
Ibrahim-Miran Kelmendi
Sërish u provokova nga karaxhozi Milaim Zeka (pjesëtar i “ndërmarrjes së përbashkët kriminale”), i cili në emisionin “Politiko” (më 19 nëntor 2026) ulëriti përjargshëm për heroizmin e Hashim Thaçit në Rambuje. Prandaj dua ta çliroj shpirtin, duke i prezantuar edhe njëherë përjetimet dhe mendimet e mia për ndodhitë e atëhershme.
Ideja për një konferencë ndërkombëtare për ta paqësuar “konfliktin” në Kosovë është publikuar qysh më 17 shtator 1998, në gazetën “Koha Ditore”, nga Christopher R. Hill, atëherë ambasador amerikan në Maqedoni dhe i ngarkuar me çështjen e Kosovës. SHBA-ja, përmes atij publikimi shfaqi përcaktimin e saj për viktimizimin e Kosovës. Ai propozim u konkretizua në janar 1999 në Londër, në mbledhjen e Grupit të Kontaktit (GK), nga ministrat e jashtëm përkatës. Aty u përcaktua se kufiri shtetëror i Serbisë së Madhe (që atëherë përfshinte edhe Malin e Zi, Kosovën dhe Vojvodinën) do të mbetej i pandryshuar.
Franca, e sunduar nga DGSE-ja famoze, ia doli që konferenca të mbahej në Rambuje, sepse donte “teknikisht” t’i impononte sa më shumë përcaktime serbo-franceze. Prandaj edhe Millosheviqi u dakordua me mbajtjen e asaj konference. Kundër mbajtjes së konferencës, më të zëshmit ishin Adem Demaçi e Sali Berisha (edhe Albin Kurti, por atëherë ende i pafaktorizuar)…
Delegacioni shqiptar u kompilua nga diplomacia operative e GK-së. Më operativi ishte ambasadori francez në Maqedoni. GK-ja atëherë e diskualifikonte UÇK-në si organizatë terroriste. Megjithatë vendosi – meqë UÇK-ja ishte faktorizuar në terren – ta përfshinte në delegacionin që do t’i përfaqësonte shqiptarët në Konferencën komplotiste në Rambuje.
Përherë kam pasur keqardhje – për të mos thënë urrejtje – për të gjithë ata, qofshin anëtarë të delegacionit, apo analistë e historianë, të cilët nuk kishin kurajë, as atëherë e as tani, për të informuar se Hashim Thaçin e kanë imponuar për kryetar të delegacionit DGSE-ja franceze (e cila e kishte brenda në kala shefin e sektorit përkatës, Danjean Arnaud, që prezantohej si shok i Hashimit) dhe RDB-ja serbe, e cila duhet ta ketë komanduar Ibrahim Rugovën ta miratonte atë imponim, ashtu siç e kanë imponuar edhe marrëveshjen Rugova–Thaçi, po aty, për “qeveri të përkohshme”, me mandatar Thaçin, sepse gjykuan se duhej t’i ndërronin kuajt e karrocës komplotiste.
Meqë isha bashkëkoordinues i angazhimeve të LPK-së pranë kalasë në Rambuje, informoj se më 20 shkurt 1999, dy diplomatë operativë, të angazhuar në stafin e ambasadorit Wolfgang Petritsch (i ngarkuar nga BE-ja si bashkëdrejtues, në ekip me Christopher Hill-in e SHBA-së dhe Boris Majorskin e Rusisë), ma kanë shprehur shqetësimin:
“Thaçi është përcaktuar për ta refuzuar nënshkrimin e marrëveshjes, me arsyetimin se është kërcënuar me vrasje nga komandantët e UÇK-së… Në fakt, ne na rezulton se Thaçin për të mos e nënshkruar marrëveshjen e ka komanduar DGSE-ja përmes Danjean Arnaud…” (parafrazim).
Në pyetjen cilët komandantë e kishin kërcënuar, Hashimi duhet të ketë shkretuar: “Komandantët radikalë që i financon e komandon Ibrahim Kelmendi më kanë kërcënuar…”
Që t’i bindja ata diplomatë se Hashimi kishte gëmjyer, e kam lutur Sabri Kiçmarin (tani ambasador i Kosovës në Tokio) t’u telefononte të gjithë komandantëve të zonave, për t’u informuar se kush e kishte kërcënuar Hashimin. Asnjëri nuk ka pranuar ta ketë kërcënuar. Secili ka thënë se është dakord me përfaqësimin dhe vendimmarrjen e delegacionit.
Pothuajse të gjithë pjesëtarët e delegacionit, edhe pse ishin dakord për ta firmosur marrëveshjen më 23 shkurt 1999, për hir “të rendit” u rreshtuan pas “udhëheqësit” Thaçi…
Ata diplomatë operativë i kemi informuar se asnjë komandant nuk e kishte kërcënuar Thaçin dhe se as Shtabi i Përgjithshëm nuk kishte bërë puç kundër “ndërmarrjes së përbashkët kriminale” (NKP), kur e kanë “zgjedhur” Sylejman Selimin për komandant të Shtabit të Përgjithshëm…
Fatmirësisht ia kam dalë t’ia them variantin tim ministrit të jashtëm gjerman, Joschka Fischer (meqë kishim njohje personale), sapo e pati përfunduar konferencën me gazetarë, ku ai e shprehu zhgënjimin dhe mllefin kundër delegacionit tonë. Ai u trondit edhe për faktin pse askush deri në atë moment nuk ia kishte thënë këtë variant. Aty për aty e shfaqi mendimin se duhej bindur presidenti francez që të ndërhynte në DGSE për ta ndryshuar atë urdhër…
Po e sjell pjesën e tekstit të marrëveshjes, i cili shpërdorohet për ta arsyetuar “heroizmin” e Hashim Thaçit, sikur ai e kishte imponuar referendumin “në momentin e fundit”:
“Tri vite pas hyrjes në fuqi të kësaj marrëveshjeje, do të thirret një mbledhje ndërkombëtare për të determinuar një mekanizëm për një vendosje (zgjidhje) finale për Kosovën, në bazë të vullnetit të popullit, të mendimeve të autoriteteve relevante, të përpjekjeve të secilës palë në lidhje me implementimin e kësaj marrëveshjeje dhe të Aktit Final të Helsinkit, dhe për të ndërmarrë vlerësime të përgjithshme mbi implementimin e kësaj marrëveshjeje, duke i konsideruar propozimet nga cilado palë për masa shtesë.” [Marrëveshja e Rambujesë, Kapitulli 8, pika 3.]
Thuhet se këtë formulim duhet ta ketë shtuar Sekretarja amerikane e Shtetit, Madeleine Albright, dy ditë para se të ndërpritej Konferenca, që ta përfitonte delegacionin tonë për ta nënshkruar marrëveshjen. Megjithatë, edhe me atë “pikë” të shtuar, Hashim Thaçi nuk e ka nënshkruar marrëveshjen ditën e fundit, duke e tronditur sidomos delegacionin amerikan, në krye me Sekretaren Albright, e cila me tërë qenien ishte angazhuar gjatë dy ditëve të qëndrimit të saj në Rambuje, ta bindte delegacionin “tonë” të nënshkruante. Që do të thotë, për Hashimin më imponues ishte urdhri nga DGSE-ja sesa përgjërimet e Sekretares Albright (sepse përmes refuzimit të Hashimit, Kosova duhej të barazfajësohej me Serbinë, delegacioni i së cilës gjithashtu refuzoi nënshkrimin në Rambuje më 23 shkurt 1999).
Edhe në këtë distancë kohore vazhdohet me mashtrime se në marrëveshje ishte përfshirë edhe REFERENDUMI i popullit të Kosovës, falë këmbënguljes së Thaçit. Teksti origjinal nuk e përmban shprehjen referendum, por Aktin Final të Helsinkit, i cili përcakton se asnjë kufi në Evropë nuk mund të ndryshohet me dhunë as pa miratim të palëve.
Fatmirësisht, SHBA-ja, Anglia, Gjermania, duhet ta kenë bindur presidentin francez që të ndërhynte te DGSE-ja për ta urdhëruar marionetën Thaçi që të nënshkruante në Paris, më 18 mars 1999, të njëjtin tekst që nuk e kishte nënshkruar më 23 shkurt në Rambuje, pa ia ndryshuar asnjë pikë e as presje.
Është idiotike të quhet heroik refuzimi i nënshkrimit të marrëveshjes, më 23 shkurt 1999, nga Hashim Thaçi, njëherësh të quhet heroik edhe nënshkrimi, po nga Hashimi, më 18 mars 1999, pa pësuar teksti i 23 shkurtit asnjë ndryshim. Të vetmin përfitim nga vonesa mbi trejavore e nënshkrimit e kishte Serbia fashistoide, sepse gjatë atyre tri javëve mundi të dislokonte me shumë forca ushtarake në Kosovë dhe t’u hakmerrej ndaj popullsisë civile për bombardimet nga NATO-ja!!
Më në fund, njëherë e mirë duhet të dihet: deri më 23 mars 1999, pothuajse të gjitha qeveritë e botës ishin për viktimizimin e Kosovës, duke ia njohur Serbisë të drejtën për ta mbajtur si koloni. Në takimin e fundit të Trojkës Hill–Petritsch–Majorski me Millosheviqin, në Beograd, më 23 mars 1999, ka ndodhur një INCIDENT që e ka nxitur Majorskin rus t’ia përplaste në surrat Millosheviqit fashistoid: “Nga ky moment nuk e ke më mbrojtjen e Rusisë!” (parafrazim nga informi i ambasadorit Petritsch).
Në mbrëmjen e asaj dite, Presidenti Clinton e ka ndryshuar përcaktimin për 180 shkallë, në konsultim me kryeministrin britanik Tony Blair, dhe ajo kthesë HUMANITARE i është imponuar Aleancës NATO për t’i bombarduar objektet ushtarake e policore të Serbisë (pa marrë leje nga KS i OKB-së dekadente). Meritori kryesor për atë kthesë shpetimtare duhet të ketë qenë arroganca delirante e sovraniste e Millosheviqit nacional-socialist, i cili, duke i poshtëruar SHBA-në, BE-në dhe Rusinë, refuzoi të nënshkruante marrëveshjen pro Serbisë, të kurdisur gjatë Konferencës në Rambuje…
Mua tani po më zhgënjen heshtja e Sabri Kiçmarit, i cili ishte protagonist i pranishëm për ato që i kemi përjetuar në Rambuje, siç i rrëfeva. Më ka zhgënjyer edhe heshtja e Bilall Sherifit, i cili ishte dëshmitar kur më ka ndodhur grindja ime aksidentale me serbofilin francez Danjean Arnaud, më 8 qershor, në Hotel “Maritim” në Këln, ku pat ardhur për ta “këshilluar” Hashimin; në Këln ato ditë u mbajt Samiti për Kosovën, ku u përcaktuan konturat për “kapitullimin” e Serbisë, më 9 qershor 1999 (me marrëveshjen në Kumanovë)…
Për ilustrim po e përdor faksimilin e publikimit të tekstit të ambasadorit amerikan Ch. Hill, botuar në “Koha Ditore” më 17 shtator 1998:












