Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha
( Nuhi Bytyqi “Libri i lirisë”, 1151 faqe. Prishtinë 2025)
Autori Nuhi Bytyqi, nuk është një emër i panjohur për lexuesin shqiptar. Përkundrazi, ai tashmë është i njohur dhe i pranishëm në kujtesën kolektive të lexuesve që ndjekin me vëmendje zhvillimet e letërsisë dhe publicistikës kombëtare, veçanërisht për angazhimin e tij në pasqyrimin e realiteteve të ndërlikuara të historisë sonë të afërt. Kjo njohje u konsolidua dhe u zgjerua ndjeshëm pas publikimit të veprës së tij të mëparshme, “Libri i luftës”, një botim që u prit me interes të jashtëzakonshëm dhe që për një kohë të gjatë u konsiderua një ndër më të lexuarit e asaj periudhe, duke marrë statusin e një best-selleri. Kjo vepër arriti të depërtojë në ndërgjegjen e lexuesit falë gjuhës së drejtpërdrejtë, përshkrimit të fuqishëm të ngjarjeve dhe ndjeshmërisë së lartë që transmetonte përmes rrëfimit të përvojave të luftës dhe qëndresës.
Në këtë kontekst, “Libri i lirisë” vjen jo vetëm si një vazhdimësi e natyrshme e angazhimit autorial të Bytyqit, por edhe si një përpjekje e thelluar për të ofruar një reflektim më të gjerë mbi aspiratat, sakrificat dhe idealet që e kanë udhëhequr popullin shqiptar drejt lirisë.
Sot, Nuhi Bytyqi na shfaqet sërish me një përzgjedhje shkrimesh që bartin peshën e një kohe të vështirë dhe të përndjekur, një periudhë historike kur vetë akti i qëndresës ishte sfidë, e jo më fjala e shkruar. Në një kontekst kur liria e mendimit ishte e kufizuar dhe rreziku për ata që guxonin të artikulonin të vërtetën ishte i përhershëm, Bytyqi jo vetëm që mbeti i palëkundur në bindjet e tij, por vazhdoi të shkruante me përkushtim e guxim të admirueshëm.
Shkrimet e tij, të lindura në kohë represioni, nuk janë thjesht dëshmi personale, por konstituojnë një akt të qëllimshëm intelektual dhe qytetar, një mënyrë për të dokumentuar, sfiduar dhe ruajtur kujtesën kolektive. Përmes këtij botimi, autori na fton të reflektojmë mbi vlerën e fjalës si mjet rezistence dhe mbi rolin e intelektualit në kohë krizash morale dhe politike. Veprimtaria e tij letrare dhe publicistike, e zhvilluar në kushte të papërshtatshme për mendimin e lirë, shndërrohet kështu në një testament të qëndresës shpirtërore dhe të përgjegjësisë ndaj së vërtetës historike.
Edhe pse në pamje të parë “Libri i lirisë” mund të duket voluminoz, ai mbart një fuqi rrëfimtare të tillë që e bën të lexohet me një frymë. Struktura e tij e qartë dhe gjuha e rrjedhshme i japin veprës një ritëm të brendshëm që e përthith lexuesin, duke e zhvendosur pa ndërprerje nga një përvojë në tjetrën, nga një reflektim në tjetrin. Qysh në hyrje, në parathënie, autori Nuhi Bytyqi e vendos lexuesin përballë natyrës personale dhe dokumentare të kësaj vepre, duke u ndalur te lidhja e saj me autobiografinë e mëparshme, “Libri i luftës”.
Ai shpjegon se në atë vepër kishte përmbledhur kujtimet dhe përjetimet e tij si gazetar, duke nisur që nga dita e parë e punës e deri në vitin 2019. Në mënyrë të natyrshme, Bytyqi zbulon jo vetëm kronikën e një karriere të gjatë mediatike, por edhe sfidat, përpjekjet dhe dinamikën e një jete të përkushtuar ndaj fjalës dhe së vërtetës. Ai nuk flet vetëm në vetën e parë, por përfshin edhe kolegët me të cilët ka ndarë rrugëtimin profesional në realizimin e emisioneve televizive ndër dekada. Kësisoj, libri merr vlerën e një dokumenti të dorës së parë për historinë e gazetarisë shqiptare në një kontekst të ndërlikuar politik e shoqëror, por edhe të një reflektimi të thellë personal mbi misionin e gazetarit në shoqëri.
Autori thekson me qartësi se, për shkak të natyrës vetëreflektive dhe përmbledhëse të zhanrit të kujtimeve, ishte e pamundur që në “Librin e luftës” të përfshinte tërësinë e krijimtarisë së tij shumëvjeçare. Edhe pse aty janë përmendur në mënyrë të fragmentuar reportazhe, shkrime, emisione dhe dokumentarë që ka realizuar gjatë karrierës, ato nuk kanë mundur të marrin trajtën e plotë dhe të pavarur që meritonin. Veç kësaj, në “Librin e luftës” janë pasqyruar edhe detaje të rëndësishme për metodologjinë e punës, përkushtimin profesional dhe sakrificat e përditshme të autorit si gazetar në një periudhë sfiduese për mediat shqiptare.
Pikërisht për këtë arsye, si një nevojë e brendshme dhe si një obligim ndaj vetes, profesionit dhe historisë kolektive, lindi ideja e botimit të një vepre të re, të ndarë nga formati i memoareve, e cila të mbledhë në mënyrë sistematike të gjithë krijimtarinë e tij profesionale. Kështu merr jetë “Libri i lirisë”, një botim që synon të paraqesë plotësisht veprën e autorit në cilësinë e tij si gazetar, publicist dhe dokumentarist, duke i dhënë lexuesit mundësinë të njohë jo vetëm produktin përfundimtar, por edhe procesin e gjatë dhe të ndërlikuar të ndërtimit të së vërtetës përmes medias. Në këtë mënyrë, libri përbën një kontribut të rëndësishëm jo vetëm për historinë e gazetarisë shqiptare, por edhe për kujtesën kolektive të një kohe që shpesh ka mbetur e paartikuluar në format të plotë dhe profesional.
Nëpërmjet leximit të shkrimeve të Nuhi Bytyqit, të sistemuara me kujdes në një ndarje tematikisht të strukturuar në njëmbëdhjetë pjesë, krijohet bindja e thellë se kemi të bëjmë me një autor që e ka jetuar shkrimin jo si aktivitet dytësor apo kalimtar, por si një mision jetësor. Ky përkushtim i pandërprerë ndaj fjalës së shkruar reflekton një rrugëtim të gjatë e të palodhshëm, ku shkrimtaria nuk ka qenë thjesht një formë e shprehjes personale, por një akt i ndërgjegjshëm angazhimi qytetar dhe intelektual.
Në çdo rresht të tij ndihet prania e një vëzhguesi të mprehtë të realitetit, të një njeriu që ka ndjekur me ndjeshmëri dhe vëmendje dinamikat politike, shoqërore dhe kulturore të shqiptarëve në Kosovë dhe në hapësirën më të gjerë shqiptare. Përmes këtij angazhimi, Bytyqi nuk ka qenë vetëm dëshmitar i zhvillimeve historike, por edhe pjesëmarrës aktiv në proceset që kanë formësuar identitetin dhe vetëdijen kolektive. Në këtë kuptim, krijimtaria e tij tejkalon dimensionin individual dhe merr trajtën e një arkivi të gjallë që ruan, interpreton dhe artikulon përvojat e një populli nëpërmjet lenteve të një gazetari, publicisti dhe intelektuali të përkushtuar.
Vetë akti i të shkruarit, në kontekstin historik dhe politik në të cilin ka vepruar Nuhi Bytyqi, shndërrohet në një formë të qartë dhe të qëndrueshme rebelimi intelektual. Shkrimet dhe analizat e tij nuk janë vetëm përpjekje për të artikuluar të vërtetën, por edhe shprehje e një pakënaqësie të thellë me realitetin politik të kohës dhe dëshmi e një qëndrese të brendshme që përkon me rolin e intelektualit të angazhuar. Në çdo paragraf të veprës së tij ndjehet pulsi i një mendjeje që nuk pranon kompromis me padrejtësinë, që nuk hesht përballë shtypjes dhe që refuzon konformizmin ideologjik të sistemit jugosllav.
Vetëm ata që kanë përjetuar nga afër represionin sistematik të një regjimi si ai jugosllav mund të kuptojnë peshën reale të guximit për të shkruar dhe për të botuar në atë kohë. Publikimi i çdo teksti ishte një akt i rrezikshëm, i mbështjellë me censurë të gjithanshme dhe i shoqëruar me kontroll të vazhdueshëm nga aparati shtetëror i survejimit. Ishte një realitet ku fjala e lirë përcillej me dyshim, ku autori ndiqej me vëmendje përmes “llupës” së strukturave të sigurisë dhe çdo veprim, sado i vogël, mund të interpretohej si akt armiqësor ndaj sistemit.
Në këtë kuptim, krijimtaria e Bytyqit nuk është thjesht dokumentim i një kohe të caktuar, por edhe një akt rezistence që shfaqet përmes fjalës. Ajo përfaqëson një qëndrim të vazhdueshëm kritik, një përpjekje për të mbrojtur të vërtetën përballë një makinerie shtypëse që synonte kontrollin absolut të mendimit dhe të shprehjes. Kjo e bën veprën e tij jo vetëm të rëndësishme nga këndvështrimi letrar dhe publicistik, por edhe nga ai historik e shoqëror, si një dëshmi autentike e luftës së një individi për të mbajtur të gjallë frymën e lirisë.
Shkrimet e Nuhi Bytyqit, të botuara në periudha të ndryshme – përpara luftës, gjatë luftës dhe pas përfundimit të saj – përbëjnë një pasuri me vlerë të shumëfishtë: historike, kulturore dhe kombëtare. Ato nuk janë vetëm reflektime të një kohe të kaluar, por dokumente të gjalla që mbartin në vetvete frymën e rezistencës, vendosmërinë për të qëndruar, dhe zërin e një gjenerate që nuk e pranoi nënshtrimin. Pikërisht për këtë arsye, këto shkrime duhet të lexohen me vëmendje dhe ndjeshmëri të veçantë nga brezat e rinj, jo vetëm për të njohur të kaluarën, por për t’u frymëzuar nga të vërtetat që ato bartin.
Nëpërmjet këtyre faqeve, të rinjtë mund të ndiejnë pulsin e një epoke ku çdo fjalë e shkruar ishte akt guximi, ku çdo artikulim kritik i realitetit ishte një formë e qëndresës ndaj shtypjes. Aty shpaloset një histori kolektive e përpjekjes së pandërprerë për dinjitet, për liri mendimi dhe për vetëdije kombëtare. Zelli me të cilin është vepruar, përkushtimi për të mos u përkulur përballë padrejtësisë, dhe mënyrat e shumta për të manifestuar pakënaqësinë e grumbulluar ndër vite, i japin këtyre shkrimeve një vlerë që shkon përtej kontekstit të tyre kohor – duke u shndërruar në një thirrje të heshtur, por të fuqishme, për kujtesë, reflektim dhe angazhim të vazhdueshëm.
Në këtë mënyrë, vepra e Bytyqit nuk është vetëm një testament i një kohe të vështirë, por edhe një udhërrëfyes moral dhe intelektual për brezat që duan ta kuptojnë thellë historinë e qëndresës shqiptare, jo si narrativë e thjeshtë heroizmi, por si realitet kompleks që u përjetua, u shkrua dhe u trasmetua me përgjegjësi të lartë historike.
Bazuar në të dhënat e dokumentuara dhe të prezantuara në këtë vepër, rezulton qartë se autori ka ndërtuar një arkiv të pasur dhe të shumëllojshme të krijimtarisë mediatike, duke përfshirë një sërë zhanresh të gazetarisë dhe dokumentaristikës që pasqyrojnë me përpikëri kohën dhe sfidat e saj. Në këtë kontekst, “Libri i lirisë” përfaqëson një përpjekje serioze dhe të strukturuar për të sistemuar dhe për të ruajtur trashëgiminë profesionale të autorit në shërbim të kujtesës kolektive.
Duke e lexuar veprën me shumë kujdes del e dhëna se në këtë libër janë të përfshira 22 emisione televizive, 21 dokumentarë dhe 10 kronika televizive, të cilat përbëjnë një pasqyrë të rëndësishme të zhvillimeve mediatike dhe të narrativës së kohës në raport me çështjet kombëtare. Kësaj tabloje i shtohen edhe 24 reportazhe të realizuara në terren, 14 shkrime analitike që ofrojnë qasje të thelluara ndaj ngjarjeve, 15 vështrime dhe 23 intervista të botuara në shtypin shqiptar të kohës, të gjitha të fokusuara në rrjedhat e rezistencës paqësore dhe të luftës çlirimtare në Kosovë, si dhe në zonat e tjera me shumicë shqiptare si Lugina e Preshevës dhe Maqedonia e Veriut.
Megjithëse pas përfundimit të luftës autori ka realizuar mbi 130 dokumentarë, në këtë botim janë përzgjedhur dhe përfshirë vetëm dy filma dokumentarë të metrazhit të gjatë — “Mbijetesa” dhe “Mbijetesa dhe shkolla”. Kjo zgjedhje nuk është rastësore, por reflekton një përkushtim për të përfaqësuar temat thelbësore të periudhës pas konfliktit: rikuperimin social, edukimin dhe qëndresën kulturore të popullsisë shqiptare në kushte të vështira paslufte.
Përmes kësaj përmbledhjeje të gjithanshme, “Libri i lirisë” shndërrohet jo vetëm në një dëshmi personale e profesionale, por edhe në një burim me vlera të jashtëzakonshme për studiuesit, gazetarët dhe të gjithë ata që janë të interesuar për të kuptuar thellë dimensionet e luftës për liri dhe të identitetit kombëtar në hapësirën shqiptare.
Duke ecur faqeve të librit, hasa në të dhënat se si fati e solli, që Nuhi Bytyqi, pas një karriere të gjatë dhe të përkushtuar në dokumentimin e realiteteve historike dhe politike shqiptare, të përfshihej edhe në një nga momentet më delikate të drejtësisë ndërkombëtare në raport me historinë e re të Kosovës. Me kërkesë të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, përkatësisht të Zyrës së Prokurorisë Speciale, ai pranoi të intervistohej fillimisht në Prishtinë, më 30 dhe 31 korrik të vitit 2019 — një akt që shënon jo vetëm angazhim personal, por edhe përgjegjësi të lartë qytetare e profesionale.
Më tej, ai u angazhua edhe si dëshmitar në procesin gjyqësor ndaj disa prej figurave qendrore të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës — Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit. Ky rol, që e vendos autorin në një kontekst të ndjeshëm historik e juridik, nuk është i rastësishëm: ai rrjedh natyrshëm nga përvoja, nga prania e tij aktive në rrjedhat e kohës, dhe nga kredibiliteti që ka ndërtuar përmes një pune të palodhur në ndriçimin e së vërtetës.
Bytyqi, përmes këtij angazhimi, nuk paraqitet thjesht si dëshmitar i një ngjarjeje apo procesi, por si përfaqësues i një brezi që ka përjetuar, dokumentuar dhe artikuluar me përkushtim të vërtetën historike të shqiptarëve të Kosovës. Roli i tij në këtë proces gjyqësor nuk duhet parë si një moment i izoluar, por si vazhdimësi e një rruge të nisur prej dekadash: rrugës së fjalës së lirë, të qëndresës përmes mendimit, dhe të përgjegjësisë ndaj të kaluarës sonë të përbashkët.
Në atë skenë ndërkombëtare të drejtësisë, Bytyqi qëndron me dinjitet dhe urtësi, duke artikuluar të vërtetën historike jo vetëm si gazetar dhe intelektual, por edhe si përfaqësues i një populli që për dekada kishte përjetuar shtypje sistematike. Fjala e tij në sallën e Hagës nuk ishte vetëm një dëshmi faktike, por një apel moral dhe qytetar për drejtësi, liri dhe njohje të së drejtës legjitime të shqiptarëve për vetëvendosje dhe dinjitet njerëzor.
Kjo paraqitje në një forum ndërkombëtar vulos figurën e tij si një intelektual të angazhuar dhe të përgjegjshëm, i cili nuk e ka kufizuar rolin e vet në kornizat e gazetarisë apo shkrimtarisë, por e ka zgjeruar atë edhe në arenën e drejtësisë globale. Në këtë mënyrë, fati dhe koha u ndërthurën për të vendosur Bytyqin në një pozicion të rrallë dhe të nderuar: atë të dëshmitarit që, me integritet të palëkundur, i dha zë së vërtetës shqiptare përpara botës.
Dhe, në mbyllje të këtij reflektimi, me mirënjohje të thellë dhe respekt të veçantë, i drejtojmë urimet më të sinqerta autorit të palodhur, zotit Nuhi Bytyqi – një figurë që ka dëshmuar me vepër dhe fjalë se fjala e shkruar mund të jetë një formë e qëndresës po aq sa edhe e ndriçimit të ndërgjegjes kolektive. Shëndeti dhe suksesi i tij i mëtejshëm janë një dëshirë e përbashkët e të gjithë atyre që e vlerësojnë kontributin e tij, jo vetëm për atë që ka shkruar, por për atë që përfaqëson si figurë publike dhe si mendje e pavarur.
Sepse ajo që na ofrohet në këtë libër, sado e pasur dhe mbresëlënëse, është vetëm maja e ajsbergut të veprimtarisë së tij të gjerë krijuese. Nën sipërfaqen e këtyre faqeve ndodhet një pasuri e tërë përjetimesh, analizash, dokumentimesh dhe përkushtimi, që ende pret të marrë formë librash të rinj, me të njëjtën thellësi, qartësi dhe angazhim. Në këtë prizëm, lexuesi nuk e sheh këtë vepër si përfundim, por si një pikënisje të re – një premtim i heshtur për vazhdimësi në rrëfimin dhe mbrojtjen e të vërtetave historike që formësojnë kujtesën dhe identitetin tonë kombëtar.











