumë gjëra zbehen në kujtesën e njerëzve. Por vepra e mirë ka një jetë më të gjatë se njeriu që e krijon. Mësuesi Islam Gashi nuk është më fizikisht në mesin tonë, por vitet e tij në arsim, kujtimet e nxënësve, materialet folklorike dhe angazhimi për pajtim përbëjnë gjurmë që nuk shuhen lehtë.

Në fund, ndoshta ky është edhe mesazhi më i bukur që përcjell kjo monografi: njeriu largohet nga jeta, por ajo që ka mbjellë në mendjet dhe zemrat e të tjerëve vazhdon të jetojë. Dhe për një mësues, nuk ka përjetësi më të bukur sesa të mbetet i kujtuar për dijen që ka dhënë, kulturën që ka ruajtur dhe paqen për të cilën është angazhuar.

Prishtinë, 24 nëntor 2026

[1] Sinan Gashi, “Islam Gashi babai im mësuesi juaj” botoi Shoqata Kulturore “Anton Pashku” Prishtinë, 2009, fq.66.
[2] Sinan Gashi, Ïslam Gashi babai im mësuesi i juaj” botoi Shoqata Kulturore “Anton Pashku”, Prishtinë, 2009, fq.33.
[3] Po aty, fq.42.
[4] Po aty, fq.71.
[5] Po aty, 175.
[6] Po aty, fq. 189.
[7] Po aty, fq.91.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.